-
Perjashtuar
Odiseja e Xhamisë së Madhe të Prishtinës
Autor: Qemajl Morina
E shtune 9 Korrik 2011 10:26 AM
Ka tri javë, që falja e namazit të xhumasë në kryeqendrën e Kosovës, po u përngjan skenave të ndonjë metropoli nga vendet e Lindjes së Mesme, ku lëvizjet e pranverës arabe po e zhvillojnë rezistencën e tyre kundër regjimeve arabe e jo në ndonjë vend evropian, siç është Kosova. Përse erdhi deri te kjo, mendimet janë të ndara.
Në një anë, kemi një masë të konsiderueshme të besimtarëve, të cilët për këtë situatë e fajësojnë establishmentin politik për zvarritjen e caktimit të një parcele në qendër të Prishtinës për ndërtimin e një xhamie të madhe apo si po quhet shpeshherë qendre islame. Këtë ata e arsyetojnë si nevojë imediate për shkak të rritjes së numrit të enorm të besimtarëve, pas kolapsit të regjimit komunist si dhe lirisë së të shprehurit që po mbretëron në shoqërinë kosovare. Sepse numri i xhamive ekzistuese, me gjithë ndërtimin e xhamive të reja në disa lagje periferike të kryeqendrës nuk po i plotëson as për së afërmi nevojat e besimtarëve myslimanë, në veçanti ditëve të xhuma.
Nga ana tjetër, kemi mendimin që nuk përkrah ndërtimin e një Xhamie të Madhe apo një Qendre Islame në Prishtinë, sepse atë e sheh, në prizmin e politizimit të Islamit dhe si një simbol, më shumë se një nevojë fetare. Sipas tyre “Prishtina me 20 xhami, sa ka sot, janë të mjaftueshme për numrin e besimtarëve që i frekuentojnë ato në kohën e sotme”.
Të jemi realë, mendimi i këtij grupi nuk është i qëndrueshëm dhe mund të çojë në radikalizmin e çështjes nëse nuk ndërmerret shumë shpejt diçka nga organet kompetente.
Për dallim nga dy fetë tjera monoteiste, ajo çifute dhe e krishterë, ku adhurimet janë pothuajse javore, adhurimet në Islam janë 5 herë në ditë, namazi i xhumasë një herë në javë, si dhe namazet e bajrameve dy herë në vit. Vlen të theksohet se në namazet e xhumasë dhe të bajrameve, numri i pjesëmarrësve është shumë i madh dhe është vështirë që në xhamitë ekzistuese të gjendet vend për të gjithë. Si rezultat i kësaj ndodh që besimtarët janë të detyruar të falen jashtë objekteve fetare në kushte të ndryshme atmosferike.
Kjo dukuri është aktuale edhe në shumë metropole evropiane, ku shpeshherë mund të shihen myslimanët duke u falur edhe nëpër rrugë. Edhe pse në shumicën e metropoleve perëndimore ekzistojnë qendra të mëdha islame, ku myslimanët i kryejnë obligimet e tyre fetare. Sa për ilustrim po përmendim, Qendrën Islame të Brukselit, e cila nuk është më larg se 200 metra nga selia e Bashkimit Evropian, trollin e së cilës ia kishte dhuruar mbreti i Belgjikës në vitet gjashtëdhjeta, të shekullit të kaluar, mbretit Fejsal të Arabisë Saudite
Ndërtimi i xhamisë qendrore në kryeqendrën e Kosovës është zvarritur pa nevojë deri më tani, nga qeveritarët, qofshin ata të nivelit qendror apo komunal. Në vitin 2001 ishte caktuar lokacioni në lagjen “Arbëria” dhe ishte venë gurthemeli. Por, meqenëse punimet nuk kishin filluar me kohë ishte kontestuar pronësia e lokacionit në fjalë dhe kjo nismë kishte dështuar.
Myftiu i Kosovës, z. Ternava, çështjen e ndërtimit të xhamisë qendrore e kishte potencuar disa herë si nevojë imediate. Këtë e kishte bërë edhe me rastin e përurimit të katedrales, në shtatorin e vitit të kaluar. Për fat të keq të gjitha apelet e të parit të fesë islame kishin shkuar në veshë të shurdhër.
Trajtimi jo i barabartë i bashkësive fetare të Kosovës, aq më tepër diskriminimi i hapur i bashkësisë numerikisht më të madhe, në kushtet e një acarimi dhe konflikti global ndërmjet botës islame dhe asaj perëndimore kishte akumuluar te një pjesë e të rinjve një lloj revolte, e cila prite rastin për të shpërthyer në një formë apo tjetër. Kjo pakënaqësi u shpreh në formë proteste për ndërtimin e një xhamie të madhe në qendër të Prishtinës, me faljen në rrugë dhe bllokimin e tyre.
Ky veprim është i papranueshëm nga shumica dërrmuese e popullatës. Por, si i tillë është i papranueshëm edhe në aspektin islam. Namazi është prej pesë shtyllave themelore të Islamit. Si i tillë është lidhje direkte mes besimtarit dhe Zotit. Andaj, ai si forma më e lartë e adhurimit, ai nuk guxon të paraqesë pengesë për askënd. Profeti i Islamit porosit e thotë: “Epjani rrugës hakun e saj!” Ndërsa në një rast tjetër, duke folur për elementin kryesor të Islamit besimin (imanin), ai pohon: “Besimi është shtatëdhjetë e sa pjesë: e para është dëshmia se nuk ka Zot tjetër përveç Allahut dhe se Muhamedi është rob dhe i dërguar i Tij , kurse e fundit është mënjanimi i pengesës nga rruga”.
Besojmë se kryeqendra e Kosovës ka nevojë për një xhami të madhe, për t’i plotësuar nevojat e besimtarëve, si dhe për ta kompletuar diversitetin e saj fetar. Për këtë është obligim i organeve komunale që sa më parë të marrin vendimin për caktimin e një parcele në një vend adekuat, që do të ishte në pajtim me aspiratat e shumicës dërrmuese të qytetarëve dhe me këtë do t’i jepej fund odisesë së ndërtimit të xhamisë qendrore në kryeqendrën e Kosovës./zeri/
-
Regullat e Postimit
- Ju nuk mund të hapni tema të reja.
- Ju nuk mund të postoni në tema.
- Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
- Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
-
Rregullat e Forumit
Krijoni Kontakt