Nga Express më 28 qershor 2011 në ora 16:34
Megjithëse ishte thënë që këtë javë nuk do të ketë seancë, ndërkohë që interpelanca e kryeministrit Hashim Thaçi për autostradën Vërmicë-Merdare, ishte thënë se do të caktohet për javën e parë të korrikut, kryesia e Kuvendit të Kosovës ka ndërruar mendje. Të martën me gjithë kundërshtimin e Lëvizjes Vetëvendosje, kryesia e Kuvendit ka caktuar seancën për ditën e enjte, në të cilën do të jetë edhe interpelanca e kryeministrit Thaçi.
Kryeparlamentari Jakup Krasniqi ka thënë se kjo është bërë për shkak se ekziston materiali për shqyrtimin e ligjeve që dalin nga raporti i progresit, e në këtë kuadër ka gatishmëri edhe për interpelancën e kryeministrit.
“Edhe pse javën e kaluar kemi thënë se këtë javë nuk do të ketë seancë, megjithatë ne për shkak të materialit që kemi për seancën e radhës dhe për shkak të ligjeve që duhet t’i miratojmë dhe që janë pjesë e raportit të progresit, ne vendosëm që këtë javë, do të thotë të enjten, të kemi një seancë parlamentare ku kemi katër ligje, dy raporte në shqyrtim, pikat e rregullta të rendit të ditës dhe interpelancën e kërkuar nga Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje”, ka thënë Krasniqi.
Në mbledhjen e kaluar, kryesia kishte paralajmëruar se interpelanca e kryeministrit do të mbahet javën e parë të korrikut, për shkak se këtë javë mungojnë një numër i madh i deputetëve.
Edhe Lëvizja Vetëvendosje e ka kundërshtuar pikërisht për këtë, ngase në seancën e së enjtes do t’i mungojnë gati gjysma e deputetëve të grupit parlamentar.
“Të enjten e kemi kundërshtuar për shkak se mbi 30 deputetë të Kuvendit të Kosovës nuk janë këtu, janë në udhëtime zyrtare dhe vetë fjala në kryesi javën e kaluar ka qenë që nuk do të mbahet për arsye se shumica e deputetëve janë në angazhime jashtë vendit. Dhe kur e ka kuptuar kryeministri që ne kemi thënë se këtë javë nuk ka gjasa të mbahet, sepse shumë deputetë janë jashtë, pikërisht e ka zgjedh ditën kur janë deputetët jashtë që të mbahet interpelanca. Edhe kjo tregon që kryeministri Thaçi sipas tekave të tij po do t’ia zbeh rëndësinë kësaj interpelanca, po do që interpelanca të mbahet në kohën kur kuorumi është në minimum”, ka thënë Konjufca për Kosovapress.
Sipas Konjufcës, këtë javë jashtë vendit ndodhen deputetët e Vetëvendosjes, Florin Krasniqi, Visar Ymeri, Albin Kurti, Alma Lama, Albana Fetoshi dhe Albulena Haxhiu.
Por kjo, sipas tij, nuk do ta pengojë megjithatë që Lëvizja Vetëvendosje ta thotë atë për të cilën e ka thirr interpelancën e kryeministrit.
“Ka disa deficite, por ma merr mendja se do ta mbulojmë mirë, për arsye se edhe këta deputetë që i kemi secili është i përgatitur në aspektin e kontratës. Ne kemi bërë një analizë të hollësishme nëpër komitetet që i kemi dhe komitetet tona i furnizojnë deputetët me analizën që del prej komiteteve ku ka ekspertë të ndryshëm”, ka thënë ai.
Ndryshe, në seancën e së enjtes në rend dite për shqyrtim të parë do të jenë edhe disa projektligje në lexim të parë, përkatësisht, Projektligji për dizajnin industrial, Projektligji për patenta, Projektligji për mbrojtjen nga fatkeqësitë natyrore dhe fatkeqësitë e tjera dhe Projektligji për markat tregtare./kosovapress/
Krijoni Kontakt