Mitomania e Ramës për një Stalingrad në Tiranë
Gazeta 55
10-05-2011 / Redaksionale
Në mitologjinë e Internacionales komuniste, Stalingradi mbetet simboli i qëndresës, i rezistencës ndaj pushtuesve. Mbi këtë mit ata kanë vrarë e prerë miliona njerëz. Të ushqyer me këtë simbol komunistët sikur rezistuan ndaj së keqes naziste, por që në fakt ata u infektuan prej virusit të totalitarizmit ekstremist. Sapo Lufta e Dytë Botërore mbaroi me fitoren e aleatëve ndaj nazistëve, sovjetikët i përdorën ngjarjet e rezistencës së Stalingradit për të përligjur gjenocidin e tyre ndaj shtresave të ndryshme të shoqërisë.
Sakaq në mendjen e një shqiptari jo fort të kultivuar, Beteja e Stalingradit u amplifikua aq shumë saqë përfytyrohej si një kullë e padepërtueshme, që s’kishte njeri në botë ta pushtonte. Edhe sot e kësaj dite, kromozomet e mitomanisë sovjetike gjenden në kodin gjenetik të së majtës shqiptare, ku Tirana është kthyer në një Stalingrad të dytë, që kurrsesi s’mund të merret prej pushtetuesve të ardhur nga Veriu. Racizmi patologjik i njerëzve të modifikuar gjenetikisht nga diktatura komuniste po vijojnë ta ndajnë mediatikisht Tiranën në zona ndikuese në rezultate vetëm sepse mendohet se janë nga veriu i Shqipërisë. Këtë e shpjegojnë me arsyen se Basha ka origjinë nga Dibra.
Gjithsesi Partia Socialiste po sillet në kryeqytet sikur është e rrethuar prej pushtuesve dhe prandaj ajo është strehuar në një kështjellë imagjinare, edhe pse në të vërtetë janë vetëm të mbyllur në një iluzion frike. Frikë nga humbja e pushtetit. Selia rozë është kthyer sot në një guackë pa perla, ku sirena e humbjes po alarmon tej e tej militantët që duartrokasin në mënyrë histerike sa herë tellalli i partisë parashikon fitore në konferenca për shtyp. Me këto duartrokitje i japin shpresë asaj shprese të pakët dhe i japin kohë asaj kohe të nevojshme për të larguar vuajtjen. Edhe vuajtja ka përfaqësuesen e saj. Ajo është Mrika Kodheli, që në konferencën e parë në mëngjes e nis me buzëqeshje, kurse konferencën e fundit në mbrëmje e mbyll me një nxirje totale në fytyrë.
Sakaq në Tiranë, pas një galopi të kutive të para të Edi Ramës, është Lulzim Basha që filloi të rikuperojë terren. Ngushtimi i diferencës mes dy kandidatëve hodhi poshtë pseudo-sondazhin e sajuar nga Partia Socialiste, që shpallte Edi Ramën si fitues me 17 mijë vota. Jo vetëm që Rama nuk po fiton avantazh, por ka filluar të rrëshqasë terreni nën këmbë. Në zonat që PS-ja i konsideronte si “bastione” janë fituar prej kandidatit të “Aleancës për Qytetarin”, z. Basha. Ky i fundit duket aq i sigurt në fitore aq sa ka frenuar entuziazmin e ligjshëm të militantëve. Por në ndryshim me Partinë Socialiste, Partia Demokratike ka vendosur të mbajë një profil të ulët, që tregon një epërsi morale dhe jo frikë, siç është lexuar prej disa mediave afër midesë së Ramës. Kësisoj, edhe media ka pjesën e saj në krijim e klimës së betejës së Stalingradit, siç shkruan edhe revista prestigjioze “the Economist”, për zgjedhjet lokale në Shqipëri.
Në këto momente Rama po përgatit Stalingradin në Tiranë: të rrethuar dhe inferiorë në numër, ai do të fitojë nëse do të arrijë të përmbysë trendin dhe të mbyllë armiqtë në një kuti. Ana paradoksale e kësaj situate është se, në qoftë se humb, nuk do të ketë asgjë heroike në këtë humbje. Në përfundim, u kërkojmë falje lexuesve nëse kemi marrë shembull madhësinë e Stalingradit, për një çështje modeste shqiptare, por eksesi shërben për të shpjeguar shpirtin e liderit të opozitës, i cili mendon se është në rrethim dhe kërkon të luftojë si Stalini.
Krijoni Kontakt