AAK shqetësohet për keqpërdorimin e ndjenjave fetare


Grupi Parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës të premten shprehu shqetësimin, lidhur me atë, që sipas tyre, disa individë në mënyrë të qëllimshme po keqpërdorin ndjenjat fetare.
Burim Ramadani, nga Grupi parlamentar i AAK-së në seancën e Kuvendit të Kosovës tha se qëllimet e njerëzve të cilat fshihen prapa protestave janë të papranueshme. Ai tha se orientimi i shtetit të Kosovës është zgjedhur qëmoti dhe është orientim i bazuar në vlerat perëndimore.

“Kosova dhe shqiptarët janë të paluhatshëm në vlerat perëndimore”, tha Ramadani, duke theksuar se ruajtja e barazisë dhe të drejtave të njeriut janë dhe duhet të jenë udhërrëfyes për një shtet ligjor, demokratik, e të cilat e bëjnë jetën e qytetarëve më të mirë.

Ai tha se nuk duhet të lejohet që për hir të pseudo-interesave të dëmtohen qytetarët e Kosovës.

Sipas tij, kërkesa e drejtë për xhami nuk guxon të shndërrohet në një protestë me flamur të zi në qendër të Prishtinës. Ai tha se duhet të tregohet se ajo pamje nuk është realisht fytyra e Kosovës.

AAK i ftoi qytetarët e Kosovës që me të drejtë kërkojnë xhami, të distancohen nga ata që keqpërdorin ndjenjat fetare.

Ndërkaq, Amir Ahmeti nga Koalicioni për Kosovë të Re falënderoi komunën e Prishtinës për përpjekjet për të gjetur hapësirë për një xhami të madhe me qëllim që të plotësohen nevojat e qytetarëve.