Postuar më parë nga
RaPSouL
Shtohet Kriminaliteti në Maqedoni
Në Maqedoni nuk ka ditë që nuk regjistrohet ndonjë grabitje apo edhe më shumë, të një banke, poste, bastoreje, pompe benzine apo edhe shtëpive private. Lajmet e përditshme të kësaj natyre japin fotografinë e një vendi të pasigurisë që koinçindon me Teksasin e dikurshëm amerikan të kaubojve famëkeq.
MPB thekson se vepron në mënyrë aktive dhe profesionale për gjetjen e rasteve, mirëpo ajo ka shprehur kritika që edhe pronarët e bizneseve, sidomos bankave dhe objekteve të mbajnë llogari për masat e sigurisë, vendosjen e kamerave dhe sigurimin e agjencive të sigurimit Kronika e zezë në vend nuk mbetet një ditë të mos regjistrojë një grabitje të bizneseve. Bankat, bastoret, postat, pompat e benzinës, por edhe shtëpitë private janë caqet e grabitësve.
Vetëm gjatë kësaj jave janë regjistruar disa raste të grabitjeve, edhe ate të konfirmuara zyrtarisht në buletinin e përditshëm të Ministrisë së Punëve të Brendshme.
Rritja e vazhdueshme e grabitjeve ka shtuar shqetësimin tek bizneset, të cilët nuk shohin siguri në kryerjen e aktiviteteve të tyre të biznesit. Bankat edhe përkundër pranisë së rojeve të sigurimit, prapë se prapë janë cak i sulmeve dhe grabitjeve, pasi që një pjesëtar i sigurimit i vetëm në ambientet e bankës në mënyrë shumë të lehtë bllokohet nga grabitësit e perfeksionuar.
Ndërkaq, postat, bastoret dhe dyqanet e tjera janë pa roje sigurie dhe ato shumë lehtë pushtohen nga grabitësit e armatosur. Por, organizatat joqeveritare vlerësojnë se grabitjet gati të përditshme mund të krahasohen me vendet me stabilitet dhe institucionet tejet të ulëta, apo siç rrjedhë konstatimi i tyre se po rikthehen pamjet e “Teksasit” amerikan të kaubojve të shekullit 18 dhe 19.
“Të krahasojmë Maqedoninë me Teksasin paksa është ironike, por njëkohësisht ky konstatim mund të vlerësohet edhe si i saktë, për fat të keq. Organizata jonë me vite ka paralajmëruar se kulti ndaj armës, erozioni ekonomiko-social, kulturor dhe politik nxisin interesin për të pasur dhe përdorur armën e zjarrit. Motivet për të pasur një armë janë të ndryshme, por para se gjithash kjo ka të bëjë me mosbesimin e qytetarëve në institucionet e sistemit, si dhe problemet në domenin e marrëdhënieve midis bashkësive etnike. Në këtë rrethana, duke përfshirë edhe rritjen e krizës ekonomiko-sociale, dhe kur sistemi i shtetit nuk din apo nuk dëshiron t`i përgjigjet nevojave themelore të qytetarëve për qetësi, siguri dhe jetë të dinjitetshme, atëherë zgjidhja kërkohet tek arma, edhe atë te armët jolegale”, ka theksuar Xhabir Deralla, kryetari i Shoqatës “CIVIL”.
Sipas tij, të gjithë këto faktorë ndikojnë në rritjen e pasigurisë dhe mosbesimit në përgjithësi, por sidomos tek bizneset.
“Biznesmenët nuk dëshirojnë të rrezikojnë të investojnë në pjesët e rrezikshme të qytetit apo të shtetit. Ashtu siç po ecin punët, institucionet shtetërore po kujdesen vetëm për pagesën e tatimeve dhe për shpikjen e mënyrave të reja për të ndëshkuar biznesmenët, dhe nuk i kushtojnë kujdes sigurisë dhe zhvillimit të bizneseve në vend”, nënvizon Deralla.
Ministria e Punëve të Brendshme ka pranuar faktin se kohëve të fundit kanë ndodhur shumë raste të rrëmbimeve dhe grabitjeve.
MPB ka nënvizuar se kohëve të fundit ka realizuar takime me përfaqësues të bizneseve, sidomos bankave, zyrtarët e të cilave kanë përfituar sugjerime dhe vlerësime se si duhet të sigurohen nga rrëmbyesit dhe grabitësit. Sipas statistikave jozyrtare të MPB-së, nga fillimi i vitit 2010 janë shtuar rastet e grabitjeve dhe rrëmbimeve, mirëpo paralajmërohen gjatë periudhës së ardhshme shifra zyrtare.
(INA)
Krijoni Kontakt