Ministri i Jashtëm i Izraelit, Avigdor Lieberman ka nisur një udhëtim diplomatik për të bërë lobin në Shqipëri dhe në Kroaci kundër krijimit të një shteti palestinez.
Shefi i diplomacisë izraelite, Avigdor Lieberman do të shkojë në Kroaci, Shqipëri e Austri në përpjekje për t`i bindur këto vende që të mos i japin mbështetje kërkesës palestineze për shtetësi në OKB në muajin shtator.
Vizita e Liberman në vendin tonë pritet të shënojë dhe vizitën e parë të një ministri të Jashtëm izraelit pas 17 vitesh. Udhëtimi i Lieberman, vjen një javë pas atij të kryeministrit Benjamin Netanjahu, i cili vizitoi Rumaninë dhe Bullgarinë me po të njëjtin mesazh.
Si Kroacia ashtu edhe Austria abstenuan në vitin 2009 kur në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së u miratua komisioni faktmbledhës (Goldstone Report) për konfliktin në gaza. Në këtë kontekst Izraeli i shikon këto vende si të lëkundura. Ndërsa Shqipëria dha votën e saj kundër Izraelit dhe duket se përveç tentativës për t’i ndryshuar qëndrimin Tiranës, vizita e parë e një ministri të jashtëm do të shfrytëzohet më shumë për krijimin e lidhjeve ekonomike pasi Lieberman do të shoqërohet nga 16 kompani të ndryshme.
Ndërsa, Netanjahu do të udhëtojë edhe në Poloni e Hungari për t`i bindur edhe këto vende të mos mbështesin lëvizjen palestineze. Përpjekja intensive diplomatike vjen në një kohë kur Izraeli po tenton të bindë sa me shume vende që të deklarohen publikisht kundër kësaj lëvizjeje./shekulli/
Krijoni Kontakt