Close
Duke shfaqur rezultatin -9 deri 0 prej 2
  1. #1
    Evidenca Maska e RaPSouL
    Anëtarësuar
    09-03-2006
    Vendndodhja
    Gjermani
    Postime
    17,464

    Platforma njëkohësisht edhe marrëveshja që parashtron PDSH

    PROJEKT MARRËVESHJA
    (KONTRATA POLITIKE)

    PDSH-ja, pas shumë analizash të procesit të implementimit të Marrëveshjes
    së Ohrit, pas shumë kritikash drejtuar modifikimeve substanciale, të
    papërgjegjshme të kësaj Marreveshjeje dhe pas shumë hezitimesh të
    përgjegjshme, doli me vlerësimin se ajo e ka humbur kuptimin e vet, se asaj
    i ka skaduar afati, madje ajo është bërë pengesë për zhvillimin e mëtejmë të
    shoqërisë mbi standardet e reja. Shpjegimin për dështimin e këtij projekti
    duhet kërkuar në rrethanat komplekse socio-historike.
    I. HYRJE
    Tashmë është e qartë se formacionet shoqërore, të çfarëdo provenience
    ideologjike qofshin ato, ndërtohen dhe funksionojnë mbi parimin e kontratës
    që në thelb është një marrëveshje e formalizuar juridikisht. Me kontrata të
    kësaj natyre rregullohen marrëdhëniet e individit me shoqërinë, raportet
    ndërmjet institucioneve dhe shoqërisë, individit dhe institucioneve, të gjitha
    realacionet komplekse, të brendshme dhe të jashtme të një shoqërie.
    Kontarata është parimi që një shoqëri e shndërron në shtet. Në varësi nga
    cilësia e kontratës, nga mënyra se si ajo i rregullon marrëdhëniet ndërmjet
    grupeve të ndryshme të interesit, atij ekonomik, finansiar, kulturor, etnik,
    religjioz etj. vlerësohet funksionaliteti i një shteti.
    Në shtetet demokratike legjitimiteti për përfaqësim të interesit të një grupi
    fitohet përmes zgjedhjeve, që në esencë janë kontrata që një parti politike
    ose një individ i lidh me elektoratin. Nëse pikat kryesore të kontratës nuk
    respektohen, atëherë shfaqet kriza në shoqëri.
    Kohët e fundit sociologët dhe politikologët kanë filluar ta përdorin nocionin
    ”shtete të dështuara” për ato formacione shoqërore që për shkaqe të
    ndryshme nuk funksionojnë si duhet.
    Një nga shkaqet kryesore që një shtet e bën jofunksional është injorimi,
    mohimi represiv dhe i vazhdueshëm i interesit të një segmenti në shoqëri që
    ka kapacitete të mjaftueshme ta kontestojë konceptetin e shtetit, kontratën
    që, për interesa vetjake, qëllimisht segregon një grup tjetër shoqëror që ka
    interesa të veçanta në atë shoqëri.
    Nëse ky segregim vazhdon dhe imponohet me dhunë, atëherë kriza është e
    paevitueshme dhe këto shtete pandalshëm shndërrohen në formacione të
    dështuara shoqërore.
    Njëri nga faktorët kyç që ka kapicitet (de)stabilizues në të gjitha shoqëritë
    është ai etnik. Shpërfillja e interesit të këtij faktori ndikon që elementet e
    këtij grupi shoqëror të tregojnë jolojalitet ndaj sistemit që shkakton
    distancën e rrezikshme etnike, ksenofobinë që përfundon me dyshime
    paranoike. Në këtë klimë, beteja ndëretnike mugullon në zona ilegale, në
    institucione joformale, ku hartohen projekte sekrete dhe merren vendime
    jolegjitime. Bie fjala, gjatë konfliktit të vitit 2001 në Maqedoni u suspendua
    instititucioni i Këshillit të Sigurisë nacionale ku merrnin pjesë edhe
    pjesëtarë të bashkësive të tjera etnike dhe u formua një institucion jolegal,
    jokushtetues, i ashtuquajtur “Kreu i shtetit”, ku merrnin pjesë vetëm
    pjesëtarë të komunitetit maqedonas. Ky anashkalim i Kushtetutës ndodh në
    shoqëritë ku komuniteti tjetër etnik perceptohet vazhdimisht si armik që
    duhet mbikqyrur, ose si kolonë e pestë, armik i brendshëm që duhet mbajtur
    në kontrollë.

    II . Rishfaqja e nacionalizmit
    Nacionalizmi ishte faktori që hyri në garë historike me ideologjinë
    komuniste. Në fund, për shkak të thjeshtësisë së ofertës (nacionalizmi ofron
    atë që je, atë që e ke, ndërkaq komunizmi, si ideologji totalitariste ofronte
    risi, njeriun e ri, atë që ende nuk je, apo ende s’e ke) garën historike e fitoi
    nacionalizmi. Pjesa dërmuese e komunistëve radikalë u bënë nacionalistë
    ekstremë).
    Proceset shoqërore, ekonomike, politike që u zhvilluan kohët e fundit
    dëshmuan përfundimisht se nacionalizmi luajti një rol të rëndësishëm
    historik, të paktën në dy drejtime:
    - në humbjen e kredibilitetit të ideologjisë komuniste dhe
    - në shpërbërjen e formacioneve federative shoqërore dhe krijimin e
    shteteve kombëtare.
    Nacionalizmi i popujve të Evropës lindore u shfaq në skenën historike me
    një energji dhe vitalitet të pandalshëm, kështuqë fare lehtë si ideologji e re, e
    afërt me mendësinë e shtresave të gjera shoqërore, e zëvendësoi atë
    komuniste që ishte kalcifikuar dhe molisur. Pakënaqësia e akumuluar në periudhën burokratike, represive komuniste,
    ndikoi që elitat e ndryshme, me ambicie të shfrenuara, me frymëzim dhe
    bindje të paluhatshme të fillojnë t’i formësojnë kauzat e tyre kombëtare.
    Meqë ky artikulim nisi në të njëjtën kohë, antagonizmi ndërmjet elaborateve
    nacionale (serbe, kroate, sllovene, boshnajke, maqedonase etj.) ishte i
    paevitueshëm. Nga ana tjetër, mitizimi i interesit kombëtar krijoi një situatë
    ku nuk mund të zhvillohej një debat racional. Ashtu si ndodh zakonisht, nëse
    një problem nuk zgjidhet racionalisht, atëherë vijnë pasojat iracionale: lufta,
    pastrimi etnik, vrasjet, dhunimet, shkatërrimet tragjedia që lehtë mund të
    evitohej.

    III. Kontrata shoqërore dhe shtetet federative
    Zëvendësimi i ideologjisë komuniste me atë nacionaliste ndodhi në të gjitha
    shtetet e Evropës lindore, por lufta shpërtheu vetëm në Jugosllavi dhe
    pjesërisht në BRSS (Rusi), pra në shtetet federative dhe jo në ato kombëtare.
    Shkakun duhet kërkuar te fakti se shtetet federative ndërtohen mbi kontrata
    komplekse, fragjile dhe të kushtueshme, ku parashikohen dhe garantohen të
    drejtat dhe obligimet e ndërsjella. Këto kontrata që lidhen ndërmjet popujve
    të ndryshëm nuk mund të jenë ideale dhe në vete përmbajnë interesa të
    politikës reale (gjerm. real politik), të politikës që e përfill kryesisht interesin
    e më të fortit. Nga ana tjetër vetë koha ndikon që segmente të caktuara të
    kontratës shoqërore të bëhen anakronike dhe që duhet të ndërrohen me
    zgjidhje më bashkëkohore. Nëse një formacion shoqëror federativ nuk
    ‘federon”, nuk i amortizon sfidat e kohës së re, nëse nuk pranon vlera të reja,
    atëherë kontrata e lidhur ndërmjet popujve, në vend që të ngjeshë
    kohezionin e brendshëm shoqëror, nxit fërkimet mbi baza etnike, që paraqet
    fazën më të hershme të një konflikti ndër-etnik. Ky është proces determinues
    që nuk mund të evitohet me retorikë të çfarëdo niveli. Sot Evropa po
    bashkohet, ndërkaq në shtetin ku janë instaluar institucionet e UE-së,
    zhvillohen proceset diversifikuese mbi baza etnike (flamanë dhe valonë).
    Mirëpo, niveli qytetërues, vetëdija demokratike e qytetarëve të këtij shteti
    ndikon që këto diversitete, antagonizma të zgjidhen me korrigjime të
    vazhdueshme të kontratës ndëretnike, ose, siç shprehen disa analistë, me
    “federim” të federatës.
    Shpërbërja e Jugosllavisë nga goditjet e nacionalizmave të popujve
    konstituivë, vetëvetiu hapi një problem që nuk arriti të zgjidhet në mënyrë
    racionale. Shpallja e referendumeve në çdo Republikë ishte në funksion të
    anulimit të kontratës federative dhe njëherësh të imponimit të kontratave të
    reja, por, pa pëlqimin e bashkësive të ndryshme etnike (që me pavarësimin e
    Republikave u shkëputën), pa vullnetin e tyre nga konteksti i mëparmë. Në Maqedoni ky proces u zhvillua lehtë-lehtë për shkak të pozitës së
    pavolitshme të shqiptarëve, si në Shqipëri, në Kosovë ashtu edhe në
    Maqedoni, por kjo s’do të thotë se këto tema nuk do të hapen në të ardhmen,
    veçmas nëse merret parasysh fakti se Kushtetuta e re e shtetit të ri u ndërtua
    mbi konceptet e vitit 1989, kur pozita e shqiptarëve në shoqëri u degradua
    arbitrarisht. Por, siç dihet nacionalizmi-nacionalizmin e zgjon.

    IV. Marrëveshjet pa shqiptarë
    Popujt sllavë të jugut, ashtu si popujt e tjerë të Ballkanit ishin një kohë të
    gjatë nën sundimin e huaj, të Perandorisë otomane ose Austro-Hungareze.
    Para dhe gjatë Luftës së parë botërore sllavët e jugut zhvilluan takime,
    konsultime dhe përfundimisht u morën vesh që ta themelojnë Jugosllavinë.
    Kjo kontratë fillimisht u arrit vetëm në mes të serbeve, kroatëve dhe
    sllovenëve. Shteti i ri që nga fillimi pati probleme me lojalitetin e popujve të
    papërfshirë në kontratë si dhe me ambiciet për hegjemoni të popullit
    dominant në shoqëri, të serbëve. Për ta ndrydhur këtë antagonizëm, të
    paevitueshëm për formacionet multi-etnike shoqërore, Qeveria e mbretërisë
    SKS-së nxorri Proklamatën, me të cilën i ngushtoi të drejtat demokratike dhe
    vendosi diktaturën mbretërore.
    Mosrespektimi i kontratës, mospërfshirja e popujve të tjerë në të, ndikoi që
    këtë shtet të sajuar në vitin 1941 të mos e mbrojë askush, madje pushtuesi i
    ri, nazi-fashist, u prit me lule dhe entuziazëm nga qytetarët në të gjitha
    krahinat e shtetit të përbashkët.
    Gjatë Luftës së dytë botërore, në vitin 1942 në Bihaq dhe në vitin 1943 në
    Jajcë, komunistët jugosllavë vendosën ta ringjallin Jugosllavinë që
    paraprakisht e trajtonin si krijesë artificiale. Në kontratën e re u përfshinë të
    gjithë popujt sllavë të jugut, serbët, kroatët, sllovenët, boshnjakët, malazezët,
    maqedonasit, madje në një vend përmendet edhe Sanxhaku. Siç shihet në
    këtë kontratë nuk përmendet Kosova dhe as shqiptarët. Arsyeja është e
    thjeshtë. Mbi baza të së drejtës për vetëvendosje shqiptarët, në konferencën e
    Bujanit, të organizuar nga Komiteti Krahinor i PKJ-së, më 31 janar të vitit
    1943, patën vendosur bashkë me delegatët serbë dhe malazezë të Kosovës që
    viset ku jetojnë shqiptarët t’i bashkohen Shqipërisë. Ky vendim, kjo kontratë
    më vonë në mënyrë të njëanshme do të anulohet në Mbledhjen e tretë të
    KAÇKJ (AVNOJ) të mbajtur në Beograd, më 7-10 gusht 1945.
    Po ashtu në Maqedoni, në manastirin Prohor Pçinjski, më 02 gusht (Ilinden)
    1944 mbahet Mbledhja Antifashiste për Çlirim të Maqedonisë (ASNOM,
    Antifasisticko Sobranie za Osloboduvanje na Makedonija) ku merren disa
    vendime, që ASNOM të jetë institucioni i vetëm vendimmarrës, që gjuha
    maqedonase të shpallet gjuhë zyrtare, që Ilindeni të shpallet ditë feste etj.
    Këto vendime i marrin 60 delegatë nga 116 sa ishin zgjedhur për të marrë
    pjesë. Prej tyre asnjë nuk ishte shqiptar. Sipas modelit të AVNOJ-it edhe
    ASNOM-i mbahen tri mbledhje radhazi ku merren vendime edhe për
    shqiptarët pa prezencën e tyre. Vendimet e këtilla të njëanshme, pamarrëveshje, pa kontratë, në vend që të sjellin paqe dhe mirëqenie, u
    shndërruan në kode torturuese.
    Sipas të gjitha gjasave, mospërfilljet e shqiptarëve kanë qenë në përputhje
    me vendimet dhe marrëveshjet ndërshtetërore për shpërnguljen e shqiptarëve
    në Turqi.
    Siç u theksua në hyrje, krizat në shoqëritë multietnike shfaqen kur një
    popull, me kapacitet demografik, ekonomik, politik, kulturor e demokratik
    nuk përfshihet në kontratën për ndërtim të shtetit, por margjinalizohet
    vazhdimisht duke shpikur forma të ndryshme për përtharje të perspektivave
    të tij.
    Shqiptarët e Maqedonisë, që në vazhdimësi jetojnë si popullatë shumicë në
    viset perëndimore të Maqedonisë, që në mënyrë të natyrshme ndërlidhen me
    viset tjera shqiptare të Kosovës dhe Shqipërisë, në mënyrë të pakuptimtë
    janë anashkaluar në momentet e vendimmarrjeve historike. Ky injorim,
    pothuajse kudo në botë shërben si pretekst që populli i margjinalizuar ta
    shfrytëzojë këtë shpërfillje për mosbindje qytetare ose për jolojalitet ndaj
    shtetit.
    Gjatë Jugosllavisë së dytë, udhëheqësia maqedonase, e mbështetur nga
    qendra e pushtetit, nga Beogradi ushtronte një politikë represive që i
    tejkalonte masat që merrte regjimi i Millosheviqit në Kosovë. Me këtë rast
    do të përmendim vetëm disa shembuj: ndalimi i emrave kombëtarë
    shqiptarë, ndalimi i përdorimit të toponimeve në variantin shqiptar,
    imponimi i paraleleve të përziera me qëllim që të shuhet arsimi në gjuhën
    shqipe, ndalimi i përdorimit të flamurit, reduktimi drastik i numrit të
    nxënësve në shkollat e mesme etj.
    Por, përjashtimi i shqiptarëve nga kontarata, ose shkelja e standardit
    bashkëkohor që shteti të ndërtohet mbi parimin e marrëveshjes, u manifestua
    edhe në raste vendimtare historike, si bie fjala në vitin 1989 kur, duke
    shfrytëzuar ofanzivën e nacionalizmit serb, u sollën një varg amandamentesh
    që supenduan një varg të drejtash të shqiptarëve të garantaura mekushtetutën e vitit 1974. Ky guxim, kjo arrogancë, kjo gatishmëri që të
    shfrytëzohet çdo oportunitet politik për t’i ngulfatur të drejtat dhe interesat
    legjitime të bashkëqytetarëve të tyre shqiptarë, pranë të cilëve jetojnë me
    qindra vjet, është faktori që në mënyrë ciklike i rrënon marrëdhëniet
    ndëretnike, besimin e ndërsjellë dhe vetë shtetin.
    Kjo arrogancë në raport me shqiptarët u shfaq në mënyrë edhe më të
    padurueshme me rastin e hartimit dhe miratimit të aktit më lartë juridik të
    një shteti, Kushtetutën e R. Maqedonisë, kontratës bazike që duhej t’i
    rregullonte relacionet komlekse në shoqëri. Deputetët, subjektet politike
    shqiptare dhe populli shqiptar në përgjithësi nuk u pajtuan me këtë kontratë
    që do të duhej t’i rregullonte marrëdhëniet ndërmjet dy bashkësive më të
    mëdha etnike, kështuqë vite me radhë Maqedonia u bë model tipik i një
    shoqërie konfliktuoze që përfundoi në vitin 2001 me konflikt të hapur.
    Shkaku i luftës ka mundur të jetë i çfarëdo natyre, por masivizimi i tij
    spontan dhe i rrufeshëm ishte indikator se marrëdhëniet ndëretnike paskan
    qenë të përkeqsuara tej mase, mirëbesimi i ndërsjellë nuk paska ekzistuar
    dhe se distanca etnike paska qenë ekstreme.
    Në vend që të analizohen shtruar shkaqet e kësaj dukurie që kishte kapacitet
    t’i rrënojë bazat e shtetit, subjekti politik maqedonas, institucionet e shtetit,
    sistemi informativ, shkaqet e këtij konflikti më me ëndje i kërkonin në
    teoritë e ndryshme të komplotit. Ata asnjëherë nuk e analizuan tërësinë e
    procesit historik, përjashtimin arrogant të shqiptarëve gjatë hartimit të
    kontratës për bashkëjetesë. Projekti maqedonas, prej ASNOM-it e këndej
    ishte injorimi total i kontributit të shqiptarëve në këtë segment të
    përkufizimit të konceptit të shtetit. Të drejtat që ofroheshin ishin në funksion
    të përtharjes të kulturës shqiptare.

    V . Konflikti i vitit 2001 dhe MARRËVESHJA E OHRIT

    Konflikti i vitit 2001 ishte i rrezikshëm për të dyja palët, jo vetëm për shkak
    të rrethanave të pavolitshme gjeostrategjike, por edhe për shkak se
    iniciatorët e konfliktit nuk kishin plan politik, ndërkaq kreu i shtetit s’dinte si
    të menaxhojë me situatën. Kjo situatë ndikoi që këto kontradikta të
    shndërrohen në mosdurim dhe urrejtje ndëretnike. Palët në konflikt, duke
    mos pasur kurajë për korrigjim të vlerësimeve, të paragjykimeve gjithnjë e
    më tepër e rëndonin dhe e thellonin krizën. Në atë kohë vetëm PDSH-ja pati
    guxim, vlerësim të saktë të situatës dhe ide se si duhet të dilet nga ky qark
    vicioz. Në dallim nga faktorët politikë maqedonas që konfliktin e shpjegonin
    me teori të ndryshme të konspiracionit ose me argumente që i demonizonin
    shqiptarët, si dhe në dallim nga nxitësit e luftës që përdornin argumente
    folklorike, të pakuptimta për faktorin ndërkombëtar, PDSH-ja hapi kapitullin
    që kishte të bënte me kritikën e mënyrës së krijimit dhe të ndërtimit të
    shtetit. Duke u ndërlidhur në paralajmërimet më të hershme për mundësinë e
    konfliktit ndëretnik në Maqedoni, duke sugjeruar arritjen e nje marrëveshjeje
    të domosdoshme historike ndërmjet dy bashkësive më të mëdha etnike,
    PDSH-ja e shtroi nevojën që shteti të ndërtohet mbi baza të një kontrate
    shoqërore ku në mënyrë precize do të garantoheshin të drejtat dhe obligimet.
    Ky ishte rrafshi i vetëm ku mund të zgjidhej ky konflikt, ngaqë variantet e
    mëparme, ku faktori shqiptar ishte mënjanuar nga të gjitha marrëveshjet,
    detyrimisht dështuan. Pra, PDSH-ja, duke i ikur ligjërimit njollosës argumentoi se Kushtetuta e R. së Maqedonisë, koncepti i shtetit është
    gjenerator i krizës dhe se pa korrigjimin e kësaj kontrate, Kushtetutës, nuk
    mund të zgjidhet kriza. Faktori ndërkombëtar e kuptoi drejt këtë qasje të
    PDSH-së ndaj krizës dhe fuqimisht e mbështeti kërkesën për negociata. Siç
    dihet, pas shumë hezitimesh të faktorit politik maqedonas, negociatat filluan
    në vilën presidenciale në Ohër, nën udhëheqjen e negociatorëve (pala
    maqedonase parapëlqente t’i quajë “olesnuvaçi”-lehtësuesit). Që në seancën
    e parë, pala maqedonase mbajti qëndrim, sa anokronik po aq edhe dogmatik,
    duke trajtuar shtetin si pronë etnike. U pa qartë se ata, të verbëruar nga një
    nacionalizëm posesiv, nuk kuptonin fare nevojën për një marrëveshje të
    arsyeshme, për parimet mbi të cilat do të ndërtohet shteti i përbashkët, pra
    për domosdoshmërinë e lidhjes së një kontrate përmes së cilës do të
    krijoheshin kushte për identifikim, lojalitet të të gjithë qytetarëve ndaj
    shtetit. Ishte e padurueshme klima politike, intelektuale, refraktare që e
    krijonte pala maqedonase. Ata ishin të pavetëdijshëm se prej fillimit mbanin
    pozicione antishqiptare. Kjo ishte e mishëruar në konceptet e tyre politike.
    Për ta ishte fare e kuptueshme që të mohojnë kërkesën e shqiptarëve për
    përdorim të plotë të gjuhës shqipe, për përfaqësim adekuat në institucionet
    dhe për shfrytëzim të barabartë të oportuniteteve të sistemit. Për ta,
    njëherësh ishte krejtësisht normale që pala shqiptare të tregojë përgjegjësi,
    konstruktivitet dhe korrektësi ndaj interesit maqedonas.
    Gjatë tërë procesit të bisedimeve u pa qartë dallimi në mendësinë e të dyja
    palëve: asaj refraktare, mohuese të përfaqësuesëve maqedonas dhe asaj
    kooperuese, afirmative të përfaqësuesve shqiptarë.
    Pas shumë debatesh, presionesh nga brenda dhe jashtë u nënshkrua
    Marrëveshja e Ohrit që në vete ngërthente një varg kontradiktash,
    inkonzistencash, segregimesh, që paralajmëronin se Marrëveshja, kontrata e
    parë e arritur mes këtyre dy komuniteteve do të jetë e pazbatueshme.
    Mjerisht koha tregoi se dyshimet ishin të sakta. Kjo gjithmonë ndodh dhe
    kur njëra nga palët kontarktuese nuk tregon vullnet për respektimin e
    kontratës. Te pala maqedonase, në të gjitha segmentet e shoqërisë sot e kësaj
    dite dominon bindja se konflikti i vitit 2001 ishte fryt i komplotit të jashtëm,
    se Kushtetuta fare s’është dashur të ndërrohej, se shqiptarët janë mercenarë
    për interesa të huaja, se në këtë konflikt janë të përzier faktorët e islamizmit
    (prandaj u vranë ata 7 pakistanezë) etj. Në këtë humnerë të dyshimeve u tret
    edhe vullneti i faktorit maqedonas, fillimisht për arritje të Marrëveshjes dhe
    pastaj për zbatimin e saj.
    Ky refuzim për rregullim të raporteve ndëretnike përmes një Marrëveshjeje
    të qëndrueshme dhe funksionale u shfaq në disa faza:

    - Në fazën e parë refuzohej nevoja për negociata dhe kërkohej miratimi
    i kërkesës për zgjidhje të krizës me mjete ushtarake, si e drejtë
    legjitime e një shteti për mbrojtje. Në vazhdë të këtij vlerësimi
    Qeveria e Maqedonisë importonte sasi të mëdha armatimi dhe
    ëndërronte që të kopjojë variantin kroat për qërrim të hesapave me
    shqiptarët;
    - Në fazën e dytë, kur u pa se nuk mund të evitohen negociatat, u
    përpoqën që ato të kenë profil të ulët, të quhen “bisedime”,
    ndërmjetësuesit të mos quhen “negociatorë”, por “lehtësues”;
    - Në fazën e tretë, gjatë bisedimeve kërkonin me kokëfortësi që sa më
    shumë t’i ngushtojnë kërkesat e shqiptarëve;
    - Në fazën e katërt, në atë të përmbylljes së negociatave, impononin
    formulime dualiste për të drejtat në përgjithësi, pastaj teknikën e
    reduktimit të të drejtave kushtetuese përmes ligjeve, të ligjeve me
    rregullore, dhe përfundimisht me refuzimin e mospërmendjes së
    masave ndëshkuese, në rast se Marrëveshja nuk zbatohet. Kjo fazë
    konceptuale e Marrëveshjes, e kontratës që do të duhej një herë e mirë
    t’i qetësonte antagonizmat ndëretnike, përfundoi me zgjidhje
    segreguese. Kjo më së miri shihet te e drejta për përdorim zyrtar të
    gjuhës shqipe që në krahasim me gjuhën maqedonase është segreguar
    pesëfish;
    - Në fazën e pestë përdorën metodën e opstrukcionit, të zvarritjes së
    implementimit përfundimtar të Marrëveshjes së Ohrit. Afati
    përfundimtar ka qenë viti 2004;
    - Në fazën e gjashtë, atë të nxjerrjes së ligjeve u modifikuan konceptet.
    Bie fjala, formulimi i qartë dhe i obligueshëm kushtetues se gjuha të
    cilën e flasin më se 20% të qytetarëve poashtu është në përdorim
    zyrtar u modifikua në variantin hipotetik ”mund” të përdoret.
    - Në fazën e shtatë u aktivizua mekanizmi i opstrukcionit burokratik,
    kështuqë kjo Marrëveshje u shndërrua në pseudo-marrëveshje.

    VI. Marrëveshja e re

    Maqedonasit, për shkak të përqindjes së lartë të shqiptarëve në strukturën
    demografike të shoqërisë, si dhe për shkak të paragjykimeve të trashëguara
    nga e kaluara, vazhdimisht i perceptojnë dhe i trajtojnë shqiptarët si element
    i huaj. Ky këndvështrim krijon një barierë psikologjike që i pengon ata të
    ballafaqohen me realitetin. Ngufatja, modifikimi i kërkesave të shqiptarëve
    me manipulime llojesh të ndryshme të grupacioneve parapolitike shqiptare
    që u legjitimuan në mënyrë të dyshimtë, është metodë pune që gjithmonë ka
    dështuar dhe do të dështojë. Në sistemet demokratike këto naivitete
    zbulohen lehtë, prandaj është e kotë që me kokëfortësi të përsëriten gabimet
    e njëjta. Tashmë është e sigurt se nuk ka gjasa që shqiptarët të zhduken nga
    këto hapësira, ashtu si imagjinojnë disa politikanë, është e sigurt se
    shqiptarët nuk do të mund të asimilohen, është e sigurt përfundimisht se ata
    nuk do të heqin dorë nga kërkesa që të jenë të barabartë në shoqëri, nga
    kërkesa që sistemi të ofrojë oportunitete të njëjta të gjithë qytetarëve.
    Kërkesa për marrëveshje të re është pasojë e modifikimit të palejueshëm të
    Marrëveshjes së Ohrit, aq më tepër që afati i saj ka skaduar.
    Modifikimet janë bërë në segmentet kryesore të Marrëveshjes së Ohrit, në
    përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe, në përfaqësimin adekuat të shqiptarëve
    në sistem, që fshihet në mënyrë tinëzare me të dhëna të paverifikueshme
    statistikore, në konceptin e decentralizimit, në funksionimin e mekanizmit të
    konsensusit (vetos etnike), pastaj në mosrespektimin e ligjit për amnisti,
    obligim që, megjithatë buron nga Marrëveshja e Ohrit, ashtu si masat e tjera
    për krijim të kushteve për mirëbesim të ndërsjellë, siç ishte ideja e
    risocializimit të ish pjesëtarëve të konfliktit të vitit 2001.
    Raportet shqiptaro-maqedonase kategorizohen në tri periudha
    historike. Në atë të parën, ata ishin në të njëjtën pozitë, të bashkuar kundër
    sunduesit të përbashkët, osmanëve (Republika e Krushevës), serbëve
    (Jugosllavia e parë), në atë dytën maqedonasit janë në aleancë anti-shqiptare,
    kryesisht me serbët, në atë të tretën vazhdojnë strategjinë e periudhës së
    dytë, por të vetmuar, pa përkrahjen doktrinare, financiare dhe ushtarake të
    aleatëve të mëparshëm. Këtë pohim e vërteton fati i Marrëveshjes së Ohrit, e
    cila u shndërrua në mosmarrëveshje etnike të radhës. Këto cikle shkaktohen
    nga ambiciet joreale të maqedonasve që vazhdimisht përpiqen t’i
    margjinalizojnë shqiptarët dhe ta përmirësojnë standardin e tyre jetësor në
    kurriz të shqiptarëve. Tani më këtij sistemi të ngritur mbi interesa të
    bashkësisë dominante etnike i ka ardhur fundi. Maqedonia moderne,
    evropiane duhet të pajtohet me realitetin e brendshëm dhe të ndërtojë një
    sistem të barazisë së plotë.
    Kërkesa për marrëveshje të re, krahas konstatimit se Marrëveshja e Ohrit
    dështoi në implementim, ndonëse luajti rolin kyç në shuarjen e konfliktit,
    mbështetet edhe në faktin e ekzistimit të realiteteve, standardeve të reja për
    zgjidhje të kontesteve ndër-etnike në rajon, siç është Pakoja e Ahtisarit, ku
    parashikohen garanci të plota për ruajtjen e trashëgimisë kulturore serbe dhe
    barazinë e tyre të plotë në sistem.
    Zakonisht marrëveshjet pa mekanizma për implementim të tyre mbeten fjalë,
    retorikë që përkeqëson edhe më shumë situatën brenda një shoqërie.

    Marrëveshja e re, kontrata e re që do t’i përkufizojë të drejtat dhe obligimet
    e ndërsjella të shqiptarëve dhe maqedonasve duhet të garantojë:
    1. Zbatimin e plotë dhe në afat të caktuar të pikave të marrëveshjes
    (kontratës). Në këtë vijë duhet të nxirret një ligj i veçantë ku
    parashikohen masa ndëshkuese për shkeljet dhe zvarritjet, për të gjitha
    manipulimet që ndikojnë që një e drejtë të bëhet e pashfrytëzueshme;
    2. Barazinë e plotë dhe përfaqësimin e drejtë të shqiptarëve në sistem, si
    në shfrytëzimin e begative të sistemit, ashtu edhe në vendimmarrje.
    Kjo fushë do të kontrollohet me parimin e konsensusit të plotë. Këtu
    bën pjesë edhe ndarja proporcionale e buxhetit. Nëse kjo ndarje nuk
    do të ishte e barabartë, të drejtat e ofruara, ashtu si u theksua më lart,
    do të shndërrohen në oferta të parealizueshme;
    3. Përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe pa segregime fyese;
    4. Përfaqësimin e drejtë të kontrolluar;
    5. Marrëveshjen që njëri nga tri postet kryesore të shtetit (presidenti,
    kryeministri, ose kryetari i Parlamentit) t’i takojë përfaqësuesit
    shqiptar;
    6. Ligjin e ri për funksionim konsensual të Qeverisë;
    7. Decentralizimin e njëmendtë në vend të dekoncentrimit që krijon
    iluzionin se mjetet buxhetore janë decentralizuar;
    8. Ndarjen e re territoriale që merr parasysh aspektin etnik, kulturor,
    ekonomik, infrastrukturor;
    9. Themelimin e institucioneve në funksion të zhvillimit të vlerave
    kulturore shqiptare;
    10. Respektimin e përpiktë të konceptit sekular të shtetit;
    11. Deetnizimin e simboleve të shtetit, të himnit, të stemës dhe të
    simboleve të tjera shtetërore;
    12. Përcaktimin strategjik dhe pa ekuivoke për integrim në NATO dhe
    UE.

    VII. PËRMBYLLJA

    (Mesazhi i Kryetarit të Partisë)
    Jam i vetëdijshëm se shumë faktorë këto kërkesa mund t’i cilësojnë si të
    papritura, befasuese, por të gjitha këto “argumente” s’do të kenë peshë në
    krahasim me manipulimet që Qeveritë e ndryshme maqedonase me dekada
    të tëra i kurdisnin kundër shqiptarëve;
    Jam i vetëdijshëm se kundër kësaj iniciative, si zakonisht kur shtrohen
    kërkesa të këtilla të qarta, mund të jenë shumë faktorë, të brendshëm dhe të
    jashtëm, por si drejtues i një Partie që në Programin e vet është obliguar që
    t’i artikulojë interesat kombëtare, krijimin e shtetit që u ofron shërbime të
    barabarta të gjithë qytetarëve, si drejtues politik i një Partie që pa dilema
    është përcaktuar për vlerat demokratike, për integrim në UE dhe NATO,
    kam obligimin dhe vendosmërinë e paluhatshme që t’i kundërshtoj të gjitha
    mashtrimet fyese që sot i bëhen popullit shqiptar në Maqedoni si dhe vlerave
    demokratike;
    Jam i vetëdijshëm dhe i bindur se sot në Maqedoni zhvillohet një politikë e
    papërgjegjshme që sfidon paqen në të gjitha planet, si në atë të brendshëm,
    me shqiptarët, ashtu edhe në atë të jashtëm me fqinjët, prandaj e shoh të
    udhës që të dërgoj një porosi të qartë, politikisht dhe moralisht legjitime, se
    populli shqiptar më nuk mund të jetë peng i politikave populliste qoftë të
    palës maqedonase apo të asaj shqiptare, që politikën e perceptojnë
    ekskluzivisht si pjesëmarrje në pushtet;
    Jam i bindur se ka ardhur koha që interesi jetik i popullit maqedonas të
    mbrohet nga ata vet, nga ambiciet joreale të konjunkturës qeverisëse;
    Jam plotësisht i vetëdijshëm se me kërkesën për ripërtërirje të kontratës do
    të evitohen jo vetëm fërkimet ndëretnike që sa vijnë po shtohen, por edhe
    zgjidhjet radikale që zakonisht shfaqen pas dështimit të marrëveshjeve;
    Përfundimisht jam plotësisht i bindur se kjo kërkesë e PDSH-së e stabilizon
    Maqedoninë, rajonin, demokracinë dhe vlerat e shoqërisë së hapur.


    Kryetari i PDSH-së
    Menduh THAÇI
    Sui generis

  2. #2
    Evidenca Maska e RaPSouL
    Anëtarësuar
    09-03-2006
    Vendndodhja
    Gjermani
    Postime
    17,464
    PDSH për Parlament dydhomësh


    Shkup, 20 maj – Me moton “Hajdeni me ne”, Partia Demokratike Shqiptare në tubimin zgjedhor të së premtes në Butel të Shkupit, u bëri thirrje qytetarëve që më 5 qershor të ndëshkojnë sundimin e VMRO-DPMNE-së dhe të BDI-së.
    ”Qeveria e VMRO-DPMNE-së dhe BDI-së duhet të shkojë më 5 qershor. Është koha e fundit që të përfundojnë të gjitha poshtërimet dhe shantazhet që u janë bërë shqiptarëve në Maqedoni në vitet e fundit. Është koha për reforma dhe ndërtimin e një shteti të ri me zhvillim ekonomik dhe hyrje në strukturat euro-atlantike. Votoni për të drejtat e shqiptarëve, ne do ta shpëtojmë popullin nga varfëria, nga shantazhet dhe kërcënimet, atë që e bën BDI çdo ditë. Nuk do të lejojmë askënd të luajë me ne”, tha para të pranishmëve Thaçi. Ai theksoi se BDI aspak nuk po e sheh se çfarë po ndodh në terren, sepse, siç tha ai, ajo ka rolin e vasalit në Qeveri. Nuk do të durojmë më poshtërim të tillë, potencoi Thaçi, që fillon nga shpërndarja e buxhetit, ndërtohen kisha dhe monumente në vendet e banuara me shqiptarë. “Të gjithë kësaj do t’i japim fund. Në platformën tonë ne ofrojmë reformë të të gjitha institucioneve, parlament dydhomësh”, shtoi Thaçi.
    Në miting u prezantuan kandidatët për deputetët të njësisë së dytë zgjedhore, bartës i së cilës është Orhan Ibrahimi.
    Karavani i PDSH-së zbarkoi në qytetin e Kongresit, Manastirin dhe qytezën e Resnjës
    Karavani i PDSH-së me moton “Hajdeni me Ne” zbarkoi në qytetin e Kongresit, Manastirin dhe qytezën e Resnjës.
    Para simpatizantëve dhe elektoratit të pranishëm në Manastir dhe Resnjë foli Kryetari i Kuvendit Qendror të PDSH-së z. Arbër Xhaferi. Ai theksoi nevojën për përgjegjësi në politik.
    “Nëse politika nuk ka obligim ndaj përkrahësve dhe popullit në përgjithësi, atëherë ajo humb legjitimitetin e vet. Është lehtë që të zhvillohet një politikë kombëtare në Tetovë, mirëpo është rëndë që e njëjta qasje të praktikohet në periferi të territoreve shqiptare, ku përqendrimi i tyre është i vogël. Së këndejmi PDSH-ja zhvillon një politik të përgjegjshme, që e merr parasysh tërësinë e interesave të popullit shqiptare në Maqedoni”.
    Kryetari i Kuvendit Qendror të PDSH-së, z. Arbër Xhaferi bëri një analizë të politikës së qeverisë ndaj Marrëveshjes së Ohrit. Ai theksoi se:
    “Kësaj marrëveshje i skadoi afati, jo vetëm se nuk u respektuan afatet e implementimit të saj, por edhe për shkak të shumë modifikimeve të neneve që kanë rëndësi thelbësore për interesat e shqiptarëve. Me këtë rast ai bëri krahasimin ndërmjet nenit kushtetues dhe nenit ligjor. Në kushtetutë gjuha shqipe trajtohet si gjuhë zyrtare dhe obliguese, ndërkaq në ligj relativizohet dhe merr karakter hipotetik: që do të thotë: mundet apo s’mundet të jetë në përdorim zyrtar. Kjo është ndryshim rrënjësor i Marrëveshjes së Ohrit dhe kushtetutës”
    Po kështu ai bëri analizën e funksionimit të ligjit për amnesti, të cilin vet BDI e abrogoi, kur kërkoi që dy deputetët e kësaj partie të heqin dorë nga imuniteti që të gjykohen edhe pse ligji për amnesti këtë nuk e lejon.
    z. Xhaferi foli gjithashtu për format e ndryshme të segregimit të shqiptarëve, si në segmentin e ndarjes së buxhetit, po ashtu edhe në mekanizmat e tjerë të segregimit. Ai qartësoi se kjo dukuri është e planifikuar dhe kursesi e rastësishme, ashtu siç përpiqet të paraqesë qeveria.
    Në vazhdim fjalën e mori bartësi i listës së PDSH-së për njësinë zgjedhore numër 5, z. Zijadin Sela, i cili tha:
    “Ne kemi ardhur të kerkojmë mbështetjen e Juaj për të legjitimuar platformën e PDSH-së, ndërsa oponentët tanë sëpari duhet të ju japin llogari për veprimet e tyre dhe pastaj të kërkojnë votën sërish.
    BDI i ka borxh popullit sqarimin për: votimin e ligjit për natalitet, ligjin që diskriminon përdorimin e gjuhës shqipe, enciklopedinë maqedonase dhe me përmbajtje fyese, maqedonishten nga klasa e parë, evidencën pedagogjike në gjuhë maqedone, projektin “Shkupi 2014”, Kishën në Kalanë e Shkupit dhe shumë ligje dhe projekte të tjera anti-shqiptare. Të gjitha këto i miratuan ata me ngritjen e gishtave në Parlament”.
    “Ne si PDSH, kemi qenë prezent dhe do vazhdojmë të jemi në mes jush edhe në të ardhmen. Jemi këtu për të ju dhënë një porosi Juve dhe atyre që kanë projekte kundër jush. Ne do kujdesemi dhe do të mbrojmë çdo shqiptar kudo qe ndodhet ai, në Manastir, Resnjë apo në Dollnen” – përfundoi Sela.

    Shqipmedia
    Sui generis

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •