Kreu i LDK-së, Nikollë Lesi, pranon ftesën e Nard Ndokës për t’u bashkuar me Partinë Demokristiane. Në një intervistë për gazetën “Panorama” ai thotë se është takuar me kreun e PDK-së, ku ka biseduar për shkrirjen e dy partive. Lesi flet edhe për ndryshimet në qeveri dhe zgjedhjet në Tiranë.
Nard Ndoka, kryetar i PDK-së, ka kërkuar shkrirjen me LDK-në e drejtuar nga ju. A duhet të ketë bashkim?
Po, pasi kështu ndikojmë në politiken shqiptare për një administrim më të mirë të pushtetit dhe ruajmë të drejtën për të qenë edhe më oponentë, nëse do të jemi në qeveri.
Cilat do të ishin kushtet për një bashkim të tillë? Kur mund të ndodhë?
Oferta e z. Ndoka është bërë publike dhe tashmë ajo po sillet rrotull Kryesisë së LDK-së duke u diskutuar, pasi e vërteta mbetet se PDK dhe LDK në këto zgjedhje lokale morëm 73 mijë vota, por që konkurruam në dy fronte të ndryshme politike, madje krejtësisht kundërshtare. Nëse shprehemi me gjuhën e PD-së, e cila kur i intereson thotë se 10 mijë vota janë një deputet, e pra, sipas kësaj llogarie, kemi fituar 7 deputetë si front demokristian. Pyetja juaj lidhet me një përgjigje se kur do të jetë bashkimi i PDK dhe LDK nën siglën e vjetër të PDK. Nëse do të ketë bashkim, e që duhet të bëhet në një moment të përshtatshëm e të besueshëm për të dyja palët, kjo gjë do të thotë se LDK, por dhe partitë e tjera më të vogla demokristiane, që për hir të së vërtetës lulëzojnë me shumicë, duhet të rikthehen në strehën e PDK, por me rregulla të reja bashkëjetese. Z. Ndoka është takuar me mua dhe kemi biseduar me logjikë të ftohtë për mënyrën e bashkimit. E përsëris se duhet të shkohet në bashkim edhe për hir të numrit të votave që është sfidues për politikën shqiptare, por edhe për të mos çorientuar elektoratin tonë demokristian, që duhet pranuar se shumë vota ua kanë kaluar edhe partive të tjera, meqenëse kanë qenë të hutuar nga përçarja jonë katërvjeçare.
Bashkimi PDK-LDK do të sjellë një kryetar të ri?
Nuk flitet për postin e kryetarit, por për diçka më tepër. Flitet për unifikimin e faktorit demokristian në një parti të vetme, pasi secila nga dy partitë e mëdha do të mund ta bënte qeverisjen më efektive me votat tona, meqenëse ne dhe ndonjë parti tjetër do të ishim rregullatori, por edhe kontrollori i mirëqeverisjes. Nëse më lejoni t’ju kujtoj se kam qenë unë kryetar i PDK-së nga viti 2002 deri në vitin 2006, kohë kur ia dhurova vetë z. Ndoka karrigen e kryetarit të PDK-së në një kongres të drejtuar nga unë. Dorëzimi i kësaj detyre nga unë tek ai kishte të bënte për zgjerimin e forcës demokristiane, ndonëse ndodhi më pas përçarja për arsye të cilat tashmë nuk dua t’i kujtoj. Ndërhynë shumë faktorë politikë e aktorë parlamentarë, të cilët erdhën, përfituan e ikën duke e lënë frontin tonë të përçarë, duke na bërë të dyve, tani pas katër viteve. Të shikojmë mundësinë e ribashkimit, pasi kështu mund të jemi më të fortë e dobiprurës në arenën e politikës. Pra nuk synoj rikthimin e asaj çfarë kam dorëzuar vullnetarisht e me dëshirë përbashkimi të demokristianëve. Por, duhet menduar se si do të jetë mënyra e re e veprimit tonë politik, pasi PDK është në opozitë dhe LDK në pozitë. Pra “ylberi” duhet kapërcyer nga njëra palë për të fuqizuar forcën demokristiane. Jemi duke ecur në drejtimin e duhur, ndonëse të dy me kujdes e pa u nxituar me vrap. Duhet pranuar se PDK e drejtuar nga z. Ndoka është renditur parti e dytë në kampin opozitar pas PS-së në këto zgjedhje lokale që ikën. Ndërsa LDK, ndonëse forcë e re politike e krijuar në fillim të vitit 2009 në disa qarqe me shumicë katolike, ka dalë parti e katërt në frontin e koalicionit qeveritar, pa harruar Pogradecin e Lushnjën, ku dolëm surprizë në këto zgjedhje.
Cili është mendimi juaj për ndryshimet në qeveri pas fitores së z. Basha në Bashkinë e Tiranës?
Duke folur me gjuhen e një kryetari të një force politike kristiane, e cila është në koalicion bashkëqeverisës, mund të them se duhen ndryshime të forta në qeveri, bile radikale. Për mua, një emër mbetet që nuk ikën: vetëm zoti Berisha, pasi ka mandatin e votuesve për të drejtuar vendin, ndërsa të gjithë ministrat e kanë emrin me “laps”. Dhe nëse vazhdoj ende në këtë linjë, mendoj se ndryshimet janë të domosdoshme tani brenda muajit korrik, pasi dy ministri janë ende pa ministër që prej muajit mars, por edhe për një fakt tjetër, që disa ministri të tjera të përfshira nën ethet e pritshme të ndryshimeve ekzekutive, e kanë ulur nivelin e punës efektive, aq sa në pjesën dërrmuese të administratës së tyre, që në fillim të punës në mëngjes pyesin “kush do të na vijë ministër?”, çka e përkthyer në gjuhen praktike do të thotë se nuk e kanë mendjen krejtësisht në punë. Pa harruar se sinqerisht mund të them se ka nevojë për rifreskim të kabinetit qeveritar, pasi po vijnë zgjedhjet parlamentare të vitit 2013 dhe ka nevojë për fytyra të reja ministrore, sepse disa prej tyre janë vërtet të “lodhura”. Është më mirë për të gjithë, për popullin, për maxhorancën e për vetë PD-në, pasi ka plot emra të shkëlqyer brenda radhëve demokrate, të cilët mund ta administrojnë më mirë punën në disa dikastere. Natyrisht që ndryshimet janë e drejtë ekskluzive e Kryeministrit dhe vetëm ai mund t’i bëjë, por duke qenë në një koalicion ku mendimi ndryshe lejohet, brenda marrëveshjes, më lind e drejta të rikërkoj ndryshime në qeveri.
Komenti juaj në lidhje me humbjen e z. Rama…
Z. Rama tani është saktësisht në opozitë, pasi që prej vitit 2005 e deri këtë javë ka qenë opozitar-pushtetar! E them këtë se duke qenë kryetar i Bashkisë së Tiranës, ishte një “kryeministër” me pushtet. Natyrisht që ai ishte i zgjedhur me votë, por tani e më vonë do të shikojmë rolin e tij në opozitë, ndonëse personalisht mendoj se z. Rama do ta radikalizojë situatën politike duke filluar nga muaji shtator. Parashikoj protesta të vrullshme që nuk ua di përfundimin! Nga ky moment Edi Rama “proletarizohet”. Dhe nëse doni edhe arsyen pse ai humbi, duke shkuar në një diferencë absolutisht të vogël, mund t’ju them hapur se Edi Rama nuk duhej të rikandidonte për të katërtën herë në Tiranë. Ndërsa Lulzim Basha bëri një fushatë jashtëzakonisht civile, të mahnitshme në kryeqytet dhe jam i bindur se do të bëjë në këto katër vjet një Tiranë të mrekullueshme edhe për faktin që thesi i qeverisë do të jetë më i hapur për Bashën e Tiranën.
A keni pasur oferta nga z. Rama për të kaluar në opozitë, pasi disa herë ai ju ka lavdëruar publikisht?
Do të flasim njëherë tjetër. Nga natyra jam opozitar, ndonëse momentalisht kam një marrëveshje bashkëqeverisje me zotin Berisha, pasi socialistët e z. Nano në vitet 2003-2005 më përjashtuan nga fronti i tyre meqenëse kritikova qeverisjen e tij për fakte korruptive, natyrisht siç bëri edhe zoti Berisha asokohe. Edhe në qeveri sot mbetem oponent aq sa mundem, pasi kështu mendoj se u shërbej votuesve të mi, por, mbi të gjitha, njerëzve. Më lejoni të shtoj se kam qenë shumë korrekt me marrëveshjen dhe nuk e kam shkelur në asnjë pikë, të paktën pala ime.
A mendoni se PS nuk vjen në pushtet pa bashkëpunim me LSI-në?
Nëse nuk arrijnë marrëveshje PS me LSI për zgjedhjet e vitit 2013, është shumë i vështirë rikthimi i socialistëve në pushtet. Faktet e viteve 2005, 2009 dhe tani në maj 2011 treguan se LSI-ja e zotit Meta është faktor ose qeveribërës, ose qeverirrënues nëse nuk arrin kompromis me këtë forcë të re politike socialiste. Por, nëse më lejohet, mund të them se z. Rama ka nevojë të jetë më pragmatist në krijimin e aleancave, pasi duhet pranuar se z. Berisha është më mjeshtër në këtë drejtim dhe faktet kanë treguar se përveçse mbetet burrë shteti, Kryeministri aktual ka edhe një plus tjetër, se nuk shkel marrëveshje.
A ju duket se ambasadori amerikan Arvizu është një lloj “padroni” për politikën shqiptare?
Ambasadori aktual amerikan në Tiranë, z. Arvizu, është, pa asnjë dyshim, ambasadori më karizmatik e më popullori që kanë pasur SHBA në vendin tonë. Ai, natyrisht, përçon e përfaqëson politikën e shtetit më të madh të botës në raport me Shqipërinë, porse nga karakteri e mënyra se si e transmeton atë politikë mbetet për t’u admiruar.
Në kulmin e sezonit turistik, Ministria juaj është pa ministër. Si e shpjegoni?
Ministria nuk ka ministër për arsyet që tashmë dihen, pasi ish-ministri Xhaferraj kandidoi në Durrës. Secili zv.ministër punon duke qenë vetë “ministër”, pasi ligjërisht e zyrtarisht nuk kemi asnjë të emëruar sipas ligjit. Nuk është normale një situatë e tillë, ndonëse gjithë stafi i Ministrisë punon me përkushtim. Megjithatë, shpresoj se fundkorriku ta gjejë Ministrinë me ministër.
Panorama
Krijoni Kontakt