-
Meta: Prokuroria celulë ekstremiste, duhet reformë për të

TIRANË-Kryetari i LSI, Ilir Meta ka akuzuar sot institucionin e akuzës se ka shkelur ligjin me ekspertizat dhe procedurat ndaj dosjes se përgjimit nëpërmjet veprimeve të paligjshme arbitrare. Meta sugjeroi që në këtë institucion të nisë një reformë serioze pasi sipas tij me veprimet skandaloze po shkaktohen jo vetëm probleme politike, por edhe sociale.
“Ka një shkelje totale të procedurave nga ana e prokurorisë. Ka funksionuar si një celulë politike ekstremiste për të dëmtuar personin tim dhe forcën politike që unë drejtoj vetëm për arsye elektorale”.
Meta theksoi se ka fakte që Prokuroria shkeli procedurat hetimore, ndaj sipas tij hetimet duhet të shpallen të pavlefshme.
“Prokuroria e regjistroi cështjen pa emrin e Ilir Metës në 12 Janar, kur bëhej fjalë për të hetuar Ilir Metën, por dosja nuk kishte ende emër. Më pas e regjistroi në 9 Shkurt dosjen me emrin tim, me qëllim që cdo veprim më tej të koocidonte me 8 Majin, ditën e zgjedhjeve.
Nga 12 janari e deri më 9 Shkurt hetimet duhet të shpallen të paligjshme, pse nuk e dinte prokuroria kë po hetonte? Por prokuroria kishte marrë detyrë ta lidhte cështjen me datën 8 Maj, ditën e zgjedhjeve, dhe pikërisht një ditë para zgjedhjeve më marrin në pyetje duke bërë show politik ”.
“Edhe pse kishte vullnetin tonë për ta zbardhur, nuk përfundoi hetimet më përpara, por ditën e parafundit të zgjedhjeve vendore thirri Metën ta marrë të pandehur për këto akuza, vetëm e vetëm për show mediatik”.
"U bene 3 here ekspertiza te videos, 3 here dhe kjo eshte e paligjshme".
Sipas tij, organit të akuzës i është ndaluar të zbardhte të vërtetën, sepse nuk mund të dilte e vërteta para zgjedhjeve të 8 majit.
Kreu i LSI-së theksoi se do të shfrytëzojë legjislacionin shqiptar dhe evropian për të fituar ndaj prokurorisë, që sipas tij, ka kryer vepra penale ndaj tij.
“Prokuroria me veprimet e saj skandaloze dhe politike ka kryer vepër penale ndaj personit tim dhe nuk lejoj të më shkelet e drejta, ndaj do të shfrytëzoj legjislacionin europian jo vetëm nën emrin e Ilir Metës, por dhe ndaj subjektit politik që unë drejtoj dhe ndaj gjithë qytetarëve që u shkelet e drejta me sjellje joligjore”.
Meta theksoi se shumë qytetarë i kanë treguar për shumë raste ku prokuroria ka abuzuar me të drejtat e tyre dhe ndaj ish-zv/kryeministri sugjeroi që në prokurori të kryhet një reformë e thellë dhe serioze.
“Me mijëra dosje skandaloze ndodhen në Prokurori dhe për shkak të veprimeve arbitrare që kërcënojnë jetën e qytetarëve, problem social dhe jo personal ndaj kam thënë dhe më parë se duhet reformë serioze për prokurorinë e shtetit. Prokuroria është kthyer në një problem të madh për ligjin dhe problem social, ndaj të reformohet".
Dje, Kolegji Penal me vendim të ndërmjetëm rrëzoi kërkesën paraprake të të pandehurit Ilir Meta, për pushimin e gjykimit ndaj tij, me arsyetimin se Prokuroria e Përgjithshme nuk ka kryer asnjë veprim hetimor ndaj të pandehurit, në kohën kur ai gëzonte imunitet. Kolegji Penal i dha përgjigje dhe pretendimit të avokatëve, të cilët pretendonin se hetimet ishin kryer jashtë afateve ligjore. Për gjykatën nuk ka pasur asnjë tejkalim afati. Po dje, gjykata u shpreh se videoja e regjistruar nga Dritan Prifti, ku kreu i LSI-së, shfaqet së bashku me ish-vartësin e tij duke folur për afera korruptive do të shqyrtohet si provë në proces, duke rrëzuar në këtë mënyrë kërkesën e Metës për papërdorshmëri.
Në favor të ish-zv/kryeministrit Meta, ishte vendimi për shpalljen e pavlefshme të dy ekspertimeve të kryera nga ekspertët e huaj amerikanë dhe britanikë. Relatori Dvorani u shpreh se Kolegji Penal vendosi “pranimin e kërkesës paraprake për pavlefshmërinë relative dhe papërdorshmërinë, përkatësisht të akteve proceduriale dhe akteve të ekspertimit të përpiluara nga eksperti amerikan Glen Bard dhe eksperti nga Mbretëria e Bashkuar Adrian Philips, me arsyetimin se caktimi i ekspertëve dhe veprimet e mëvonshme lidhur me marrjen e aktit të ekspertimit është kryer në shkelje të ligjit”.
Thënë ndryshe ekspertimet, ku pretendohej se ishte vërtetuar autenticiteti i videos dhe bisedave të kryera, nuk janë kryer përmes letërporosisë, sikurse parashikohet nga ligji. Pas këtij vendimi, prokurori Bujar Sheshi lexoi kërkesën për gjykim ndaj Ilir Metës dhe kërkoi nga gjykata të urdhërojë kryerjen e një ekspertimi të ri, për të vërtetuar origjinalitetin e video-përgjimit. Ndërsa avokatët e Metës kundërshtuan ekspertët e huaj, duke këmbëngulur që videoja të kryhet nga ekspertë shqiptarë. Ilir Meta akuzohet për veprën penale të “korrupsionit aktiv të funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”. Ai u vu nën akuzë pas publikimit të një video ku shfaqej së bashku me Dritan Priftin, duke biseduar për afera.
-
Regullat e Postimit
- Ju nuk mund të hapni tema të reja.
- Ju nuk mund të postoni në tema.
- Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
- Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
-
Rregullat e Forumit
Krijoni Kontakt