greqi- Policia greke thotë se ka zbuluar të mërkurën në mbrëmje ndofta bazën kryesore të organizatës terroriste ’17 nëntori’. Në një apartament të nëndheshëm, rreth dy kilometra afër qendrës së Athinës janë gjetur armë dhe municione, si dhe flamuri i organizatës terroriste.
Organizata është përgjegjëse për vrasjen e 23 personave, kryesisht biznesmenë e politikanë grekë, si dhe diplomatë e zyrtarë të shërbimeve të huaja sekrete. Agjencia zyrtare e lajmeve, ANA, ka cituar një burim të policisë që thotë se operacioni, që ende vazhdon, përbën "fillimin e asgjësimit të organizatës më të madhe terroriste greke". Zyrtari i policisë tha se "është çështje ditësh që ky kapitull të mbyllet përfundimisht".
Ministria e rendit publik ka publikuar fotografi të një atentatori që u plagos të shtunën në Pire, çka në një farë mënyre inicoi angazhimin e paprecedent të policisë greke kundër terrorizmit. Zëdhënësi i ministrisë së rendit tha se fotografitë publikohen me qëllim që të gjenden të dhëna të tjera për atentatorin, për të cilin, thonë ata, nuk ka më asnjë dyshim se është pjesëtar i organizatës terroriste.
Tre helikopterë vërtiteshin mbi një nga lagjet më të populluara të kryeqytetit dhe gjatë gjithë natës janë kryer me dhjetra arrestime.
Qindra policë mësynë në një pallat në rrugën ‘Patmu 84’, ndërsa snaiperë u vendosën në tarracën e pallatit. Policia u bëri thirrje banorëve që të evakuonin pallatin, ndërsa në rrugicën e ngushtë u vendosën edhe autoambluanca, si dhe makina zjarrfikëse.
Krijoni Kontakt