18:33 / 28.06.2011
Konfiskimi i pasurisë së paligjshme po rezulton si mënyra e duhur për të ecur përpara në mbarë botën për ta luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin. EULEX-i të martën filloi një program 12-mujor trajnimi për gjykatësit, prokurorët dhe hetuesit vendorë e ndërkombëtar në Kosovës lidhur me konfiskimin e pasurisë së paligjshme.
Sipas një komunikate për media të EULEX-it, programi ka për qëllim t’i shfrytëzojë kompetencat për konfiskim të cilat rrjedhin nga ligji ekzistues si mjet standard në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Po ashtu do të shërbejë për përgatitjen e rrugës për zbatimin e legjislacionit të ri në këtë fushë.
Pas punëtorisë së parë të organizuar në selinë e EULEX-it, në të cilën kanë marrë pjesë më shumë se 30 pjesëmarrës, këshilltari kundër korrupsionit i EULEX-it, George Mills, tha se seminari i sotëm shënon fillimin e suksesshëm të një procesi për shfrytëzimin më të mirë të konfiskimit të pasurisë së paligjshme dhe përgatitjes për legjislacionin e ardhshëm.
Pjesëmarrësit u pajtuan që shfrytëzimi i kompetencave për konfiskim mund të jetë një armë efektive në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Ata i këmbyen përvojat dhe mendimet e tyre lidhur me zbatimin më të mirë të legjislacionit.
“Konkretisht, sipas ligjit në fuqi, konfiskimi i pasurisë së paligjshme nënkupton që kriminelët e ndëshkuar jo vetëm që dënohen dhe për shembull shkojnë në burg, por pasuria e tyre e fituar në mënyrë të paligjshme dhe jeta luksoze u merret po ashtu. Këtë edhe e presin qytetarët e ndershëm nga sundimi i ligjit”.
Legjislacioni i ri anekënd botës është tani duke futur në përdorim ligje të reja për konfiskim pa qenë personi i dënuar, të cilat nganjëherë quhen “ligje kundër mafias”. Kjo ua mundëson hetuesve të zbatojnë një qasje më të fuqishme të “përcjelljes së gjurmëve të parave”. /Telegrafi/
Krijoni Kontakt