Benedikti XVI: Themelet e një shoqërie të pajtuar e paqësore tek rrënjët e krishtera që i bashkojnë popujt evropianë
24-05-2011 / Gazeta 55
InteresatKontinenti i Vjetër duhet të ngrihet mbi rrënjët e veta të krishtera ekonomike nuk mjaftojnë, për t’i dhënë një bazë të shëndoshë Evropës së re. : këtë pohoi Papa duke pritur, dje paradite, në dy audienca të veçanta, delegacionet e Bullgarisë dhe të ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë, ardhur si çdo vit në Romë, me rastin e festës së Shenjtorëve Çirili e Metodi, që do të kremtohet sot. “Pionierë të ndritur e të merituar të Ungjllëzimit në Evropë”, Cirili e Metodi, nderohen si nga Lindja, ashtu edhe nga perëndimi. Dëshmia dhe mësimi i tyre - vërejti Papa - duke iu drejtuar delegacionit maqedonas, kryesuar nga presidenti George Ivanov - mbeten gjithnjë aktuale edhe për ata, që janë thirrur sot të qeverisin fatet e kombeve. Në Planin shëlbues të Zotit, popujt mund të rigjejnë themelet e forta e të sigurta, mbi të cilat mund të ngrenë qytetërime e shoqëri të përshkuara tejembanë nga shpirti i pajtimit e i bashkëjetesës paqësore: “Nuk mund të ketë unitet të vërtetë pa respekt për dinjitetin e çdo njeriu e për të drejtat e tij të pacënueshme”.
Ndonëse ndërmjet vështirësive të panumërta, Cirili e Metodi, të dërguar në gjirin e popujve sllavë, e kishin kuptuar mirë se Ungjilli i Krishtit është i aftë të mbushë përplot me dritë çdo skaj, skutë, mjedis e përmasë të përvojës njerëzore: “Fjala e Zotit fton vazhdimisht për kthimin e zemrave, që çdo vendim e çdo rrugë e zgjedhur, të pastrohet nga interesat egoistike; e pikërisht nga kjo kthesë e vazhdueshme e zemrave kah Zoti, mund të krijohen mundësitë për lindjen e njerëzimit të ri”.
Popujve evropianë, që në këto vite u hapen perspektiva të reja bashkëpunimi – shtoi më pas Ati i Shenjtë, duke pritur delegacionin bullgar, kryesuar nga Kryetarja e Parlamentit, Tsetska Tsacheva - këta dy shenjtorë të mëdhenj u kujtojnë se uniteti i tyre do të jetë më i fuqishëm, në se bazohet mbi rrënjët e përbashkëta të krishtera, element kryesor e cilësor, sepse është feja e krishterë ajo, që e formoi kulturën e Kontinentit të Vjetër dhe u gërshetua në mënyrë të pazgjidhshme me historinë e tij.
Prej këndej, urimi që Evropa të rritet edhe në pëmasën shpirtërore, duke ecur mbi gjurmët më të mira të historisë së vet. Uniteti i Kontinentit, që vijon të fitojë pjekurinë në vetëdijen e banorëve të tij e të përcaktohet më qartë edhe në planin politik, përfaqëson – shtoi Ati i Shenjtë – një perspektivë të madhe shprese. Prej këndej, ftesa: “Për ta ngritur mbi baza të forta Evropën e re, nuk mjaftojnë interesat ekonomike, por është e nevojshme edhe mbështetja mbi vlerat e vërteta, që bazohen në ligjin moral universal, të shkruar në zemrën e çdo njeriu”.
Asambleja e Karitasit - “Një familje njerëzore-zero varfëri”/“Një familje njerëzore- zero varfëri”: kjo është tema e Asamblesë së 19-të të Karitasit Ndërkombëtar, punimet e së cilës u hapën dje, në Domus Mariae, në Romë. Takimi përkon me 60-vjetorin e themelimit të organizmit i cili, me selitë e tij në 160 vende, përballon të gjitha emergjencat planetare, katastrofat e luftërat, për të mbrojtur dinjitetin e njeriut në të gjitha rrethanat, edhe më të vështirat. Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Tarçizio Bertone, i përcolli përshëndetjen e Papës kryetarit të organizmit, kardinalit Andrés Rodriguez Maradiaga si dhe të gjithë pjesëmarrësve të pranishëm. Karitasi Ndërkombëtar, në zemër të Kishës universale dhe çdo Karitas vendas, janë simbol i asaj toke të re, që flet për shëlbimin e mbarë popujve. Kardinali Bertone, në homelinë e Meshës, me të cilën përfundoi dita e parë, nënvizoi se prej 60 vjetësh, Karitasi e mbarti konkretisht këtë impenjim dashurie, frymëzuar nga dashuria e Krishtit për njeriun. Ndërmjet veprimtarive të kohëve të fundit, kardinali Bertone kujtoi ndihmën që Karitasi i dha Haitit e Japonisë, dëmtuar rëndë nga fatkeqësitë e natyrës; Bregut të Fildishtë, gjakosur nga lufta civile, si dhe të gjitha vendeve, që kalojnë situata të ngjashme konflikti e mjerimi. Dashuria për të afërmin, që i ka rrënjët në dashurinë për Zotin– tha Hirësia e Tij – është detyrë e çdo besimtari dhe e gjithë bashkësisë kishtare, në përpjekjen për ndërtimin e një familjeje të vetme njerëzore. Por veprimtaria bamirëse - shtoi akoma kardinali Bertone – që kufizohet vetëm në ndihmë humanitare, shkëputur nga identiteti i krishterë, nuk është në lartësinë e dinjitetit të njeriut. Thënë me dy fjalë, Kisha jo vetëm që duhet të bëjë mirë, por duhet ta bëjë si Krishti. T’u shërbejmë të varfërve, kjo është detyra jonë e dorës së parë, tha në sesionin e hapjes kryetari i Karitasit Ndërkombëtar, kardinali Rodriguez Maradiaga. Janë ata që, në rastet e emergjencave, kërkojnë ndihmë, drejtësi, respekt, mbrojtje të dinjitetit të tyre njerëzor. E kjo është një nga mënyrat për të qenë dëshmitarë të Zotit, në zemër të botës. Modeli ynë është ai i Samaritanit të Mirë, vijoi kardinali Maradiaga, i cili e përfundoi fjalimin e hapjes me fjalët simbolike: “Atje ku janë bamirësia e dashuria, atje është edhe Zoti!”.
Por, mbi domethënien e Asamablesë së 19-të të përgjithshme të Karitasit Ndërkombëtar, kardinali Robert Sarah, kryetar i Këshillit Papnor ‘Cor Unum’, shprehet: “Është e sigurtë që papët patën një vizion: praninë e Kishës, për të shprehur mëshirën, dashurinë e Zotit për të varfërit, përmes organizimit të kësaj mëshire, të kësaj dashurie, në një strukturë, si Karitasi Ndërkombëtar. Unë mendoj se Karitasi është mjet shumë i nevojshëm për Kishën, por për të mbetur mjet i Kishës, duhet punuar që ta kufizojë sa më shumë varfërinë e mjerimin. Në se i bëjmë punët me përvujtëri, me ndihmën e hirit hyjnor, Karitasi do të luante një rol jashtëzakonisht të rëndësishëm në përpjekjen për zhvillimin e në luftën kundër varfërisë. Kisha është familje, familje e Zotit. Vërtet nuk është e lehtë të realizohet kjo në gjirin e njerëzimit: jetojmë një çast përçarjesh, luftërash, ndeshjesh ndërmjet të pasurve e të varfërve. Por duhet të punojmë, për ta krijuar këtë familje të Zotit, e Karitasi do të mund të ishte një vend për krijimin e saj. Unë besoj se do t’ia dalë mbanë një pune të tillë, kaq të pakufishme”.
Marrë nga Radio Vatikani
...
Krijoni Kontakt