Protesta, 16 të lënduar (video)12-05-2011 12:11 CET (E plotësuar) Dhjetë pjesëtarë të Policisë së Kosovës dhe gjashtë protestues janë lënduar gjatë protestës së Lëvizjes Vetëvendosje, të organizuar të enjten në shenjë kundërshtimi me vizitën e Borko Stefanoviqit, shefit të delegacionit serb në bisedimet me Serbinë. Në mesin e të lënduarve janë edhe deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti dhe Glauk Konjufca.
Këto lëndime janë shkaktuar derisa Stefanoviq takohej me zëvendëskryeministrin e Kosovës, Hajredin Kuçi, në objektin qeveritar, që ndryshe njihet si ish – Rilindja.
Aktivistë të lëvizjes Vetëvendosje kanë gjuajtur me gurë në drejtim të Qeverisë së Kosovës, duke thyer xhama të ndërtesës së qeverisë dhe vetura zyrtare.
. . .
Lëndohen Albini e Glauku, protesta vazhdon
Pas përleshjes që aktivistë të Vetëvendosjes patën me Policinë e Kosovës para ndërtesës së Qeverisë, ish-objekti i Rilindjes, tani mësohet se një grup të rinjsh, gjithashtu aktivistë të Vetëvendosjes, janë mbledhur para ndërtesës tjetër të Qeverisë, pranë ndërtesës së Kuvendit.
Aktualisht, nuk është raportuar për ndonjë incident të shënuar atje.
. . .
Forcat speciale të policisë kanë intervenuar me gaz lotsjellës dhe me shkopinj gome kundër aktivistëve të Vetëvendosjes që janë mbledhur para objektit qeveritar (ish-Rilindja) – të cilët protestojnë kundër ardhjes se kryenegociatorit serb Borko Stefanoviq në Prishtinë.
Gjatë këtij intervenimi janë lënduar shumë aktivistë të Vetëvendosjes, por shihen të lënduar edhe në radhët e policisë – të cilët janë goditur me gurë dhe gjësende të tjera të forta nga aktivistët e Vetëvendosjes....
Raportohet se në mesin e të lënduarve nga gazi lotsjellës janë edhe drejtuesit e Vetëvendosjes, Albin Kurti dhe Glauk Konjufca.
Aktivistët e lënduar janë Gëzon Kastrati, Astrit Fazliu, Zgjim Hyseni, Veton Dragusha, Nystret Azemi, Blerim Maqastena dhe Naim Jakaj, të cilët janë dërguar në Emergjencë.
Vetëvendoje ka raportuar se policia ka goditur edhe autoambulancën me gaz lotsjellës dhe ka penguar në evakuimin e të lënduarve.
****
Aktivistë të lëvizjes Vetëvendosjes po protestojnë para ndërtesës qeveritare (ish-objekti i Rilindjes) duke brohoritur parullën “Marre, marre”, dhe duke hedhur ngjyrë të kuqe dhe gurë në oborrin e këtij objekti – për të kundërshtuar në këtë formë vizitën e udhëheqësit negociator serb Borko Stefanoviq.
Depërtimi i aktivistëve të Vetëvendosjes brenda oborrit të këtij objekti – ku thuhet se Stefanoviq është pritur nga zv/kryeministri Hajredin Kuçi – është ndalur nga njësitë policore të Kosovës, të cilët edhe kanë intervenuar në një rast me shkopinj gome.
Ndërkohë, Lëvizja Vetëvendosje nëpërmjet një komunikate ka njoftuar se policia ka përdorur dhunë ndaj aktivistëve të saj.
Aktivistët e lënduar janë Gëzon Kastrati, Astrit Fazliu, Zgjim Hyseni, Veton Dragusha, Nystret Azemi, Blerim Maqastena dhe Naim Jakaj, të cilët janë dërguar në Emergjencë.
Ndërkaq, nga hedhja e gurëve nga ana e aktistëve të Vetëvendojes janë dëmtuar dy vetura policore që gjendjen brenda objektit qeveritar.
Bëhet e ditur se, Stefanoviq do të pritet edhe nga zëvendëskryeministrja, Edita Tahiri, njëherësh shefe e delegacionit të Prishtinës në bisedimet me Serbinë. /Zëri/
******
Vetëvendosje bllokon hyrjen e Qeverisë
Me herët gjatë ditës aktivistë dhe deputetë të lëvizjes Vetëvendosje kanë bllokuar të gjitha hyrjet në Qeverinë e Kosovës, për të kundërshtuar në këtë formë ardhjen në Kosovë të udhëheqësit e ekipit negociator të Serbisë, Borislav Stefanoviq.
Shpend Ahmeti tha për “Telegrafin” se është e pakuptimtë që të pranohet në takim një person i cili lufton vazhdimisht kundër pavarësisë së Kosovës, ndërkohë që zyrtarë të institucioneve të Kosovës janë treguar të gatshëm për tu takuar me të.
Ndryshe, udhëheqësi i ekipit negociator të Serbisë, Borislav Stefanoviq ka hyrë në Republikën e Kosovës. Ai dhe ekipi i tij janë nën përcjelljen e vazhdueshme të Policisë së Kosovës që po e shoqërojnë drejt Prishtinës.
Agjenda e tij ka ndryshuar. Stefanoviq ka ardhur më herët se që është thënë, ndërkaq edhe takimet e tij me zyrtarë vendorë pritet të mbahen më herët se që është paraparë.
Krijoni Kontakt