TIRANE-Dosja ndaj bandës së Lushnjës ka të dokumentuara jo vetëm krimet monstruoze të anëtarëve të saj, por edhe të rivalëve, me në krye Tur Dajën, personi që ishte hasmi i Alfred Shkurtit dhe që ky i fundit, në hakmarrje për vrasjen e të vëllait e ekzekuton dhe i pret kokën, që më pas e merr dhe shëtit me të nëpër Lushnjë. Dëshmia që gjendet në fashikujt e krimeve të bandave është rrëfyer nga një grua, punonjëse e administratës, e cila është përdhunuar nga Artur Daja në zyrat e shtetit në vitin ‘97. Luiza B. ka rrëfyer në vitin 2010, që nga momenti i parë i takimit në rrugë me Tur Dajën dhe Gramoz Selmanin; mbajtja për dy javë në një shtëpi në periferi të Lushnjës dhe më pas, trafikimi dhe plagosja e saj në rrugët e Italisë. Gruaja në rrëfimin e saj ka përcaktuar kështu rivalët e Aldo Bares: “Nëse Tur Daja ishte një kriminel budalla, Gramoz Selmani ishte fytyrë e paskrupullt, ishte më krimineli ndër të gjithë”.
Rrëfimi para gjykatës
“Gjithmonë kam banuar në Lushnjë. Kam 26 vjet e martuar...Në vitet 1990-1995 kam qenë në punë. Kam punuar në ndërmarrjen elektrike, në pozicionin e sekretares. Kam punuar aty prej 5 vitesh, deri në vitin 1997… Deri atëherë jeta ime rridhte normalisht. Deri në muajin gusht të vitit 1997, kur shtetasi Artur Daja më ngacmon në rrugë bashkë me dy vetë në makinë dhe pas një përgjigjeje nga ana ime, gjithçka mori një rrjedhë tjetër. Unë i dhashë përgjigjen që mund t’i jepte një femër një ngacmimi të tillë. Më ngacmoi duke më thënë: “Do vish me mua”. Me fjalë më ngacmoi dhe unë iu përgjigja: “Ik ore qërohu”, dhe që aty isha duke vajtur për në punë. Unë punoja në sekretarinë e arshivës. Artur Daja futet në zyrë, kishte pyetur jashtë se ku e kisha zyrën. Atë moment isha duke shtypur në makinë. Hyri brenda dhe më mbylli derën. Më përdhunoi në zyrën e shtetit dhe këtë e di gjithë ndërmarrja dhe të gjithë ikën nga frika. Unë flas me dëshmi, pasi nuk mund të flas në emër të ndërmarrjes, sepse unë bërtita dhe nuk mori njeri guximin të më ndihmonte. Iku që aty dhe nisi të mburrej nëpër Lushnjë, më pas filluan kërcënimet. Pas këtij momenti ai më ngacmonte sërish. Burri im është i pafuqishëm, është invalid, para shumë vjetësh ka pësuar aksident dhe nuk ishte i zoti të më mbronte, dhe për këtë edhe unë nuk doja t’i tregoja dhe nuk i thashë gjë burrit...Jam pyetur në prokurori dhe polici në lidhje me këtë ngjarje dhe kam rrëfyer gjithçka. Si unë përjetuan shumë e shumë veta nga ndërmarrja dhe një femër tjetër, për të cilën nuk mund të flas, e cila përjetoi të njëjtën gjë, por unë e pësova më keq.
Ç’ndodhi pas përdhunimit?
Pas kësaj ngjarjeje, unë mora lejen e zakonshme, që ishte tri javë, në mënyrë që të qetësohesha. Pas kësaj mendova se kaq ishte, nuk kishte se ç’të më bënte më shumë. Aty fillon kalvari i gjithë historisë, kur mbarova lejen unë nuk dilja, pasi ky vinte vërdallë në Lushnjë, na vinte me automatik rreth shtëpisë, kisha djalin e vogël, burrin e kisha pa qejf, dhe dëgjova se kishte bërë një vrasje. Mora vesh se u vra vëllai i Fred Shkurtit, unë nuk e njihja. Pasi u qetësuam, ka qenë ditë e diel, ose të paktën unë u qetësova, pasi mendova se ky njeri që ka bërë një vrasje do të arrestohej nga shteti, fillova dhe punë në të njëjtin vend pasi mbarova lejen. Vija si zakonisht të dielën te prindërit. Ishte shumë vapë. Ora 2:00. Unë dhe familja ime i kemi shtëpitë afër, 10 minuta larg. U nisa për te prindërit, më parakalon një makinë, e shikoj dhe mendova se mos do më shtypte. Më del Artur Daja, i cili ndalon makinën dhe del nga dera e pasme. Ishte me një tjetër person, të cilin unë nuk e kam njohur më parë. Bëhet fjalë për Gramoz Selmanin. Gramozi më ka prerë rrugën, kurse Turi doli nga makina dhe më futi me zor në makinë. Mbaj mend që Gramozi më shtyu dhe unë u përplasa mes sediljeve. Pastaj më nxorën jashtë Lushnjës, makina ishte me shpejtësi. Personat flisnin përçart, qeshnin. Mbaj mend se kam ngritur pak kokën dhe kam parë sikur po shkonim nga rruga e Fierit. Më çuan në një shtëpi në fshat. Ishte dykatëshe, e papërfunduar; nuk ishte e suvatuar, dritaret ishin me dërrasë të mbyllura, vetëm si kornizë. Aty kishte dhe dy-tri femra të tjera. Pas një jave që ndenja aty ku ishin dhe femrat e tjera, ishte e pamundur të debatoja me to. Mësova se të gjitha këto femra përdoreshin nga këta persona. Njërës nga ato i kishin qethur kokën dhe e kishin djegur me cigare në pjesën e pasme të qafës. Ishte dhe një vajzë e vogël, ishte nga fshati, e kishin marrë kur kishte qenë me bagëti.
Trafikimi
Më pas më trafikuan, me çuan në Itali ditën e martë. Tur Daja më kërcënonte “do të të vras ty dhe burrin tënd”. Gjithë kjo ngjarje ka ndodhur nga fundi i muajit gusht, fillimi i muajit shtator. Artur Daja dhe Gramoz Selmani kërkonin të më trafikonin, pasi ata kishin edhe femra të tjera në Itali. Kam ndenjur rreth një muaj, një muaj e gjysmë. Bëra për vete një femër tjetër 18-vjeçare, e cila ishte trafikuar që 16 vjeçe. Dinte gjuhën. U larguam, por kjo vajza u bë pishman dhe këta na gjetën përsëri. Kjo vajza ka ikur në Greqi tani. Unë i thërrisja Linda kësaj vajzës, pasi të gjitha atje kishin emër tjetër. Kur na gjetën, ata më masakruan. Më morën dhe më çuan në një periferi dhe më hodhën në një kanal, gjithmonë Moz Selmani dhe Tur Daja, ishin të pandarë. Aty masakrohem me thika. Kam kryer dhe operacion në Itali, i kam shenjat e ndërhyrjes kirurgjikale. Fati im që u gjenda pasi më gjuajtën. Kam bërë ndërhyrje edhe në një pjesë të mushkërisë. Kam dëgjuar se kishin bërë katër vrasje, ishte normale për ata; kam dëgjuar se merreshin me drogë sepse merrnin edhe vetë aty te shtëpia; kam dëgjuar se kanë bërë vrasje dhe në Itali, si dhe përdhunime. Ata nuk kishin frikë nga askush. Këtu në Lushnjë nuk kishin frikë nga asgjë.
Kthimi nga Italia
Përfundimi i ngjarjes sime kështu do ishte. Pasi qëndrova në Itali dhe u operova, unë jam kthyer nga Italia në vitin 1998. Nuk di gjë të jetë vrarë Tur Daja, nuk di gjë është vrarë apo është gjallë, pasi jam kthyer vonë. Vëllezërit e tij më kanë bezdisur, nuk e di nëse ka qenë Tur Daja apo vëllezërit e tij. Jam kthyer në fund të vitit 1998 dhe në fillim të vitit 1999, jam kërcënuar në telefon. Më thoshin: “U ktheve? Do të të presim kokën, se mos flet gjë!”. Mbaj mend që denoncim në polici kam bërë sapo jam kthyer nga Italia. Pasi u shkëputa, qëndrimi në shtëpi ka qenë një muaj, pasi në Itali kam qëndruar një vit.
Njohja me Aldo Baren
Alfred Shkurtin, unë nuk e kam njohur më parë, vetëm nëpërmjet televizorit. E dija se i kishin vrarë të vëllanë. Di që Tur Daja kishte vrarë tre çuna me parë. Ata janë vrarë para se të ndodhte ngjarja ime. Nëse për Artur Dajën mund të them që ka qenë një kriminel budalla, Gramoz Selmani ishte më i rrezikshmi, ai ishte fytyra më e paskrupullt, ai ishte më krimineli nga të gjithë. Kur më ka qëlluar me thikë unë i thashë: “Po ti more, ç’ke me mua?” dhe ai qeshte. Mund të më ekzaminoni, i kam shenjat në trup.
Rrëfim mbi anëtarët e bandës
Mbaj mend të katërt personat që më shoqëruan me makinë; Gramoz Selmani, Genc Kashari, Tur Daja dhe Luan Bilbili, si dhe emrin e personit që kishte shtëpinë, që dëgjova se ishte mik i tyre, i thërrisnin më duket Qime. Po, i thërrisnin Ben Qime. Mbaj mend se ky Luan Bilbili, unë jo se e njihja, por me motrën e Luanit kam punuar, konsiderohej prej tyre si spiun. Thoshin se ai ‘s’punon për ne, por punon për Fred Shkurtin’. Për vrasjen e Luan Bilbilit kam dëgjuar nga thëniet e tyre. Mendova se, meqë u vra Luani, ata do të ishin të shqetësuar. Kur isha në Itali dhe pas vrasjes së Luan Bilbilit, një femër që punonte për të vëllanë e Tur Dajës dhe që ishte e besuara e tij, më tregoi se Mozi dhe Turi ishin nisur për në Shqipëri bashkë me Afrim Dajën, që ishte edhe vëllai i Turit. Në një lokal, i kishte thënë se kishin bërë masakër, ndërsa kërkonin të vrisnin edhe një hasmin e tyre, që ishte Fred Shkurti.
Vrasja e Met Zenelit
Ai ka qenë me ata, ikte dhe vinte, ai ka qenë i lidhur me ta, ka qenë shok i tyre. Me sa kam kuptuar, si Met Zeneli dhe Luan Bilbili kanë dashur të tërhiqen nga grupi dhe këta i kanë eliminuar po vetë. Në lidhje me Met Zenelin kam dëgjuar se, siç ka vajtur fati i Luan Bilbilit, edhe Meti atë fat pati.
![]()
Krijoni Kontakt