Papunësia dhe varfëria mbeten të larta
Papunësia dhe varfëria vazhdojnë të identifikohen nga kosovarët si dy problemet kryesore, me të cilat ballafaqohen. Autoritetet kosovare thonë se janë dukë bërë përpjekje për uljen e papunësisë dhe zbutjen e varfërisë. Në anën tjetër, përfaqësues të punëtorëve thonë se për zbutjen e kësaj papunësie, e cila është duke e përcjellë Kosovën që nga pas lufta, duhet të përgatiten politika afatgjate ekonomike.
Afrim Podvorica, rreth 40 vjeç, çdo ditë udhëton nga Podujeva në Prishtinë për të gjetur punë si punëtor krahu. Ai ka tetë anëtarë të familjes dhe vetëm 40 euro të ardhura mujore nga pensioni i së ëmës. Tash e sa muaj, ai çdo ditë bën të njëjtin itinerar, por me gjithë angazhimin e tij, ai mezi arrin të sigurojë minimumin e ekzistencës.
“Kur s’ka punë, është mjaft vështirë. Nuk di çka të them, një ditë punoj një ditë jo. Gjithë kjo çka fitoj këtu, shkon për rrugë. Këtu i marr sot dhe me ato para duhet të udhëtoj nesër dhe të gjitha shkojnë. Sikur të kishte punë çdo ditë, nuk do të ishte kështu vështirë”, tregon Podvorica.
Raporti i fundit i programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim, UNDP, i publikuar ditë më parë, tregon se papunësia dhe varfëria janë problemet më të mëdha të kosovarëve.
Në raport thuhet se respondentët e pyetur shqiptarë dhe ata të komuniteteve tjera, papunësinë dhe varfërinë i cilësojnë si faktorë kryesorë që rrezikojnë stabilitetin e Kosovës.
Duke pasur parasysh këtë, në këtë raport të UNDP-së thuhet se punësimi duket të jetë një mënyrë shumë e rëndësishme për t’iu mundësuar kosovarëve të ecin përpara.
Hafiz Leka nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Social, thotë se janë duke bërë përpjekje të mëdha për uljen e papunësisë dhe zbutjen e varfërisë.
“Ministria e Punës është duke bërë aq shumë sa i përket nxitjes së shkallës punësimit dhe zhvillimit të masave aktive të punësimit dhe zgjerimit të politikave aktive me një kapacitetet shumë të limituar financiar, që vërtet është befasuese. Vetëm vitin e kaluar Ministria e Punës ka arritur të ndërmjetësojë në punësimin e rreth 7 mijë personave”, thekson Leka për Radion Evropa e Lirë.
Kosova, sipas hulumtimeve të bëra së fundi, ka rezultatin më të dobët të punësimit në Evropë. Norma e papunësisë ka arritur në 48 për qind dhe norma e të punësuarve është jashtëzakonisht e ulët, rreth 26 për qind.
Për pasojë, varfëria mbetet e përhapur në 45 për qind të popullsisë, ndërsa 17 për qind janë në varfëri ekstreme.
Kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, Haxhi Arifi, në një intervistë për Radion Evropë e Lirë kohë më parë ka thënë se kanë statistika, të cilat tregojnë se shkalla e papunësisë është më e lartë se 45 për qind.
“Besoj se në këtë drejtim bashkërisht jemi gjithmonë duke punuar, që ky numër i madh nga statistika e të papunëve, të shkohet drejt zvogëlimit. Por, megjithatë duhet të bëjmë punë më të madhe në këtë drejtim, në mënyrë që të arrijmë ta zvogëlojmë shkallën e papunësisë”, thotë Arifi.
Ndryshe, në vitet e fundit në Kosovë nuk ka pasur ulje të shkallës së papunësisë. Ndërkaq, supozohet se tregu i punës në Kosovë i absorbon nga 4 deri në 6 mijë punëtorë në vit, ndërsa pjesa tjetër mbesin të papunë dhe potencialisht mund të shndërrohen në persona të varfër.
BOTA SOT
"Fet` e besëtë t`i kemi, po të ndarë të mos jemi." Naim Frashëri
Një e treta në varfëri
Zyrtarë të Bankës Botërore dhe të ESK-së në një takim me mediet, të martën, kanë prezantuar gjendjen aktuale të varfërisë në Kosovë. Sipas tyre rreth 35 për qind e popullatës jeton në varfëri të plotë.
Drejtori i zyrës së Bankës Botërore në Prishtinë, Ranjit Najak, duke e prezantuar raportin e përgatitur nga ana e ekspertëve të BB-së dhe në bazë të dhënave të ofruara nga ESK-ja, ka thënë se përpilimi i këtij raporti për BB-në ka qenë temë sfiduese, pasi Kosova llogaritet dhe vazhdon të mbetet ndër vendet më të varfra në Evropë e padyshim vendi më i varfër në Ballkan. Najak tha se qëllimi i Bankës Botërore është luftimi i varfërisë kudo në botë, dhe në këtë drejtim BB-ja kontribuon në 170 vende ku janë të hapura zyrat e saj.
Ndërsa drejtori i zyrës së FMN-së në Prishtinë, Horhe Sulliman, ka thënë se është brengosëse për politikat pasi kemi 34 për qind shkallën e varfërisë dhe të gjithë së bashku duhet që të luftojmë këto dukuri.
Ndërsa Bashkim Bellaqa, drejtor i Departamentit të Statistikave Sociale, pranë Entit Statistikor, ka sqaruar se " sipas rezultateve të dala nga raportit mbi varfëri për vitin 2009 në Kosovë, që është përpiluar nga zyrtarët e Bankës Botërore dhe zyrtarët e ESK-së, rreth 34 për qind e popullsisë jeton në varfëri të plotë dhe me të ardhura 1.55 euro në ditë për një person të rritur, kurse 12 për qind e popullatës jeton në varfëri të skajshme me 1.02 euro në ditë.” Eksperti Bellaqa sqaroi se "varfëria në zonat rurale dhe urbane është pothuajse e barabartë.
KOSOVA SOT
"Fet` e besëtë t`i kemi, po të ndarë të mos jemi." Naim Frashëri
Krijoni Kontakt