» Dërguar më: 25/04/2011 - 12:52
Enrik Mehmeti
VLORE -Policia greke më ktheu në Kakavijë vetëm se jam çame e kam lindur në tokën e stërgjyshërve nga na përzunë me dhunë. Do shkoja tek djali që e kam sëmurë, edhe pse dokumentet i kam në rregull, madje kam dhe pasaportë amerikane. Nuk më lanë racistët". Kështu ka pohuar për "Gazeta Shqiptare", 71-vjeçarja Sulltane Bajrami. Ndër të tjera, e moshuara rrëfen terrorin psikologjik dhe fyerjen raciste, që nga mënyra e zbritjes me dhunë nga autobusi, e deri te refuzimi i udhëtimit…
Për çfarë arsye u ktheu policia greke në Kakavijë?
-Isha nisur për të shkuar në Athinë tek djali im, i cili është shumë i sëmurë. Dje(të shtunën), autobusi është ndalur në Kakavijë për kontroll. Pasi paraqita pasaportën pranë palës shqiptare, iu drejtuam palës greke. Pikërisht këtu, polici grek thirri emrin tim. Unë iu përgjigja. Më tha që "ti nuk mund të kalosh kufirin".
Për cilën arsye?
-Po. Shtoi se "në pasaportën tënde vendlindja është Çamëri, e ti nuk do kalosh". Më pas, gjysmë shqip e gjysmë greqisht filloi të më thoshte se "Çamëria është e Greqisë dhe nuk është shqiptare".
Si reaguat ju?
-U revoltova dhe i thashë se "kjo gjë nuk është e vërtetë, Çamëria është shqiptare, atje kam lindur unë, në tokën e stërgjyshërve". Ai vazhdonte të qeshte e më tallte. Në fund më tha që duhet të zbrisja nga autobusi. Në këtë kohë i tregova dhe dokumentet e mija amerikane. Por përsëri, ashtu si dhe më foli me shpërfillje për Çamërinë ashtu ma ktheu edhe për Amerikën duke më thënë që "nuk e duam", e përsëri qeshte. Pasi më nxorën nga autobusi më dhanë një letër dhe më larguan nga dogana.
Çfarë shkruhej në letër?
-Në letër thuhej se nuk mund të kaloja sepse nuk kisha dokumente. Por unë jo vetëm kisha pasaportën biometrike, por edhe dokumentet amerikane. Sapo mbërrita e denoncova në komisariatin e Vlorës këtë histori, por nuk e di nëse zëri im do dëgjohet apo jo.
Po në doganën shqiptare ç'të thanë?
Po ç'të thoshin...E vetmja gjë që më ndihmuan ishte të më gjenin një taksi që më mori 100 mijë lekë.
Keni qenë herë tjetër në Greqi?
-Po dhe s´kam pasur asnjë problem.
Po nga ana e shtetit ka pasur reagim?
-Nuk e di, por shteti nuk duhet të rijë duarkryq ndaj këtyre gjërave, ndaj diskriminimeve të tilla.
http://www.balkanweb.com/gazetav5/artikull.php?id=97484
Krijoni Kontakt