Kundërshtarët e autostradës, kundërshtarët e lirisë
19-05-2011 12:24 CET
Kryeministri Hashim Thaçi tha para deputetëve të Kuvendit të Kosovës se kontrata me konsorciumin “Bechtel- Enka”, e publikuar ditë më parë nga Lëvizja Vetëvendosje, nuk është versioni final.
Thaçi siguroi ligjvënësit se transparenca financiare e projektit është e plotë dhe se gjitha shpenzimet deri në detaje janë të përfshira në ligjet përkatëse për buxhetin. Ndërkaq, Lëvizja Vetëvendosje, përmes deputetit Visar Ymerit, kërkoi që kontrata origjinale e qeverisë me konsorciumin “Bechtel- Enka” të bëhet publike.
Në përgjigje kryeministri Hashim Thaçi ka shkuar më tej me akuzat ndaj Lëvizjes Vetëvendosje. Ai tha se kundërshtimet për autostradën bëhen nga ata që kanë kundërshtuar edhe dokumentet që sollën lirinë dhe pavarësinë e vendit.
Kuvendi i Kosovës në seancën e sotme përveç tjerash do të shqyrtojë edhe raportin financiarë për Buxhetin e Republikës së Kosovës, për vitin 2010 si dhe do të mbajë debat për masakrën e Burgut të Dubravës.
Ndërkaq, partia më e madhe opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), në shenjë revolte, ka braktisur të enjten punimet e seancës plenare të Kuvendit të Kosovës. Deputetët e LDK-së këtë veprim e kanë marrë pasi gjatë shqyrtimit të Raportit financiar për Buxhetin e Republikës së Kosovës, për vitin 2010 në seancë nuk kanë qenë të pranishëm as kryeministri e as ndonjë ministër tjetër.
Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri ka thënë se kjo qeveri nuk është serioze. /rtk/indeksonline/zëri/
Krijoni Kontakt