Visar Duriqi | 19-05-2011 09:25 CET Ndonëse ka një kujtim jo fort të hijshëm të të shkuarit “zyrtar” në Poloni, për zyrtarët e Qeverisë së Kosovës një vizitë për në këtë shtet do të ishte më fitimprurësja. Kjo pasi që për një ditë qëndrimi në këtë shtet, zyrtarët qeveritarë, pos që i kanë krejt shpenzimet të paguara, do të marrin edhe një mëditje prej 73 eurosh e 40 centë. Llogaritet që qëndrimi ditor i një zyrtari në këtë shtet, qeverisë t’i kushtojë 367 euro.

Mëditje hiç më të ligshta nuk marrin zyrtarët nëse vizitojnë Republikën e Koresë, edhe pse në databazën e qeverisë nuk përcaktohet qartë se cilën Kore. Për një ditë në këtë shtet pagesa për mëditje mbërrin në 68 euro, ku me krejt shpenzimet, një ditë qëndrimi aty i një zyrtari, qeverisë i kushton hiç më pak se 344 euro.

Edhe vizita në Federatën Ruse paguhet me 61 euro mëditja, apo 307 euro krejt shpenzimet njëditore për një zyrtar. Kurse vizita në shtetin e Nigerisë paguhet me 72 euro mëditje.

Mëditjet e “ligështa”

Pagesat për vizitë në shtetet e konsideruara si shtete mike, si Amerika e Anglia nuk janë më të “ligështa”. Zyrtari i Qeverisë së Kosovës për një ditë qëndrimi në SHBA paguhet me 55 euro mëditje, kurse në Mbretërinë e Bashkuar 67 euro.

Ndonëse ka pak vizita të deklaruara, edhe qëndrimet në vendet si Kuwait, Hong- Kong e Japani paguhen me mëditje të majme, të cilat sillen rreth 65 eurove. Më keq nuk mbetet as vizita në shtetin e Izraelit, prej nga e kanë prejardhjen këshilltarët për ekonomi të kryeministrit Hashim Thaçi. Një ditë qëndrimi në vendlindjen e tyre, një zyrtari qeveritar i paguhet me 72 euro mëditje, kurse Qeverisë i kushton, duke llogaritur ushqimin e fjetjen mbi 360 euro.

Më së paku paguhen vizitat në vendin turistik Bhutan, ku merren mëditje vetëm 12 euro, pastaj vizita në Afganistan, ku një mëditje ka vlerën e 16 eurove, për Somali merren veç 17 euro mëditje etj.

Vendi në të cilin vizita të shkon “huq” është Libani. Zyrtarët qeveritarë të Kosovës në këtë shtet i kanë shpenzimet e paguara, ku vlera e tyre mund të mbërrijë në 210 euro për një ditë, por s’kanë asnjë cent mëditje.

Fshehën mëditjet

Mbi 316 milionë euro ka shpenzuar qeveria në vitin që lamë pas vetëm në linjën “paga dhe mëditje”, por ata duan ta mbajnë sekret se sa prej tyre janë vetëm për mëditje. Edhe pas më shumë se dy javë pritjesh të gazetës, Ministria e Financave (MF) ka pranuar të publikojë vetëm sa paguhet një zyrtar në secilin shtet ku udhëton, por jo edhe shumën se sa janë harxhuar për këtë qëllim.

“Mëditjet paguhen në bazë të udhëzimit administrativ për udhëtime zyrtare jashtë vendit Nr.2044/07”, ka thënë Muharrem Shahini, zëdhënës i MF-së, duke sugjeruar se për shumën e shpenzuar për mëditje të shikohet raporti i shpenzimeve për vitin 2010, raport ky në të cilin , si edhe viteve të tjera, pagat dhe mëditjet janë të bëra bashkë.

Mëditjet:

Poloni: - 73 euro

Izrael: - 72

Nigeri: - 72

Kore: - 68

Britani: - 67

Japoni: - 65

Rusi: - 61

SHBA: - 55

Somali: - 17

Afganistan: - 16

Bhutan: - 12

http://www.zeri.info/artikulli/2/8/2...et-e-qeverise/