INFRASTRUKTURA SHPIRTËRORE E NJË PROCESI ZGJEDHOR
Nga, Fadil LUSHI
Ditë më parë një miku im, pos tjerash, më parashtroi edhe këtë pyetje: pse ju opinionbërësit ditë e përditë i përsërisni të njëjtat mendime politike. Më duhej t’i përgjigjem: kjo bëhet sepse ditë për ditë përsëriten gjymtimet tona politike. Të tilla gjymtime kohë më parë u hetuan në kuadër të procesit parazgjedhor, zgjedhor, paszgjedhor (vendor) dhe në hapësirat e Këshillit Qendror të Zgjedhjeve në kryeqytetin e gjithë shqiptarëve. Ky proces shumë i rëndësishëm edhe kësaj radhe nuk kaloi pa probleme, pa eksese dhe pa manipulime. Fillimisht, ky proces aq shumë u stërzgjat, saqë e humbi bojën dhe kuptimin e tij.
Kryefjala e këtij procesi ndryshe quhet vota deliberative e votuesit sovran.
Ishte një votë e sovranit (e popullit, pavarësisht se ajo i takonte së djathtës a së majtës), e cila duke u lexuar mbrapsht e humbi edhe atë pak ligjshmëri dhe besueshmëri!?? E gjithë kjo katrahurë që u hetua gjatë procesit të numërimit (të stërgjatë) të votës, tek opinioni publik shqiptar u konceptua si një aktivitet politik i gjymtuar dhe i zbehtë dhe kështu duke përjashtuar përfundimisht çdo përshtypje pozitive. E gjithë kjo do të ndodhë në “bastionin” politik të Tiranës, në “bastionin”, ku sot e gjithë ditën e Perëndisë mbizotëron ajo fryma e perandorisë së inateve histerike shqiptare! Këtij procesi zgjedhor, jo pak i bënë dhe i bëhen hile dhe fyerje të mëdha..., iu ngjitën 1000 mijë bishta prapa, iu bënë me dhjetëra komente serioze dhe pa numër të tjera joserioze, joprofesionale dhe tmerrësisht me tarafllëqe. Këtij procesi që në zanafillë iu bënë sondazhe politike (toptan të porositura e të paguara) nga lloj-lloj kompani të ashtuquajtura të specializuara.
Sot, pas gjithë kësaj katrahure politike dhe kushtetuese, ju, të nderuar lexues, quajeni si të doni ndryshe, nuk është me rëndësi se kush (nuk) i fitoi zgjedhjet vendore, nuk është me rëndësi se cila ishte adresa politike e atyre që “mashtruan”, nuk është me rëndësi se cila ishte skema e manipulimit, nuk është me rëndësi se kush u trishtua, ama hiç fare nuk është me rëndësi se cila ishte logjika e procesit të numërimit të votës (e cila duke u viktimizuar skajshëm mbeti pa din e pa iman), nuk është me rëndësi se pse “u përmbys rezultati në tavolinë”, siç tha me apo pa të drejtë kryepari i një partie politike. Unë do të vazhdoj ta përsëris fjalinë: nuk është me rëndësi “fakti” se përse (me të drejtë a pa të drejtë) fitorja në këto zgjedhje vendore u shpall paralelisht nga taborët kundërshtarë, ndonëse rezultatet zyrtare nuk i kishte shpallur Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (kurse kjo gjë palëve do t’u jepte të drejtën e ankimimit). Tani, me një fjalë, nuk është me rëndësi të shtrohet pyetja se ç’kuptim dhe ç’qëllim kishte “ndërhyrja (i) legjitime” e ambasadorit Havzi (siç mëton ndryshe ta emërtojë haxhi baba i mëhallës sonë) në autonominë e organizimit të procesit zgjedhor edhe ashtu të shëmtuar dhe të dështuar!?? A mos vallë kjo “ndërhyrje” e ambasadorit kishte për qëllim t’i ndihmojë shqiptarët në ndërtimin e infrastrukturës (së re) morale, shpirtërore dhe politike ...!?? Ndoshta ishte edhe një mesazh shtesë dedikuar shqiptarëve se si duhet të krijojnë standarde krejtësisht të ndryshme rreth procesit zgjedhor..., ose, tekefundit, ishte një dëshirë e tij për të mësuar diç më tepër për tiparet e karakterit të shqiptarit!? A mos vallë “ndërhyrja” e ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës kishte për qëllim të pengojë shtrembërimin dhe vjedhjen e votës apo edhe të qetësojë shpirtrat e trazuar të shqiptarëve, ose në instancë të fundit prezenca e tij ishte në cilësi të një “sehirxhiu” pa kostum dhe pa kollare!???
Mbase kjo “ndërhyrje diplomatike” do t’i ndërgjegjësojë shqiptarët njëherë e përgjithmonë që të mos vazhdojnë t’i shkojnë pas këtij avazi të vjetruar!?
Nëse e gjithë kjo që u nxor në pah ka të vërteta, atëherë pse gjithë kjo marrëzi e radhës e partive politike, përse duhet që këto zvetënime të dalin nga institucionet kushtetuese të “kontrolluara dhe të mbikëqyrura” nga partitë politike, përse institucionet e lartpërmendura edhe sot duhet të “mbeten me barrë nga një lidhje jashtëmartesore”!??? Sa ka kuptim të thuhet se përse Komisioni Qendror i Zgjedhjeve duhet të etiketohet si “komision qendror i vjedhjeve”!? Përse për disa politikanë të Tiranës nuk paskësh rëndësi fakti se çfarë ishte ngjyra e mesazheve të dala nga goja e ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe e disa të tjerëve të Bashkimit Evropian të sistemuar në Tiranë. Nëse të gjitha “faktet” që llafosin ngjarjet e lartpërmendura janë të parëndësishme, atëherë pse të mos jenë të rëndësishme provat dhe argumentet sa i përket përsëritjes së kësaj historie të kontrabanduar dhe të gjymtuar të Kodit dhe procesit zgjedhor të Republikës së Shqipërisë!?
Të nderuar lexues, a e dini pse përsëriten vazhdimisht fjalët “nuk është me rëndësi dhe përse”? Sepse përsëritet ajo historia e shtrembërimit të statusit juridik të votës shqiptare, një status që sot e kësaj dite mbetet peng i partive politike qofshin ato në pushtet a në opozitë. Përsëritet nëpërkëmbja e votës së sovranit, përsëriten inatet a edhe qejfet e politikanëve të ardhur nga provinca, të cilët edhe pas kushedi sa vitesh qëndrimi në Tiranë, nuk kanë kuptim për mëhallët e saj!?? Përsëritet anashkalimi i votës së sovranit sepse ajo me çdo kusht mëtohet të shtrembërohet, mëtohet të karakterizohet si e porositur, e kurdisur, e vulgarizuar, e denigruar, mëtohet të nëpërkëmbet, mëtohet të konceptohet si jopersonale, si e kornizuar, e mohuar. Përse duhet të jetë ajo e sikletshme, pse i gjithë ky mentalitet diktatorial...? Sepse duhet ta mbajë peng të drejtën dhe lirinë e të menduarit individual... Në vend që kjo votë e sovranit të jetë popullore, qytetare, personale, një dedikim i vullnetshëm e racional, demokratik dhe mbi të gjitha një gjest i lartë emancipimi, gjegjësisht çlirimi nga varësia e dikujt a e diçkaje!
Në vend që ky proces të ishte një leksion i radhës për politikën e brendshme dhe atë të jashtme, në vend që nga ky proces të mësonim diç më tepër për demokracinë, ne shqiptarët edhe njëherë e vërtetuam atë teorinë se ne përfundimisht asnjëherë nuk arritëm që pa ndihmën e ndërkombëtarëve të rrumbullakojmë as një të vetmin projekt, qoftë ai të jetë politik, ekonomik a edhe ndonjë projekt tjetër.
Të tilla histori “ndihmash” dedikuar kryerjes deri në fund të projekteve të shqiptarëve, do t’i hetojë edhe Aleks Buda, sipas të cilit (këto histori) kanë këto rrjedha ”...ne shqiptarët nga greqizimi na shpëtuan Romakët, nga latinizimi na shpëtuan Bizantinët, nga sllavizmi na shpëtuan turqit, nga serbizimi na shpëtuan ushtarakët e UÇK-së dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës!...”, apo historia me e re do hetohet që nga koha e Ismail Bej Vlorës, Ahmet Zogollit, Nolit, Enver Hoxhës, dhe së fundi të përfundojë me historinë e mëvetësisë kosovare. Dhe jo rastësisht kjo histori do të përsëritet sot e gjithë ditën e Perëndisë, këtu në Kosovë..., po nga ambasadori amerikan, Kristofer Dell, i cili vendosi se kush do bëhet president i Republikës së Kosovës.
Sot, ndoshta do ishte shumë korrekte, sikur kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha dhe kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, pas gjithë kësaj katrahure, PËR HIR TË MIRËQENIES KOMBËTARE ta thoshin atë fjali burrërore, politike, patriotike dhe historike: “...gabuam toptan..., nuk e duam Tiranën për fitore me të vetmin qëllim që të mos na përsëritet e kaluara..., nuk na duhet kjo histori e 21 janarit!!??...të cilën nuk do ta dëshironin edhe gojëkëqijtë më të mëdhenj shqiptarë, pa lë më shqiptarët mendjendritur nga njëra anë dhe nga ana tjetër të mos të përsëritet ajo thëna filozofike e burrështetasit amerikan, Thomas Jefferson, (1743-1826) “Kur njerëzit kanë frikë nga qeveria e tyre, atje është tirani: kur qeveria ka frikë nga populli: atje është liria”!
Këtë shkrim do ta përfundoj me një mendim filozofik: “Dhëntë zoti që shqiptarët shpëtofshin nga njëri-tjetri -tha Sami Bej Frashëri. Por kjo s’është e thënë se ne kemi ca të këqija që s’rregullohen kurrë! -do të përgjigjet Faik Bej Konica.
Të nderuar lexues, hajt të shpresojmë se një ditë kur do të shpërbëhet ajo perandoria e inateve shqiptare do të rregullohen punët tona. Nuk ka nevojë të paragjykojmë siç, lexuesit e nderuar, kanë të drejtë ta kontestojnë këtë shkrim. Ku ta dijë njeriu!?
Dikur lartmadhëria dhe shkëlqesia e tij, padishahu, i vriste tellallët, kur i sillnin habere të këqija dhe jallane. Dhëntë Zoti, që ky opinion imi të mos jetë jallan!?
Shqipëria dhe Kosova nuk mund të shpërbëhen për hatër dhe për “punë qejfi” të një grushti politikanësh smirëzinj, të pangopshëm dhe të papërgjegjshëm!
Krijoni Kontakt