KOHA QË UNMIK-EULEX-I DHE FAJT-DELLI TË IKIN NGA KOSOVA
Xhevat Bislimi
Privatizimi – trafikimi i pronës «shoqërore» (publike), i pasurisë kombëtare në Kosovë dhe koncesionet janë themeli, burimi dhe streha e sigurtë e korrupcionit, krimit të organizuar dhe mafias politike vendore e ndërkombëtare në Kosovë. Kësaj mund t’i shtohen edhe doganat, tenderët, etj. Superstruktura e këtij korrupcioni dhe krimi të organizuar është UNMIK-EULEX-i dhe një pjesë e madhe e klasës politike dhe institucionale në Kosovë. Kuptohet fabrika e korrupcionit dhe krimit të organizuar është UNMIK-EULEX-i por, asnjë politikan vendor nuk mund t’i ik përgjegjësisë pse ka pranuar dhe bashkëpunuar pa kushte, për «grada», pasuri dhe përfitime personale, që vendin e tij ta shndërrojë në lëndë të parë të kësaj fabrike! Pjesë integrale e këtij projekti antishqiptar ishte gjatë gjithë kohës dhe është Serbia me strukturat e saj të organizuara, të papenguara dhe financuara mirë në Kosovë. UNMIK-EULEX-i vazhdon të sillet (me fjalë) «asnjënës» përballë pavarësisë së Kosovës por, në fakt ai është kundër pavarësimit të Kosovës nga Serbia dhe nuk po lenë gur pa luajtur për ta mbajtur Kosovën të lidhur pas qerres serbe. UNMIK-EULEX-i është fajtor dhe përgjegjës direkt për humbjen e miliona eurove që i shkakton popullit të Kosovës vetëm për mosvendosjen e qëllimshme të doganave dhe kontrollin e kufirit në Veri. Ku e merr ky mision (UNMIK-EULEX-i) të drejtën morale, politike dhe ligjore për ta ndjekur dikend për korrupsion, krim të organizuar apo «krime lufte» kur dihet botërisht se vetë ky mision është fabrika dhe kupola e korrupsionit dhe krimit të organizuar. Brukseli dhe Uashingtoni duhet ta dinë (sigurisht që e dinë më mirë se ne) se nuk ka liri dhe të drejta të njeriut aty ku nuk njihen dhe aty ku shtypen të drejtat ekonomike të individit dhe të një populli. E pra këto të drejta nuk njihen, po luftohen dhe shtypen në mënyrë sistematike nga UNMIK-EULEX-i dhe qeveritë kolaboracioniste në Kosovë. Thelbi i të drejtave dhe lirive të njeriut është e drejta ekonomike, të nderuar zotërinj! Prandaj, po mohohet, luftohet dhe shtypet kjo e drejtë. Me këtë shtypje sistematike të të drejtave ekonomike rritet pakënaqësia e popullit, rritet mosbesimi te klasa e tij politike dhe institucionale, rritet pesimizmi dhe demoralizimi. Shkurtë, shkatërrohet fuqia e këtij populli, baza ekonomike nga e cila varet e gjithë superstruktura por, në fund të fundit edhe shkalla e lirisë dhe pavarësimit të Kosovës nga Serbia. Ky mision i (pa)drejtësisë duhet ta kuptojë, sa më shpejtë aq më mirë, se shqiptarët nuk do ta durojnë gjatë shtypjen, persekutimin dhe padrjetësinë e tij. UNMIK-EULEX-i të vetmin angazhim dhe përkushtim të shpirtit ka pasur dhe e ka ndjekjen e atdhetarëve dhe luftëtarëve të lirisë, të gjithë atyre që u përpoqën dhe përpiqen për shkëputjen e plotë të Kosovës nga Serbia, me qëllim që ta vras edhe shpirtin e tij liridashës dhe qëndresëtar. Arrestimet e fundit dhe fletarresti për nënkryetarin dhe deputetin e PDK-së, Fatmir Limën, dëshmojnë qartë përkushtimin e fundit të këtij misioni për ta shkatërruar jo një grup shqiptarësh, por imazhin që kanë shqiptarët dhe bota e civilizuar në sytë dhe mendjet e tyre për UÇK-në si forcë antipushtuese dhe clirimtare. UNMIK-EULEX-i dhe ata që janë prapa tyre duan të krijojnë një imazh tjetër për UÇK-në dhe Luftën Antipushtuese Çlirimtare të saj dhe të kombit shqiptar. Këtë luftë dhe UÇK-në duan ta paraqesin si «kriminale», nga e cila shqiptarët duhet të «turpërohen», kurse vendet që e përkrahën atë të «pendohen»!! Kështu krimet, masakrat, gjenocidi dhe holokausti shekullor serb mbi shqiptarët do të arsyetohejë dhe shpërlahej si më parë edhe tash. Turp! E gjithë kjo nuk bëhet vetëm për t’u hakmarrë ndaj këtyre figurave të luftës ose ndaj UÇK-së, që guxoi të luftonte kundër Serbisë vrastare por, edhe për t’u siguruar se kjo luftë nuk do të jetë burim frymëzimi dhe edukimi atdhetar për brezat që po rriten dhe që do të udhëhiqen nga betimi dhe platëforma e UÇK-së për clirimin dhe bashkimin e tokave shqiptare në një shtet të vetëm, në një Shqipëri. Prandaj, atdhetarët, luftëtarët e lirisë, institucionet dhe politikanët, që ende kanë gjak dhe zemë dhe populli shqiptar duhet të mbledhin veten, të mbledhin forcën dhe t’u thonë shporruni këtyre misioneve kusare dhe antishqiptare! Një rol të rëndësishëm në këtë luftë të madhe për lirinë dhe bashkimin e kombit shqiptar duhet të luajë inteligjencia shqiptare. Të përmbysen këto raporte të dëmshme dhe të rrezikshme për lirinë dhe të ardhmen e kombit shqiptar në Ballkan dhe të rindërtohen marrëdhënie të reja me Brukselin, që qëllim të fundit ka mbajtjen peng të kombit shqiptar, sidomos, nga Serbia dhe Greqia. Po këtë nuk munden dhe nuk do ta bëjnë ata politikanë e qeveritarë që ditën e arrestimeve dalin në ekran dhe pa fije turpi thonë se «nuk kemi ditur gjë», se «ishim të painformuar»!! Turpi bëhet edhe më i madh kur të nëjtit vazhdojnë të «qeverisin» sikur të mos kishte ndodhur asgjë!! Cila qeveri dhe cili qeveritar i një shteti do ta bënte këtë marre? Prandaj, qytetari ynë pyet më zëshëm se kurrë: Jemi apo nuk jemi shtet i pavarur, sovran e demokratik? Apo jemi koloni e UNMIK-EULEX-it? Ka apo nuk ka qeveri ky vend?
Krijoni Kontakt