-
Vjedh nga të varfrit për t’u dhënë të pasurve
Vjedh nga të varfrit për t’u dhënë të pasurveAndrea Lorenzo Capussela Artikujt tjerëVjedh nga të varfrit për t’u dhënë të pasurve (2)Vjedh nga të varfrit për t’u dhënë të pasurveNjë hetim katastrofalPublikuar: 06.07.2011 -
Si u bë që Qeveria e Kosovës vendosi t’ia japë një dhuratë të jashtëligjshme Universitetit privat amerikan që ofron arsimim për të pasurit e Kosovës, në kohën kur arsimi i lartë publik i Kosovës lëngon
Në këtë shkrim do të përshkruaj një marrëveshje që merret si shembull për të treguar pothuajse çdo gjë që nuk shkon si duhet në Kosovë, dhe mbase justifikon këtë titull populist. Më duhet t’ju kërkoj durim, sepse përshkrimi do të jetë i gjatë, dhe për të larë veten, sepse më duhet të flas edhe për veprimet e mia.
Në planin afatshkurtër zhvillimi i Kosovës varet nga kapitali i huaj, sepse nuk ka mjaft para në Kosovë për të bërë investime që janë të nevojshme për ta bërë më produktive ekonominë kosovare, të krijohen më shumë vende pune dhe të ketë paga më të larta. Dhe investitorët e huaj do të zgjedhin të investojnë apo jo në Kosovë po ashtu nëse investimet e tyre do të jenë të mbrojtura apo jo: ata do ta shikojnë gjendjen e sundimit të rendit dhe të ligjit në Kosovë, dhe se si mbrohen të drejtat e kreditorëve.
Në planin afatgjatë e ardhmja e Kosovës nuk varet nga linjiti, metalet dhe toka e saj pjellore ose nga paratë e investitorëve të huaj, por nga rinia e Kosovës. Dhe e ardhmja do të jetë e ndritur ose e errët varësisht nga cilësia e edukimit që marrin të rinjtë.
Universiteti i Prishtinës u ofron studentëve të tij edukim jo të shtrenjtë, por të papërshtatshëm. Arsyet janë të shumta, por një arsye kryesore është mungesa e burimeve për të paguar për laboratorë, kompjuterë, libra dhe mësimdhënës të mirë.
Universiteti Amerikan i Kosovës (AUK) ofron më shumë sesa një edukim të mirë, por është i shtrenjtë: pagesa vjetore e një studenti është e barabartë me të ardhurat dyvjeçare të një punëtori mesatar të Kosovës.
AUK-u është një institucion privat joprofitabil, një OJQ. Lëshon diploma që janë të pranuara nga një universitet njujorkez, Instituti Rochester i Teknologjisë, dhe është i mbështetur nga një fondacion humanitar i themeluar në New York. AUK-u publikon auditimet vjetore në uebfaqen e tij, një veprim për admirim. Aty secili mund t’i shikojë se në katër vjetët e kaluar të ardhurat mesatare ishin 2.8 milionë euro, dhe se harxhimet vjetore janë 3.1 milionë euro (përjashtoj prej këtyre shufrave një kontratë të madhe me Ministrinë e Arsimit, që të dy vjetët e kaluar, i ka dhënë AUK-ut një përfitim vjetor prej 270 mijë eurosh). Shuma e shkollimit përbën 95 për qind të të ardhurave. Harxhimet janë shumë më të ndryshme: 37 për qind i shkojnë Institutit Rochester të Teknologjisë, në shkëmbim të akreditimit akademik dhe shërbimeve të caktuara këshilluese, 32 për qind shkojnë për pagesa të profesorëve, 9 për qind i shkojnë fondacionit humanitar njujorkez, në shkëmbim të gjetjes së profesorëve që dërgohen në AUK, dhe katër për qind për pagën e presidentit të AUK-ut. Pjesa tjetër shkojnë për kompjuterë, libra dhe gjëra të ngjashme, dhe për bursa studentëve më të dalluar. Por shumica e këtyre bursave janë themeluar nga donatorë ose nga Qeveria e Kosovës: AUK-u kontribuon vetëm me 35 për qind për këto bursa, që është vetëm tetë për qind të shpenzimeve të përgjithshme të tij dhe pak më pak se përfitimet që merr nga kontrata me Qeverinë.
Në esencë, AUK-u është një biznes që eksploaton faktin se Universiteti i Prishtinës nuk ofron edukim adekuat, dhe se studentët e pasur kanë vështirësi në marrjen e vizave për të studiuar jashtë vendit: në shkëmbim të shumave të larta, ai u ofron atyre shkollim të mirë dhe diploma amerikane, dhe ia transferon pothuajse gjysmën e këtyre shumave Institutit Rochester të Teknologjisë dhe fondacionit humanitar njujorkez. Këto janë për shërbime (akreditim akademik, këshillime dhe gjetje të profesorëve), për të cilat nuk ka ndonjë vlerë reference tregu, dhe ku çmimi përcaktohet pa penguar ndërmjet palëve; ky çmim, për shembull, mund të rritet me qëllim që AUK-u të mos prodhojë ndonjë përfitim, që do të duhej të shkonte për aktivitete humanitare në Kosovë. Kjo është pikërisht ajo çfarë duket se ka ndodhur; në katër vitet e fundit, çmimet e këtyre shërbimeve janë rritur në linjë me të ardhurat e AUK-ut, dhe si rezultat, më 2007, 2008 dhe 2009 AUK-u ka shënuar humbje, dhe vitin e kaluar ka shënuar një përfitim shumë të vogël (tre për qind të të hyrave). AUK-u është i liruar nga taksat, sepse është një OJQ: preferenca e tij për të dërguar para në New York në vend se t’i shpenzojë ato për bursa ose aktivitete humanitare në Kosovë mund të kulmojë me shmangie, dhe si pasojë e kësaj, mund të themi se raporti i AUK-ut me qytetarët e Kosovës është një humbje për këtë të fundit. Ende duhet të themi se edukimi privat është një biznes legjitim i përsosur, dhe AUK-u po ia del shumë mirë me të: nxjerr të diplomuar me shkathtësi më të mira mesatare sesa ata të Universitetit të Prishtinës ose sesa shumica e universiteteve private, që disi kompenson atë humbje.
Në nëntë e dhjetë minuta të 23 shtatorit të vitit 2010, derisa isha ulur në karrigen time në tavolinën ku mban takimet bordi i drejtorëve i Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP), gjeta një numër dokumentesh lidhur me një çështje që nuk ishte në agjendë.
Shpejt e shpejt ua hodha një sy këtyre letrave gjatë diskutimit të çështjeve të tjera, dhe gjeta se një copë tokë që i takonte një ndërmarrjeje shoqërore ishte duke u tjetërsuar për të lejuar ndërtimin e objekteve të ndërtesave.
Një dymbëdhjetë e gjysmë, pas një dreke të lirë, shefi i bordit, zotëri Dino Asanaj, na kërkoi të aprovonim tjetërsimin dhe kompensimin e ofruar për të, duke thënë se kjo ishte e rëndësishme për mbështetje të edukimit më të mirë në Kosovë. Ko ishte një pusi: zgjidhje të propozuara dhe letra mbështetëse duhet t’iu dërgohen anëtarëve të bordit pesë ditë para mbajtjes së takimit. Unë thashë se bordi nuk duhej të votonte, sepse nuk kishim kohë të mjaftueshme për ta studiuar çështjen, dhe kishte dyshime për ligjshmërinë e tjetërsimit. Shefi i bordit ngulmonte në votim: Unë abstenova së bashku me një koleg timin, dhe gjashtë anëtarët e tjerë të bordit votuan në favor të propozimit. Gjithë çfarë mora ishte se propozimi ishte aprovim vetëm “në parim”, duke lënë pezull këshillën për ligjshmërinë e tjetërsimit.
Pasdite vonë i studiova letrat: më 16 qershor të vitit 2010, Qeveria kishte vendosur të tjetërsonte dhjetë hektarë tokë – në Hajvali, afër Fshatit Ndërkombëtar, që i takonin ndërmarrjes shoqërore “IMK Eksport Kosova”, që administrohet nga AKP-ja (vendimi numër 04/130, nënshkruar nga zotëri Hashim Thaçi); toka ka leje ndërtimi, dhe lidhje të lehtë me rrugët, ujin, kanalizimin dhe energjinë elektrike. Paragrafi i parë i vendimit thekson se ndërtimi i kampit në këtë parcelë tashmë ka filluar. Një letër tregonte se më 8 qershor kushtet e tjetërsimit ishin diskutuar dhe qartësisht ishin pajtuar në një takim të mbajtur në Ministrinë e Ekonomisë dhe të Financave, ku i pranishëm në mesin e pjesëmarrësve ishte edhe ministri i atëhershëm i Ekonomisë dhe Financave (Ahmet Shala), ish-ministri i Arsimit (Enver Hoxhaj) dhe menaxherja e AKP-së e ngarkuar për shitje (Mrika Tahiri) dhe presidenti i AUK-ut (dr. Chris Hall). Një letrën e datës 3 shtator tregonte se pagesa e kompensimit nga Qeveria për AKP-në për tjetërsimin e tokës ishte arritur në 3.4 milionë euro, dhe më 14 shtator ministri Shala i kishte shkruar AKP-së dhe AUK-ut për t’i siguruar edhe një herë se Qeveria do ta paguajë atë.
Gjithçka ishte vendosur madje përpara se Bordi i AKP-së të ishte njoftuar. Sa i përket transaksionit, kam nxjerr këto përfundime pasuese.
Së pari, tjetërsimi është joligjor për tri arsye. Asetet e ndërmarrjeve shoqërore publike duhet të privatizohen dhe nuk mund të tjetërsohen (artikulli 44.2 i Ligjit të tjetërsimit); për të njëjtat arsye, meqë ra fjala, tjetërsimet e tokës së ndërmarrjeve shoqërore për të ndërtuar autostradën janë po ashtu të paligjshme.
Megjithatë, tjetërsimi është i mundshëm vetëm për të justifikuar interesin publik, jo një interes privat, dhe mund të përfitojë prej tij vetëm një entitet publik, jo një privat si AUK-u (artikulli 4.1 i të njëjtit ligj të tjetërsimit, që tregon se prej kësaj perspektive janë jolegjitime edhe tjetërsimet e pronave nga do të kalojë autostrada); arsyeja është e qartë: personat dhe entitetet private mund të blejnë ose vjedhin, gjërat që duan t’i kenë, por nuk mund të kërkojnë prej Qeverisë t’i tjetërsojë ato në emër të tyre. Në fund, në kundërshtim me Ligjin e kompensimit që Qeveria propozoi për t’i paguar AKP-së, ishte shumë më i ulët sesa vlera që tokës sipas çmimeve të tregut. Në fakt, studimi i kryer nga AKP-ja për përcaktimin e vlerës së tokës thotë se kur bankat marrin tokë të ngjashme si pjesë e huave kolaterale, ato e vlerësojnë ndërmjet 50 dhe 60 euro për metër katror; këto janë vlera shumë konservatore, sepse sa më e vogël vlera e tokës së huas kolaterale, aq më e madhe është mbrojtja e bankës. Por kompensimi i propozuar ishte vetëm 11 euro për metër katror. Tani, 60 minus 11 është e barabartë me 49; dhe 49 euro shumëzuar me 309,900 metra katrorë janë të barabarta me 15,185,100 euro; ky është ndryshimi ndërmjet kompensimit të propozuar dhe një vlerë shumë konservatore të vlerës së tregut të tokës.
Së dyti, ndryshimi dëmton popullin, që nuk ishte i përfshirë në këtë marrëveshje. Kur shitet një ndërmarrjeje publike, çmimi i saj përdoret për pagimin e punëtorëve dhe kreditorëve të një ndërmarrjeje shoqërore, dhe çfarë mbetet duhet dhënë buxhetit të Kosovës; pra, nëse çmimi nuk është i mjaftueshëm për t’i paguar punëtorët dhe kreditorët pretendues, ata humbin dallimin dhe asgjë nuk mbetet për qytetarët e Kosovës. Kur të pranohet ky kompensim, prandaj, AKP-ja me vetëdije ka deprivuar të gjitha ata njerëz prej së paku pesëmbëdhjetë milionë eurove.
Së treti, shkelje të tilla të hapura të ligjit dhe të të drejtave të kreditorëve edhe më shumë shkatërrojnë sundimin e rendit dhe ligjit, dhe të klimës së investimeve, dhe e bëjnë Kosovën një destinacion edhe më pak atraktiv për investime të huaja. Kjo dëmton prospektet e zhvillimit të saj ekonomik.
Së katërti, me këtë marrëveshje ilegale Qeveria ia bën një dhuratë të madhe AUK-ut, i cili gjithnjë ka treguar shumë pak bujari drejt Kosovës. Tani buxheti i Universitetit të Prishtinës po konsiderohet “modest” nga Banka Botërore: po t’i ishte bërë ajo dhuratë UP-së, në vend të AUK-ut, ato pesëmbëdhjetë milionë euro do të mund të paguanin kompjuterë, laboratorë dhe përmirësime të tjera në cilësi të edukimit që ofron për studentët e vet. Kjo do të përmirësonte të ardhmen e Kosovës dhe të rinisë së saj. Kjo marrëveshje, në vend të kësaj, reflekton një politikë edukimi, ku shteti subvencionon universitetin e të pasurit dhe neglizhon edukimin publik, dhe duke neglizhuar atë mbështet kërkesën e AUK-ut për shërbime.
Zgjidhja dukej shumë e thjeshtë: ndale tjetërsimin dhe ndërtimin e kampit dhe shite tokën në një tender të hapur dhe konkurrent, ashtu si e kërkon Ligji i AKP-së, për të pasur një çmim që është i barabartë me vlerën e tregut të lirë. Nëse AUK-u nuk do të ofronte aq sa kërkohej për ta fituar tenderin, do të mund ta ndërtonte kampin e vet diku tjetër; natyrisht do ta kishte humbur çmimin e punëve të ndërtimit që ishin bërë deri atëherë, por kështu u ndodh atyre që ndërtojnë në tokë të huaj.
(Autori ka shërbyer si kryesues i Njësitit ekonomik të ICO-s deri më 30 mars 2011)
(Vijon nesër: Si dhe kush e negocioi marrëveshjen që Kosova t’ia falë AUK-ut tokën? Pse ICO-ja në vazhdimësi e injoronte faktin se Qeveria e Kosovës shkel ligjet? Kush janë përgjegjësit për tjetërsimin e jashtëligjshëm të tokës që i është falur AUK-ut? Pse EULEX-i kurrë nuk e hetoi këtë rast?)
Ndryshuar për herë të fundit nga fegi : 09-07-2011 më 04:47
-
-
Vjedh nga të varfrit për t’u dhënë të pasurve (2)
Për këtë transaksion ilegal, dëmtues dhe thellësisht të pamoralshëm, unë e fajësoj Hashim Thaçin, i cili e nënshkroi vendimin kryesor, zotin Shala, zotin Hoxha, zotin Asanaj dhe zonjën Tahiri, të cilët e implemtentuan pazarin, zotin Feith, i cili nuk e stopoi, dhe zonjën Arnal, e cila nuk e hetoi. Për këto aksione dhe shkelje, fajtorë janë ata
Në pjesën e parë të këtij artikulli, të botuar dje, kam thënë se Universiteti Amerikan në Kosovë (AUK) është një biznes që ofron mësim goxha të mirë dhe një diplomë amerikane në shkëmbim për çmim të lartë, gjysma e të cilit shkon në Institutin e Teknologjisë Rochester dhe tjetra në një fondacion humanitar në New York, në shkëmbim për këshilla dhe ca shërbime të tjera, dhe kam theksuar se, edhe pse AUK-u është një OJQ, që gjithmonë ka qenë jashtëzakonisht koprrac ndaj Kosovës dhe studentëve të saj më të varfër. Më pas kam përkujtuar se si Qeveria dhe Agjencia për Privatizim e Kosovës i kanë bërë një dhuratë pashpjegueshëm të madhe AUK-ut, duke i dhënë tokë në pronësi shoqërore në vlerë prej 18-20 milionë eurosh në shkëmbim për diçka mes zero dhe 3 milionë eurosh. Toka gjendet pranë Fshatit Ndërkombëtar dhe AUK-u planifikon të ndërtojë kampin e vet të ri aty; në fakt ndërtimi kishte nisur para se toka të ishte ekspropriuar.
Sipas dokumenteve që kam, dramatis personae e këtij rrëfimi janë: z. Hashim Thaçi, që e nënshkroi vendimin, z. Ahmet Shala, z. Enver Hoxhaj, znj. Mrika Tahiri (menaxhere e AKP-së e ngarkuar me shitje) dhe dr. Chris Hall (presidenti i AUK-ut), i cili është pajtuar me kushtet e tërë marrëveshjes; ndërsa z. Dino Asanaj, që e kryeson Bordin e Drejtorëve të AKP-së, e ka ndërtuar Fshatin Ndërkombëtar dhe, me një pusi, e udhëhoqi bordin drejt miratimit të marrëveshjes. Por, në këtë stad të stories, vetëm “në parim”.
Pjesa e parë përfundoi me një përmbledhje të arsyeve pse, në pasditen e vonë të 23 shtatorit 2010, konkludova se ekpsorpriimi mbi të cilin është ndërtuar e tërë marrëveshja ishte ilegal, i gabuar dhe i dëmshëm për Kosovën.
* * *
Më 24 shtator ua dërgova përfundimet e mia shumë kolegëve në ICO, nëpërmjet një letre elektronike të titulluar “Një tjetërsim që duhet ndalur”, dhe i shkrova EULEX-it: kur miliona euro notojnë mbi manifestin e parregullsive dhe vendimeve të pashpjegueshme politike, duhet të ketë gisht edhe krimi.
Për pothuajse dhjetë minuta, dy kolegë m’u përgjigjën në e-mail, duke më shkruar me urtësi vetëm mua:
“Kujdes i dashur. Po rrasesh në një fushë të minuar”, shkruante këshilltari special i ICR-së, dhe shefi i njësitit të çështjeve të bashkësisë më dërgoi një vërejtje më informativ: “Ki kujdes se kjo marrëveshje është negociuar në kuadër të një numri shëtitjesh të së dielave ndërmjet amb. Dell dhe kryeministrit Thaçi. Mund të jetë e zorshme për ta luftuar”. Çështja dukej më delikate sesa mendova, dhe e diskutova me shefin tim, zotërinë Pieter Feith, i cili më trimëroi të veproja.
Diskutimet e mia me Ambasadën amerikane ishin kryer nëpërmjet zëvendësdrejtuesit të njësitit politik të ICO-s, një diplomat amerikan që në fakt e drejton këtë njësit. I kërkova atij të fliste me Ambasadën e tij, duke shtuar se “qëllimi im ishte ky: nëse është i përfshirë një interes amerikan, ose nëse SHBA-ja duhet ta thotë fjalën e vet për këtë punë, a mund të rimartohet plani dhe të bëhet një më i pranueshëm? Askush nuk është kundër hapjes së një kampi të ri të AUK-ut: çështja është se si po e blen atë”. Ai m’u kundërpërgjigj: “Faleminderit për mesazhin. Do ta njoftoj Ambasadën amerikane për shqetësimin tënd. Mendoj se tashmë je i njoftuar, por më lejoni të ta kujtoj se Universiteti Amerikan në Kosovë nuk ka asnjë lidhje me Qeverinë amerikane”. Në uebfaqen e tij, AUK-u shfaq Ambasadën amerikane dhe USAID-in si “partnerë” të tij, dhe asnjë partner me përjashtim të Institutit Rochester të Teknologjisë nuk është i përfshirë; një partneritet është një lidhje, dhe e mora qartësimin e kolegut tim si një përpjekje sugjeruese për ta distancuar qeverinë e tij nga marrëveshja e dyshimtë. Por ky ishte fundi i diskutimit tim indirekt me Ambasadën amerikane: nuk pasoi asgjë.
Kur ia bëra të qarta dr. Hallit, presidentit të AUK-ut iu skuq fytyra dhe ai premtoi se do të “përmirësoheshin” propozimet e marrëveshjes. Prapë, nuk pasoi asgjë.
S’është nevoja për ta thënë, por ministri Shala kurrë nuk iu përgjigj emailëve të mi për këtë marrëveshje dhe për tjetërsimet e tokave për autostradën.
EULEX-i u përgjigj, por më shumë në stilin e vet: përgjigjja ishte edhe e padobishme, edhe budallaqe. Erdhi më 13 tetor me një letër të zonjës Isabell Arnal, drejtuese e SPRK-së, që më këshilloi ta këshilloja AKP-në t’i sfidonte tjetërsimin dhe kompensimin. Problemi, natyrisht, ishte se AKP-ja tashmë kishte pranuar të dyja, sikur që demonstrojnë dokumentet bashkëngjitur letrës sime. Zonja Arnal ose nuk e ka kuptuar, ose shtirej se s’kuptonte; në fakt, po ashtu i kisha treguar asaj për përfshirjen e dyshimtë të ambasadorit amerikan, së bashku me kryeministrin.
Ia kam dërguar argumentet e mia edhe Zyrës Ligjore të AKP-së. Por më 28 tetor, me katër vota në favor, një (e imja) kundër dhe dy abstenime, Bordi i AKP-së dha aprovimin final për tjetërsim dhe kompensim, pavarësisht prej faktit se avokatët e AKP-së kishin shkruar se po shkelej ligji, “mbase” (ata kështu po e ruanin veten).
Pastaj i raportova dështimet e mia te zoti Feith, dhe thashë se ishte i nevojshëm aksion i vendosur nga ICO-ja për ta ndalur tjetërsimin dhe kompensimin, dhe marrëveshjen për të, ai më këshilloi ta diskutoja çështjen me njësitin politik, njësitin ligjor, shefin e stafit dhe zëvendësdrejtuesin e ICR-së (një diplomat amerikan), dhe pastaj t’i dorëzoja një plan të aprovuar aksioni. E lidha këtë diskutim me atë për ligjshmërinë e tjetërsimeve të autostradës, duke ua rikujtuar kolegëve të mi se ICO-ja nuk mund të tolerojë faktin se Qeveria në mënyrë të vazhdueshme shkel ligjin, pothuajse çdo javë. Gjetëm një zgjidhje për autostradën (një ndryshim të vogël, ose një qartësim, në ligj, që nuk ishte bërë ende), por jo edhe për marrëveshjen e AUK-ut: për më shumë se tre muaj, kolegët e mi mbuluan kërkesat e mia për t’u pajtuar për një plan aksioni në një numër të madh pyetjesh, dilemash, komentesh të thata dhe me takime të pafrytshme dhe të pakuptimshme. Ky reagim konfirmoi se defektet e këtij transaksioni ishin të qëllimshme, dhe më bënë të mendoja se mbase ishte e vërtetë që ambasadori amerikan kishte marrë pjesë në dizajnimin e marrëveshjes për AUK-un, sepse asnjëherë, në vitin e kaluar, ICO-ja nuk kishte treguar guxim të pozicionohej ndryshe nga qëndrimi i Ambasadës amerikane. Por taktikat e shtyrjes së kolegëve të mi ishin efektive, sepse na sollën afër një fundi të natyrshëm të mandatit tim, më 31 mars.
Për tri vjet kam parë shumë vendime të tjera të gabuara dhe kam pasur dyshime për shumë transaksione më të mëdha. Por në asnjë rast tjetër nuk kam ditur më shumë për shkeljet që po bëheshin. Për shembull, edhe kontrata e autostradës, edhe rritja e kohëve të fundit e pagave ishin larg më dëmtuese për Kosovën sesa kjo marrëveshje; por nuk kisha parë ndonjë shenjë eksplicite të nënshkrimit të keqpërdorimeve, dhe rritja e pagave ishte thjesht një vendim i gabuar politik. E kisha më shumë sesa të qartë, dëshmi të shkruara të keqpërdorimeve në marrëveshjen e “Dardafonit”, por ia kisha dorëzuar EULEX-it dhe e dija se ata ishin duke vepruar në këtë rast, ani pse po shkonte shumë ngadalë. Ndërsa tani, ndalimi i marrëveshjes me AUK-un efektivisht varej nga unë, dhe unë u mundova.
Kështu, në natën e vonshme të një shkurtit u tregova zotit Feith dhe kolegëve të mi që unë nuk do të toleroja më shtyrje të tjera: nëse ata nuk më bindin se leximi im i marrëveshjes ishte i gabuar, ICO-ja duhej të ndërpriste përpara se të merrte fund kontrata ime. Ata i rezistuan presionit tim, dhe gjërat shumë shpejt eskaluan në krizë: kolegu im amerikan i cili de fakto drejton njësitin politik, rrejshëm më akuzoi se kisha gënjyer për të mbështetur të kuptuarit tim të marrëveshjes, dhe një javë më vonë shefi ynë i stafit - në vend se të sanksiononte kolegët e mi, siç kisha kërkuar - më instruktoi me shkrim të mos flisja për marrëveshjen e AUK-ut jashtë ICO-s. Pastaj unë i caktova një ultimatum zotit Feith për t’i sanksionuar këta dy kolegë dhe për të ndalur tjetërsimin, duke e paralajmëruar atë se përndryshe do t’i shkruaja mbikëqyrësit të tij (shteteve që përbëjnë GND-në) për ta kritikuar edhe marrëveshjen me AUK-un dhe mosreagimin e tij për këtë çështje. Feith rilëshoi një urdhër për të heshtur këtë punë, dhe më kërcënoi se do të më pushonte nga puna në rast se e shkelja këtë urdhër. Ultimatumi kaloi dhe unë u shkrova disa shteteve anëtare të GND-së (z. Feith e kuptoi - duke shkelur të drejtën e privatësisë së korrespondencave të mia të emailave, sikur që kam marrë vesh kohëve të fundit- dhe më pushoi për arsye disipline rreth orës tre të pasdites së 30 marsit).
Derisa ky rrëfim mori dhenë, nisa ta shikoja marrëveshjen e AUK-ut si mostër laboratorike, që shpërfaq fytyrën më të keqe të elitës së Kosovës dhe të mbikëqyrësve të saj ndërkombëtarë dhe miqtë të huaj: lakminë dhe druajtjen e tyre, mosrespektimin e tyre të vendit të punës, interesin publik dhe për dinjitetin e funksioneve të tyre publike. Por po ashtu, do të thosha unë, budallëkun e tyre: po të kisha lejuar të më mashtronin këta njerëz me disa koncesione që të lëshoja pe për këtë marrëveshje, ata mbase nuk do të ishin duke lexuar këtë artikull. Pastaj më 1 prill (në ditën e përsosur), do ta bënin marrëveshjen njëjtë sikur ishte më parë. Natyrisht se unë isha më budalla, sepse dështova të ndalja këtë pazar. Por vendosmëria me të cilën aspektet më të këqija të së cilës janë mbrojtur tregon se ato nuk ishin gabime aksidentale, por prodhim i një dizajnimi, dhe shpjegon pse një zgjidhje ishte e mundshme për tjetërsim të autostradave(pengesa ishte një çështje teknike), por jo për atë të AUK-ut: një abuzim i pushtetit publik për të justifikuar interesat private, dhe të maksimizohen përfitimet private në kurriz të interesit publik.
Për këtë transaksion ilegal, dëmtues dhe thellësisht të pamoralshëm unë e fajësoj Hashim Thaçin, i cili nënshkroi vendimin kryesor, zotin Shala, zotin Hoxha, zotin Asanaj dhe zonjën Tahiri, të cilët implementuan pazarin, zotin Feith, i cili nuk e stopoi, dhe zonjën Arnal, e cila nuk e hetoi. Për këto aksione dhe shkelje fajtorët janë ata.
Nuk e fajësoj ambasadorin amerikan - madje edhe po të ishte, sikur që mendoj unë, i përzier në këtë punë - sepse ai nuk u ka borxh kurrgjë qytetarëve të Kosovës: do të jetë në duar të autoriteteve amerikane të vendosin nëse ai ka vepruar apo jo si duhet, dhe unë u kam dërguar një letër pikërisht për të kërkuar këtë përgjigje. As nuk e fajësoj presidentin dr. Hall, i cili ka siguruar një tokë të mrekullueshme për kampin e ri me një çmim shumë të ulët. Nuk do ta fajësoj as zotin Asanaj në kapacitetin e një biznesmeni, sepse Fshati i tij Ndërkombëtar do të përfitojë jashtëzakonisht shumë duke pasur pranë vetes AUK-un. Por do të prisja që lexuesi t’u kushtojë vëmendje aksioneve të tyre, herën tjetër kur ata do të flasin për virtytet qytetare dhe moralin publik.
Në një nivel më të ulët i fajësoj Naser Osmanin, Slobodan Petroviqin, Haxhi Arifin dhe Bahri Shabanin, anëtarë të Bordit të AKP-së, të cilët i dhanë Asanajt votat që kërkoi, të cilët e dinin se po votonin në kundërshtim me ligjin, detyrat e AKP-së dhe të interesave të punëtorëve dhe të kreditorëve të ndërmarrjeve publike dhe qytetarëve të Kosovës. Qytetarët që, në mënyrë incidentale paguajnë për çdo muaj për ta dhe për zotin Asanaj (dhe jo për mua dhe anëtarë të tjerë të huaj të bordit) me rreth 1.000 euro, falë një vendimi ilegal të ndërmarrë nga Bordi i AKP-së në njërën prej takimeve të para të tij, në vitin 2008 (artikulli 13.2 i ligjit të AKP-së thotë se anëtarët e Bordit “nuk duhet të marrin kompensim për pjesëmarrje në takimet e Bordit”; ende e fajësoj veten pse nuk e kam sfiduar këtë vendim kur kam mundur ta bëja një gjë të tillë, dhe pse kam ndjekur këshillën – jo të Feithit, ai më pati inkurajuar të veproja – për të shmangur një konfrontim menjëherë pasi mora mandatin në Bordin e AKP-së).
Dhe më pak më poshtë është dashur po ashtu të fajësoja disa ish-kolegë të mi në ICO, të cilët do të ishte e ndershme të mos i përmendja, sepse ata kanë reaguar në bazë të urdhrave të Feithit, ambasadorit amerikan, ose të të dyve. Por më duhet të them se duke mbrojtur këtë pazar ata kanë treguar fleksibilitet të rrallë, duke treguar një vendosmëri që do të ishte mirë ta përdornin në një kauzë më të mirë. Në një letër të datës 25 prill, zoti Feith më tha se - pasi kisha ikur - kishte marrë “hapa të duhur” lidhur me pazarin me AUK-un. Natyrisht se ai nuk kishte treguar se cilët ishin hapat që kishte ndërmarrë. Jam i sigurt se ai ka bërë diçka, por ishte si tepër vonë: e di se ndërtesa e kampit po vazhdon, dhe besoj se ata që po përfitojnë nga ky pazar kanë arritur qëllimet e veta.
Mbase opozita parlamentare, shtypi dhe shoqëria civile ende mund të bëjnë diçka për këtë punë (mund t’ua jap atyre dokumentet që kam). Nëse ata duan ta ndalin këtë pazar, që në mënyrë shembullore tregon keqpërdorimet që po ndodhin në Kosovë sot, ata do të mund të shënonin një fitore të rëndësishme simbolike, që do të mund të çonte drejt zhvillimeve të tjera pozitive: ku sistemi politik është i mbyllur dhe joefikas, ndryshime të rëndësishme mund të shkaktohen nga episode minore. Krejt në fund, duke fituar një betejë, të cilën ICO-ja dhe EULEX-i nuk deshën as ta nisnin, ata që në Kosovë aspirojnë qeverisje më të mirë, do të kenë dëshmi empirike se këto krijesa ndërkombëtare të papërsosura janë bërë dëmtuese, ose së paku, të panevojshme - që do të ishin dy argumente shumë të mira për t’i kërkuar Washingtonit dhe Brukselit ose t’i reformojnë ose t’i tërheqin.
Por edhe nëse nuk ndodh asgjë, unë do të vazhdoj t’ia bëj një lutje AUK-ut të jetë më bujar me Kosovën. Në vitin 2010, ai ka dhënë 342,572 euro për bursa, por i ka paguar 1,508,266 euro Institutit Rochester të Teknologjisë, 359,446 euro fondacionit humanitar njujorkez, 138,000 euro presidentit të vet, dr. Hall, dhe ka shënuar një përfitim prej 341,027 eurosh nga kontrata me Qeverinë e Kosovës. Nëse e heqim këtë përfitim nga donacioni për bursa, mbesin vetëm 1,545 euro.
(Autori ka shërbyer si kryesues i Njësitit ekonomik të ICO-s deri më 30 mars 2011)
-
-
i/e regjistruar
Kryeprokurorja Arnal padit Adrea Capusselen dhe “Kohën Ditore”
KOHA
Publikuar: 08.07.2011 - 09:35
Prishtinë, 8 korrik – Një shtetase franceze ka zënë dy avokatë në Kosovë për ta paditur një shtetas italian dhe gazetën “Koha Ditore”.
Kryeprokurorja në largim e Prokurorisë Speciale të Kosovës, Isabelle Arnal, ka ushtruar një padi private në Gjykatën Komunale të Prishtinës kundër ish-shefit të njësitit ekonomik të ICO-s, Adrea Lorenzo Capussela me pretendimin se ka shpifur me anë të një vështrimi të botuar në gazetën “Koha Ditore” me titull “Një hetim katastrofal”. Kjo prokurore që ka shërbyer në Kosovë për pesë vjet ka paditur edhe gazetën për publikimin e këtij vështrimi në faqen e opinioneve.
Dy avokatë kosovarë, Ahmet Hasolli dhe Gazmed Nushi, kanë njoftuar se janë angazhuar nga francezja Arnal për ta ushtruar këtë padi. “Në emër të znj. Isabelle Arnal, kryeprokurore e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, në kapacitetin e personit privat sot është dorëzuar padia civile për Shpifje kundër, z. Andrea Lorenco Capussela, autori i artikullit ‘Një hetim katastrofal’ i publikuar në të përditshmen ‘Koha Ditore’ me datën 29 Qershor 2011”, thuhet në një njoftim të këtyre avokatëve.
“Po ashtu njoftojmë opinionin se në këtë padi është përfshirë edhe publikuesi i këtij shkrimi autorial, gazeta ‘Koha Ditore’ meqë dispozitat relevante të ligjit formalisht parashohin se edhe publikuesi ka përgjegjësi objektive për shkrime të këtilla”, thuhet më tej.
Arsyeja e kësaj padie në të cilën është futur edhe gazeta është vështrimi i ish-zyrtarit të ICO-s, Capussela, i cili ditëve të fundit me shkrimet e tij është duke denoncuar shkelje të shumta ligjore nga ana e kryeministrit Hashim Thaçi dhe zyrtarëve tjerë vendës e ndërkombëtarë. Me anë të shkrimit të 29 qershorit, ky ish-zyrtar ndërkombëtar në Kosovë që është vënë në mbrojtje të ish-guvernatorit të Bankës Qendrore të Kosovës, Hashim Rexhepi, ka thënë se hetimet e kryera nga EULEX-i kundër ish-shefit të tij Pieter Feith, janë krejtësisht të pabazuara, derisa dëmi që me këtë i shkaktohet si EULEX-it ashtu edhe ICO-s është shumë serioz dhe mbase edhe i pariparueshëm.
“Z. Feith është hetuar për favorizimin e z. Gani Gërguri për përzgjedhjen në postin e guvernatorit të BQK-së. Unë e kam ndjekur nga afër procesin që ka çuar deri në emërimin e tij dhe mund ta përshkruaj”, ka thënë Capussela. Ai ka thënë se emërimi i guvernatorit është kompetencë e ICR-së dhe si rrjedhojë, Feith i shkroi panelit përzgjedhës për ta këshilluar që ta hiqte emrin e Lubotenit nga lista e ngushtë, duke nënkuptuar se ai nuk do të jepte pëlqimin në rast se Luboteni përzgjidhet për guvernator.
Duke e quajtur hetimin si një gabim, Capussela ka thënë se gabime të kësaj natyre mund t’i atribuohen ose paaftësisë së plotë ose synimit për të dëmtuar reputacionin e Feithit.
“Asnjë prokuror serioz nuk do të hapte ndonjë hetim të tillë. Më duhet ta lë të hapur këtë alternativë, por do të cek se synimi për të dëmtuar z. Feith mund të shpjegohet nëpërmjet dy elementeve që e lidhin këtë hetim me një tjetër që ishte drejtuar kundër ish-guvernatorit të BQK-së, z. Hashim Rexhepi”, ka thënë ai.
-
-
i/e regjistruar
Një hetim katastrofal
KOHA
Publikuar: 30.06.2011 - 19:55
Në rastin e hetimit të pabazuar që i bëri shefit të ICO-së, Pieter Feith, dhe rastit që ngriti kundër ish-guvernatorit të BQK-së, Hashim Rexhepi, pyetja që duhet shtruar është nëse shefja e Prokurorisë Speciale të EULEX-it (SPRK), Isabelle Arnal, ia ka lejuar vetes që të bëhet një krah hetues i elitës apo i qarqeve të ndërlidhura me shërbimin jozyrtar sekret të PDK-së
Hetimet e kryera nga EULEX-i kundër z. Pieter Feith janë krejtësisht të pabazuara, derisa dëmi që me këtë i shkaktohet si EULEX-it ashtu edhe ICO-s është shumë serioz dhe mbase edhe i pariparueshëm.
Z. Feith është hetuar për favorizimin e z. Gani Gërguri për përzgjedhjen në postin e guvernatorit të BQK-së. Unë e kam ndjekur nga afër procesin që ka çuar deri në emërimin e tij dhe mund ta përshkruaj.
Në muajin shkurt, shpallja për këtë post pune është publikuar. Shumë kandidatë, të cilët kanë aplikuar për të janë vlerësuar nga një panel i përzgjedhjes, i përbërë nga dy anëtarë të Bordit të BQK-së. Paneli ka zgjedhur tre emra: atë të z. Gërguri, i cili atëbotë ishte zëvendësguvernator, të z. Gazmend Luboteni, i cili ishte dhe është shef i Bordit të BQK-së, dhe të një kandidati të tretë.
Por z. Luboteni ishte i papërshtatshëm, pasi që tashmë kishte kaluar njëmbëdhjetë vjet në Bordin e BQK-së dhe ligji i BQK-së thotë se një person nuk mund të qëndrojë në bord (e as në postin e guvernatorit) më gjatë se dhjetë vjet. ICO-ja e ka raportuar këtë problem, por paneli përzgjedhës ka injoruar këshillën tonë.
Emërimi i guvernatorit është kompetencë e ICR-së. Si rrjedhojë, z. Feith i shkroi panelit përzgjedhës për ta këshilluar që ta hiqte emrin e z. Luboteni nga lista e ngushtë, duke nënkuptuar se ai nuk do të jepte pëlqimin në rast se z. Luboteni përzgjidhet për guvernator. Ai ka cekur po ashtu se z. Gërguri kishte më shumë kualifikime sesa kandidati i tretë, gjë kjo që objektivisht është e vërtetë, dhe përshëndeti vendimin e panelit për ta renditur atë të parin.
Me një shumicë votash, Kuvendi e zgjodhi z. Gërguri, dhe emërimi i tij më pas u ratifikua si nga presidenti ashtu edhe nga z. Feith. Dhe kjo ishte e tëra.
Prokurorët e EULEX-it, të cilët hetuan rastin e Feithit e injoruan faktin se ai ka vepruar në mënyrë transparente, zyrtare, përbrenda kompetencave të tij dhe në interes të zbatimit adekuat të ligjit, dhe në vend të kësaj duhet të kenë imagjinuar se z. Feith në mënyrë sekrete ka ndikuar te secili anëtar i Kuvendit, i cili votoi për z. Gërguri dhe më pas edhe te presidenti, duke ndjekur disa interesa të fshehta.
Gabime të kësaj natyre mund t’i atribuohen ose paaftësisë së plotë ose synimit për të dëmtuar reputacionin e z. Feith: asnjë prokuror serioz nuk do të hapte ndonjë hetim të tillë. Më duhet ta lë të hapur këtë alternativë, por do të cek se synimi për të dëmtuar z. Feith mund të shpjegohet nëpërmjet dy elementeve që e lidhin këtë hetim me një tjetër që ishte drejtuar kundër ish-guvernatorit të BQK-së, z. Hashim Rexhepi.
Së pari, informata të besueshme sugjerojnë se hetimet kundër z. Feith janë hapur bazuar në raportet që kanë ardhur nga burimet përbrenda BQK-së, të cilat kanë dashur që z. Luboteni të zgjidhej guvernator. Edhe hetimet kundër z. Rexhepi bazohen pjesërisht në burimet e BQK-së. Ka të ngjarë që këto burime të përkojnë me njëra-tjetrën, për shkak se qëllimi i tyre ishte i njëjtë: dëbimi i z. Rexhepi nga BQK-ja dhe zëvendësimi i tij me z. Luboteni. Dhe burimet e tilla ka të ngjarë të jenë të ndërlidhura me qarqet e afërta me Qeverinë, apo me shërbimin jozyrtar sekret të PDK-së.
Së dyti, si hetimet kundër z. Feith ashtu edhe ato po aq të pabazuara kundër z. Rexhepi janë udhëhequr nga shefja e Prokurorisë Speciale të EULEX-it (SPRK), znj. Isabelle Arnal: ajo në mënyrë të drejtpërdrejtë bart pjesën e madhe të përgjegjësisë për shkeljet serioze të të drejtave njerëzore të z. Rexhepi gjatë hetimit dhe burgimit të tij, shkelje këto që i kisha përshkruar në një tjetër artikull të kohëve të fundit dhe për të cilat edhe z. Feith kishte adresuar publikisht kritika.
Me fjalë të tjera, si pasojë e kësaj, hetimet kundër z. Feith mund të jenë rezultat i dy forcave konvergjente, me të dyja që synojnë ta sulmojnë atë: qarqet që kanë dashur që z. Luboteni të bëhet guvernator, të cilët ishin të zemëruar se plani i tyre për të marrë nën kontroll BQK-në ka dështuar; dhe znj. Arnal dhe kolegët e saj, të cilët mbase nuk mund t’i duronin kritikat indirekte adresuar atyre nga z. Feith.
Nuk kam dëshmi të tjera për të mbështetur këtë interpretim, apo për të argumentuar faktin se këto dy grupe kanë vepruar në ujdi, mirëpo kjo mjafton për të shtruar pyetjen nëse, në këto dy raste, znj. Arnal ia ka lejuar vetes që të bëhet një krah hetues i elitës apo qarqeve të ndërlidhura me shërbimin jozyrtar sekret të PDK-së.
Do t’ia lë EULEX-it dhe ndërgjegjes së saj që t’i përgjigjen kësaj pyetjeje, ndërsa më parë do të cekja se hetimet kundër z. Rexhepi dhe më pas kundër z. Feith më kujtojnë deklaratën e famshme të Marksit se historia shpesh e përsërit veten, së pari si tragjedi e më pas si farsë.
Ajo që është e qartë është se hetimi qesharak i z. Feith ka gjeneruar dy rezultate.
EULEX-i ka dëmtuar edhe më shumë kredibilitetin e vet, veçanërisht para syve të atyre që do të dëshironin që ai të kryejë detyrën e vet të rëndësishme në mënyrë efektive dhe të ndershme.
Dhe z. Feith ka humbur çdo kompetencë që ende kishte për të ushtruar ndikim pozitiv në ngjarjet në Kosovë, për shkak se ndodhet përballë sulmeve nga njerëz të gabuar dhe për arsye të gabuara: shtypi i afërt me qeverinë tashmë ka kërkuar dorëheqjen e tij, duke cituar fushatën e tij për qeveri të pastër, dhe ai nuk ka gjasa të jetë në gjendje t’i bëjë ballë sfidës.
Kjo është një ironi e trishtë, pasi z. Feith është sulmuar për faktin se ka mbrojtur ligjin, integritetin e BQK-së dhe të drejtën e z. Rexhepi për gjykim fer. Këto ishin veprimet e tij më të mira gjatë muajve të fundit, një periudhë kjo gjatë së cilës ai shpesh ka dëmtuar reputacionin e tij pa pasur nevojë për ndonjë lloj ndihme nga miqtë apo armiqtë e tij.
Ky hetim, për më tepër, mund të shënojë fillimin e fundit të prezencës ndërkombëtare në Kosovë, të paktën sipas konfigurimit aktual të saj. Por nëse ICO-së mbase po i shkruhet keq, EULEX-i mund ende të shpëtojë veten dhe, ç’është më e rëndësishmja, funksionin e vet vendimtar.
Znj. Arnal së shpejti do të ikën nga EULEX-i. Ajo është përgjegjëse për këto dy hetime dhe për hetimin pa rezultat të ndërtimit të rrugëve. Ajo po ashtu udhëheq ekipin, të cilit iu deshën dy vjet kohë për të kuptuar se pse marrëveshja e Dardafonit është e keqe. Ajo largohet nga Kosova me një historik, në të cilin përjashtime të vetme për shtegun e gjatë të mosveprimeve janë disa dështime të mëdha.
Para se të shkojë, EULEX-i duhet të kryej një hetim të plotë dhe të paanshëm të veprimeve të veta. Nëse znj. Arnal do të largohej nga Kosova ose pa u sanksionuar ose pa e spastruar besimin e dhënë, unë nuk arrij të shoh ndonjë arsye pse EULEX-i të mos e ndjekë atë (por, natyrisht, jo para se të grumbullojë fletushkat e saj rreth vlerave evropiane dhe shitjes së xhipave të gjerë të kaltër). Mirëpo në rast se i nënshtrohet llogaridhënies, atëherë EULEX-i do të fillojë të rikthejë besueshmërinë dhe mund të fillojë të bëhet e dobishme për Kosovën dhe të ndalojë të jetë një trup për Evropën.
Andrea Lorenzo Capussela
(Autori ka qenë shef i njësitit ekonomik të ICO-së deri në fund të muajit mars)
Ndryshuar për herë të fundit nga skipetar : 09-07-2011 më 06:56
-
-
i/e regjistruar
EULEX-i distancohet nga padia e ish-kryeprokurores kundër “Kohës Ditore”
KOHA
Publikuar: 09.07.2011 - 09:51
Prishtinë, 9 korrik – EULEX-i është distancuar nga ish-zyrtarja e vet, Isabelle Arnal. Ky mision nën të cilin prokurorja franceze ka drejtuar Prokurorinë Speciale të Kosovës nuk e ka mbështetur padinë kundër gazetës “Koha Ditore” që është ushtruar në Gjykatën Komunale të Prishtinës.
“Kjo është padi private e Isabelle Arnalit, dhe jo padi e misionit të EULEX-it. Isabelle Arnal ka përfunduar së punuari si shefe e Prokurorisë Speciale të Kosovës, më 30 qershor të këtij viti. Misioni i EULEX-it nuk do të ofrojë mbështetje ligjore, apo ndonjë mbështetje tjetër lidhur me këtë padi”, ka thënë të premten zëdhënësi i EULEX-it, Blerim Krasniqi një ditë pasi ish-zyrtarja e EULEX-it ka bërë padinë.
Ajo ka bërë një padi private kundër ish-shefit të Njësisë ekonomike të ICO-s, Adrea Lorenzo Capussela me pretendimin se ka shpifur me anë të një vështrimi të botuar në gazetën “Koha Ditore” me titull “Një hetim katastrofal” por në padi e ka futur edhe gazetën për publikimin e shkrimit, që është botuar në faqet e opinioneve.
Avokatët e angazhuar nga Arnal, Ahmet Hasolli dhe Gazmend Nushi, pretendojnë se “Koha Ditore” ka shkelur ligjin duke e botuar këtë opinion. Madje, sipas Ahmet Hasollit, gazeta ka “bërë gabim që ka raportuar të premten për padinë”.
“Edhe në lidhje me shkrimin e sotëm ne kemi një vërejtje po ashtu. Ju kemi lutur si njoftim por jo ashtu me zhvillu ashtu komentin e me ba kolumne tjetër. Keni vazhduar me ndërlidh qëndrimet tuaja por ne po mendojmë që më mirë kishte me qenë me lanë vetëm ashtu siç e kemi lëshuar ne”, ka thënë Hasolli.
Ky avokat thotë se gazeta ka shkelur nenin 5, pika 2 të Ligjit civil kundër shpifjes dhe fyerjes ku, sipas tij, thuhet se detyrimisht parashihet që edhe publikuesi ka përgjegjësi objektive për publikimin e teksteve.
“Ajo asgjë nuk ka me ‘Kohën Ditore’ por ekziston një kusht formal juridik që mund të ndodhë. Gjykata e hedh poshtë padinë nëse nuk e ka këtë element formal dhe përfshirjen e botuesit”, ka thënë Hasolli.
Kolegu i tij Gazmed Nushi është shprehur se gazeta domosdo është dashur ta balancojë këtë vështrim sepse për këtë gjë sipas tij obligohet me ligj. Ai mendon që gazeta e ka shkelur ligjin. “Për momentin ne mendojmë që po”.
Por ish-zyrtarit të ICO-s, Andrea Capussela, e ka mirëpritur padinë kundër tij. Ai ka thënë të premten se kritikat e tij kundër Arnalit janë të fuqishme, por janë të bazuara në ato që ka lexuar në dokumente zyrtare të cilat i ka poseduar legalisht dhe i ka bazuar në informata të tjera të besueshme dhe të verifikuara.
“Nëse më padit unë do ta mirëpres rastin që në mënyrë më të detajuar të ilustroj se pse e kam kritikuar. Më vjen keq që ka vendosur ta padisë edhe gazetën e cila është një zë i vlerësuar i shoqërisë civile dhe unë nuk pajtohem me zgjedhjen e saj që padinë ta bëjë në Prishtinë”, ka thënë Capussella. Mirëpo këtë padi francezja, sipas këtij italiani, do të duhej ta bënte në Paris sepse siç ka thënë ai gjykatësit francezë i dinë shumë mirë standardet evropiane dhe si duhet të sillet një prokuror.
“Unë do ta pranoja gjykimin e tyre por vendimi i saj që të padis në Prishtinë kundër meje dhe gazetës tregon se ajo është e interesuar vetëm që ta përmirësojë disi imazhin e saj publik në Kosovë. Më në detaje do të përgjigjem në artikullin tim të ardhshëm për atë që kam shkruar”, ka thënë ai.
Drejtori ekzekutiv i KMDLNJ-së, Behgjet Shala, mendon se Isabelle Arnal e ka huq qëllimin kur ka vendosur të bëjë padi kundër “Kohës Ditore” për shkak të një opinioni që e ka shfaqur Adrea Capussela për shkak se ai qëndrim nuk është qëndrim as i gazetës e as i redaksisë.
“Mendoj që nëse ajo ka ndonjë problem duhet të ballafaqohet apo të kërkojë sqarime nga z. Capussela i cili e ka shfaqur atë opinion. Ai tash ka shpërthyer në sipërfaqe dhe duket që opinioni i Capussellas i ka trazuar shumë shpirtra si brenda EULEX-it, UNMIK-ut, ICO-s për shkak se ndonëse me një vonesë dhe me një pendim të vonuar ka nxjerr disa gjëra të cilat mendoj që ‘Koha Ditore’ nuk mund të ketë konsekuenca ligjore”, ka thënë Shala.
Avni Zogiani nga organizata “Çohu” thotë se ka respekt për ish-kryeprokuroren Isabelle Arnal, por me këtë veprim, sipas tij, ajo ka treguar se nuk e kupton ndarjen e rubrikave në media.
“Mendoj që është një lajthitje, nuk mendoj që e ka seriozisht, nuk mendoj që e ka ndonjë problem me ‘Kohën Ditore’. Ma merr mendja që është ndonjë lajthitje, sepse ai ka qenë opinion dhe nëse e lexon faqen në të cilët janë botuar opinionet nuk mundesh me i ndalë pavarësisht sa të ashpra janë”, ka thënë Zogiani.
Prokurorja Isabelle Arnal që ka shërbyer në Kosovë për pesë vjet ka dorëzuar në Gjykatë një padi civile për Shpifje kundër, Andrea Lorenco Capussela, i cili ka kritikuar hetimet kundër shefit të ICO-s, Piter Feith. Po kështu në këtë padi është përfshirë edhe publikuesi i këtij shkrimi autorial, gazeta “Koha Ditore” meqë dispozitat e ligjit, sipas një njoftimi të avokatëve, formalisht parashohin se edhe publikuesi ka përgjegjësi objektive për shkrime të këtilla. Arsyeja e kësaj padie në të cilën është futur edhe gazeta është vështrimi i ish-zyrtarit të ICO-s, Capussela, i cili ditëve të fundit me shkrimet e tij është duke denoncuar shkelje të shumta ligjore nga ana e kryeministrit Hashim Thaçi dhe zyrtarëve tjerë vendës e ndërkombëtarë. Me anë të shkrimit të 29 qershorit, ky ish-zyrtar ndërkombëtar në Kosovë që është vënë në mbrojtje të ish-guvernatorit të Bankës Qendrore të Kosovës, Hashim Rexhepi, ka thënë se hetimet e kryera nga EULEX-i kundër ish-shefit të tij Pieter Feith, janë krejtësisht të pabazuara, derisa dëmi që me këtë i shkaktohet si EULEX-it ashtu edhe ICO-s është shumë serioz dhe mbase edhe i pariparueshëm.
-
-
i/e regjistruar
Feith: Përgjegjësinë për gjithçka e ka Qeveria
KOHA
Publikuar: 09.07.2011 - 09:06
Prishtinë, 8 korrik – Shefi i Zyrës Civile Ndërkombëtare nuk e ka ndërmend që të marrë përgjegjësi për zhvillimet në Kosovë, e të cilat kanë qenë përgjegjësi e Qeverisë.
Pieter Feith në një intervistë për “Kohën Ditore”, të parën prej kur ndaj tij është bërë publik një tentim i Prokurorisë Speciale për ta hetuar, ka kërkuar nga EULEX-i që të kërkojë falje. Feith flet për herë të parë edhe për akuzat që ish-vartësi i tij Andrea Capusslea, po ia bën publikisht për mosveprim dhe parandalim edhe të veprimeve korruptive të Qeverisë së Kosovës.
Përfaqësuesi civil ndërkombëtar ka thënë se nuk është administrator i Kosovës i llojit të UNMIK-ut dhe nuk ka qenë e as nuk është detyrë e tij qeverisja e Kosovës. Ai ka thënë se për cilindo veprim, i ka shprehur pakënaqësitë e tij dhe vërejtjet te kryeministri, por përgjegjësinë për secilin veprim e mban vetë Qeveria e Kosovës. Shefi i ICO-sa ka thënë se punë e tij nuk ka qenë e as nuk është konsultimi dhe menaxhimi i detyrave ditore të qeverisë. “Këtë ndoshta e bëjnë ambasadorët por jo unë”, ka thënë Feith. Sipas tij, Qeveria dhe institucionet e Kosovës duhet lënë të veprojnë. Duhet këshilluar por nuk duhet ndalur nëse vendosin që të bëjnë diçka. “Juve ju qeveris qeveria juaj dhe institucionet tuaja. Ato mbajnë përgjegjësinë”, ka thënë Feith.
Feith ka thënë se ka ndërhyrë në zgjedhjen e guvernatorit të Kosovës, sepse nuk ka mundur të lejonte që një njëri politik të udhëheqë këtë institucion. Sipas tij, joprofesionalizmi i prokurorëve të EULEX-it ka hapur pastaj një debat që nuk ka ekzistuar asnjëherë.
Mbikëqyrësi i pavarësisë ka thënë se asnjëherë nuk e ka parë kontratën për autostradën. “Pyeteni ambasadën amerikane”, ka qenë përgjigja e shefit të ICO-së ku është pyetur se pse nuk e ka parë kontratën.
Shefi i ICO-s ka thënë se nuk është i shqetësuar me asnjë veprim të tij që e ka ndërmarrë ose që nuk e ka ndërmarrë, pasi që, sipas Feithit, gjithçka ka qenë e analizuar detajisht. “Është më mirë që të kërkohet nga Qeveria sqarim për një situatë dhe të përmirësohet çështje, se sa të japësh vërejtje publike dhe asgjë të mos ndryshohet”, ka thënë Feith.
Ai e ka krahasuar ish-shefin e njësitit ekonomik në ICO me ish-administratorin e UNMIK-ut në veri të Mitrovicës, Galluci. Sipas tij, zyrtarët e tillë nuk e thonë të vërtetën e as nuk i ndihmojnë Kosovës. Feith nuk ka dashur që të hyjë në detaje të atyre që i ka shkruar Capussela. Por ka thënë se ai në disa aspekte shkruan edhe të pavërteta. “Ai shkruan për një tjetërsim prone për AUK-un që ende nuk ka ndodhur. Në i kemi kërkuar qeverisë dhe i kemi tërhequr vërejtjen se ndarja e parcelës për AUK-un duhet të arsyetojë interesin publik. Qeveria ka marrë një vendim në parim, që ende nuk është përfundimtar. Në nuk mund të reagojmë derisa të merret vendimi përfundimtar”, ka thënë Feith. Sipas tij, ICO-ja ka reaguar për këtë çështje shumë kohë para se Capussela të shkruante në “Kohën Ditore”. Shefi i iCO-s ka ironizuar me pretendimet e Andrea Capusselas se i është hakuar emaili i tij personal. “Ai pretendon se unë e kam kuptuar se u ka shkruar shteteve anëtare të Grupit Drejtues Ndërkombëtar pasi kam hakuar emailin e tij. Kjo është qesharake. Unë e kam kuptuar një gjë të tillë, sepse të gjithë emailat që i ka shkruar ai, më janë përcjellë nga shtetet përkatëse të cilat më kanë kërkuar të merrem me të”, ka thënë Feith.
-
Regullat e Postimit
- Ju nuk mund të hapni tema të reja.
- Ju nuk mund të postoni në tema.
- Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
- Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
-
Rregullat e Forumit
Krijoni Kontakt