Prishtinë, 29 prill - Policia e Kosovës shpreh keqardhje dhe reagon ndaj deklaratës së kryetarit të Komunës së Prishtinës, z.Isa Mustafa, i cili ngreh akuza kundër punës profesionale të Policisë së Kosovës.
Bërja e paraleleve ndërmjet Policisë së Kosovës dhe strukturave të UDB-së të cilat kanë ushtruar dhunë dhe gjenocid në Kosovë dëmton rëndë imazhin e Policisë së Kosovës dhe atakon paanshmërinë dhe neutralitetin politik që ka Policia e Kosovës, thuhet në reagimin e Policisë së Kosovës.
Këto deklarata vijnë në kohën kur Policia e Kosovës ka shënuar rezultatet të mira në luftimin e të gjitha formave të krimit në veçanti kundër krimeve ekonomike. Vetëm në tre mujorin e parë të vitit 2011 ne kemi proceduar 578 raste kriminale të kësaj natyre me një vlerë monetare 2.603.591.00 euro.
Policia e Kosovës është e pavarur në punën e saj dhe nuk do të ndikohet nga asnjë presion i çfarëdo natyre dhe pavarësisht se nga kush vjen.
Policia e Kosovës deri më tani ka punuar me autoritetet komunale në Prishtinë duke ofruar asistencë dhe përkrahje të ndërsjellë dhe besojë se kjo do të vazhdojë edhe më në të ardhmen.
Ne i ftojmë të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës që të bashkëpunojnë ngushtë me Policinë në luftimin e të gjitha veprave kriminale që bien ndesh me ligjet e Kosovës.
Policia e Kosovës garanton të gjithë qytetarët se do vazhdoj të ushtroj detyrat e saj si garantues i zbatimit të ligjit në përputhje me mandatin dhe përgjegjësinë që i takon duke ruajtur pavarësinë operacionale të saj, përfundon reagimi i Policisë së Kosovës, që iu shpërnda sot medieve me rrugë elektronike.
Krijoni Kontakt