Close
Duke shfaqur rezultatin -19 deri 0 prej 1
  1. #1
    i/e regjistruar Maska e fegi
    Anëtarësuar
    29-05-2009
    Postime
    5,767

    Askush s’e din sa serbë ka në Kosovë

    Publikuar: 09.06.2011 -
    Prishtinë, 9 qershor – Qeveria e Kosovës përfundimisht nuk do të ketë informata zyrtare sesa qytetarë jetojnë në pjesën veriore të Mitrovicës, sa ekonomi familjare dhe sa banesa apo shtëpi ka në atë anë, shkruan sot “Koha Ditore”. Kjo për faktin se ekzekutivi qendror dhe Komisioni Evropian kanë dështuar që ta bindin komunitetin serb në veri që të pranojë të regjistrohet, pavarësisht faktit se për gati një muaj një OJQ ishte angazhuar për të bërë fushatë në pjesën veriore të Mitrovicës, e cila përmes shpërndarjes së broshurave kishte bërë përpjekje që serbëve të atjeshëm t’u shpjegohet rëndësia e procesit të regjistrimit të popullsisë.

    Një zyrtar i lartë i Qeverisë së Kosovës ka konfirmuar të mërkurën në kushte anonimiteti se realizimi i regjistrimit të popullsisë në veri është i pamundur të realizohet.

    “Nuk do të ketë regjistrim në veri. Së bashku me ndërkombëtarët jemi angazhuar që të gjejmë një alternativë për t’i bindur serbët në atë pjesë që të pranojnë të marrin pjesë në regjistrim, por kjo nuk u arrit”, ka treguar zyrtari i lartë qeveritar. I njëjti zyrtar ka bërë me dije se ekzekutivi qendror pritet që brenda këtyre ditëve të dalë me një qëndrim publik lidhur me pamundësinë e regjistrimit në veri të Mitrovicës.

    Edhe ministri i Administratës Publike, Mahir Yagcilar, është shprehur pesimist se do të realizohet regjistrimi në veriun e Mitrovicës.

    “Duke iu referuar gjendjes në terren unë nuk kam shpresë që regjistrimi mund të bëhet në atë pjesë, sepse nuk ka gatishmëri të qytetarëve që të marrin pjesë në proces. Por megjithëkëtë duhet të pritet deri në momentin e fundit, sepse regjistrimi në atë pjesë është shndërruar në çështje politike dhe jo teknike”, ka deklaruar ministri Yagcilar. Ndërsa ka përsëritur se afati i fundit për regjistrimin e popullsisë në pjesën veriore është caktuar qershori, pasi që në fund të këtij muaji është planifikuar të publikohen rezultatet preliminare të regjistrimit.

    “Nuk ka efekt që regjistrimi të bëhet më vonë se në qershor, sepse të dhënat nga regjistrimi atje është dashur të përfshihen në rezultatet preliminare të cilat janë në përgatitje e sipër”, është shprehur ministri Yagcilar.

    Nga ana tjetër partitë opozitare kanë vlerësuar se Qeveria qëllimisht e ka angazhuar UNOPS-in për ta bërë regjistrimin në veri me qëllim që të mos e marrë përgjegjësinë për dështimin e saj të radhës.

    “Qeveria e Kosovës e ka mashtruar veten për sa i përket regjistrimit duke besuar që atë do mund të bëjë UNOPS-i, për t’i ikur përgjegjësisë së dështimit. Por edhe sikur të realizohej regjistrimi nga UNOPS-i është dashur të bëhet në bashkëpunim me strukturat e Beogradit që bie në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës si dhe do të ishte shkelje e sovranitetit të vendit”, ka vlerësuar përfaqësuesja e AAK-së, Melihate Tërmkolli, ish- ministre e Administratës Publike. Me këtë rast ajo ka thënë se “më e keqja është se ky është dështimi i radhës i Qeverisë Thaçi, e cila është mbështetur për muri dhe duhet të deklarohet publikisht për këtë dështim”.

    Por sipas Tërmkollit tashmë ekziston rreziku që veriu i vendit të përfshihet në regjistrimin e popullsisë së Serbisë, e cila ka planifikuar që regjistrimin e popullsisë së saj ta bëj në tetor të këtij viti.

    “Tash për tash ka shumë rrezik që regjistrimi i popullsisë në veri të bëhet nga Serbia, e cila në tetor do të bëjë regjistrimin e popullsisë serbe dhe nëse Qeveria e lejon që regjistrimin e popullsisë në veri ta bëjë Serbia, atëherë kjo Qeveri e ka pranuar ndarjen e Kosovës”, ka theksuar Tërmkolli, duke e vlerësuar regjistrimin e popullsisë si projekt të dështuar politikisht dhe të parregullt e të pasaktë teknikisht.

    Qeveria është kritikuar edhe nga përfaqësuesi i lëvizjes “Vetëvendosje”, Alban Krasniqi. Duke folur për këtë proces Krasniqi ka thënë se “Qeveria e Kosovës dhe institucionet tjera në këtë projekt, qëllimisht kanë hequr dorë prej procesit të regjistrimit në veri, i cili ka qenë program ndërkombëtar dhe jo kombëtar. UNOPS-i po bën negociata me strukturat paralele në Kosovë për ta bërë regjistrimin në veri dhe po shihet se regjistrimi i popullsisë është bërë për pazare politike”.

    Sipas Krasniqit çdo regjistrim që do të bëhet nga institucionet e tjera të cilat nuk janë të vendit, do të jetë i dëmshëm dhe i papranueshëm, por siç ka vlerësuar ai Qeveria e Kosovës nuk ka vullnet për t’i ndaluar veprimet e Serbisë në Kosovë, pavarësisht që sipas Krasniqit ato janë në dëm të vendit.

    “Qeveria nuk ka vullnet për ta parandaluar regjistrimin të cilin është duke planifikuar Serbia në Kosovë dhe këtë ia ka lejuar vetë, duke bërë regjistrimin në mënyrë të pjesshme, edhe pse kjo nuk parashihet me Ligjin për regjistrimin e popullsisë në Kosovë”, është shprehur Krasniqi. Regjistrimi i popullsisë në vendin tonë është realizuar pas gati 30 vjetësh. Në përfundim të këtij procesi, i cili kishte filluar më 1 prill, zyrtarë të Entit të Statistikave të Kosovës kishin pranuar se ka pasur edhe qytetarë shqiptarë të cilët kanë refuzuar të regjistrohen.
    Fotografitë e Bashkëngjitura Fotografitë e Bashkëngjitura  

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •