-
Tetovarja me master të dyfishtë që i’a kanë lakmi edhe vajzat zvicërane
Lirija nuk e ka harruar atdheun e saj por ka zbuluar se atij mund t`ia bëjë një shërbim më të madh nëse do të jetë e suksesshme në Zvicër
Lirije Alija është një shembull konkret se si me një vullnet të madh, me ca guxim dhe me disiplinë të palodhshme, mund të pushtohet bota. Në moshën e njomë, 18 vjeçare, Lirija braktis vendlindjen, Tetovën dhe fillon në perëndim një rrëfim të pabesueshëm suksesi.
Qysh heret, sa ishte ende në Maqedoni, ishin parë prirjet e Lirijes dhe kështu ajo qe bërë nxënësja e parë të cilës i qe mundësuar kalimi nga klasa e shtatë e fillores në shkollën e mesme.
Kjo ishte atëbotë një boom i madh, kujton sot Lirija, që asokohe kishte qenë 13 vjeçare.
Edhe pse disa mësues kishin dilema dhe nuk mundeshin të merrnin me mend se kjo vajzë e re – e cila që atë kohë kishte fituar shumë gara matematikore të realizojë këtë kërcim dhe që të dëshmojë veten në shkollën e mesme – kjo nuk e dëshpëroi Lirijen dhe të gjithë skeptikëve ua dëshmoi të kundërtën.
Për të studiuar jashtë vendit ajo kishte ëndërruar shumë kohë më parë. Dhe kjo ëndërr iu realizua në moshën 18 vjeçare.
Studimet si studente e huaj i ka filluar në Zvicër, ku së pari ka kryer vitin përgatitor dhe provimet plotësuese për t`iu lejuar studimet në universitetet zvicerane. Gjatë atij viti, Lirija ka mësuar gjuhën gjermane dhe pas dhënies së provimeve ka filluar vitin e parë të studimeve të ekonomisë në Universitetin e Cyrihut.
Vitin e dytë e ka absolvuar në Gjermani, në Universitetin e Konstancës dhe të tretin në Univesritetin e Vjenës, në Austri ku ajo, me dy punime bachelor, ka diplomuar në shkencat ekonomike.
Por, edhe pas katër vitesh të kaluara në tri vende të ndryshme, etja e Lirijes për dituri nuk ishte shuar.
Lirija u regjistrua në Universitetin e Friburgut për një master në ekonomi. E entuziazmuar me suksesin e saj, Lirija e kap këtë shans dhe dëshmon se ajo mundet dhe dëshiron të bëjë edhe shumë më tepër. Kështu, ajo konkurron për një master të dytë në Finlandë. Është fjala për një drejtim elitar ku depërtojnë vetëm studentët me nota dhe cv të shkëlqyera.
Në Finlandë Lirija do të fillojë studimet nga shtatori , me një bursë të plotë zvicerane dhe atje do të specializojë më tutje.
Me studimet në Finlandë dhe me kursin e studimeve të filluar në Fribourg, Lirija është njëra nga gjithsej dy studentet të cilave po u mundësohet masteri i dyfishtë në “Public Economics and Public Finance”. Një sukses i pabesueshëm për të cilin kjo e re rrëfen me një modesti të pabesueshme.
Krahas punës së saj të palodhshme në studime, Lirija i ka kushtuar shumë kohë dhe përpjekje edhe projekteve jashtëshkollore. Janë13 projekte të ndryshme, në të cilët ajo, veç tjerash ka qenë edhe udhëheqëse dhe të cilat i ka prezantuar edhe në konferenca të mëdha.
Edhe pushimet verore në Maqedoni, Lirija i shfrytëzon për avancim të arsimimit të saj dhe kështu ka absolvuar një praktikum në Dhomën Ekonomike Gjermane në Maqedoni.
Në muajin gusht, Lirija me projektin e saj “Decentralizimi në Maqedoni” do të marrë pjesë në seminarin e organizuar nga DEZA, “Federalizmi, decentralizimi dhe zgjidhja e konflikteve”.
Të gjitha këto suksese kanë qenë të lidhura me shumë punë dhe kanë kërkuar qëndrueshmëri të jashtëzakonshme të vullnetit.
Lirija më tregon për një rast i cili duket t`i ketë lënë mbresa dhe që na dëshmon ne të gjithëve se “Ajo që nuk na mbyt, na bën më të fortë”.
Në vitin e saj të parë në Universitetin e Cyrihut ajo kishte ndjekur një kurs të jashtëm, gjatë të cilit i kishte ndodhur diçka që atë e kishte sjellë deri në prag të dorëzimit. Lirija, e cila gjithmonë ka qenë nxënëse shembullore, nuk ishte mësuar që gjatë leksioneve të fshihej në rreshtat e fundit. Dhe, për shkakun se ajo kishte vetëm një vit që po mësonte gjermanishten, dukej e vështirë të bënte ndryshe. Kur ajo në këtë kurs kishte shtruar njhë pyetje dhe, për shkak të gjermanishtes së saj ende të mangët, kishte përpiluar gabimisht fjalinë, ishte përqeshur pa mëshirë nga kolegët.
Në atë rast ajo qe ndjerë aq keq saqë për pak nuk i kishin shpërthyer lotët dhe në atë moment ishte betuar se do ta braktiste kursin, t`i bartte plaçkat dhe kurrë më të mos kthehje në atë kurs.
Në pauzë ajo doli, eci njëherë rreth godinës shkollore dhe i tha vetes se nuk e kishte bërë gjithë atë rrugë dhe gjithë ato përpjekje që tash, për shkak të një momenti shumë të pakëndshëm, të dorëzohej. Mblodhi gjithë guximin, u kthye mbrapa dhe përfundoi kursin.
Një vit më vonë ajo “mori hakun” me suksesin e arritur. Kur u kumtuan rezultatet, iu afrua njëri nga ata kolegët që e kishin përqeshur dhe i kërkoi falje për rastin. Veç kësaj, ai e pyeti Lirijen nëse ajo mund ta ndihmonte atë, pasi që, për ndryshim nga Lirija, ai nuk e kishte kaluar provimin. Lirija, me krenari të madhe kishte pranuar dhe e kishte përjetuar me kënaqësi këtë moment, kujton ajo sot.
Kjo, krahas mallit për vendlindjen, vetminë dhe stresin gjatë gjithë këtyre viteve, ka qenë pikë kthese, thotë ajo sot, kthesë nga e cila ka mësuar shumë dhe që e ka forcuar jashtëzakonisht shumë për veprimet e saj.
Të ardhmen e saj, studentja e gllabëruar nga shkenca ekonomike e sheh si studiuese në lëmin e financave. Në Bankën Nacionale ose në Departamentin Federal të Financave.
Lirija nuk ka ardhur në Zvicër për të mbetur këtu, por, edhe pse është larg nga atdheu, ajo nuk mund ta paramendonte më një jetë jo dinamike për veten. Një dinamikë e tillë asaj do t`i mungonte në Maqedoni.
Lirija nuk e ka harruar atdheun e saj por ka zbuluar se atij mund t`ia bëjë një shërbim më të madh nëse do të jetë e suksesshme në Zvicër.
Lirije Alija, një shqiptare, e cila me suksesin e saj dëshmon se çfarë mund të arrijë një vajzë e re nga fshati Xhepçisht i Tetovës, me vullnet, disiplinë, zell dhe guxim, duke bërë të gjithë komunitetin që të krenohet me të.
Shqipmedia
-
-
i/e regjistruar
shkolla eshte biznes. dipllomat kudo po shiten. fitusit jane vetem pronaret e universiteteve.
diplloma eshte e mire vetem per ta var ne mur.
ca di me bo per tetoven lirija me gjithe kete shkolle?
-
-
Punësimet në ‘8 shtatori’, nga 16 mjekë asnjë shqiptarë
Në procedurë e sipër janë 200 punësime të reja në sektorin publik shëndetësor që zbatohet sipas Ligjit të ri të mbrojtjes shëndetësore që hyri në fuqi në mars të këtij viti. Sipas ligjit, të gjithë që duan të punësohen në shëndetësinë publike duhet të japin provim profesional i cili sjell 40 pikë, pastaj provimin për njohjen e anglishtes që sjell 20 pikë, kurse parasyshë merret edhe mesatarja e tyre që sjell 40 pikë. Në spitalin e përgjithshëm të qytetit “8 Shtatori”, për 26 vende punë prej të cilëve 16 mjek dhe 10 për laborant, teknik dhe infermierë në rrethin më të ngushtë ka hyrë vetëm një shqiptar si infermier, pra prej 16 mjekëve asnjë nuk është shqiptarë
“Tek infermierët kemi tre kandidatë për një vend pune, ne vendosëm për një shqiptar të ri i cili u tregua si më i mirë deri më tani dhe mendoj se Komisioni njëzëri do t’i jap përparësi këtij personi i cili tek ne është më shumë se 24 muaj”, tha Sasho Stojçev, drejtor i spitalit “8 shtatori”.
Kush do të pranohet në punë në spitalin “8 Shtatori” duhet të dihet pas 1 jave. Ligji i ri i mbrojtjes shëndetësore, sipas të cilit bëhet punësimi, në këtë rast nuk është në pajtim me amendamentin 6 të Kushtetutës së RM-së në të cilin thuhet se duhet të ketë :
“Përfaqësim adekuat dhe të drejtë të qytetarëve që i takojnë të komuniteteve në organet e pushtetit shtetëror dhe në institucionet tjera publike në të gjitha nivelet”.
Sipas ministrit të shëndetësisë Nikolla Todorov gjatë punësimeve në vend të parë duhet të jetë profesionalizimi i mjekëve, e jo përkatësia e tyre etnike.
“Ligji nuk shkelet me dispozitën e kushtetutës, unë nuk them se nuk duhet të jenë të përfaqësuar të gjitha bashkësitë etnike, duhet të jenë, ky është qëndrimi im, por duhet të përfaqësohen të gjitha bashkësitë etnike në pajtim me cilësinë e testimeve që do t’i bëjnë, sepse shëndetësia është një sistem i ndjeshëm dhe atje duhet të zgjidhen ata që kanë më shumë dije dhe përvojë, pavarësisht nga cila bashkësia etnike vijnë”, tha Nikolla Todorov, ministër i shëndetësisë.
Sipas ministrit, nuk duhet të bëhet diskriminimi dhe se duhet të punësohen më të mirët, sepse nga cilësia e tyre varet edhe cilësia e shërbimit shëndetësor dhe cilësia e jetës së pacientit.
Alsat M
-
-
Rektori, inspektorati vërteton parregullësitë
Inspektorati shtetëror i arsimit ka konfirmuar dokumentin të cilin një ditë më parë e zbuloi Alsat-m, ku thuhet se rektori aktual i USHT-së Vullnet Ameti, në mënyrë të paligjshme ka fituar gradën shkencore ‘Docent’. “Lidhur me mbikëqyrjen pas parashtresës me numër 21-136/20 nga 26.04.2011, është konstatuar shkelje e nenit 135 të ligjit për arsim të lartë, si dhe nenet 89 dhe 96 nga Statuti i Universitetit Shtetëror të Tetovës. Për të njëjtën është parashtruar kërkesë deri tek Gjykata themelore Tetovë”, thuhet në përgjigjen me shkrim të inspektoratit.
Ndërkaq sa për ilustrim, neni 135 i ligjit për arsim të lartë parashikon:
“Më së voni gjashtë muaj para skadimit të afatit gjatë kohës kur është kryer zgjedhja për titullin akademik-shkencor, shkencor, akademik respektivisht titullin e bashkëpunëtorit, rektor, dekan, respektivisht drejtori shpall konkurs për zgjedhje të gjithë titujve akademik-shkencor, shkencor, akademik, respektivisht tituj bashkëpunëtor. Gjatë zgjedhjes nga alineja 1 i këtij neni zbatohen dispozitat e këtij ligji për zgjedhjen e titujve akademik-shkencor, shkencor, akademik dhe titujve bashkëpunëtoër...”
Ndërkaq në bazë të neneve 89 dhe 96 të Statutit të Universitet shtetëror të Tetovës kontestohet edhe angazhimi i Vullnet Ametit si anëtar i Senatit të USHT-së. Pra sipas dokumentit të Inspektoratit shtetëror të Arsimit me datë 26.04.2011 Vullnet Ameti, në mënyrë të paligjshme e ka fituar titullin docent si dhe në mënyrë të paligjshme është bërë anëtar i Senatit të Universitetit. Respektivisht në dokumentin që mban numrin 21-136/20 qëndron: “Lidhur me angazhimin e d-r Vullnet Ameti, si anëtar i Senatit të USHT-Tetovë, i njëjti ka vendim për ngrirjen e marrëveshjes për punësim për shkak të zgjedhjes si deputet në Kuvendin e R. Maqedonisë, dhe në mënyrë të paligjshme në atë periudhë është zgjedhur me titull docent i Fakultetit për kulturë fizike pranë USHT-Tetovë dhe është angazhuar për shërbime intelektuale. Inspektorati shtetëror pranë Ministrisë së Arsimit, gjatë inspektimit ka konstatuar paligjshmëri, dhe për shkak të shkeljeve ligjore ka parashtruar kërkesë me numër 21-136/16 nga 13.04.2011 për ngritjen e procedurës kundërvajtës deri te Gjykata Themelore, Tetovë”.
Alsat-m kërkoi prononcim nga inspektorati shtetëror për arsim të sqarojë nëse përkundër këtyre paligjshmërive gjatë fitimit të titullit shkencor docent dhe angazhimit të tij si anëtar i Senatit, Vullnet Ameti mund të kryej funksionin në të cilin është zgjedhur aktualisht ushtrues i detyrës rektor i Universitetit Shtetëror të Tetovës, por Inspektorati akoma nuk ka asnjë përgjigje. Sot as rektori i USHT-së Vullnet Ameti nuk pranoi të prononcohet lidhur me këtë çështje, ndërkaq një ditë më parë zv/ministri i arsimit Safet Neziri tha se gjatë zgjedhjes së Ametit në këtë post janë respektuar të gjitha dispozitat ligjore.
Alsat M
-
-
Diplomat, Alsat ‘ia hap sytë’ USHT-së’
Përfundoi saga e dhënies së diplomave në Universitetin Shtetëror të Tetovës. Por për këtë u dështën plot tre javë sensibilizim nga televizioni Alsat që të bindet zëdhënësi e USHT-së Selam Sulejmani se megjithët diplomat nuk jepen sa çel e mshel sytë siç pretendoi ai edhe gjatë ndarjes së sotme të diplomave me dizajnë të ri.
“Shpresoj që Televizioni Alsat ta ketë regjistruar këtë pamje që u kry sa hap e mbyll sytë”, deklaroi Selam Sulejmani, zëdhënës i USHT-së.
Por nga përsëritja e kësaj fraze nga ana e tij mund të konstatohet se Selamit u janë dashtur plotë tre javë kohë për të hapur sytë që të njoftohet me problemin real që kanë qindra stundetë të diplomuar të USHT-së. Në mesin e atyre që sot mori diplomën ishte edhe Kadri Kamberi studenti i cili madje kishte humbur një vit për t’i regjistruar studimet pos-diplomike në Gjermani për shkak të mungesës së diplomës. I ati i tij tha se pa ndihmën e Alsatit, as që do të mund të merrte sot diplomaën e djalit të tij
“Së pari e falënderoj shumë Alsatin që na dha përkrahje dhe studentët që na dhanë përkrahja që morëm diplomat”, u shpreh Jakup Kamberi, prind i Kadri Kamberit.
Edhe Fatlume Adili e diplomuar si infermiere e përgjithshme për ta marrë diplomën e saj kishte pritur një vit e gjysme.
“Një vit e gjysmë. Arsyeja pse nuk i kemi marr diplomat nuk e dimë”, u shpreh Fatlume Adili, e diplomuar.
Se pretendimet e Selamit nuk mbajnë lidhje me marrjen e diplomave dëhsmon edhe deklarata e zëvendësministrit të arsimit Safet Neziri i icili tha se ai që punon edhe gabon.
“Pas senizibilizimit të rastit të diplomave arritëm që të kurorëzojmë dhe të fillojmë dhënien e diplomave të gjithë atyre studentëve të cilët e meritojnë dhe që në të ardhmen t’i kenë diplomat e veta. Një njeri, një institucion që punon ndonjëherë gabon ai që s’punon as nuk gabon as vepra të mira nuk krijon”, deklaroi Safet Neziri, zv/ministër i arsimit.
“Universiteti shtetëror i Tetovës shënon një kapitull të ri në sukseset e tij, pra sot në mënyrë solemne do të japim diplomat me dizajn të ri për studentët të cilët i kanë mbaruar studimet deridiplomatikederi në fakultetet dhe programet sutdimore të këtij institucioni për arsim të lartë” , theksoi Vullnet Ameti, U.D rektor i USHT-së.
Sot janë ndanë 106 diplomat e para me dizajn të ri të cilat në prapavijën e tyre përfshijnë “Shtëpinë e Kongresit të Alfabetit” në Manastir ndërkohë për marrjen e diplomës sipas të dhënave të Alsat presin rreth 1700 të diplomuar.
Alsat M
-
-
Lëshohet rruga Çegranë -Forinë
Me muzikë e valle, kreu i Komunës së Gostivarit Rufi Osmani, ka lëshuar në përdorim sot rrugën e re Çegran-Forinë e cila kap vlerën e investimit prej mbi 500. 000 euro prej të cilave 350 000 janë të siguruara nga Banka Botërore dhe 160 000 nga Komuna e Gostivarit.
Gjatësia e kësaj rruge është 5.5 kilometra ndërsa Osmani ka premtuar para banorë të këtij vendi se së shpejti do ndaj edhe 200 000 euro për ndërtimin e trotuarit të kësaj rruge.
“Dëshiroj të them se ne si komunë jemi të veçantë sepse sot promovojmë një qasje të re të një menaxhimi të suksesshëm të komunës institucioneve financiare ndërkombëtare dhe banorëve të Çegranit dhe Forinës. Unë sot po ripërsëris një premtim të mëhershëm, do ndajmë edhe 250 000 euro financim të trotuarit të ri që përfshin këtë aks rrugor prej 5.5 kilometrash ndërsa presim të filloj edhe rregullimi I rrugës Çegran Tumçevisht në vlerë prej 250 000 euro”, deklaroi Rufi Osmani, Kryetar i Komunës së Gostivarit.
Ndryshe, aksi rrugorë Çegran – Forinë, një kohë të gjatë ka qenë i lënë pas dore gjë që ka shkaktuar edhe vështirësi të shumta në qarkullimin e banorëve të kësaj ane.
Alsat M
-
-
LSDM lut PDSH-në për bashkëpunim
Shkup – Që kur Menduh Thaci, kryetar i PDSH-së, ka refuzuar të bashkëpunojë me LSDM-në për zgjedhjet e ardhshme lokale, LSDM vazhdon t’i ofrojë bashkëpunim kësaj partie, qoft në mënyrë formale apo jo formale, ku kjo e fundit refuzon vazhdueshëm, thonë burime të larta të PDSH-së për të përditshmen “Dnevnik”.
Dhe pse shkrimi i gazetës “Dnevnik” pretendon që një bashkëpunim mes partive shqiptare dhe maqedonase do të sjellte bindshëm fitoren në opozitë, lideri i PDSH Menduh Thaci është i prerë në vendimin e tij kur thotë që PDSH do të bashkëpunonte me LSDM vetëm atëherë kur do të pranohen kushtet e partisë së tij të caktuara drejt Marrëveshjes së Re Politike që kjo parti ofron. Marrëveshja e Re politike e përpiluar nga PDSH erdhi si pasojë e mos implementimit të Marrëveshjes së Ohrit në afatin e caktuar, që ishte në vitin 2004.
PDSH deri më tani ka bërë publike kandidaturën e kryetarit aktual të Tetovës Dr.Sadi Bexhetit, ndërsa sipas burimeve të “Dnevnik” është konfirmuar kandidatura e Murtezan Ismaili për komunën e Likovës.
Nga burime jo zyrtare meret vesh që PDSH planifikon ta bojkotojë rajonin e Kërcovës nësë kryetarët e vend-votuesve nuk do të jenë nga qytete tjera dhe nga opozita po ashtu. Arsyeja është që PDSH tash sa kohë ankohet për parregullsi të mëdha që ndodhin në komunën e Kërcovës, ku PDSH çdoherë del me rezultat prej zero votive, transmeton Shqipmedia shkrimin e Dnevnik.
Shqipmedia
-
-
Largohet nga puna ish-rektori i USHT-së, Prof.Dr. Agim Vela
Universiteti Shtetëror i Tetovës, më 27 qershor të këtij viti ka sjellë vendim të nënshkruar nga rektori, Agron Reka, për largimin nga puna të profesorit të anatomisë, Prof.Dr. Agim Vela. Në asryetimin e këtij vendimi thuhet se profesorit Vela i ndërpritet kontrata e punës si mësimdhënës në Fakultetin e Shkencave Mjekësore në USHT, për shkak se ai ligjëron njëkohësisht edhe në Universitetin e Prishtinës.
Prof.Dr. Agim Vela është shtetas i Maqedonisë. Me largimin e tij, realisht rrezikohet edhe akreditimi i Fakultetit të Mjekësisë në USHT-të, nga se është i vetmi, i cili i plotëson të gjitha kushtet e nevojshme, thirrjet shkencore për funksionimin normal të mëtejshëm të Fakultetit të Shkencave të Mjekësisë.
Ndryshe, ish rektori, Prof.Dr. Agim Vela, njihet në botën akademike me një sërë botimesh shkencore brenda dhe jashtë vendit. Ai tashmë është një vlerë etabluar në fushën e mjekësisë, në veçanti në degë e anatomisë, ndërsa punimet e tij në këtë fushë të mjekësisë janë libra bazë në shumë universitete.
Prapa tij qëndrojnë gjenerata të tëra mjekësh dhe specialistësh në fushën e mjekësisë, të cilët gjithnjë kanë vlerësuar lartë agnazhimin profesional dhe parimor të Prof.Dr. Agim Velës. Me emrin e tij, ndërlidhet kredoja profesonale dhe kualiteti kulminantë i shkencës së mjekësisë.
Shqipmedia
-
-
Hetime për projektin "Shkupi 2014"
Në Maqedoni së shpejti do të nxitet debati dhe hetimet për "Shkupi 2014" dhe milionat eurot e harxhuara për realizimin e këtij projekti.
Opozita ka paralajmëruar se përmes procedurave dhe rrugëve parlamentare do të nis me kërkesat për hetimin e plotë të realizimit dhe kostos së projektit të ndërtimit "Shkupi 2014", lidhur me ndërtimin e përmendoreve, objekteve të ndërtimit për nevojat e Qeverisë por me stile klasike si dhe objekte tjera kulturore, informon INA.
Sipas opozitës deri tani dyshohet se ky projekt ka arriturt një shifër prej 200 milion deri në 300 milion euro, por deri tani nuk ka pasur shifra të saktësuara.
Qeveria akoma nuk ka dalur me koston finale për harxhimet lidhur me realizimin e projektit, duke shtuar se po vazhdon procesi i ndërtimit dhe akoma nuk është përmbyllur tërësisht projekti, ku janë paraparë vendosja e përmendoreve tjera dhe finalizimi i objekteve kulturore dhe qeveritare.
Hetimet për projektin "Shkupi 2014" do të nisin nga Komisioni parlamentar për kulturë, ku sipas paralajmërimeve të opozitës do të kërkohet raport i plotë nga Ministria e Kulturës për tenderët e realizuar dhe koston financiare të çdo projekti, ndërsa është planifikuar që dëshmitarë kyç të thirret kryeministri Nikolla Gruevski, i cilësuar si ideolog i projektit dhe ministrja e Kulturës, Elizabeta Kançeska - Mileska.
(INA)
-
-
Objektet e Sarajit nën kompetenca të Karposhit?!
Komuna e Sarajit për më shumë se një dekadë është juridikisht e pafuqishme që të menaxhoj me shumë objekte publike që gravitojnë në territorin e saj pasi nuk posedon listë poseduese për të njëjtat. Bëhet fjalë për objektet e bashkësive lokale në shumë vendbanime, objekti i ish komunës së Kondovës, fusha sportive, objekte shëndetësore dhe së fundmi edhe disa shkolla fillore të cilat juridikisht i takojnë komunës së Karposhit. Kjo është si rezultat i mos realizmit të vendimit të qeveris në vitin 2000 për ndarjen e bilancit mes komunave nga ana e entit gjeodezik republikan.
“Pas asaj ndarjes është sjell vendim që një mori i objekteve i takojnë komunës së Kondovës dhe Sarajit mirëpo ky vendim nuk është realizuar deri në fund për shkak se enti gjeodezik republikan vendimin e qeveris nuk e ka realizuar. Pse nuk e ka realizuar ne nuk kemi përgjigje, përgjigja ekziston në nivel më të lartë, pra në qeveri dhe entin republikan si institucion ku direkt përgjigjet para qeveris së Maqedonisë”, tha Beqir Muhameti, komuna Saraj.
Situatë e njëjtë paraqitet edhe me objektet e disa shkollave. Komuna edhe pse është përgjegjëse për arsimin fillor nuk posedon dokumentacionin e objekteve shkollore.
“Ne si pushtet lokal duhet të dimë saktë në bazë të dokumentacionit i cili është dashtë të rrjedh nga ministria në pushtetin lokal dhe në bazë të atij dokumentacioni të bëjmë edhe evidentimin e pronës së shkollave gjegjësisht kompetencës së arsimit fillor mirëpo ajo pjesë nuk është bërë deri në fund”, u shpreh Beqir Muhameti, komuna Saraj.
Me këtë problematikë që daton nga viti 2000 janë ballafaquar edhe krerët e mëparshëm të komunës së Sarajit Imer Selmani, Bekim Fazliu dhe Blerim Bexheti, të cilët kanë pasur për obligim që të përshpejtojnë zgjidhjen e saj.
“Ajo është pronë e komunë së Sarajit dhe edhe unë kur kam qenë kryetar komune dhe ai që ka ardhur pas meje e ka obligim që ti rregullon. A është e rregulluar ajo ju lutem të drejtoheni tek komuna e Sarajit unë e ushtroj funksionin ministër i drejtësisë jo kryetar komune”, deklaroi Blerim Bexheti, ministër i drejtësisë.
Tani komuna e Sarajit do të duhet t’i legalizoj objektet e veta për të cilat edhe ka ngritur procedurë sipas ligjit për legalizimin e objekteve. Për këtë qëllim ka angazhuar edhe shtëpi gjeodezike që të përgatis elaborat për gjendjen faktike të objekteve në fjalë, që më pas të evidentohen në agjensionin për kadastër. Përgjegjësia kryesore për një gjendje të tillë sipas përfaqësuesit të komunës Beqir Muhametit qëndron te pushteti ekzekutiv por se nuk duhet amnistuar as pushteti lokal i cili është dashur të bëj trysni dhe presion që kjo çështje të zgjidhet sa më shpejt.
Alsat M
-
Regullat e Postimit
- Ju nuk mund të hapni tema të reja.
- Ju nuk mund të postoni në tema.
- Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
- Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
-
Rregullat e Forumit
Krijoni Kontakt