Duke kërkuar rrënjët e krishterimit të hershëm në Shqipëri

Mbështetur në burime kishtare gojore, dorëshkrime të vjetra, studime të shekujve të fundit, por edhe në hulumtime historike bashkëkohore.

Hershmëria e krishterimit në viset e Shqipërisë së sotme, e cila është e lidhur tashmë pazgjidhmërisht me vetë Apostullin e Kombeve, Shën Pavlin, përbën fakt të pakontestueshëm historik, jehona e të cilit vazhdon të ndërgjegjësojë përditë e më tepër rrethet shkencore historike ndërkombëtare, por edhe ato vendëse, megjithëse jo në nivelin e dëshiruar. Këto të fundit, kryesisht nën ndikimin e ideologjisë ateiste të diktaturës komuniste, por edhe të faktorëve të tjerë jo më pak këmbëngulës e keqdashës, kanë zbehur qëllimisht një nga periudhat më interesante të historisë së popullit shqiptar. Mohimi i lidhjes së banorëve të vjetër të Shqipërisë së sotme me periudhën apostolike ka synuar në stigmatizimin e krishterimit si fe e imponuar me dhunë prej “pushtuesve bizantinë”. Kjo është edhe arsyeja që ungjillëzimi i shqiptarëve është zhvendosur artificialisht në periudha të mëvonshme.

Dimë se, në udhëtimet e tij apostolike, Apostull Pavli nuk ishte kurrë i vetëm. Shoqërohej nga nxënës dhe bashkëpunëtorë të ngushtë, të cilët ose i kishte afruar vetë, ose i përkisnin një rrethi më të gjerë nxënësish të të Dymbëdhjetëve, por edhe të vetë Zotit, siç ishin p.sh. të Shtatëdhjetët, për të cilët bëhet fjalë në Ungjillin e Llukait (10:1). Emrat e këtyre të fundit nuk përmenden në Dhiatën e Re. Dorëshkrime të mëvonshme, por edhe sprova autorësh të ndryshëm janë përpjekur të hartojnë një listë me emrat e tyre të mundshëm. Për fat të keq, të gjithë janë bazuar në kritere personale, në të dhëna, burime apo interpretime të njëanshme. Kjo është arsyeja që nuk kemi një listë të plotë e njësoj të pranuar nga të gjithë. Emrat e të Shtatëdhjetëve kanë rëndësi për ne, sepse dy prej tyre lidhen me historinë e krishterimit në Shqipëri. I pari është Qezari, për të cilin thuhet se Apostull Pavli e kishte marrë me vete gjatë udhëtimit për në Durrës, ku edhe e vendosi si episkopin e parë të qytetit. Ky fakt nuk vihet gati asnjëherë në dyshim, me përjashtim të ndonjë pretendimi me karakter të kufizuar lokal, sipas të cilit ky nxënës i Zotit identifikohet si Episkopi i Koronës (qytet në Peloponez, ku në Mesjetë u vendos popullsi arbëreshe, e cila mërgoi në vazhdim në Kalabri, ku jeton edhe sot në qytetin me të njëjtin emër - San Demetrio Corone). Megjithatë, Shën Qezari përmendet si Episkop i Durrësit në të gjithë kodikët e vjetër, si p.sh. në Kodikun 423 të Bibliotekës së Jerusalemit, por edhe në Codex Baroccian 206, të Hipolitit.

I dyti është Marini, Episkopi i Apoloniadës, të cilin P. Aravantinos (Perigraphe tes Epirou), e përmend si Episkopin e parë të Apolonisë së Shqipërisë, të cilin e vendosi vetë Apostull Pavli, ashtu si edhe Qezarin e Durrësit. Është për t’u habitur se ky fakt nuk përmendet nga të tjerë. Në çdo rast tjetër, në vend të tij përmendet Marku, nipi i Barnabës, Episkopi i Apoloniadës së Bitynisë, në Azi të Vogël. Çfarë ka ndodhur në të vërtetë?

Besojmë se kemi të bëjmë me një keqkuptim për shkak të përmendjes së Apolonisë së Shqipërisë me emrin “Apoloniada”, emër i cili lidhet më shumë me Apoloniadën e Cirinaikës, për të cilën bën fjalë edhe Straboni, por edhe me Apoloniadën e Bitynisë, episkop i parë i së cilës ishte me të vërtetë Marku, nipi i Barnabës. Duhet theksuar se mjaft qytete që mbanin emrin e Apolonisë thirreshin në të njëjtën kohë edhe me emrin “Apoloniada”. Mjafton të hedhim një sy në fjalën përkatëse në Le Grand Dictionnaiare Géographique, Historique et Critique (vëll. I, A-B, Paris 1768), për të kuptuar se raste të tilla janë jo pak, ndër të cilat përfshihet edhe ai i Apolonisë së Shqipërisë. Me emrin “Apoloniada” e përmend këtë qytet edhe kronikografi bizantin i shek. VIII-IX Georgios Sygkellos (Ekloge hronographias) në greqisht dhe latinisht, kur bën fjalë për perandorin romak Oktavian Augustin, për të cilin shkruan se kishte stustudiuar në qytetin e Apoloniadës së Epirit. Pra, episkopi i këtij qyteti është quajtur edhe si “episkopi i Apoloniadës”. Dimë p.sh. se letra synodiale e provincës së Apolonisë drejtuar perandorit Leon është nënshkruar nga episkopi i saj me emrin “Eusebi i Apoloniadës”.

Nëse duam tani të shpjegojmë bindshëm se cila është arsyeja që Marini i Apoloniadës (së Shqipërisë) është zëvendësuar nga Marku i Apoloniadës (së Bitynisë), mjafton të krahasojmë dy kodikë të vjetër, Kodikun 423 të Bibliotekës së Jerusalemit dhe Codex Baroccian 206 të Hipolitit. Në të parin Qezari i Durrësit mban vendin e 55-të, ndërsa Marini i Apoloniadës atë të 56-të. Nuk e dimë nëse kjo është një rastësi, por probabiliteti që të jetë ashtu është i vogël. Në të dytin Qesari zë po të njëjtin vend, i ndjekur nga Marku i Apoloniadës (së Bitynisë)! Del qartë pra se zëvendësimi i Marinit të Apoloniadës (së Shqipërisë) nga Marku i Apoloniadës (së Bitynisë) është një lëvizje e konsideruar si korrektive prej atyre që u përpoqën të hartojnë një listë sa më të saktë me emrat e Shtatëdhjetë nxënësve të Zotit, por që padashur bënë të panjohur një ndër emrat më të spikatur të përhapjes së krishterimit në Shqipëri, atë të Marinit të Apoloniadës apo të Apolonisë.

Rasti i mënjanimit të Marinit të Apoloniadës nga sinaksarët nuk duket të jetë i qëllimshëm. Ndërkohë nuk duhet harruar se kemi edhe raste si ai i Qesarit të Durrësit, që zëvendësohet nga Qesari i Koronës, por edhe i Shën Elefterit, episkopit të Vlorës, i quajtur edhe episkop i Ilirikonit, të cilit edhe atij i ndryshohet shpeshherë vendi i veprimit dhe i martirizimit etj., që dëshmojnë se zelli i tepruar i elementëve lokalistë bie ndesh me të vërtetën historike dhe traditën e përgjithshme të Kishës. Sigurisht që pretendime të tilla lokaliste ka pasur gjithmonë dhe do të vazhdojë të ketë edhe në të ardhmen. Nëse nuk i shikojmë veçse si shprehje të dëshirës së zjarrtë dhe entuziazmit të një kishe vendore për t’u renditur përkrah kishave me origjinë të padiskutueshme apostolike, atëherë edhe mund të përligjen. Nëse i gjykojmë me syrin e objektivitetit shkencor dhe etikës profesionale, të cilat këto pretendime duhet t’u nënshtrohen detyrimisht, atëherë nuk mund të cilësohen veçse si lajthitje të pafalshme historike në dëm të një kishe tjetër vendore, pse jo edhe të historisë së krishterimit në përgjithësi.

Pirro Kondili