Daçiq, skajshmërisht i papërgjegjshëm
Nga Express më 21 maj 2011 në ora 21:15
Ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë, Antonio Milloshoski, e ka vlerësuar “skajshmërisht të papërgjegjshme”, deklaratën e fundit të nënkryetarit të qeverisë serbe, Ivica Daciq, se ndarja e Kosovës është mënyra e vetme për zgjidhjen e statusit të saj.
“Harta gjeopolitike e Evropës Juglindore dhe e rajonit është mbyllur dhe nuk ka vend për ide për shtete të mëdha, as për Serbi të madhe, as për Shqipëri të Madhe, e as për çfarëdo tjetër. Zgjidhja nuk është te kufijtë dhe ndarjet e reja. Deklaratat e tilla janë të papërgjegjshme. Nuk ka as dëshirë e as vullnet apo mbështetjet për ndarje të kufijve, përveç futjen e tyre në kufij administrativë evropianë”, ka deklaruar në Strugë, Ministri Milloshoski pas një takimi që kishte me euro-deputen nga Suedia Ana Ibrisagiq, e cila, gjithashtu kundërshtoi idetë për ndarje të reja në rajon.
“Ne nuk japim mbështesin lëvizjen e kufijve. Konsideroj se nuk është as e duhur e as e arsyeshme në kushte kur tërë rajoni dëshiron të na tregojë se dëshiron të jetë pjesë e BE-së, dikush të japë vlerësime të tilla”, ka theksuar eurodeputetja Ana Ibrisagiq.
Shefi i diplomacisë maqedonase tha se kanë diskutuar edhe rreth kontestit të emrit mes Maqedonisë dhe Greqisë me ç’rast i kanë bërë thirrje Athinës të angazhohet për mbylljen e këtij problemi pasi kjo është edhe në interes të saj. (rel)
Krijoni Kontakt