Zbardhet formula e re për taksën e 3 mijë autobusëve
Autobusët janë një taksën e 3 mijë autobusëve tjetër kategori që do të paguajnë taksën e mjetit, të përllogaritur sipas të njëjtës formulë të hartuar nga Financat, sikurse edhe mjetet e tjera. Kjo formulë është: cilindratë në cm3 x koeficient sipas vjetërsisë x taksa fikse për llojin e karburantit. E, ndërsa për cilindratën dhe llojin e karburantit Ministria e Financave nuk kishte se çfarë lëshimi të bënte, për koeficientin sipas viteve të përdorimit është parë e arsyeshme që të vendoset një koeficient më i ulët se për kategoritë e tjera, autoveturat, motomjetet apo gjithë llojet e tjera. Për autobusët vlen sikurse dhe për mjetet e tjera mospagimi i taksës për tre vjetët e para të përdorimit, ndërkohë që në vitin e katërt koeficienti bëhet direkt 0.07 me një rritje me 0.01 çdo vit, deri në vitin e katërmbëdhjetë të përdorimit. Sipas të dhënave të Financave në Shqipëri ka rreth 3 mijë autobusë me vjetërsi mesatare 14 vjet. Kjo logjikë e Financave duket se ka marrë parasysh edhe faktin që autobusët janë një mjet i rëndësishëm transporti për një kategori të madhe njerëzisht dhe përzgjidhen edhe me idenë e të qenit ekonomik. Taksa më të shtrenjta për autobusët sigurisht që ndikojnë direkt edhe në çmimet që këta të fundit vendosin të aplikojnë për udhëtarët e tyre. Diferencimi me këtë koeficient është bërë edhe për faktin që këto mjete do të kishin një taksë të lartë, nëse koeficienti sipas viteve të përdorimit nuk do të kishte brenda një “tolerim”. Pas vitit të katërmbëdhjetë të përdorimit, koeficienti për autobusët rritet me 0.03 në vit dhe tre vitet e fundit me 0.02 në vit. Sipas shënimit të Financave, pas vitit të 24-t të përdorimit, për autobusët koeficienti rritet me 0.03.
TAKSA E KARBONIT
Ajo që u vendos si një taksë mjedisi për efektin që karburantet japin në ambient, është ristrukturuar. Në projektligjin “Për disa ndryshime në taksat kombëtare”, është parë e arsyeshme që të bëhet edhe një ristrukturim i takës së karbonit. Nëse më herët në këtë regjim ishin futur produkte të tilla si nafta apo benzina, por gama e produkteve të përfshira në këtë taksë do të zgjerohet. Në projektligjin e Financave thuhet se taksa e karbonit që është aktualisht mbi benzinën në masën 1,5 lekë/litri dhe gazoilin në masën 3 lek/litri, të aplikohet edhe mbi disa kategori të reja nënproduktesh nafte, mbi vajgurin, solarin, mazutin dhe koks nafte. Kështu, taksa e karbonit e aplikuar si për prodhimin vendas ashtu dhe për atë të importuar do të ketë nivele të ndryshme taksimi, sipas llojit të produktit apo nënproduktit. Për solarin dhe mazutin taksa do të jetë 3 lekë për litër, për vajgurin po 3 lekë për litër, kurse për koks nafte, 3 lekë për kilogram. Ndërkaq, Ministria e Financave ka parashikuar edhe efektin që do të ketë strukturimi i taksës së karbonit te të ardhurat në buxhet. “Duke supozuar se ligji do të hyjë në fuqi në shtator 2011, për katër muajt e fundit të vitit 2011, taksa e karbonit parashikohet të rritet me 370 milionë lekë më shumë, ndërsa efekti i pritshëm nga kjo taksë për vitin 2012 do të jetë 775 milionë lekë më shumë”, thuhet në projektligjin e Financave “për taksat kombëtare”. Taksa e karbonit qysh në momentin e diskutimit për t’u vendosur u përcaktua si një detyrim që Shqipëria duhet të përmbushë duke përafruar ligjin dhe praktikat me ato të Bashkimit Europian.
TAKSA E KARBONIT
Gazoil:
3 lekë /litër
Benzinë:
1.5 lekë/litër
Solar dhe Mazut:
3 lekë/litër
Vajguri:
3 lekë/litër
Koks naftë:
3 lekë/kg
Qeveri miratoi pa asnjë ndryshim aplikimin e taksave dhe tatimeve të tjera për të gjitha automjetet në vend.Në mbledhjen e djeshme, kreu i qeverisë e quajti revolucion fiskal heqjen e doganës dhe taksën e shitjes brenda vendit për makinat. Duke argumentuar se mjedisi është prioritar për qytetarët e vendi, Berisha nënvizoi se do të ketë një taksë tjetër mbi karburantin, taksë që do të zëvendësojë taksën aktuale të qarkullimit. Sidoqoftë, projekti i famshëm i taksave të reja të makinave, dje kaloi edhe hallkën e qeverisë. Tani pritet që qeveria ta kalojë në Kuvend dhe ky i fundit ta miratojë brenda korrikut. Sipas parashikimit, ligji i ri do të bëhet funksional në shtator.
Çfarë po ndryshon
Për makinat ndryshojnë të gjitha taksat. E para, hiqet taksa e importit dhe e shitjes brenda vendit. Me miratimin e paketës së re fiskale, të gjitha makinat që do të importohen, nuk do të paguajnë më doganë. Edhe makinat që do të shiten brenda vendit, nuk do të paguajnë më taksë.
Hiqet taksa e regjistrimit të përvitshëm. Aktualisht, kjo taksë paguhej një herë në vit dhe kushtonte 2 400 lekë. Me miratimi e paketës së re fiskale, kjo taksë bëhet zero.
Do të aplikohet taksë e re e qarkullimit. Aktualisht, taksa e qarkullimit varion nga 7 mijë lekë në vit për makinat me benzinë, në 10 mijë lekë në vit për makinat me naftë. Në paketën e re fiskale, taksa e qarkullimit nuk do të paguhet një herë në vit, por do të shtohet në çmimin e karburantit. Pas miratimit të ligjit, tasa e qarkullimit do të shtohet me 5 lekë/litër në çmimin e karburantit. Kjo, deri në fund të vitit. Me fillimin e vitit 2012, taksa e qarkullimit bëhet 7 lekë/litër.
Shtohet taksa e re e makinave të përdorura. Kjo taksë do të paguhet një herë në vit dhe llogaritet me formulën që penalizon makinat e vjetra dhe me naftë. Formula është: Cilindrata në cm3 x koeficienti sipas vjetërsisë x taksa fikse për llojin e karburantit. Taksa fikse për llojin e karburantit është 20 për benzinën dhe 25 për naftën. Koeficienti për vjetërsinë aplikohet pas vitit të tretë dhe fillon me 1.18. Koeficient shtohet me 0.01 deri në vitin e 10-të dhe me 0.04 pas vitit të 10-të të prodhimit të mjetit.
Berisha
Duke u ndalur te taksa e makinave, kreu i qeverisë tha se heqja e taksë së importit dhe shitjes e bën të domosdoshme vendosjen e tarifës mbi karburantet. “Kjo është jetike dhe nuk është absolutisht për buxhetin, por për të mbrojtur mjedisin. Taksa e karbonit e tëra, përveç pjesës që mund t’i mbetet qeverisë vendore, do të kalojë për mbjelljen e drurëve frutorë.” Nga ana tjetër, kreu i qeverisë ka saktësuar se nga ndryshimet nuk do të preken të ardhurat e bashkive. “Ka një ristrukturim të taksës së qarkullimit, taksës së regjistrimit të automjeteve, por qeverisë vendore do t’i mbetet 20 për qind e këtyre taksave nga buxheti i shtetit.”
Ndryshimet
-Hiqet taksa e makinave të përdorura (në import dhe në shitje brenda vendit).
-Hiqet taksa e regjistrimit të përvitshëm të mjeteve.
-Aplikohet taksa e re e qarkullimit. Kjo taksë do të jetë një takse fikse, për litër mbi gazoilin dhe benzinën, të importuara apo të prodhuara në vend, në masën 5 lekë për litër, deri në datën 31.12.2011 dhe duke filluar nga 1 janar 2012, masa e kësaj takse do të jetë 7 lekë për litër.
-Aplikimi i taksës vjetore të mjeteve të përdorura, me formulën: Cilindrata në cm3 x koeficienti sipas vjetërsisë x taksa fikse për llojin e karburantit.
-Taksa fikse për llojin e karburantit është 25 lekë për naftën dhe 20 lekë për benzinën. Koefiçientët për vjetërsisë, për tre vitet e para janë 0. Pas vitit të tretë, fillon me 0.18 dhe shtohet me 0.01 për çdo vit vjetërsie. Pas vitit të dhjetë, shtesa për çdo vit bëhet 0.04.
Shembujt e ndryshimit
Sa kushton sot
Një person importon sot një makinë me naftë, viti i prodhimit, 2000, me kubaturë 2200 kubike. Aktualisht, për importin e kësaj makine ai duhet të paguajë taksën e makinave të përdorura. Kjo taksë llogaritet duke shumëzuar cilindratën me taksën fikse të naftës ose benzinës (respektivisht 25 dhe 20) dhe me koeficientin e vjetërsisë, (0.5 për çdo vit nga data e prodhimit). Në rastin tonë do të kishin 2200 (cilindrata) x 25 (taksa për naftën) x 5.5 (koeficienti për 11 vite vjetërsi). Në total, personi do të paguante 302500 lekë si taksa të makinës së përdorur në import. Nga ana tjetër, ky person do të paguante 2400 lekë në vit si taksë regjistrimi dhe 10 mijë lekë në vit si taksë qarkullimi.
Sa do të kushtojë
Në rast se ky person do të importojë të njëjtën makinë, pasi të miratohet dhe të hyjë në fuqi paketa e re fiskale, ai do të paguajë shumë më pak para. Kështu, taksa e importit të makinave të përdorura hiqet. Pra, ai nuk do të paguajë doganën e makinës, që në këtë rast ishte 302500 lekë. Nuk do të paguajë gjithashtu edhe taksën e regjistrimit prej 2400 lekësh në vit, pasi kjo taksë hiqet. Taksën e qarkullimit nuk do ta paguajë një herë në vit me një shumë 10 mijë lekë, por do ta ndajë sa herë që furnizon makinën me karburant, duke paguar 5 lekë shtesë për çdo litër. Por, do të paguajë një taksë të re (taksa vjetore e mjeteve të përdorura.) Kjo taksë llogaritet me formulën: Cilindrata në cm3 x koeficienti sipas vjetërsisë x taksa fikse për llojin e karburantit. Taksa fikse për llojin e karburantit është 25 lekë për naftën dhe 20 lekë për benzinën. Koefiçientët për vjetërsisë, për tre vitet e para, janë 0. Pas vitit të tretë fillon me 0.18 dhe shtohet me 0.01 për çdo vit vjetërsi. Në rastin tonë do të kishim 2200 (cilindrata) x 25 (taksa për naftën) x 0.32 (koeficienti për 11 vite vjetërsi). Në total do të paguajë 17600 lekë në vit.
Projektligji i ri për taksën e makinave, që ende nuk ka hyrë në fuqi, do të zbatohet nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit të Transportit Rrugor.
Drejtori Arben Pinari në një intervistë për gazetën thekson avantazhet që paraqet ky projektligj për qytetarët, duke filluar nga formula që është zgjedhur të zbatohet e deri tek thjeshtësia e procedurave administrative. Për Pinarin, taksa e re e makinës vendos një marrëdhënie të drejtë me përdorimin e infrastrukturës, ndotjes së ambientit që shkaktohet dhe parave që paguhen.
Z. Pinari, si i gjykoni dy projektligjet që lidhen me taksimin e makinave, të cilat pritet të hyjnë në fuqi së shpejti?
Projektligjet e miratuar në Parlament për disa ndryshime në Ligjin 9632, “Për sistemin e taksave vendore” dhe disa ndryshime në Ligjin 9975, “Për taksat kombëtare” sjellin një reformim të sistemit të shërbimit në Drejtorinë tonë. Sjell reformimin e shërbimit për arkëtimin e taksave që lidhen me përdorimin e mjeteve të transportit. Pse sjell ndryshime? E para, sepse më herët ne ishim agjentë tatimorë për taksat vendore dhe për taksat lokale. Taksë vendore ishte taksa e regjistrimit, e cila e thënë në gjuhën e përditshme dyshemeja ka qenë 2400 lekë dhe për mjetet me benzinë taksa e qarkullimit ka qenë 7000 lekë. Të dyja bashkë bënin 9400 lekë, ndërsa për taksën e mjetit që ndryshonin llojin e karburantit për mjetet autoveturat, për ato që ishin me naftë e kishin si taksë 12 mijë lekë të vjetra.
Krahasuar me ligjin ekzistues, ku janë avantazhet e ndryshimeve që i janë bërë ligjeve?
Ka ndryshime. Projektligji i ri bën ndryshimin konceptual të mënyrës së taksimit për mjetet, pra me parimin shfrytëzim-përdorim. Nëse tani kemi një pagesë fikse, pavarësisht se sa e përdor mjetin, kjo nuk do të jetë kështu me ligjin e ri. Po kështu, diferenca në mënyrën se si taksohet një mjet ka edhe për madhësinë e tij apo për moshën e mjetit. Deri më tani, si mjeti i madh dhe ai i vogël, si mjeti i vjetër dhe ai i ri paguanin njësoj. Ndryshimi konceptual i ligjit të ri sjell pranë sporteleve tona qytetarët që do të paguajnë një taksë që quhet taksa e mjeteve të përdorura. Ndërsa taksa vendore apo siç njihet taksa e regjistrimit, do të mblidhet me karburantin pra brenda çmimit të karburantit do të jetë edhe kjo taksë. Sikurse dhe dihet, deri më 31 dhjetor kjo taksë do të jetë 5 lekë dhe nga data 1 janar do të bëhet 7 lekë për litër. Çfarë sjell kjo si masë? Së pari, një person i cili e përdor mjetin një herë në javë vetëm për pushimet e fundjavës paguan më pak, sepse ndot ambientin më pak, përdor rrugën më pak, pra i ofrohen më pak shërbime sesa një njeri i cili e përdor mjetin nga mëngjesi deri në darkë. Pra, sa herë që mjeti do të furnizohet me karburant, aq herë ai do të ndoti ambientin, aq herë ai do kërkojë përdorimin e rrugës dhe shërbimeve të tjera. Pra, ai që e përdor shumë, do të paguajë më shumë dhe ai që e përdor pak, do të paguajë më pak. Ndërkohë, taksa e re e mjeteve të përdorura është një taksë e re, e cila parimin e saj bazë e ka që ai që ka mjetin më të ri dhe që ndot më pak ambientin, paguan më pak, kurse ai që ka një mjet më të vjetër, do të paguajë më shumë. Është një parim që ndiqet në të gjitha vendet e Europës dhe është brenda standardeve në fushën e transportit.
Drejtoria juaj do të jetë ajo që do të zbatojë, pra do të jetë përgjegjëse për zbatimin e ligjit të ri dhe mënyrës së re të taksimit të makinave. Si e shihni zbatimin e projektligjeve krahasuar me sistemin aktual?
Ky projektligj nga pikëpamja e funksionimit, pra e zbatimit që lidhet direkt me Drejtorinë tonë, është më i thjeshtë, sepse në rast se më përpara qytetari duhet të priste në sportelet tona për dy shërbime, pra edhe për taksën e qarkullimit edhe për taksën e regjistrimit, sot do të bëjë vetëm një shërbim. Si kohë e shërbimit ndaj qytetarit është e përgjysmuar. Mënyra e përllogaritjes, që më parë ishte mbi bazën e një sërë faktorësh, për shembull në bazë të tonazhit të mjetit, tashmë është ndryshe, kemi këtë formulë të re përllogaritjeje që natyrisht në momentin e parë për ata persona që kanë mjete mjaft të vjetra, duket se është më rënduese, por po të merremi në drejtimin që po ecën Shqipëria në drejtim të zhvillimit dhe të rinovimit të parkut të mjeteve, mjetet e reja për tre vitet e para janë me taksë zero. Ky është një favor goxha i madh për ata që kanë mjete të reja dhe numri i tyre nga viti në vit po vjen duke u rritur.
Sa është taksa që duhet të paguajë një qytetar tani? A ishte më e leverdishme taksa sipas ligjit të vjetër, ku paguhej taksë regjistrimi dhe qarkullimi apo është më e leverdishme sot me këtë formulë?
Nga përllogaritjet që kemi bërë ne si Drejtori, i bie që një mjet me benzinë ta paguajë taksën aktuale mbas 10 vitesh moshë që ka mjeti. Pra, deri kur mjeti mbush moshën 10-vjeçare, ai barazohet me taksën e sotme. Është një përfitim goxha i madh. Në rast se kemi një mjet me kubik 1700 dhe është me benzinë, i bie që taksën e sotme ta paguajë në vitin e 11-të të jetës që ka mjeti. Ndërsa një mjet tjetër autoveturë me benzinë, e cila është një kubik e vogël, i bie që ta paguajë në vitin e 14- të të jetës. Pra, jo vetëm që tre vitet e para është me zero, por edhe në vitin e 14-të paguan këtë që paguan sot. Në rast se i referohemi faktit që 94 mijë lekë i paguan një mjet me benzinë, sot po i njëjti mjet me benzinë me kubik 1200 e paguan në vitin e 14-të të jetës këtë shifër. Pra, nga pikëpamja e përfitimit për ata që kanë mjete relativisht të reja, sepse në botë një mjet 14-vjeçar nuk quhet i ri, është goxha përfituese.
Po lidhur me mjetet e tjera të transportit që nuk janë makina personale, por mjete që përdoren për transportin publik, si trajtohen në këtë projektligj?
Projektligji në gjuhën e statistikave që ne disponojmë sidomos për transportin e udhëtarëve është shumë favorizues. Sipas përllogaritjeve që kemi bërë, natyrisht edhe mbi bazën e projektligjit të ri, një mjet autobus me naftë, pra ata që hyjnë në shërbimin ndaj qytetarit, një autobus me naftë i cili ka një cilindrat 13.800 kubikë, barazohet taksa e sotme në vitin e 14-të të jetëgjatësisë së mjetit. Në rast se sot ai paguan 61 mijë 400 lekë, në vitin e 14-të do të paguajë 58 mijë e 642 lekë. Pra, më pak. Ndërsa një autobus që ka cilindratën 4324 kubikë, i bie që të barazohet me taksën ku sot paguan 40 mijë lekë dhe në vitin e 21-të i bie të paguajë 41 mijë e 078 lekë. Ligji është shumë favorizues për mjetet që kanë moshën relativisht të re. Aplikimi i taksës fillon në vitin e katërt të jetës, në rast se do të shohim autoveturat me benzinë, që fillon për herë të parë të paguajë taksën e mjetit, i bie të paguajë 4320 lekë, ndërkohë që sot paguan 9400 lekë, pra më pak se gjysma. Mënyra e përllogaritjes së kësaj takse është shumë më e thjeshtë se mjafton që mjeti të ketë cilindratën, vitin e prodhimit dhe llojin e karburantit për të bërë shumëzimin e koefiçientëve dhe del sasia e taksës që duhet paguar. Pra, edhe nga kjo pikëpamje është shumë më e thjeshtë, nuk lë shteg për interpretime.
Si është sot parku i automjeteve në vend, cila është vjetërsia mesatare?
Ajo lidhet shumë dhe me investimin që do të duhet për një makinë të re. Nëse i referohemi autoveturave, kemi koncesionarë të cilët kanë kaluar dhjetë vite që shesin makina në Shqipëri. Pra, ato makina që dikur janë shitur me zero, sot janë 10-vjeçare. Por, numri i makinave të reja nga viti në vit vjen duke u rritur, sidomos tek autoveturat. Pastaj, për vitin 2010 kemi vetëm 45 autobusë të importuar me kilometër zero. Që një autobus ka një vlerë fillestare të blerjes goxha të madhe, prandaj thashë që kjo lidhet edhe me investimin fillestar që do të duhet për blerjen e një mjeti mbi bazën e një analize kostoje që bën biznesi. Në rast se ble një mjet të ri, për sa do më duhet që ta shlyhej dhe në rast se ble një mjet të përdorur, sa është koha që atij i duhet të shlyejë veten e vetë fillestare dhe më pas normat e fitimit.
Panorama
NERTILA MAHO
Ndryshuar për herë të fundit nga Albo : 31-07-2011 më 12:52
Shteti duhet te ndaloje perkohsisht futjen e makinave te reja/te perdorura ne Shqiperi per shitje.
Territori eshte i vogel dhe ndotja do te jete shume e madhe dhe me pasoja,per ambjentin dhe shendetin.Duhet te diktohet dhe kontrollohet nga shteti nje numer makinash te rregjistruara dhe te lejuara per qarkullim deri ne psh 90 mije makina ,jo me shume dmth mesatarisht i bie diku
3 makina/km katror siperfaqe.Duhet te vihen rregulla te forta per kontrollin e emisionit,.leshimin e gazit nga skarpamentoja dhe filtrat per te minimizuar ndotjen.
Afersisht jane 295mije automjete ne shqiperi sot Eshte shume. i bie afersisht 10 makina /1 km katror
Ndryshuar për herë të fundit nga benseven11 : 02-08-2011 më 16:07
Krijoni Kontakt