Lumturie Blakaj | 15-06-2011 15:09 CET
Lëvizja Vetëvendosje paralajmëroi të mërkurën se më 22 qershor do të organizojë një protestë paqësore në Prishtinë me moton “Kundër hajnisë”. Lideri i kësaj lëvizjeje, Albin Kurti, gjatë një konference të jashtëzakonshme me gazetarë akuzoi Qeverinë dhe kryeministrin Thaçi, siç tha, për vjedhje të buxhetit me tenderë, shitjen e aseteve shtetërore, por edhe për negociatat që po zhvillohen në mes Prishtinës dhe Beogradit.
Kurti iu bëri thirrje të gjithë qytetarëve që të bëhen pjesë e protestës që do të mbahet të mërkurën e ardhshme, në mënyrë që t’i tregohet qeverisë “Thaçi 2” se, siç deklaroi ai, kjo hajni nuk tolerohet dhe shpërfillja e interesit të qytetarëve duhet të ndalet.
”Pas vjedhjes së votave në Kosovë, po vidhet buxheti me korrupsion në tendera, pasuria po vidhet me privatizimin e egër, kurse territori po vidhet në negociata me Serbinë. Në Kosovë po blihet posti publik, por janë qytetarët ata që duhet ta dëshmojnë se nuk mund të blihet heshtja e tyre”, ka thënë Kurti.
Sipas tij, me aktakuzat e reja ndaj zyrtarëve të lartë publikë e shtetërorë, po i ngushtohet rrethi kryeministrit Thaçi.
“Në një intervistë të fundit, Thaçi ka paralajmëruar se nuk do të jetë kryeministër herën e ardhshme. Duke qenë i izoluar dhe i shantazhuar atij po i ngutet që t’ia japë korporatës Bechtel-Enka edhe autostradën Prishtinë-Shkup, ta shesë PTK-në, ta shesë KEK-un, ta likuidojë Trepçën për ta shitur edhe atë, dhe t’ua japë autonominë speciale veriut të Kosovës dhe enklavave me shumicë serbe. Vetëm duke dhënë pasuri dhe territor të Kosovës ky kryeministër mund të marrë ditë të reja në pushtet”, është shprehur kreu i lëvizjes Vetëvendosje.
Kurti gjithashtu kritikoi edhe punën e EULEX-in në luftimin e korrupsionit. Sipas tij, ky mision është mbi ligjin dhe nuk ndërmarrë veprime për luftimin e kësaj dukurie, por sipas tij, janë ata prokurorët dhe gjyqtarët vendor që mund ta vendosin zbatimin e drejtësisë në luftën kundër korrupsionit.
Edhe Shpend Ahmeti nuk e la pa folur para gazetarëve. “Kjo është qeverisja e cila paguan trefishin e çmimeve të njësive në kontrata të fshehta. Ekzekutivi i ka veturat më luksoze të qeverive në rajon, i shpenzon mbi 18 milionë euro në derivate të naftës, i shpenzon mbi 8 milionë euro në telefona e impulse, dhe i shpenzon mbi 8 milionë të tjera në udhëtime jashtë vendit”, ka thënë Ahmeti.
Ai madje theksoi se këta politikanë janë pasuruar brenda natës, ndonëse përmendi se kjo qeverisje akuzohet nga prokurorët për keqmenaxhim të ndërmarrjeve publike.
http://www.zeri.info/artikulli/1/1/2...under-hajnise/
Krijoni Kontakt