I mallëngjyer për Zotin

Vallë a ndjen ndonjëherë mall për Zotin?
A të merr malli dhe je kureshtar të dish nëse është i kënaqur me ty?
A të merr ndonjëherë malli që të ngrihesh natën, të falesh i vetëm dhe t'i përgjërohesh?

Secilit prej nesh i ka ndodhur që ta marrë malli për dikë dhe mezi pret ta vizitojë ose të takohet me të. Në rreshtat në vazhdim, do të flasim mbi mallin që ndjente profeti Musa (a.s.) për Zotin e lartësuar. Profeti Musa (a.s.) radhitet tek profetët më madhështorë. Nëse e kërkon tek drejtuesit e shquar, tek Musai (a.s.) do të gjesh cilësitë dhe tiparet më të mira të një drejtuesi. Nëse e kërkon tek trimat dhe guximtarët, e gjen kur u përball me faraonin. Nëse e kërkon si adhurues dhe njeri të përkushtuar, e gjen tek Musai (a.s.). Nëse e kërkon si të mbështetur tek Zoti, e gjen tek Musai (a.s.). Të gjitha këto tipare dhe cilësi e bëjnë atë madhështor. Ai e ka merituar të radhitej ndër pesë të dërguarit me vendosmëri të lartë, ashtu siç e ka merituar të veçohej nga të gjithë profetët e tjerë me të folurën drejtpërdrejt nga Zoti. Asnjëri prej profetëve të tjerë nuk i është afruar këtij nderi të lartë, përveç profetit Muhamed (a.s.) gjatë udhëtimit në Miraxh.

A të ka ndodhur ndonjëherë të ndjesh mall që të mbyllesh në dhomë dhe i vetëm pa të parë kush të falesh, të lutesh dhe t'i përgjërohesh Zotit?
A ke ndjerë ndonjëherë mall që t'i flasësh Zotit dhe t'i qash hallet?


Abdullah ibnu Hudhafe Es-sehmij, bashkë me disa myslimanë të tjerë, ra rob i ushtrisë romake. Komandanti romak i hodhi në vaj të nxehtë shokët e tij dhe kur i erdhi radha Abdullahut ai zuri të qante. Mbreti ua bëri me shenjë që ta linin dhe e pyeti:

"Hë, do ta pranosh fenë time?"

"Kurrë!" ia ktheu Abdullahi.

"Po përse qave atëherë?!" e pyeti mbreti.

Abdullahu ia kthen: "Për Zotin nuk qava nga frika se do të vdes, por ngaqë nuk kam veçse një shpirt, i cili do të dalë vetëm një herë për hatër të Zotit. Do të doja të kisha shpirtra aq sa kam qime në trup dhe të gjithë këto shpirtra te dilnin një nga një për hatër të Zotit."

Fakti që këto fjalë i tha në çastin kur ndodhej para kazanit me vaj të nxehtë, është tregues i mallit dhe dashurisë që ai kishte për Zotin.

Abdullah bin Hiram ra shehid në betejën e Uhudit. I biri i tij Xhabiri, tregon se kishte shkuar ta shihte, por myslimanët e tjerë nuk e kishin lejuar, pasi jobesimtarët ia kishin masakruar trupin. Profeti (a.s.) u tha:

"Lëreni ta shohë të atin!" Kur e pashë në atë gjendje, fillova të qaj me të madhe, saqë i fshija lotët me mëngë. Profeti (a.s.) u afrua dhe më tha:

“E qan apo nuk e qan, melekët vazhdojnë ti bëjnë hije me krahët e tyre. Gëzohu o Xhabir”, më tha më pas.

“Po përse, o dërguari i Allahut”, e pyeta?

Ai më tha: “Nuk i ka folur kujt Zoti pa ndonjë pengesë, kurse babait tënd i ka folur direkt pa pengesë dhe i tha: “O robi Im, kërko prej Meje ç’të duash”. “O Zot”, i tha babai yt, “kërkoj prej Teje që të më kthesh përsëri në jetë, të luftoj dhe të vritem përsëri në rrugën Tënde”.

Zoti i tha: “O robi Im, unë e kam caktuar që të mos kthehen më të vdekurit (në dynja) prandaj kërko diçka tjetër”. “

O Zot, kërkoj që tu tregosh njerëzve dhe shokëve të mi në dynja, mbi kënaqësinë që po përjetoj unë tani".

Vallë kur ka qenë hera e fundit që të kanë rrjedhur lot nga malli dhe dashuria për Zotin?
Kur ka qenë hera e fundit që ke ndjerë mall për të vizituar Qaben?
A ndjen mall për të lexuar librin e Zotit?

Të ndjesh mall për Zotin është një kënaqësi që nuk e kupton dhe percepton, veçse ai që e ka shijuar. I mjerë është ai person që jeton në luks dhe të mira materiale dhe nuk e shijon një kënaqësi të tillë.

Takimi me Zotin


Zoti e urdhëroi Musain (a.s.) që të nisej drejt malit Tur, ku do të takohej dhe do të bisedonte direkt me Zotin. Hera e parë dhe e fundit që kishte biseduar direkt me Zotin, ishte herën kur humbi rrugën gjatë kthimit në Egjipt. Hera e dytë ishte pas mbytjes së faraonit dhe largimit nga Egjipti. Musai (a.s.) e kishte përmbushur misionin e parë dhe tashmë do të takohej sërish me Zotin pesëmbëdhjetë vite më vonë, në të njëjtin vend.

Zoti thotë në Kuran:"Ne i premtuam Musait se do t’i flisnim pas tridhjetë netësh, të cilat ia shtuam edhe me dhjetë të tjera, kështu që takimi me Zotin e tij u bë pas dyzet netësh." (Araf, 142)

Zoti i tha Musait (a.s.): "Nëse agjëron dhe më adhuron me përkushtim për tridhjetë ditë, Unë do të të afroj pranë Meje dhe do të të shpërblej duke të shpallur Teuratin." Kështu, Musai (a.s.) i agjëroi tridhjetë ditë. Në fund të tyre, Zoti e urdhëroi të agjëronte dhe dhjetë të tjera.

Sakaq, Musai (a.s.) kishte lënë Harunin të kujdesej për popullin e tyre. Asnjë prej tyre nuk e pati nderin të agjëronte dhe të adhuronte Zotin, siç bëri Musai (a.s.). Është privilegj i madh për ne umetin e Muhamedit (a.s.), që Zoti na ka nderuar me muajin e Ramazanit. Këtë nder dhe privilegj Zoti nuk ia dha vetëm Profetit tonë, por ua dha të gjithë ndjekësve të tij. Kush e agjëron këtë muaj, shpërblehet në forma të ndryshme nga Zoti i lartësuar.

“Kush agjëron ramazanin me besim dhe shpresë se do t’i falen gjynahet, do t’i falen të gjitha gjynahet që ka bërë.”

“Xheneti zbukurohet vit pas viti në muajin e Ramazanit."

“ Kur vjen muaji i ramazanit hapen dyert e xhenetit, mbyllen dyert e zjarrit dhe prangosen shejtanët.”

A e kuptoni o myslimanë sa të shtrenjtë dhe të dashur jeni tek Zoti? Shpërblimin që Zoti ia dha vetëm Musait (a.s.), ia ka mundësuar të gjithë umetit të Muhamedit (a.s.). Jo vetëm kaq, por ashtu siç ia zgjati dhjetë ditë Musait (a.s.) agjërimin, ai ia ka zgjatur edhe myslimanëve gjashtë ditët e Shevalit. Edhe ky është një privilegj tjetër për umetin mysliman.

Kur mbërriti Musai (a.s.) në malin Tur, Zoti e pyeti: "Përse nxitove para popullit tënd, o Musa?”. (Musai) tha: “Ja, ata, shkojnë pas gjurmëve të mia e unë nxitova te Ti, o Zoti im, për të fituar kënaqësinë Tënde.”
(Taha, 83-84)

Ai ndjente mall për takimin me Zotin, pasi kishin kaluar pesëmbëdhjetë vjet që nga takimi i parë.

Pyetjet e parë që Musai (a.s.) ia drejtoi Zotit të lartësuar

Gjatë takimit, Musai (a.s.) tregoi mall dhe nostalgji për Zotin e lartësuar. Ai nuk ngopej me bisedën me Zotin, gjë e cila duket në pyetjet e shumta që ia drejtoi.
Musai (a.s.) e pyeti Zotin:

"O Allah i plotfuqishëm! Më trego një adhurim të veçantë dhe të dashur për Ty, që vetëm unë ta veproj."

Zoti ia ktheu: "O Musa! Përsërit sa më shpesh formulën: "La ilahe il-lallah!".

Musai (a.s.) i tha: "O Zoti im! Të gjithë robërit e Tu e thonë këtë. Unë dua diçka të veçantë për veten time, që askush tjetër të mos e dijë."

Zoti i tha: "O Musa! Nëse shtatë qiejt dhe shtatë tokat do të vendoseshin në njërën anë dhe formula "La ilahe il-lallah" në anën tjetër, kjo e fundit do rëndonte më shumë."

Në një hadith, profeti Muhamed (a.s.) tregon mbi një person, i cili vjen Ditën e Kiametit me nëntëdhjetë e nëntë regjistra plot e përplot me gjynahe. Thotë Profeti (a.s.):

"Do të qëndrojë dikush nga umeti im para Zotit ditën e kiametit dhe Zoti do të thotë: Hapini regjistrat e veprave dhe do i hapen 99 regjistra, secili prej tyre shtrihet deri në horizont. Kur i shikon do e kuptojë që është i humbur. Do t’i vendosen veprat e mira në njërën anë të peshores dhe regjistrat e veprave të këqija në anën tjetër dhe do e ulin peshoren regjistrat e veprave të këqija. Zoti do ta thërrasë: "O robi Im, a ke ndonjë justifikim, për këto gjynahe?" "Jo, o Zot", do të përgjigjet. Do ta pyesë përsëri Zoti: "Mos të kanë bërë ndonjë padrejtësi melekët?" "Jo, o Zot", do të përgjigjet përsëri. “Mos të kam bërë Unë padrejtësi, o robi Im", e pyet Zoti. “Jo, o Zot" ia kthen njeriu."Mos nuk të ka arritur mesazhi Im në dynja?" "Po o Zot më arriti", do t’i thotë. "O robi Im, mos vallë ke të mira të tjera që nuk i kemi vendosur?" i thotë Zoti. "Jo, o Zot”, do t’i përgjigjet. "Po, o robi im, e ke akoma një të mirë që nuk e kemi vendosur në peshore”, do t’i thotë Zoti. Njeriu do t‘i thotë: "Po çfarë do të bëjë një e mirë kundrejt 99 regjistrave të mbushur me gjynahe o Zot?" Zoti do t’i përgjigjet: "O robi Im, tek Unë nuk i bëhet kujt padrejtësi. O melekët e Mi, silleni të mirën e robit Tim dhe melekët sjellin në çast një copë kartë". Njeriu kur e sheh do të thotë:"Po çfarë do të bëjë një copë kartë kundrejt 99 regjistrave me gjynahe o Zot?" Zoti do t’u thotë melekëve: "Vendoseni kartën në krahun e punëve të mira." Në të shihet e shkruar fjala : Nuk ka Zot tjetër veç Allahut dhe Muhamedi është i dërguari i Tij. Kur vendoset në peshore, menjëherë e rëndon krahun e punëve të mira.”

Profeti (a.s.) më pas shton:” Nuk ka gjë më të rëndë në peshore sesa emri i Allahut.”

Thuaj në këto çaste dhe me gjithë zemër "La ilahe il-lallah", thuaji pasi ku i dihet. Ndoshta kjo fjalë e sinqertë dhe plot mall, e mbush kartën dhe më pas peshoren e veprave të mira. Deklaro me gjithë zemër se nuk njeh, nuk adhuron dhe nuk i lutesh tjetërkujt, përveç Zotit.

Pyetja e dytë: Musai (a.s.) i tha Zotit: "O Zot! Tek Benu Israilët gjenden dy persona, njëri burrë i ndershëm, kurse tjetri i lig dhe gjynahqar. Pak para se të vij, i pashë të dy duke t'u lutur. Çfarë ka ndodhur me ata të dy, o Zot?!" Zoti i lartësuar iu përgjigj:

"Kur m’u lut njeriu i ndershëm, Unë i thashë: "Të përgjigjem o robi Im!"

Kurse kur m’u lut njeriu gjynahqar, i thashë: "Të përgjigjem o robi Im, të përgjigjem o robi Im, të përgjigjem o robi Im!"

Musai (a.s.) e pyeti me habi: "Si është e mundur o Zot, që njeriut të mirë t'i përgjigjesh ashtu, kurse gjynahqarit ndryshe?!" Zoti iu përgjigj: "O Musa! Kur njeriu i ndershëm më thirri dhe m’u lut me fjalët "O Zot!" mbështetej tek veprat e tij të mira. Kurse njeriu gjynahqar kur më thirri "O Zot!" mbështetej vetëm tek mëshira dhe dhembshuria Ime!"

Nëse ke gjynahe o vëlla dhe oj motër, në çastin që do thuash: "O Zot" dije se përgjigja do të jetë: "Të përgjigjem o robi Im, të përgjigjem o robi Im, të përgjigjem o robi Im!"

Të gëzosh një familje besimtare


Në një moment, Zoti i thotë Musait (a.s.): "O Musa! Ka prej njerëzve, të cilët i fus në xhenet dhe u jap të drejtën të zgjedhin ç'të duan nga pallatet, frutat dhe lumenjtë e xhenetit." Musai (a.s.) e pyeti gjithë habi:

"Kush qenkan këta njerëz o Zot?!"

Zoti i lartësuar iu përgjigj: "Janë ata që gëzojnë një familje besimtare."

Nëse shkon në një familje të varfër dhe të vobektë, i ndihmon me një projekt, duke u kthyer buzëqeshjen, dije se e meriton këtë shpërblim nga ana e Zotit.

Të duash për hatër të Zotit


Zoti e pyet Musain (a.s.): "O Musa! Çfarë veprash të mira ke bërë për hatrin Tim?" Musai (a.s.) përgjigjet: "O Zot! Jam falur, të kam përkujtuar shpesh, kam agjëruar dhe kam vepruar shumë gjëra të tjera."

Zoti i tha: "O Musa! Për sa i takon namazit, do të jetë drita jote. Sadakaja do të jetë argumenti yt. Po për Mua çfarë ke bërë o Musa?!"

Musai (a.s.) e pyeti: "E çfarë mund të bëj vetëm për hatrin Tënd o Zot?!"

Zoti iu përgjigj: "A ke dashur ndonjë person vetëm për hatrin Tim?".

Musai (a.s.) e kuptoi që shkalla më e lartë e të afruarit me Zotin, është kur do dikë vetëm për hatrin e Zotit dhe për asgjë tjetër. Po ti o vëlla, a ke ndonjë mik, të cilin e do veç për hatër të Zotit?

I përulur dhe modest me Zotin


Zoti e pyeti Musain (a.s.): "O Musa! A e di përse të përzgjodha ty nga të gjithë njerëzit dhe të favorizova duke të folur direkt dhe duke të ngarkuar me mesazhin hyjnor?"

Musai (a.s.) u përgjigj: "Përse o Zot?"

Zoti iu përgjigj: "Unë kërkova në zemrat e robërve të Mi, por për kohën që jetojmë, nuk gjeta zemër më modeste ndaj Meje, sesa zemra jote o Musa. Për këtë, desha të të lartësoj mbi të gjithë robërit e tjerë."

Ai që i përulet dhe tregohet modest me Zotin, Ai e lartëson mbi të gjithë krijesat. Të gjithë ne e lusim dhe e adhurojmë Zotin gjatë Ramazanit, por ai që afrohet më shumë me Zotin, është ai që i përulet dhe i dorëzohet tërësisht.

Një i ditur thotë: "Kam trokitur në të gjitha dyert që të çojnë tek Zoti, por i gjeta të mbushura me njerëz të shumtë. Në fund, trokita mbi derën e përuljes dhe modestisë para Zotit, të cilën e gjeta bosh. Mandej, u thashë: "Kjo është dera më e dashur e Zotit".

Dëshirat e Musait (a.s.)


Gjatë bisedimit, Musai (a.s.) i parashtroi Zotit të lartësuar disa dëshira. Këto i kanë rrëfyer hebrenjtë, të cilët banonin në Medinë dhe që më pas pranuan Islamin. Ndër ta është dhe Abdullah ibnu Selam.

Musai (a.s.) i tha Zotit: "Në Teurat, kam parë që një nga umetet, kur niset të bëjë një vepër të mirë, por nuk e bën, i shkruhet sikur e ka bërë. Por nëse e bën, i shkruhet sikur ka bërë dhjetë. Unë dua që ky umet të jetë umeti im o Zot".

Zoti ia ktheu: "O Musa! Ai do të jetë umeti i Muhamedit".

Mandej Musai i tha: "O Zot! Në Teurat kam lexuar se Ditën e Kiametit do të vijë një umet, i cili do të ndërmjetësojë për njerëzimin dhe do t’u pranohet ndërmjetësimi. Unë dua që ky umet të jetë umeti im, o Zot."

Zoti i lartësuar i përgjigjet: "O Musa! Ai do të jetë umeti i Muhamedit."

A e shihni sa të shtrenjtë jeni ti o vëlla dhe oj motër tek Zoti i lartësuar?
Përse pranojmë t'ia ulim vlerat vetes?
Përse ta harrojmë këtë privilegj?

Më pas, Musai (a.s.) i thotë Zotit: "O Zoti im! Në Teurat kam lexuar se një umet do të jetë umeti më i mirë nga gjithë njerëzimi. Unë dua që të jetë umeti im o Zot."

Zoti ia ktheu: "Ai do të jetë umeti i Muhamedit o Musa."

Musai i thotë: "O Zot! Kam lexuar në Teurat se një umet do të përbëjë shumicën e banorëve të xhenetit. Unë dua të jetë umeti im o Zot."

Zoti ia ktheu: "Do të jetë umeti i Muhamedit ai që do të përbëjnë shumicën e banorëve të xhenetit."

Privilegji i të folurit me Zotin, i jepet çdo besimtari dhe besimtareje. Në çastet që fillon të falesh, dije se ti po i flet Zotit. Në çastet që ti fillon të lexosh Kuran, ti dëgjon fjalët e Zotit. Në çastin që ti ulesh të kujtosh Zotin, edhe Zoti të kujton.

"Prandaj, më kujtoni që Unë t’ju kujtoj". (Bekare, 152)

Më lër të të shoh


Privilegji i të biseduarit direkt me Zotin, fjalët ngushëlluese, biseda e përzemërt, e bëri Musain (a.s.) të lakmojë diçka më shumë. Në një moment malli, ai i kërkon Zotit t'ia mundësojë ta shohë.

Zoti thotë në Kuran: “O Zoti im, ma mundëso që të të shoh.” (Araf, 143)

Kjo kërkesë i erdhi si rezultat i mallit dhe dashurisë që ndjente për Zotin.

"Zoti tha: “Ti nuk mund të më shohësh! Por shiko në atë mal: nëse ai mbetet në vendin e vet, atëherë ti do të më shohësh Mua.” E kur Zoti i tij iu shfaq malit, e thërrmoi atë dhe e bëri pluhur, ndërsa Musait i ra të fikët." (Araf, 143)

Zoti iu shfaq një qenieje të madhe dhe të fortë siç është mali, i cili u thërrmua në çast. Me këtë, Zoti i thoshte Musait (a.s.):

“Nëse thërrmohet mali i madh dhe i ngurtë nga nuri dhe drita Ime, ç'farë mund të të ndodhë ty që je krijesë e dobët, po të shfaqem siç jam?! Në këtë botë, njeriu e ka të pamundur ta shohë Zotin. Një privilegj i tillë, do t’i jepet besimtarit, por vetëm në xhenet. Ne si njerëz, kur qëndrojmë para një panorame të bukur dhe madhështore, mbetemi pa frymë dhe qëndrojmë si të hutuar për një farë kohe. Nëse kjo na ndodh me një pamje të bukur në dynja, çfarë mund të themi po të shohim vetë Krijuesin e dynjasë dhe të universit!

Ata që kanë vajtur në Qabe për herë të parë, kontakti i parë optik me Qaben i bën të harrojnë gjithçka tjetër. Një herë rastisa në Mekë kur do të lahej Qabeja. Atë ditë mu dha rasti të hyj brenda Qabes dhe u fala aty brenda. Edhe pse kisha mësuar shumë lutje të ndryshme, unë i harrova të gjitha për shkak të madhështisë dhe autoritetit të shtëpisë së Zotit. Nëse ky është efekti nga kontakti optik me shtëpinë e Zotit, çfarë mund të themi për kontaktin me vetë Zotin!

"Kur erdhi në vete, ai tha: “I lavdëruar qofsh Ti o Zot! Kthehem te Ty i penduar. Unë jam i pari i besimtarëve!” (Araf, 143)

Profeti Muhamed (a.s.) ka thënë:"Pasi njerëzit të kenë vdekur Ditën e Kiametit, unë do të jem njeriu i parë që do të ringjallem. Kur të shoh përreth, do të dalloj Musanë që është i kapur pas njërës nga shtyllat e Arshit dhe nuk e di nëse është ringjallur para meje, apo është shpërblyer për ditën kur humbi ndjenjat."

Musai (a.s.) i kërkoi Zotit t’i tregojë, mbi njeriun që do të ketë më pak të mira në xhenet.

Zoti i tha:“Ai që do të ketë pozitën me të ulët në xhenet, është ai njeri që do të dalë i fundit nga zjarri duke ecur këmbadoras. Sa herë që kërkon të dalë, e tërheq flaka dhe e përpin, deri sa një herë arrin të dalë me zor dhe thotë: “Falënderoj Zotin që më shpëtoi prej teje (nuk dua gjë tjetër)!” Do t’i thotë Zoti: “O robi Im, shko dhe futu në xhenet!” Por, kur shkon atje, i duket sikur është i mbushur dhe nuk ka vend për të, dhe do t’i thotë Zotit: “O Zot, shkova dhe nuk gjeta vend se ishte i mbushur.” Do t’i thotë Zoti: “O robi Im, a nuk të mjafton sikur të kesh pasurinë dhe të mirat e mbretit më të madh që ka ekzistuar në dynja?!” “A po tallesh me mua, o Zot?”, do t’i thotë njeriu. Por Zoti do t’i thotë: “Në xhenet do të kesh të mirat e mbretit më të madh që ka qenë në dynja, dhe dhjetë herë më shumë, do të kesh çfarë të të dojë qejfi, çfarë të të shohin sytë dhe do të jesh i përjetshëm.”

Musai e pyet: “O Zot, a ky është ai që do të ketë më pak të mira në xhenet?”

“Po”, i thotë Zoti.

“Po ai që do të ketë pozitën më të lartë, kush do të jetë o Zot”, e pyet Musai përsëri.

“O Musa”, i thotë Zoti,“ata do të jenë robërit e Mi, të cilët lumturinë e tyre e kam bërë përgjegjësinë Time. Shpërblimin që kam përgatitur për ta, nuk ka sy që e kanë parë, nuk ka vesh që e kanë dëgjuar dhe nuk ka mendje që e ka imagjinuar.”

Duke e shijuar në maksimum bisedën me Zotin, Musai (a.s.) e pyet në një moment: “O Zot! Si është e mundur që nuk të merr gjumi dhe nuk dremit kurrë?!”

Zoti i lartësuar i përgjigjet: “O Musa! Merr në duar dy shishe dhe mbaji në duar për gjithë natën!”.

Musai (a.s.) veproi siç i tha Zoti dhe pasi kaloi disa kohë, u lodh, i erdhi gjumë dhe kështu i shpëtuan dy shishet, të cilat u thyen.

Zoti i tha: “O Musa! Nëse do të dremisja, do të përplasej qielli me tokën.”

Musai (a.s.) e pyeti Zotin: “O Zoti im! Si të të falënderoj, ndërkohë që vetë falënderimi dhe mirënjohja, është mirësi e cila vlen të falënderohet?!”

Zoti iu përgjigj: “O Musa! Nëse je i ndërgjegjshëm për këtë, dije se më ke falënderuar dhe je treguar mirënjohës ndaj Meje!”

Takimi i Musait (a.s.) me Zotin e lartësuar ishte një ndër takimet e rralla dhe i mbushur plot me emocione. Nëse e adhuron dhe i lutesh Zotit me përkushtim, duke e ndjerë praninë e Tij, dije se ato momente janë momentet më të lumtura të jetës.

Pasi të kesh lexuar këtë temë, shko në dhomën tënde dhe foli Zotit, edhe pse mund të kesh shumë gjynahe mbi supe. Thuaji që nuk ke tjetër kënd veç Tij. Kërkoji që të të afrojë pranë Tij. Kërkoji të të falë dhe të tregohet i dhembshur me ty.


Esselamun alejkum we rahmetullahi we berekatuhu.