Ja se ç'thote nje ish-minister i transportit ne Shqiperi dhe njohes i mire i zhvillimeve te infrastruktures ne Europe:
Superstrada dhe impakti në Kosovë
Nga Sadedin ÇELIKU
Ndërtimi i superstradës Morinë – Prishtinë – Merdare – Nish u konsiderua si hapi parë drejt rritjes ekonomike ose siç e quajti z. Hashim Thaçi mëshirim i “lidhjes fizike e shpirtërore” me Shqipërinë. Sigurisht që kjo rrugë e gjatë 117 kilometra është projekti më i madh i deritanishëm në Kosovë që padyshim do të shoqërohet me benefice të rëndësishme jo vetëm për Kosovën por edhe për Serbinë e Shqipërinë gjithashtu. Kjo rrugë do ti sigurojë dalje në det Kosovës, Maqedonisë dhe Serbisë dhe kësisoj porti i Durrësit aktualisht dhe më vonë porti i Shëngjinit do të bëhen portat kryesore të përpunimit të mallrave për këto vende. Kosova ka një rrjet rrugor prej 8500 kilometrash, i cili është ndërtuar e rikonstruktuar rreth viteve 1960, rrjet i cili tashmë është mjaft i dëmtuar dhe ka nevojë për tu rindërtuar.
Në një nga faqet e internetit lexova disa opinione që lidhen me kapacitetet e portit të Durrësit ku sipas drejtuesve të tij, ky port përpunon 80 për qind të mallrave të destinuara për vendin dhe 20 për qind të kapaciteteve janë të lira, pra kapacitete që shkojnë në favor të Kosovës, Maqedonisë dhe Serbisë. Për dijeni, porti i Durrësit deri në vitin 1990 përpunonte njëkohësisht 12-15 anije të kapaciteteve të mesme e të mëdha e megjithatë arrinte të përpunonte katër milion ton në vit, një shifër e lartë për një port shqiptar. Tashmë në këtë port janë bërë investime të mëdha dhe herë-herë të përsëritura për të njëjtin projekt si sistemim-asfaltim të sheshit të portit, rikonstruksioni i dallgëthyesit, thellim i kanalit kryesor dhe të kalatave etj. E megjithatë dua të them se porti aktualisht shfrytëzon 50% të kapacitetit përpunues duke pranuar anije të papërshtatshme që shpesh bëhen shkak për vonesat në përpunim në portet tona.
Tashmë me futjen e teknologjisë së re të përpunimit të kontejnerëve duket se këto kapacitete kanë tendencë të rriten. Dhe nëse ndodh kështu që së paku të kapen kapacitetet që kemi patur deri në vitin 1990, duke zbatuar dhe disa politika që lidhen për këtë qellim, atëhere është e qartë që ne duhet të përballojmë së paku 2-3 milion ton mallra të destinuara për të tretë. Dua të bëj me dije se me politikat aktuale nuk ka të ardhme ai port. Drejtuesit atje nuk duhet të trembin vendet e rajonit aq më tepër Kosovën, që mendohet të tranzitojnë mallrat e tyre përmes portit të Durrësit. E them këtë se para disa vjetësh sipërmarrësit maqedonas filluan të tranzitojnë mallrat e tyre përmes portit të Durrësit por autoritetet që punojnë në portin detar filluan pengesat dhe kërkonin rryshfet. Kështu transportuesit maqedonas filluan të kërkojnë rrugë të tjera për të tranzituar mallrat e tyre. Sigurisht që të mund të realizohet kjo do duhet të rishikohen të gjitha tarifat e përpunimit, magazinimit, pilotimit, tarifat e shërbimit sanitar, doganor dhe ato të agjencisë, në mënyrë që ato të jenë joshëse dhe konkurruese në treg. Nëse nuk do të mund ta bëjmë këtë, atëhere Serbia e Maqedonia do duhet të kërkojnë dalje të tjera në Selanik, Igumenicë apo Tivar.
Ndërtimi i superstradës Morinë – Merdarë do të reduktojë kostot e transportit dhe do ti bëjë ato kompetitive dhe me interes për biznesin vendas, kosovar e të huaj. Për dyzet vitet e fundit, roli i investimeve infrastrukturore ka qenë i diskutueshëm dhe shihej me dyshim. Infrastruktura e transportit dhe lidhjet e saj direkte dhe indirekte me rritjen ekonomike janë parë të lidhura ngushtë me koston dhe reduktimin e shpenzimeve në transport. Tashmë është kuptuar dhe po kuptohet nga të gjithë shtetet se pa investime në rrugë, autostradë, hekurudha, porte detare, terminale, aeroporte etj, nuk mund të ketë ulje kostoje në transport dhe as zhvillim ekonomik.
Sigurisht që zhvillimi i sektorit të transportit është i lidhur ngushtë dhe me zgjidhjen e një sërë problemesh sociale siç janë punësimi, mbrojtja sociale etj. Ideja e opozitës kosovare se ndërtimi i rrugës Morinë – Merdarë nuk do të ketë efektivitet, është e parakohshme, e gabuar dhe e argumentuar politikisht. Ndërtimi i rrugës, shoqëruar dhe me investime jo vetëm në akset kryesore por dhe në zonat rurale, do të krijojë një shans jo të vogël për zhvillimin e bujqësisë kosovare e cila deri tani po vuan dhe vlerësohet e pazhvilluar. Sidoqoftë ndërtimi i kësaj rruge do të tërheqë e stimulojë mjaft biznese dhe tregtarë të vegjël, të cilët me rrugët që kanë patur, kostot e transportit kanë qenë të larta dhe për rrjedhojë produktet e tyre nuk kanë mundur të shkojnë në zonat urbane pra tek konsumatori.
Duhet pranuar se Kosova trashëgon shumë probleme ekonomike, disa prej tyre të krijuara me lindjen e shtetit të ri. Në këtë mënyrë mund të themi dhe ta pranojmë se zhvillimi ekonomik e social i Kosovës, do të vijë gradualisht e krahas rritjes e konsolidimit të shtetit të ri. Kjo do te thotë se mjaft elementë ekonomikë janë të lidhur ngushtë me politikën vendase dhe ndërkombëtare. Në Kosovë sistemi financiar dhe ai i kreditit ofron pak alternativa investimi dhe përdorimi të kursimeve dhe akumulimeve monetare të subjekteve të ndryshme mikroekonomike. Një nga objektivat që duhet të jetë në Kosovë, është përsosja e sistemit financiar me qëllim që të mundësojë kalimin e pushtetit financiar të kursimeve nga poli i familjeve drejt sipërmarrjes private, i cili nga ana e tij, për sa kohë përjeton fazat e rritjes, ka nevojë për fonde të cilat gjenerojnë si rregull rritje ekonomike, mirëqenie etj.
Sidoqoftë është për tu theksuar se marrëdhëniet Shqipëri - Kosovë ende nuk janë shumë të konsoliduara. Ato duhen parë në funksion të bashkëpunimit dhe të shkëmbimit jo vetëm të mallrave por ideve e kulturave të cilat kemi pak diferenca. Në këtë kuptim është i domosdoshëm bashkëpunimi ndërkufitar, doganor, sanitar, etj., që të lehtësojë dhe promovojë zhvillimin e dy anëve të kufirit. Kjo nismë do ta quaja, do të rezultojë me efektivitet kur të hiqen fare barrierat doganore, taksat e dyfishta, kontrollet e shumta e pa bereqet etj. Nga ana tjetër duhet të bëhet durim, sepse zhvillimi ekonomik do të vijë natyrshëm dhe jo menjëherë. Njohjet e shtetit të ri të Kosovës do ti japin shumë mundësi dhe do krijojnë premisa pozitive për zhvillimin e vendit dhe sigurisht për këtë do duhet të punojë qeveria, opozita pse jo edhe ne. E rëndësishme është të ruhet e të konsolidohet siguria, e cila do të garantojë rendin e zhvillimin e gjithanshëm ekonomik, social-kulturor dhe mirëqenie për të gjithë.
Gazeta Sot
Krijoni Kontakt