Si e ke emrin, me “Q” qeni….
Blerina Rogova Gaxha
Nuk ka më shumë se një javë kur në një tavolinë pothuaj si të kuzhinës, por në një studio të televizionit publik të Kosovës, katër veta, të gjithë nga Kosova, debatonin për bashkimin e mundshëm të Kosovës me Shqipërinë. Tre nga sfera e medias dhe një tjetër nga politika, përplaseshin nëse Kosova do të duhej t’i bashkohej Shqipërisë apo Shqipëria Kosovës, dhe në fund të fundit shumica konstatonin se kjo ishte krejtësisht e pamundur.
Kjo dukej si një pazar pa hanxhiun, sepse në këtë debat nuk ishte ftuar asnjë përfaqësues nga Shqipëria. Në fakt, ka kohë që është hapur debati për identitetin kosovar ose shqiptar dhe kjo çështje gjithmonë ka shkaktuar debate e vlerësime nga më të ndryshmet. Në këtë rrafsh janë parë edhe simbolet e reja të Kosovës, përfshirë këtu edhe himnin e posaçërisht flamurin.
Shkrimtari më i madh shqiptar, Ismail Kadare, para pak ditësh thoshte se krijimi i dy shteteve shqiptare në Ballkan, ishte një fitore e jashtëzakonshme për shqiptarët dhe njëkohësisht, sipas tij, ka shkaktuar traumë në të gjitha rrethet antishqiptare në Ballkan.
Por pavarësisht kësaj fitoreje, me krijimin e dy shteteve shqiptare, sigurisht se në masë të madhe, është përcaktuar edhe fati i debateve për identitetin e shqiptarëve që jetojnë në këto dy shtete. Pavarësisht se shqiptarët në Kosovë dhe në Shqipëri vazhdojnë ta kenë një gjuhë dhe një komb, në shumë anë të jetës së tyre, ata tashmë po krijojnë identitete të ndryshme. E çuditshme, por edhe identiteti kulturor, artistik apo medial, përditë e më shumë po bëhet më i ndryshëm në Prishtinë dhe në Tiranë.
Ndoshta kjo çështje do të mbetet edhe për një kohë “taboo” dhe të mos debatohet me qejf, por vitet sigurisht se i ka të numëruara.
Nëse shkrimtari i madh Kadare, ka të drejtë të thotë se krijimi i dy shteteve shqiptare në Ballkan është fitore e jashtëzakonshme për shqiptarët dhe shumica absolute e shqiptarëve, jo vetëm të pajtohen, por edhe ta ndjejnë këtë fitore, atëherë a mund të ketë një fitore më të madhe dhe cila është ajo.
Patriotët e papërmirësueshëm, dhe jo vetëm ata, do të thoshin një fitore më e madhe do të ishte bashkimi i Kosovës me Shqipërinë. Ndoshta, por kam telashe të mos e kuptoj “hilen” e politikanëve serbë, të cilët në disa muajt e fundit kanë qenë shumë të zëshëm në të drejtën e shqiptarëve për të vendosur vetë nëse do të bashkoheshin me Shqipërinë.
Ata që e kundërshtojnë identitetin e ri në Kosovë, gjëja e parë që bëjnë është çështja e të qenit ose jo shqiptar, dhe që do të duhej të ishte e fundit. Por përtej kësaj ata asnjëherë nuk kanë bërë asgjë më shumë sesa të thuhet, që të mos ishim kaq të ndryshëm. Ka plot 30 vjet, që askush nuk i ka dhënë as pesë “grosh” për të qenë më të ngjashëm.
Ne vazhdojmë që gjuhën të cilën e flasim ta kemi të ndryshme, mënyrën se si shkruajmë, ta kemi ndryshe. Ne edhe kur vjedhim, vjedhim secili në mënyrën e vet. Vëllezërit në Tiranë, fjalët e huaja i vjedhin nga italishtja dhe greqishtja, ndërkaq ne s’po shkëputemi kurrë nga serbishtja.
Prandaj dhe debatet për bashkimin e mundshëm, nuk mund të bëhen sikur ky bashkim të ishte thjesht një vullnet i elitave politike, ose edhe i referendumeve, sepse gjithmonë ka një rrezik që këto të dështojnë. Këto debate nuk bëhen duke pasur njerëz vetëm nga njëri “shtet shqiptar”, sepse çështja i ka dy palë, apo RTK-ja është treguar e kujdesshme nga frika se ndoshta analistët nga Prishtina dhe Tirana, mund të mos merreshin vesh, meqë flasin shumë ndryshe prej njëri-tjetrit.
Është folur shumë se Kosova dhe Shqipëria do ta bënin një Abetare të përbashkët për të gjitha shkollat ku mësohet shqip. D.m.th. do ta bënin hapin e parë drejt integrimit, duke e mësuar shkronjën e parë të alfabetit që e ka Abetarja… Tash qe s’meremi vesh, na bëjnë pyetje plotësuese: Si e ke emrin, me “Q” qeni apo me “Ç“ çekani?
Sa të ndryshëm jemi edhe në ngjashmëritë që kemi, kështu që, u pafshim në Evropën e Bashkuar.
Krijoni Kontakt