29 qershor, festa e Shën Pjetrit dhe shën Palit, apostujnga Radio Maria - Kosovë më 2011-06-28 në orën 11:20.MD
Shën Pjetri e shën Pali, apostuj e martirë (shek. I)
Festa e shenjtërve Pjetrit e Palit është një ndër festat më antike e më solemne të vitit liturgjik. Ajo kremtohet edhe para festës së Krishtlindjes, pra që nga shek. IV. Dhe, ishte bërë traditë që në këtë ditë të kremtohen tri Meshë. E para në Bazilikën e shën Pjetrit në Vatikan, e dyta në kishën e shën Palit jashtë Mureve dhe e treta në katakombet e shën Sebastianit ku ishin ruajtur për një kohë reliket e këtyre dy apostujve. Pas Zojës së Bekuar – Virgjërës Mari, këta dy apostuj Shën Pjetri e shën Pali bashkë me shën Gjon Pagëzuesin më së shpeshti kujtohen e nderohen gjatë vitit liturgjik: Përpos 29 qershorit, më 25 janar përkujtojmë ditën e kthimit të shën Palit, më 22 shkurt – katedra e shën Pjetrit dhe më 18 nëntor – shugurimi i bazilikave të shën Pjetrit e shën Palit.
Për shumë kohë është konsideruar se 29 qershori ishte dita në të cilën, në vitin 67, shën Pjetri në bregun Vatikan, ndërsa shën Pali në vendin tashmë të quajtur Tri Fontanat, me gjak e dëshmuan besimin e tyre në Krishtin. Megjithëse martirizimi i tyre është një fakt historik dhe i pa diskutueshëm në Romë gjatë persekutimit neronian, mbetet e paçartë jo vetëm dita por edhe viti i vdekjës së këtyre dy apostujve. Për shën Palin në bazë të dëshmive antike ka mendime se kjo ka ndodhur në vitin 67, ndërsa për shën Pjetrin studiuesit preferojnë vitin 64 duke u bazuar edhe në dëshmit e historianit pagan Tacitit i cili flet për persekutimin e të krishterëve pas ndezjes së qytetit të Romës. Kështu duket se festa e 29 qershorit ishte kristianizuar duke iu referuar figurës së Romulit e Remit, dy themeluesve mitik të Qytetit të Amshuar. Edhepse faktikisht shën Pjetri e shën Pali nuk janë të parët që sollën fenë në Romë, ata janë realisht “themeluesit” e Romës së krishterë: Një himn antik litirgjik “Decora lux aeternitatis” i definon ata si “Romae parentes”, krijuesit e Romës.
Shën Pjetri
I lindur në Betsaidë të Galilesë, i biri i Gjonit, vëllaut të Andresë, i martuar dhe jetonte në Kafarnaum kur e njohi Mësuesin. Askund në ungjill nuk përmenden gruaja apo fëmijtë e tij, përpos vjehrrës së tij të cilën mrekullisht e shëroi Jezu Krishti.
Pjetri e Andreu bashkë me Jakobin e Gjonin kishin hapur një industri të vogël që do të thonim në fjalorin e sotshëm, dhe në bazë të disa argumenteve tjera mundë të thuhet se familja e Pjetrit qëndronte mirë ekonomikisht.
Në takimin e parë me Krishtin ai do të dëgjoj fjalët: “Ti je Simoni, biri i Gjonit! Ti do të quhesh Kefë! (Që do të thotë: Pjetër – Shkëmb). Duke i dhënë emrin e ri Krishti dëshiron ti bëj me dije se ka në plan një mision të ri për të.
Pjetri dinte t’i përgjigjej dashurisë së Krishtit me një fe shumë të sinqertë. Kjo dëshmohet edhe atëherë kur Krishti u foli mbi “bukën e jetës”. Përderisa të gjithë largoheshin prej Krishtit, ai do ti pyet edhe apostujt: A mos doni edhe ju të shkoni? Atëherë Pjetri do ti përgjigjet: “Te kush të shkojmë Zotëri? Ti ke fjalët e jetës së pasosur! Ne besojmë dhe e dimë se ti je Shenjti i Hyjit! (Gjn 6, 68-69). Këtë fe të gjallë, këtë besnikëri të Pjetrit ndaj Mësuesit të tij e hasim edhe në vende tjera në Shkrimin Shenjt, mirëpo, posaqërisht shën Marku ungjilltar sjell në pah edhe dobësitë e tij. Kur Jezu Krishti flet mbi vdekjen e vet Pjetri pyetet: Mësuesi duhet të vdes? Apsurd! Mirëpo Krishti e qorton rreptë dhe Pjetri i nënshtrohet qortimit sepse e vëren se gjindet para së Vërtetës. Rasti tjetër kur Krishti thotë: Atë natë të gjithë do ta lënë të vetëm, (flet për natën në kopsht të Gjetsemanit) Pjetri i përgjigjet se është në gjendje edhe jetën ta jap për të.
Krishti më një butësi të madhe dëshiron t’ia bëj me dije se duhet të ketë para sysh edhe dobësinë njerëzore, prandaj i thotë: Para se të këndoj gjeli tri herë do të më mohosh (Mk 14, 27-30).
Është me rëndësi se Pjetri dinë të pendohet. Gabimet apo lëshimet e tij nuk e qojnë atë në dëshprim (si Judën) por pendohet thellë. Shën Mateu thot për Pjetrin se pasi e kuptoj tradhtinë që i bëri Krishtit: “doli përjashta dhe qau me lot për faqe (Mt 26,75).
Një autor spanjoll kështu e përshkruan shën Pjetrin: “Ai është bashkëkohanik i Krishtit, i pari të cilin e thërret Krishti, i pari në listen e të dymbëdhjetëve, shkëmbi mbi të cilin Krishti do ta ndërtoj Kishën.
Shën Pali
Viti i lindjes së shën Palit llogaritet të jetë në mes vitit 5 dhe 10 pas Krishtit në qytetin e Arsit prej prindërve të cilët prodhonin dhe shitnin perde. Ata gëzonin edhe titullin qytetarë romak. Kishte dy emra: Saul për hebrenj ndërsa Pal për grekët dhe romakët. Njihte mirë kulturën greke dhe e mëson edhe gjuhën e tyre, gjithësesi duke i mbetur besnik traditës së etërve të vet.
Në Jeruzalem njihet me të krishterët të cilët i konsideron se janë sekt i rrezikshëm brenda judaizmit. Si i ri asiston në vrasjen me gurë të shën Shtjefnit, ndërsa kur arriti moshën e pjekurisë ai autorizohet t’i persekutoj të krishterët. Në Jeruzalem ishte tmerr për të ata që i besonin Jezu Krishtit. Kur ishte nisur për në Damask që të arrestoj të krishterë do të ndodhë mrekullia e madh – kthimi i tij (shih Vap 9, 1-19). Kështu rrugës për Damask i paraqitet vet Krishti duke e pyetur: Saul, Saul, pse po më salvon? Nga ky takim me Krishtin për tri ditë do të metet i verbëruar. Pas takimit me Ananinë atij i kthehet drita e syve dhe menjëherë kërkon të pagëzohet, dhe që atëherë, ai do të bëhet dëshmitar i flaktë i Lajmit të Gëzueshëm. Ai edhepse nuk kishte jetuar me Krishtin si psh. Pjetri, megjithatë do të dëshmoj: “E pashë Zotërinë”! (1 Kor 9,1). Nga Damasku ai do të kthehet në Jeruzalem dhe aty qëndron për 15 ditë me Pjetrin e Jakobin, në një mënyrë duke i bindur ata por edhe të krishterët në përgjithësi se ai ka ndërruar dhe nuk është më persekutues i tyre.
Tani Pali vihet në predikimin e Krishtit të Ngjallur dhe këtë do ta bëj deri në vdekje.
Duhet theksuar se në përhapjen e Ungjillit ai do të ndërmerr katër udhëtime apostolike shumë të rëndësishme për popuj të ndryshëm, të cilët përmes tij do të kenë fatin ta njohin Jezu Krishtin. Ndër ata popuj bëjmë pjesë edhe ne shqiptarët sepse na mjafton të lexojmë letrën drejtuar Romakëve. Shën Pali shkruan: “Qysh prej Jeruzalemit e për qark në Iliri e kam përhapur Ungjillin e Krishtit” (Rom 15,19).
Për ta njohur këtë shenjt të madh, mjafton të lexojmë dhe të meditojmë 14 Letrat e tij të drejtuara bashkësive të ndryshme të cilat janë pjesë e Besëlidhjes së Re. Përderisa flasim mbi këta apostuj të mëdhenj le të themi faktin: “Sanguis martirum, semen cristianorum” (Tertuliani).
Ta lusim Zotin që me ndërmjetësinë e tyre edhe ne të aftësohemi që në kohën tonë të bëhemi bartës të Lajmit të Gëzueshëm dhe dëshmitar të Krishtit të Ngjallur.
Krijoni Kontakt