http://www.botasot.info/mesme/6docuu.jpg


Letra e Stalinit dhe lidhja me sovjetikët
Prof.Dr.Vebi Xhemaili



Falsifikimi i historisë kombëtare për hir të vëllazërim-bashkimit me jugosllavët (9)

Në letër thuhej për prishjen e marrëdhënieve sovjetike-jugosllave. Ky lajm i erdhi Hoxhës, si një ndër dhuratat më të mira gjatë jetës së tij. Hoxha menjëherë e ftoi Hisni Kapon që ta lexonte letrën. Hoxha në reagimin e tij deklaron: “erdhi çasti që edhe ne të marrim frymë lirshëm”. Fituam i gëzuar bërtiti Kapo, rroftë Partia, sytë të mbushur plot me lot

Përgatitjet e Hoxhës filluan para dhe gjatë Kongresit të Parë të PKSH, për situatën politike në vend, ku me theks të veçantë do të diskutohej për ftohjen e marrëdhënieve shqiptaro-jugosllave. Kongresi filloi me punë nga data 8 nëntor dhe ka zgjatur deri më 21 nëntor në Tiranë. Hoxha në referatin të tij, disa herë vuri në dukje marrëdhëniet shqiptaro-jugosllave dhe ithtarët e saj për mbrojtjen e politikës titiste, duke e cituar Stalinin. Në një rast përmendi Kongresin e XVII, të Bashkimit Sovjetik të mbajtur në vitin 1934 tha: “Fitorja nuk vjen vetvetiu, por deri te ajo vihet me forcë”. Në diskutimet e mëvonshme u paraqitën 28 delegatë, por pati edhe të atillë që mbrojtën vijën e Koçi Xoxit, ndër ta më të zëshëm ishin: Ramadan Çitaku, Nesteji Kerenxhi, Vaske Koleci, dhe Naxhije Dumre. Gjatë diskutimit të tyre u krijua një kaos i madh, filloi një zhurmë e madhe brenda në sallë, Enver Hoxha i nervozuar u tha atyre: “ se edhe ju jeni armiq të Partisë”. Me propozimin e Hoxhës u pajtuan 13 delegatë. Ndër ta ishin: Tuk Jakova, Bedri Spahiu, Liri Belishova, Mehmet Shehu, Gogo Nushi, Adil Çarçani, Hisni Kapo, Petrit Dume, Beqir Balluku, Fadil Paçarami, dhe Kiço Ngjela. Të gjithë njëzëri kërkuan që grupi i Koçi Xoxit, jo vetëm të largohen nga Partia, por të kërkohet që të japin llogari për gabimet e bëra edhe para popullit. Koçi Xoxi pranoi publikisht në fjalimin e tij se ka gabuar pse u ka besuar jugosllavëve dhe për këtë ndihet fajtor, pasi Velimir Stojniqit, e ka nxjerrë në një rrugë qorre. Të pranishmit në sallë që kishin rolin e këshilltarit bërtitnin fuqishëm: “Jashtë armiqtë e Partisë dhe popullit.”. Koçi Xoxi u përjashtua nga Partia edhe pse pati disa përkrahës të tij, Por në rezolutë thuhej se Koçi u përjashtua nga Partia njëzëri. Partia e ndërroi emrin në Partia e Punës, në këtë Kongres u vendos të shkohet në Planin pesë vjeçar. Ndërsa Shef i Sigurimit u emërua Mehmet Shehu, por të jetë nën kontrollin e Partisë. Nga ky Kongres Politbyroja kishte nëntë anëtarë në krye me Enver Hoxhën.

Ndarja përfundimisht me jugosllavët

Kongresi I-ë, i PPSH e thelloi më tej kthesën që shënoi Plenumi XI i KQ në jetën e brendshme të Partisë e të gjithë vendit. Nga ky Kongres i kushtoi një kujdes të veçantë politikës së jashtme të Republikës Popullore të Shqipërisë. Ai dënoi politikën armiqësore të revizionistëve jugosllav ndaj Shqipërisë, që kishte synuar ta veçonte politikisht Shqipërinë nga vendet e tjera të lindjes dhe të realizonte pushtimin e saj.Në fillim të vitit 1949, Koçi Xoxe, Ministri i punëve të Brendshme; Pandi Kristo, ndihmësministër, kryetar i komisionit të Kontrollit, Vaske Koljeci, ndihmësministër i punëve të Brendshme, Nuri Huti, Shefi Këshillit të Partisë për agjitim dhe propagandë, po ashtu edhe Shefi i Departamentit të Tretë pranë ministrisë së punëve të Brendshme Vang Mitrojordi, u burgosën në burgun e Tiranës. Ndërsa Koçi Xoxi ishte i izoluar në podrumin e burgut të vjetër italian. Por siç dihet fati i Koçi Xoxit ishte vendosur që në takimin e dytë midis Stalinit dhe Hoxhës gatë vizitës së tij më 21 mars të vitit 1848 në Moskë, ku në përbërje të delegacionit shqiptarë ishte edhe Spiro Koljeka anëtari i KQ, këtu merrte pjesë edhe ambasadori Mihajill Prifti në Moskë. Delegacionit shqiptar u kishin dalë në pritje në aeroportin “Vnukovo”, Vajçesllav Mollotovi, Andrej Vishinski dhe disa anëtarë të qeverisë me korin e ashtuquajtur “Demokracia popullore”. Hoxha u takua me Stalinin më 23 mars në ora 22-h. në Kremlin.

Gjykimi i këtij Grupi në krye me Koçi Xoxin do të filloj më 11 maj 1949, Prokuror i procesit me urdhër të Hoxhës do të jetë Bedri Spahiu. Gazeta “Borba” me këtë rast do të shënojë: “të akuzosh Jugosllavinë dhe popullin tij, të cilët pa masë e kanë ndihmuar Republikën e Shqipërisë, kjo nuk është në rregull. Pasi grupi i Koçi Xoxit miqësinë tonë e pranonin me sinqeritet, ndërsa Hoxha fjalët e mëdha për marrëdhëniet shqiptaro-jugosllave i ka pasur vetë vetëm fjalë boshe. Prandaj sot dënohen vetëm miqtë e sinqertë të Jugosllavisë”. Bedri Spahiu në emër të shtetit, më 9 qershor kërkoi në gjykata dënimin me vdekje për Koçi Xoxin, t’i merret grada gjeneral-lajtant, dhe të drejtave qytetare (civile), duke iu konfiskua e tërë pasuria. Pandi Kristo mori dënimin 20 vjet burg të rëndë, pasi e vuajti dënimin prej 20 viteve u dërgua në kampin e përqendrimit në qytetin e ri të Lushnjës. Vasko Koljeci u dënua me 15 vjet, Nuri Huti dhe Vango Mitrojordi nga 5 vjet burg.

Pushkatimi i Koçi Xoxit

Më 11 qershor 1949 para dite n oborrin e burgut të Tiranës në ora 11-37 minuta u pushkatua Koçi Xoxi, në moshën 38 vjeçare. Ndërsa shërbimet jugosllave në atë kohë informonin se Ministrinë e punëve të Brendshme se Koçi Xoxin e likuiduan; Enver Hoxha me Mehmet Shehun. Hoxha në pyetjet e Stalinit përgjigjet kështu: “Kristo Temelko pa rezervë ka pranuar të gjitha sugjerimet e jugosllavëve që jepeshin për strategjinë e Armatës Shqiptare, por për kah origjina është sllav me prejardhje nga Maqedonia. Ndërsa Koçi Xoxi është shqiptar i vërtetë, por familja e tij ka jetuar në Maqedoni. Në Shqipëri ka vetëm pesë fshatra me maqedonas dhe në jug të Shqipërisë jetojnë përafërsisht 28 mijë grek”. Kështu nisi Hoxha rrugën e shpartallimit të kundërshtarëve politikë në rrugën e tij për të siguruar pozitën e tij në maje të piramidës partiake. Hoxha duke dashur që të forcojë pozicionet e veta partiake e shtetëror filloi gjithnjë e më tepër të luajë rolin e oficerit ndaj gjeneralit, të cilin Hoxha gati në çdo takim e hiperbolizonte, duke qenë në krah të bashkimit Sovjetik Shqipëria tash më kishte marrë pozicionin e prokurorit kundër Titos dhe Jugosllavisë në bllokun komunist. Këto rrethana të reja e shpëtuan Shqipërinë nga plani titist për ta aneksuar. Në veçanti pas përjashtimit të Jugosllavisë nga Informbyroja. Pavarësisht se Stalini në atë kohë shumë pak shprehte simpati për Shqipërinë dhe shqiptarët në përgjithësi. Por rrethanat politike tani më diktonin një politikë të disfavorshme për Bashkimin Sovjetik në Ballkan pa humbjeve të forcave komuniste në Greqi. Stalini tani më vetëm te Shqipëria kishte pozicione të shëndosha në aspektin ushtarak për të dominuar në Ballkan. Kjo jepte shpresë edhe shqiptarëve të Kosovës që deri tani qëndronte pezull midis Jugosllavisë dhe politikës shqiptare të komanduar nga Enver Hoxha. Pas mbarimit të Kongresit të Parë të Partisë, definitivisht u pastrua thelbi revolucionar i Partisë, u ndërpre kontinuiteti revolucionar i Shqipërisë, duke u hapur dyert Stalinit për të komanduar Partinë e Punës së Shqipërisë. Pra me këtë formë të diktatura staliniane si metodë e vetme e udhëheqjes së Partisë me popullin shqiptar. Orientimet për zhvillimin e ekonomisë shqiptare në vijat kryesore vendoseshin në Moskë. (FUND)