9:32 / 2.07.2011
Zyrtarë të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), kanë konfirmuar se ka banka dhe institucione financuare nga jashtë për tu futur në tregun bankar të Kosovës në të cilat aktualisht operojnë tetë banka komerciale dhe rreth 40 institucione mikrofinanciare. Por sipas tyre përveç interesimit nuk ka ndonjë aplikacion nga ana e tyre.

Zëdhënësi i BQK-së Besnik Kada tha për Telegrafin se nuk mund të ketë licencime të bankave të reja pasi që në BQK nuk kanë as një aplikacion. “Mund të konfirmojmë se ne vazhdimësi janë shprehur interesime nga ana e investitorëve të vendeve të ndryshme të botës. Po ashtu ju njoftojmë se institucionet e ndryshme financiare kanë shprehe interesin e tyre por deri me tani nuk kemi asnjë aplikacion për bankë”, ka deklaruar ai.

Por Kada, nuk ka mundur të konfirmojë se a do të rritet konkurrenca në tregun bankar të Kosovës në të cilin kamatat e kredive janë më të lartat në rajon ato sillen nga 12 deri në 16 për qind. “Për momentin nuk mund të parashohim licencimin e ndonjë banke gjatë kësaj periudhe, pasi që nuk kemi asnjë aplikacion”. Është shprehur zëdhënësi i BQK-së.

Ai ka thënë se BQK-ja inkurajon investitorët dhe institucionet e ndryshme financiare qe të interesohen të plotësojnë kriteret e parapara me rregullat e BQK-së dhe të bëhen pjesë e sistemit bankar të Kosovës.

Edhe pse kamatat për kredi janë tepër të shtrenjta bankat në Kosovë kanë përfitime të mëdha të cilat kapin miliona euro gjatë një viti. /Telegrafi/