
Postuar më parë nga
Albo
Kryeministri Berisha: Abetarja e përbashkët është margaritari i kurorës së 100 vjetorit të Shqipërisë së pavarur
Abetarja e përbashkët mbart ëndrrën e dhjetëra, qindra gjeneratave të shqiptarëve
Në një ceremoni festive në Prizren, Kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha dhe Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi prezantuan sot abetaren e përbashkët, që unifikon teksin bazë të mësimit të gjuhës shqipe për fëmijët, në të gjitha trevat shqiptare. Abetarja ka si bashkëautorë Shezai Rrokaj, Mimoza Gjokutaj dhe dy përfaqësuesit nga Kosova Islam Krasniqi dhe Saranda Kumonova Pozhegu.
Nën tingujt e himnit të Shqipërisë dhe atij të Kosovës, ceremonia e promovimit të abetares së re, në qendrën Sportive "Sezai Surroi’’ në Prizren, u shndërrua në një festë të përbashkët.
Të pranishëm ishin Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga, ministrat e Arsimit të të dy qeverive, deputetë të Shqipërisë dhe Kosovës, përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar në Kosovë, qytetarë nga të dyja vendet.
Tepër emocionues ishte momenti i zbulimit të abetares nga dy kryeministrat, të cilët shpërndanë më pas abetaret e para për fëmijët. Kryeministri Berisha shprehu kënaqësinë që abetaren e parë të njësuar e shpërndan pikërisht nga Prizreni, “kryeqyteti shpirtëror, kryeqyteti i idealit kombëtar të bashkimit të shqiptarëve”.
Në përshëndetjen e tij, Kryeministri Berisha falenderoi përzemërsisht hartuesit e kësaj abetareje për këtë kryevepër të dijes që i dhuruan fëmijëve të mbarë kombit shqiptar, abetaren e parë të njësuar. Duke vlerësuar librin e hartuar, Kryeministri tha se ajo mbart ëndrrën e qindra gjeneratave të shqiptarëve, të cilët donin të kishin një abetare të përbashkët. “Ajo mbart sakrificat e shqiptarëve nga kohërat e Skënderbeut deri në luftëra çlirimtare të shqiptarëve në Kosovë dhe në Maqedoni. Ajo mbart idealin e lirisë së shqiptarëve, mbart idealin e bashkimit të tyre, si ideali i përjetësisë kombëtare,” u shpreh Kryeministri Berisha.
Kryeministri tha se abetarja shënon arritjen historike të përpjekjes së shqiptarëve për mbrojtjen, zhvillimin kultivimin e kulturës së tyre, për vendosjen e saj në themelet e së ardhmes së tyre. “Abetarja, - u shpreh Kryeministri - është margaritari i kurorës së 100 vjetorit të Shqipërisë së pavarur, dhurata më e bukur që njerëzit e dijes mund t'i bënin Shqipërisë dhe shqiptarëve”.
Duke iu drejtuar fëmijëve shqiptarë, Kryeministri tha se abetarja vjen pas 160 vjet përpjekjesh mbinjerëzore për liri dhe dinjitet të shqiptarëve, pas ngadhënjimit të tyre mbi të gjitha rracizmat, mbi të gjitha armiqësitë e egra, padrejtësitë e mëdha. “Ju duhet të jeni krenarë se mblidhemi sot, pasi ne kemi ngadhënjyer mbi të gjitha, jo se jemi komb i zgjedhur i Zotit, por se jemi në të drejtën tonë, jemi në kulturën tonë, jemi në trojet tona.”
“Sot, - tha Kryeministri - ne jemi më të vendosur se kurrë të punojmë për projektin e bashkimit kombëtar të shqiptarëve, në projektin e madh europian. Ne sot jemi më të vendosur se kurrë, të ndërtojmë kudo që jetojmë vlerat e mëdha të qytetërimit europian. Sot, ne jemi më të vendosur se kurrë të punojmë me përkushtim për paqen, stabilitetin në rajon dhe më gjerë”.
Duke inkurajuar për punën e bërë me hartimin e abetares së përbashkët, Kryeministri Berisha ka kërkuar që të vazhdohet edhe me tekstin e gjuhës amtare.
* * *
Kryeministri Berisha, zhvilloi para këtij aktiviteti një takim me Presidenten e Kosovës, zonjën Aftifete Jahjaga, kryeministrin e Kosovës, zoti Hashim Thaçi, drejtues të Ministrisë së Arsimit të Kosovës, si dhe personalitete të tjera të fushës së arsimit. Duke e cilësuar si një ngjarje historike për kombin promovimin e abetares së përbashkët, kryeministri u shpreh se kjo ngjarje ka një dimension të jashtëzakonshëm për kombin shqiptar, i cili ka patur një rrugëtim te vështirë dhe të mundimshëm drejt përmbushjes se aspiratës së tij te lirisë dhe pavarësisë.
Kryeministri i Kosovës, zoti Hashim Thaçi shprehu kënaqësinë për pjesëmarrjen e kryeministrit Berisha në këtë ngjarje mbarë kombëtare të zhvilluar në Prizren, e cila, kulmon ne vitin jubilar të 100 vjetorit te pavarësisë se Shqipërisë.
Gjatë këtij takimi personalitetet vlerësuan kontributin e katër autoreve të Shqipërisë dhe te Kosovës, të cilët kthyen në realitet ëndrrën më të hershme te shqiptarëve, për të mësuar me të njëjtën Abetare, ku gdhenden germat e gjuhës shqipe, për te cilat u sakrifikuan shumë shqiptare dhe intelektuale në shekuj.
Në fjalën e mbajtur gjatë prezantimit të Abetares së përbashkët, Kryeministri Berisha u shpreh:
E nderuar zonja President e Kosovës Atifete Jahjaga,
I nderuar zoti Kryeministër i Kosovës Hashim Thaçi,
Të nderuar ministra të Arsimit të Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës,
Zotërinj ministra, ambasadorë,
I nderuar kryetar i Komunës së Prizrenit,
Të nderuar fëmijë, qytetare dhe qytetarë të Prizrenit,
Do ta nis fjalën time duke falenderuar përzemërsisht zonjat Saranda Pozhegu, Mimoza Gjokutaj, zotërinjtë Islam Krasniqi dhe Shezai Rrokaj, për këtë kryevepër të dijes, që i dhuruan sot fëmijëve të Shqipërisë dhe mbarë kombit shqiptar, abetaren e parë të njësuar të bashkuar, e cila vjen sot, në këtë sallë, në këtë qytet, si një bukuri e rrallë e shqiptarëve, që ka renduar në shekuj për të ardhur tek ju, bijtë e Prizrenit, bijtë e mbarë kombit shqiptar.
Zotërinj ministra,
Një falenderim të përzemërt për ju, për vendosmërinë, përkushtimin që keni treguar në realizmin e abetares së parë të të gjithë shqiptarëve. Këtij libri të të gjithë librave, këtij teksti të të gjitha teksteve. Ju falenderoj që zgjodhët kryeqytetin shpirtëror, zgjodhët kryeqytetin e idealit kombëtar të bashkimit të shqiptarëve, Prizrenin, për promovimin e saj.
Ju ftoj zotërinj ministra të prini në këtë rrugë. Rruga e dijes është rruga e dritës, është rruga, për të cilën kanë më shumë se çdo gjë tjetër shqiptarët.
Të dashur fëmijë,
Libri që ju merrni sot është abetarja më e re që botohet në trevat shqiptare, por ajo sëbashku me germat, me figurat e mrekullueshme dhe dua të përgëzoj ata që e kanë ilustruar, ajo mbart ëndrrën e dhjetëra, qindra gjenerata të shqiptarëve, të cilët donin të kishin një abetare të përbashkët. Ajo mbart sakrificat e shqiptarëve nga kohërat e Skënderbeut deri në luftëra çlirimtare të shqiptarëve në Kosovë dhe në Maqedoni. Ajo mbart idealin e lirisë së shqiptarëve, mbart idealin e bashkimit të tyre, si ideali i përjetësisë kombëtare. Abetarja juaj shënon arritjen historike të përpjekjes së shqiptarëve për mbrojtjen, zhvillimin kultivimin e kulturës së tyre, për vendosjen e saj në themelet e së ardhmes së tyre.
Të dashur fëmijë,
Nuk duhet të harroni kurrë, se abetarja ka jo vetëm ëndrrën, por ka me qindra jetë të flijuara, që ju të jeni të lirë, që ne te jemi të lirë, që ne, si komb, aty ku jemi, të ndërtojmë të ardhmen tonë, të ardhmen e shkëlqyer që meritojmë, krenarë me qëndresën tonë, të vendosur me të ardhmen tone europiane, kombi shqiptarë kurrë në historinë e tij nuk ka qenë më i bashkuar, më i sigurt në të ardhmen e tij që meriton.
Abetarja është margaritari i kurorës së 100 vjetorit të Shqipërisë së pavarur, dhurata më e bukur që njerëzit e dijes, mund t'i bënin Shqipërisë dhe shqiptarëve. Nga Prizreni, para jush, ju bëj një thirrje nënave të mrekullueshme shqiptare kudo që janë, në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Preshevë nga Alaska në Afrikën e Jugut, krahas qumështit të mos harrojnë abetaren shqipe, me fëmijët e tyre.
Të dashur fëmijë,
Abetarja, ju dorëzohet juve sot, pas 160 vjet përpjekjesh mbinjerëzore për liri dhe dinjitet të shqiptarëve, ju dorëzohet pas ngadhënjimit të tyre mbi të gjitha racizmat, mbi të gjitha armiqësitë e egra padrejtësitë e mëdha, por ju duhet të jeni krenarë se mblidhemi sot, pasi ne kemi ngadhënjyer mbi të gjitha, jo se jemi komb i zgjedhur i Zotit, por se jemi në të drejtën tonë, jemi në kulturën tonë, jemi në trojet tona. Sot, ne jemi më të vendosur se kurrë të punojmë për projektin e bashkimit kombëtarë të shqiptarëve në projektin e madh Europian. Ne sot jemi më të vendosur se kurrë të ndërtojmë kudo që jetojmë vlerat e mëdha të qytetërim Europian. Sot, ne jemi më të vendosur se kurrë të punojmë me përkushtim për paqen, stabilitetin në rajon dhe më gjerë.
Nga Prizreni, dua tu themi fqinjëve tanë, çlirohuni nga shqiptarofobia, ajo është një mbeturinë e primitivizmit të trashëguar tuajin. Shqiptarët janë një komb që dinë të ruajnë dhe të mbajnë miqësira, por gaboheni rëndë në qoftë se vazhdoni të shfaqni shqiptarofobinë tuaj me skena si ato të Preshëves, të cilat faktojnë se jeni akoma shumë prej jush në stadet primitive.
Të dashur qytetarë dhe qytetare të Prizrenit,
Abetarja është hapi i parë i madh në rrugën tonë, tekste të tjera, projekte të tjera, duhet të vazhdojnë me intensitet në mënyrë që energjia e kombit të njësuar të shtyjë kombin drejte hapësirave të reja.
Le të vazhdojmë ne, me tekstin e gjuhës se asgjë nuk kemi në shpirt me të bukur se gjuhën tona amtare.
Le ta shndërrojmë atë ne, në tekstin kryesor të shkollës sonë parauniversitare, lë te bëjmë që çdo shqiptarë të rrokëzojë fjalët e bukura të gjuhës sonë më mirë se kurrë më parë. Le të bëjmë gjithçka, që gjuha shqipe të jetë lënda më eprore e sistemit tonë shkollor.
Vëllezër dhe motra,
Dhe njëherë dua të falenderoj shumë, autorët e këtij teksti të falenderoj shumë me mirënjohjen më të thellë, të përulem me nderim të madh këtu në Prizren, para të gjithë atyre që sakrifikuan gjithçka patën, që ne të mund të mblidhemi sot dhe të festojmë abetaren e përbashkët.
Të falenderoj qeverinë e Kosovës, komunën e Prizrenit për këtë organizim të mrekullueshëm të kësaj ngjarje historike. Faleminderit dhe gëzuar për të gjithë shqiptarët.”
Kryeministria
17/05/2012
Krijoni Kontakt