Gjenomi i EHEC-së
Studiuesit gjermanë dhe kinezë kanë deshifruar kodin gjenetik të bakterit të kolitit EHEC. E megjithatë derisa të zbulohet një terapi efikase për pacientët me EHEC, sipas ekspertëve, do të duhet ende mjaft kohë.
Në përpjekjet për gjetjen e një terapie ndaj bakterit të rrezikshëm EHEC mjekët kanë bërë një hap të rëndësishëm përpara: Ata e njohin tashmë kodin gjenetik të bakterit. Ekspertët e Klinikës Universitare në Hamburg-Ependorf me ndihmën e kolegëve kinezë të Institutit Genomic arritën të deshifrojnë gjenomin e bakterit. Bakteriologu Holger Rohde i tha (02.06.2011) agjencisë së lajmeve DPA: "Bëhet fjalë për një kombinimin gjenesh të paparë ndonjëherë."
Sipas të gjitha gjasave dy baktere kanë këmbyer njëri me tjetrin substanca të trashëgimisë. Si rezultat është krijuar një bakter Esherichia coli (E. coli), që mund të shkaktojë sindromën Hemolytiko-Uremike (HUS) shpjegon Rohde. Rreth 80 përqind, sipas ekspertit Rohde, e ka prejardhjen nga barkteri bartës E. coli O104. Ndërsa 20 përqirnd janë marrë nga një tjetër bakter. Në këtë pjesë të genomit ndodhen elementë trashëgimie që prodhojnë dy proteinat citotoksike të qaujtura Shigella-Toxins.
17 raste vdekjeje në Gjermani
"Si rrjedhojë së shpejti ne mund ta optimalizojmë diagnostikimin dhe të preçizojmë provat për këtë bakter specifik", vë në dukje Rohde. Puna ende s'ka përfunduar. Ai thekson shpresën, se duke njohur materialin e trashëgimisë së shkaktarit të sëmundjes në të ardhmen do të jetë e kuptueshme, se përse sëmundja ka simptoma kaq të rënda.
Rreth tri javë pas shfaqjes së rasteve me EHEC ende nuk ka shenja për çtensionimin e situatës. Deri tani në Gjermani numri i të vdekurve ka arritur në 17. Ndërsa numri i të infektuarve dhe i rasteve të dyshuara është aktualisht reth 2000. Sipas të dhënave të Organizatës Botërore të Shëndetësisë deri më tani dhjetë vende kanë njoftuar për raste të sëmurësh nga EHEC.
Buqjit spanjollë të indinjuar me Gjermaninë
Spanja ka theksuar kërkesën e saj për dëmshpërblim për humbjet në disa miliona që u janë shkaktuar buqjve pas njoftimeve fillestare në Gjermani, se bakteri EHEC e kish prejardhjen nga kastravecat e importuara nga Spanja. Kryeministri spanjoll José Luis Rodríguez Zapatero kritikoi ashpër menaxhimin e krizës nga autoritet gjermane dhe Bashkimi Evropian. Sipas tij, institucione të caktuara në Gjermani kanë bërë një "gabim fatal" duke e lidhur përhapjen e sëmundjes me kastravecat nga Spanja. Komisioni i BE-së nga ana e tij reagoi shumë vonë dhe nuk u angazhua sa duhet kundër ndalimit të importeve nga vende të veçanta të BE-së për produktet agrare spanjolle.
Komisioni i BE-së ndërkohë e kritikoi si dispropocional reagimin e Rusisë, që ndaloi importet për perime nga vendet e BE-së. "Ne kërkojmë një sqarim nga Rusia", tha zëdhënësi i komisarit të BE-së për Shëndetësinë John Dalli në Bruksel. Moska për shkak të bakterit EHEC e shtriu ndalimin e importit të perimeve të freskëta ndaj të gjitha vendeve të BE-së, ndërsa fillimisht kjo masë vlente vetëm për Gjermaninë dhe Spanjën.
Autor: S.Stickelmann / V.Filaj-Ballvora(afp, dapd, dpa, rtr)
Redaktoi: Elert Ajazaj
DW
Krijoni Kontakt