Sulltanati i Omanit është shteti i 75 që njohu pavarësinë e Kosovës më 4 shkurt 2011. Me të numri i vendeve të Ligës Arabe që kanë njohur deri më tash Kosovën arrin në 10 nga gjithsejtë 22, sa është numri këtij grupimi pan arab. Nëse përjashtojmë Mbretërinë e Arabisë Saudite dhe disa vende tjera do të shohim se vendet që ende nuk e kanë njohur Kosovën nga Liga Arabe është me ndikim të madh jo vetëm në botën arabe, por edhe jashtë saj. Sa për ilustrim po përmendim Egjiptin, Algjerin, Marokun, Sirinë etj.
Sipas analistëve, shkaku i mos njohjes së pavarësisë së Kosovës nga këto vende është elita politike e jo vullneti i popullit. Shumica e pushtetarëve të këtyre regjimeve janë në pushtet me dekada të tëra. Ata kanë nostalgji ndaj Lëvizjes së Mosinkuadrimit dhe ajo që quhej Jugosllavia e Titos. Sipas tyre, rasti i Kosovës ka të bëjë më tepër me secesionizmin se sa me një pavarësi të vërtetë të një shteti. Pranimi i një realiteti të tillë, sipas tyre do të thotë respektimi i vullnetit të popujve të tyre, për një sistem demokratik, pranim i të drejtave të popujve tjerë deri në shkëputje dhe vetëvendosje, të cilin ata nuk mund ta pranojnë.
Që nga dhjetori i viti të kaluar bota arabe po ballafaqohet me revolucionet që po dridhin fronet e diktatorëve të papara në historinë e saj më të re. Të gjitha lëvizjet e vendeve të ndryshme janë bashkuar rreth agjendave për reformat themelore të qeverisjes. Këto lëvizje e përmasave tejet të mëdha, deri më tani patën sukses në Tunizi dhe në Egjipt, duke përmbysur dy regjime totalitare. Aktivitetet e tyre shumë shpejt depërtuan edhe në vendet si: në Bahrejn, Jemen, Libi, Siri, me tendencë të përhapjes edhe në vendet tjera arabe.
Nuk ka dyshim, se dështimi i regjimeve aktuale të korruptuara të vendeve arabe do të krijojë shanse të reja për afirmimin e çështjes së Kosovës dhe njohjen e saj. Në veçanti kur kemi parasysh se pas këtyre ndryshimeve në skenën politike arabe do të dominojë spektri pan islamik, i cili në programin e vet ka solidaritetin dhe forcimin e bashkëpunimit me botën islamike.
Këtë tendencë e kishte vërejtur kryeministri britanik, i cili në muajin shkurt kishte paralajmëruar se “demokracia egjiptiane do të jetë bindshëm islamike”.
Benjamin Natanjahu, kryeministër i Izraelit, ka paralajmëruar ditë më parë se drejtimi i politikave egjiptiane është anti-izraelit. Ai në një takim me diplomatët e huaj të akredituar në Izrael kishte deklaruar se zyrtarët egjiptianë – përfshirë edhe Nabil al-Arabin, ministër i jashtëm i ri i Egjiptit- po u japin kënaqësi militantëve politikë duke e cilësuar shtetin e Izraelit si një “armik”.
Muhamed Bedi, udhëheqësi shpirtëror i “Vëllezërve Myslimanë”, javën e kaluar parashikoi se kandidatët e lëvizjes myslimane do të fitojnë 75% të vendeve në zgjedhjet e reja që parashihet të mbahen në muajin shtator.
Kjo vlen edhe për Tunizinë, ku kryetari i Partisë pro islamike, “Nahda” (Rilindja), Rashid Ganushit, iu lejua kthimi në vendin e vet vetëm pas 22 viteve që kishte kaluar në mërgim dhe atë falë revolucionit, i cili e detyroi ish-presidentin, Zejnul Abidin ben Ali ta lëshojë vendin pas dy dekadave të qeverisjes së tij. Edhe Ganushi, parasheh që partia e tij do të fitojë në zgjedhjet e para demokratike, që pritet të mbahen në korrik të këtij viti.
Bota arabe, në muajt që do të vijnë është e zënë me problemet e saja të brendshme. Andaj, nuk dijë sa do të ketë kohë të merret me Kosovën dhe njohjen e pavarësisë së saj, por diplomacia kosovare është mirë të përcjell zhvillimin e ngjarjeve dhe në momentin e duhur të jetë prezent aty ku e lypë nevoja.
Krijoni Kontakt