Deklarata e ministrit te Financave në konferencën e përbashkët për shtyp me shefin e misionit të FMN-së dhe Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë.
Edhe në vitin 2011 Shqipëria pritet të jetë në krye të rritjes ekonomike, me nivelin 5 %
Deklarata e ministrit te Financave në konferencën e përbashkët për shtyp me shefin e misionit të FMN-së dhe Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë
Prej disa ditësh misioni i FMN-së për Shqipërinë ka qenë në Tiranë në vizitën e rradhës për të verifikuar zhvillimet më të fundit në ekonominë e vendit tonë dhe njëkohësisht për t’u njohur me programin e qeverisë për periudhën në vijim.
Në vlerësimet më të përgjithshme dëshiroj të shpreh edhe një herë pozicionin e Ministrisë së Financave. Viti 2011 po vijon përsëri me një trend pozitiv në rritjen ekonomike dhe sikurse në dy vitet e shkuara kur presioni i krizës globale ka qenë i dukshëm dhe kur zhvillimet në rajon dhe më gjerë kanë qenë tërësisht të padëshirueshme dhe negative, edhe në këtë vit pritet që Shqipëria të jetë në krye të rritjes ekonomike, por sigurisht jo në nivelet e shpresuara në programimin e fundvitit të kaluar. Mendohet që rritja ekonomike të shkojë në 5 % të PBB-së nga rreth 4 % që ishte në vitin 2010.
Zhvillimet për gjatë kësaj periudhe kanë vërtetuar një devijim nga programi në drejtim të realizimit të të ardhurave dhe kjo për motive që lidhen me ritmin e rritjes së ekonomisë, por njëkohësisht dhe për efekte të tjera zhvillimi në ekonominë reale dhe në sistemin financiar, të cilat kanë në thelbin e tyre përpjekjet për të riadoptuar strategjitë e bizneseve, për të ristrukturuar në mënyrë të brendshme secila prej kompanive por edhe gjithë tregu ekonomia reale dhe ajo monetare në tërësi, strategjitë e tyre me zhvillimet më të fundit në ekonominë globale dhe realitetin shqiptar. Në këtë kuptim pra, janë një sërë ndryshimesh nga ecuria e deritanishme e ekonomisë reale që kanë të bëjnë me kërkesën për të riadoptuar konkurencën më të fortë në nivelin e çmimeve në kushtet e reja, për të përmendur këtu tregun e telekomunikacioneve i cili jep impaktin e drejtpërdrejtë në nivelin e të ardhurave buxhetore dhe njëkohësisht një sërë kompanish dhe biznesesh të tjera që kërkojnë riadoptimin e tyre. Patjetër që është një periudhë e kryerjes së investimeve në ekonominë reale. Mjafton të përmend që duke krahasuar 5 mujorin e parë të këtij viti, rreth 25 % më shumë është vlera e importeve të makinerive dhe pajisjeve, të cilat janë jashtë taksimit dhe kanë afat shlyerje. Kjo do të thotë se e gjithë rritja e importeve të këtij viti është për efekt të shtimit të makinerive dhe pajisjeve. Dhe së fundmi përpjekje edhe nga administrata për të përmirësuar raportet dhe sjelljen me bizneset, duke përshpejtuar rimbursimin e TVSH – së. Nëse në vitin e kaluar, vlera totale e rimbursuar arriti në shumën 9 miliardë lekë të reja, në 5 mujorin e parë të këtij viti kemi një rritje me rreth 25 % më shumë nga viti i kaluar. Kjo është për shkak se administrata tatimore ka krijuar një bazë të dhënash elektronike me të gjitha raportet dhe veprimet që ka me biznesin, ndërkohë që vitet e mëparshme ky lloj raporti nuk ekzistonte.
Nisur nga këto zhvillime pra, qeveria ka njoftuar nismën e saj për rishikimin e buxhetit gjatë muajit qershor dhe për ta kaluar për miratim në Kuvendin e Shqipërisë. Ky rishikim do të synojë të adaptojë objektivin për të mbajtur një deficit për gjatë vitit 2011 në nivelin 3.5 % të PBB-së dhe për të ulur në këtë drejtim një sërë shpenzimesh sipas institucioneve që do të mundësonte arritjen e këtij objektivi. Qeveria shqiptare është e përcaktuar për të rivendosur ekuilibrat makroekonomik në pozicionet më të përshtatshme për zhvillimin shpejtë të ekonomisë reale. Ajo që u vërejt vitin e kaluar, deklarimi i prosperitetit financiar të qeverisë, financave publike, ajo që është duke u ndërmarrë nga një sërë vendesh do të vijojë edhe për vitin 2011 dhe do të jetë në perspektivë njëri prej objektivave kryesorë të qeverisë. Stabiliteti financiar i vendit, stabiliteti fiskal i vendit do të mbeten objektivave qenësorë të qeverisë për të ndihmuar ekonominë reale që të progresojë me ritmet e saj të natyrshme. Në këtë drejtim është e domosdoshme që programimi dhe modelet programuese të qeverisë të jenë sa me realiste, duke abstraguar në këtë fazë nga një optimizëm që ne e kemi pasur për shkak të dinamizmit që ka pasur vetë ekonomia shqiptare dhe duke ju drejtuar objektivave më realiste.
Në kuadër të këtij stabilizimi afatmesëm, ne do të synojmë që borxhi publik i vendit të mbetet në të njëjtat nivele ose të fillojë të ulet në mënyrë graduale drejt një objektivi për një borxh publik më të ulët.
Duhet thënë që është pozitive për vendin tonë që në periudhën e krizës, shtimi borxhit publik ishte inekzistent ose me rritje prej 1 – 2 pikësh, ardhur kryesisht nga zgjidhja e borxheve të huaja të vendit përgjatë periudhës komuniste. Por duke qenë se ne kishim një nivel të lartë të borxhit publik, konsiderohet i lartë nga partnerët tanë ndërkombëtarë, mbetet objektiv për qeverinë shqiptare që ky borxh të mund të shërbehet në mënyrë më të sigurt përmes instrumenteve financiarë tashmë të njohura. Ne jemi pjesë e tregut financiar global dhe përmes instrumenteve të brendshme, të cilët do të synojnë zgjatjen e maturimit të mëtejshëm të shërbimit të borxhit publik të vendit. Edhe pse kemi trefishuar në krahasim me pesë vitet e shkuara, afatin mesatar të shërbimit të borxhit të brendshëm, përsëri mbetet në strategjinë tonë një shërbim më i qëndrueshëm për të mënjanuar çdo risk që mund të vijë nga borxhi publik dhe mbetemi të përcaktuar në strategjinë tonë, që gjithnjë e më shumë projektet e investimeve të mëdha publike të mund të financohen përmes bankave të zhvillimit, me afat të gjatë maturiteti dhe me norma të ulëta interesi. Kjo do t’i jepte një frymëmarrje më të madhe tregut tonë të brendshëm financiar dhe financimit të ekonomisë reale. Në tërësinë e tyre çmoj se konsideratat përputhen dhe aksionet e ndërmarra nga qeveria po ashtu. Dua të deklaroj se në programin tonë të stabilitetit financiar afatmesëm, nuk do të ketë instrumente të rritjes së taksave. Ne mendojmë që është e mjaftueshme që në krahun e shpenzimeve të veprohet me maturi, duke përzgjedhur prioritetet dhe duke mbështetur në mënyrë graduale prioritetet më kryesore dhe që kanë efektshmëri kthimi më të lartë për ekonominë shqiptare.
Falënderoj edhe një herë misionin e FMN-së për angazhimin, seriozitetin e punës që bënë këto ditë, duke garantuar bashkëpunim të vazhdueshëm me Fondin por edhe me institucione të tjera që asistojnë Shqipërinë përgjatë kësaj periudhe.
Ministria e Financave
Krijoni Kontakt