Dëshmi tonditëse për prapaskenat e uzurpimit të UÇK-së në Kosovë (1)
Si u eleminuan themeluesit e UÇK-së
Dëshmi mbi eleminimet në kreun e UÇK në Kosovë, shmangien e Adem Jasharit nga drejtimi i UÇK-së dhe vrasjen e disa drejtuesve kryesorë të saj
Një intervistë-dëshmi e Saim Tahiraj, një prej themeluesve të grupeve guerrile në Kosovë qysh në vitin 1991. Dëshmitari flet për rolin që ka pasur Shqipëria në organizimin e grupeve ilegale në Kosovë, armatosjen e tyre, stërvitjen në kampet shqiptare, rolin e Adem Jasharit dhe Sali Cekajt, në këto organizime. Dëshmitari i identifikuar si pjestar i grupit të Sali Cekajt flet për krimet e vitit 1998 1999, kur krerët realë të UÇK-së u eleminuan nga celula marksiste të drejtuara nga shërbimi sekret i Tiranës. Gazeta TemA po boton në disa numra dëshminë e tij
Sefedin Krasniqi
& Beqir Kameraj
Në përvjetorin e pestë të luftës së Jasharëve në Prekaz, të 5, 6, dhe 7 marsit 1998, shtypi i shkruar i Kosovës ka botuar artikuj të ndryshëm lidhur me përgatitjet e luftës, ushtrimeve të grupeve të para në Shqipëri në vitin 1991 deri në fillimin e luftës së hapur dhe zhvillimin e saj në Kosovë. Prej mbarimit të luftës është folur dhe janë realizuar shumë intervista me komandantë dhe ushtarë apo veprimtarë që e kanë ndihmuar çlirimin e Kosovës. Janë botuar edhe shumë libra, shumë të tjera janë në botim e sipër. Por shumë gjëra kanë mbetur pa u thëne nga shkaku se shumë ushtarë të UÇK-së gjëndeshin ende nëpër burgjet serbe. Pasi në burgjet serbe, sipas të gjitha gjasave, nuk ka më pjestarë të UÇK-së, intervista dhe fejtone, me rrëfime për luftën, prapë kanë vërshuar në shtypin e Kosovës. Interesim i veçantë është shfaqur për rrëfimet e anëtarëve të familjes së Adem Jasharit. Në rrëfimin e Rifat Jasharit flitet edhe për disa pjestarë të grupit të Sali Çekajt, sidomos për familjen e vëllezërve Tahiraj nga Belegu si dhe të Osman Ferizit nga Kodralia. Për këto familje ka folur për së gjalli edhe Hamzë Jashari, i cili në intervistën e Shpresë Mulliqit, të botuar post-mortum në kombëtaren "Bota sot" më 16, 17 dhe 18 prill 1998, ka deklaruar: "Familja Jashari e njeh mirë familjen Tahiraj nga Belegu si dhe familjen Ferizi nga Kodralia etj." Në një intervistë të gjatë, në muajin shtator të vitit 2002, në gazetën "Zëri", Rifat Jashari ka deklaruar fare ngjashëm sikur vëllai i tij Hamza. Për komëtaren "Bota sot", e lutëm njërin nga vëllezërit Tahiraj, Saim Tahirajn, pasi që ky ishte edhe më aktivi në grupin e Sali Çekajt, që të flasë më imtësisht rreth veprimtarisë së këtij grupi si dhe zhvillimeve të luftës në përgjithësi. Gjatë bisedës të pranishëm kanë qenë edhe vëllezërit Ismet dhe Sami Tahiraj.
Intervistë dëshmi e Saim Tahiraj, një prej themeluesve të gupeve guerile në Kosovë qysh në vitin 1991
Ushtarët dhe armët erdhën nga Shqipëria
Ku dhe kur kanë filluar kontaktet e juaja me Adem Jasharin dhe Grupin e luftëtarëve të Drenicës dhe të Llapit? Cilat ishin lidhjet e Grupit të Salih Çekajt me këto grupe?
Saim Tahiraj: Dua të jem i qartë. Ne nuk kemi punuar kokë më veti. Para se të fillojmë me përgatitjet ushtarake në Shqipëri, në mes të institucioneve të shtetit shqiptar dhe atyre të Kosovës, sa di unë, është arritur një marrëveshje. Protogonistët e kësaj marrëveshje janë gjallë, si në Kosovë edhe në Shqipëri. Ata më në fund duhet të flasin e ta thonë të vërtetën. Këtë ia kanë borxh historisë dhe gjithë shqiptarëve, por në veçanti ua kanë borxh Salih Çekajt, Adem Jasharit dhe Zahir Pajazitit. Për mua këto tri persona janë tri shtyllat kryesore të luftës së armatosur për çlirimin e Kosovës. Ata e përgatitën luftën, i realizuan aksionet e para kundër ushtrisë serbe dhe vazhduan me luftën e hapur derisa ranë heroikisht në fushën e nderit. Ndërsa për kontaketet me Adem Jasharin dhe me grupe të tjera luftëtarësh do të flas në kuadër të kontakteve që kemi pasur me rastin e përgatitjes së Grupit të Dytë në Shqipëri, e sidomos pas hyrjes së këtij grupi në Kosovë.
Atëherë na thoni diçka më imtësisht, për përgatitjet ushtarake dhe futjen e këtyre grupeve në Kosovë.
Saim Tahiraj: Pas daljes së Salih Çekajt në Gjermani, veprimtaria e tij zhvillohet në dy drejtime: në atë politik, duke u kyçur në LDK me qendër në Shtutgard, sepse ndërsa ishte në Kosovë ishte anëtar i kësaj partie. Drejtimi tjetër ishte fillimi i veprimtarisë ushtarake, e që në atë kohë ka vepruar në kuadër të Qeverisë së Kosovës e cila punonte në egzil. Ai pra kishte marrë instruksionet nga njerëzit e qeverisë për të filluar përgatitjet e para ushtarake, bashkë me shumë shokë dhe njerëz të besueshëm të çështjes kombëtare. Pas shumë analizave dhe konsultimeve, Salihu ka shkuar në Shqipëri dhe atje bashkohet me rreth 60 djem të zgjedhur nga të gjitha viset shqiptare jashtë Shqipërisë Londineze. Me këta djem ka bërë përgatitje ushtarake në Surrel të Tiranës, në malin Dajt. Ky ka qenë grupi i parë i ushtarëve të Republikës së Kosovës.
Do të ishte me interes të thuani diçka për këtë grup. Në opinion dihet shumë pak. A janë futur në Kosovë ushtarët e këti grupi të armatosur dhe me uniforma ushatarake?
Saim Tahiraj: Jo, ata nuk kanë qenë të armatosur as të uniformuar. Pas ushtrimeve ushtarake një muajshe, qëllimi i tyre ka qenë futja në Kosovë nëpër rrugë dhe mënyra të ndryshme. Përjashtim bëjnë Salih Çekaj dhe Zymer Lulaj. Këta të dy kanë udhëtuar nga Shqipëria në drejtim të Kosovës dhe kanë qenë të armatosur. Mendoj që për këtë duhet të flas më gjerësisht Zymer Lulaj. Ai është dëshmitar i gjallë. Por e di që ata në Deçan i kanë vënë bazat e para për ushtarët e ardhshëm të Republikës së Kosovës.
Në këtë grup veç Salih Çekajt dhe Zymer Lulajt, a dini edhe ndonjë emër tjetër të rëndësishëm që duhet përmendur?
Saim Tahiraj: Po, në këtë grup ka qenë edhe Zahir Pajaziti, i cili, gjithashtu bëri shumë për formimin e bërthamave të para të luftëtarëve të lirisë të Llapit por edhe më gjerë.
Për vrasjen e tij para luftës, e në veçanti pas saj, ka pasur polemika nga individë të ndryshëm. Çfarë mendoni ju?
Saim Tahiraj: Fatkeqësisht, ai u vra herët nga forcat serbe. Rreth vrasjes së tij është folur e përfolur shumë, janë dhënë vlerësime dhe spekulime, por unë nuk dua të ngatërrohem me gjëra që nuk i di.
Atëherë, si qëndron puna me grupin e Dytë të ushtarëve të Republikës së Kosovës?
Saim Tahiraj: Unë kam pasur privilegjin që grupit të dytë t’ia bashkangjes një grup djemsh nga komuna e Deçanit. Edhe ky grup është stërvitur në Surrel të Dajtit, në të njëjtën bazë stërvitore ushtarake. Pasi unë bashkë me shumë djem të tjerë i kishim filluar aktivitetet tona, ende pa filluar ushtrimet në Shqipëri, posa u paraqit nevoja udhëtova nga Zvicra në Kosovë. Në Deçan kontaktova me Xhemail Berishën, një veprimtar mjaft i denjë për kohë të vështira dhe kushtet në të cilat vepronim atëherë. Me Xhemailin u dakorduam rreth organizimit dhe ai, pa vonuar, filloi përgatitjen e njerëzve dhe të terrenit se kush mund të ishte në grupin e dytë nga komuna e Deçanit, ndërsa unë u ktheva në Zvicër. Posa e morëm sinjalin e duhur nga njerëzit përgjegjës, nga Kosova në Zvicër, erdhën bashkë me Xhemail Berishën, Osman Ferizi, Shkëlzen Gjoni dhe Hasan Ferizi. Vëllai im, Sami Tahiraj, ndodhej në Zvicër. Meqenëse, ky tashmë ishte i kyçur në këtë organizim, iu bashkua këtij grupi në Zvicër dhe udhëtuan të gjithë së bashku në Shqipëri. Ushtrimet kanë zgjatur 30 ditë dhe ato i kanë udhëhequr oficerë të specializuar të ushtrisë shqiptare. Pas ushtrimeve në Shqipëri, qëllimi kryesor ishte që me një pjesë të armatimit të depërtojnë ilegalisht në Kosovë. Pra ky mision delikat, i kalimit ilegal të kufirit Shqipëri-Kosovë, me 33 ushtarë të armatosur, iu besua Salih Çekajt, tash hero kombëtar.
Cilat kanë qenë arsyet që determinuan që Salih Çekaj t’i printe këtij grupi për t’u futur në Kosovë? Kush ia besoi këtë rol dhe a ishte ai komandanti i parë i grupeve të armatosura të luftëtarëve të lirisë?
Saim Tahiraj: Arsyet që Salih Çekaj duhej t’i printe këtij grupi ishin të shumta dhe të ndryshme. Por, arsyet kryesore ishtin se ai kishte njohuri ushtarake pasi ishte oficer rezervë dhe për këtë fushë posedonte njohuri profesionale, pastaj ishte person që njifte më së miri terrenin kah duhej të hyhej nga Shqipëria në Kosovë. Sali Çekaj ishte njeri i qetë, serioz, i besës dhe një intelektual që dinte shumë mirë çfarë duhej bërë për Kosovën. Udhëheqës e kanë zgjedhur ushtarët që përgatiteshin të futen në Kosovë.
Kështu pra, pas 30 ditë ushtrimesh prej 55 ushtarëve sa ishin në grupin e dytë, vetëm 34 veta u nisën drejt Kosovës me 75 kallashnikovë, me një pjesë municioni e me bomba dore. Me këtë rast dëshiroj ta cek, por nëse është nevoja edhe ta përseris, se kjo është thyerja e parë e kufirit dhe jo siç po pretendohet, se thyerja e kufirit u bë vetëm në vitin 1999. Jo, thyerja e kufirit, për trima, është bërë në vitin 1991. Atëherë ishte tepër vështirë dhe gati e paimagjinuar një ndërmarrje e këtillë. Ka njerëz që kanë kaluar kufirin Shqipëri-Kosovë; dy, tre a më shumë veta, por me qëllime luftarake, të armatosur dhe të organizuar në baza institucionale, kjo është hera e parë deri në fillimin e luftës së hapët. Të tjerët le të thonë si të duan e çka te duan. Grupe bashibuzukësh mund të ketë pasur edhe para vitit ’91 dhe pas vitit ’91, por ky ishte një rrugëtim me detyrë, i mbështetur nga institucionet e atëhershme të Republikës së Kosovës. Pastaj në këtë rrugëtim ka qenë edhe legjenda e mëvonshme e luftës së vitit ’98, Adem Jashari. Kjo thyerje kufiri nuk u ndal më as për Salih Çekajn, as për Adem Jasharin, as për Zahir Pajazitin. Qëllimi i futjes së armatimit në Kosovë ishte armatosja e bërthamave të para të njësiteve ushtarake për çlirimin e Kosovës, të cilat quheshin njësitet e para vetëmbrojtëse.
---------
Krijoni Kontakt