Publikuar: 24.07.2011 - 21:29
Shqiptari nga Kosova në Gjermani, Xhavit Dalloshi, i cili është anëtar aktiv i partisë së Unionit Kristian-demokrat CDU, në një njoftim për medie tërheq vërejtjen se shërbimet për të huaj në Gjermani dhe Ministria e Brendshme gjermane të gjithë shqiptarë që posedojnë shtetësi gjermane apo të Kosovës i konsiderojnë shtetas të Serbisë!
Sipas prijësve të shërbimeve gjermane për të huajt, kosovarët janë ende shtetas të Serbisë për shkak se Serbia nuk e njeh Kosovën shtet të pavarur dhe sovran! Sipas tyre, “derisa Serbia nuk e njeh Kosovën si shtet, kosovarët janë shtetas të Serbisë”.
Dalloshi shkruan se shqiptarët që kanë nënshtetësi gjermane, nëse dëshirojnë të kenë vetëm këtë shtetësi, janë të detyruar që të shlyejnë shtetësinë serbe edhe pa qenë fare shtetas serbë! Andaj, shton ai,
kosovarët detyrohen të japin shuma të mëdha parash që të regjistrohen shtetas serbë dhe pastaj të shlyhen nga shtetësia serbe.
Dalloshi thotë se e ka pyetur edhe Zyrën e Jashtme (Auswertiges-AMT) edhe Ministrinë për Punë të Brendshme dhe të dyja këto i kanë konfirmuar se kosovarët duhet të shlyhen nga shtetësia serbe në qoftë se dëshirojnë të kenë vetëm shtetësinë gjermane.
Pas insistimit të tij se Kosova ka shpallë pavarësinë dhe është njohur edhe nga Gjermania, ata janë përgjigjur: “Po, por ju jeni automatikisht shtetas serbë pasi që Serbia është trashëgimtare e Jugosllavisë dhe se Kosova ishte në përbërje të Serbisë, pra jeni shtetas serbë”.
Ai kritikon qeverinë e Kosovës dhe politikanët “që e mashtrojnë popullin se Kosova qenka shtet”, dhe kërkon sidomos nga Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës që ta sqarojë këtë problem me palën gjermane.
http://www.koha.net/?page=1,13,63813
Krijoni Kontakt