Gjatë vizitës që zhvilloi në Kishën Katolike në Korçën, me rastin e festës së Pashkëve, kryeministri Sali Berisha është takuar rastësisht me deputetin socialist Pandeli Majko. Berisha e përgëzoi këtë fundit për kurajën që tregoi se, edhe pse e dinte se aty po vinte Kryeministri, ai nuk bojkotoi takimin me krerët e Kishës Katolike, ndërsa kolegu i tij Ben Blushi kishte demonstruar një gjest qesharak. Kryeministri Berisha, i shoqëruar nga kandidati i Partisë Demokratike për bashkinë e Korçës, Andrea Mano, ka vizituar fillimisht Kishën Ortodokse dhe më pas vizitoi atë Katolike po në qytetin e Korçës. Ndërsa gjendej te Kisha Katolike, atje mbërriti dhe deputeti i opozitës Pandeli Majko, i shoqëruar nga kryebashkiaku Niko Peleshi, i cili kandidon për një tjetër mandat si kryetar i Bashkisë së Korçës. Mes Berishës dhe Majkos, pas përshëndetjes së rastit dhe urimit për Pashkë, kanë nisur edhe batutat e rastit, të cilat sigurisht lidheshin me takimin e tyre të papritur dhe me veprimin fëminor të Ben Blushit. “Shkova dhe te kisha ortodokse dhe kur u futa unë atje, Ben Blushi sa më pa, iku dhe u fut në qilar”- tha kryeministri duke shkaktuar shpërthim të qeshurash mes tij, Majkos dhe shoqëruesve të tyre. E duke e përdorur si “shembull”, Blushin, Berisha bëri diferencën mes tij dhe Majkos: “ti u tregove burrë se të paktën erdhe dhe u fute këtu edhe pse e dije që unë isha këtu”. Kryeministri Berisha vazhdoi edhe më tej, teksa deklaroi se “incidenti” me makinën e Blushit, ishte një fabrikim i këtij të fundit, për t’i rritur vlerat vetes pasi e di që Rama humbet në 8 maj. “Blushi i ka ra makinës së vet që të rrisë kredencialet e veta se ai e di që Rama humbet”- duke iu referuar “incidentit” të pak ditëve më parë me makinën e deputetit socialist, e cila sipas deputetit Blushi u qëllua me gurë nga disa të panjohur në qytetin e Korçës.
Gazeta
Krijoni Kontakt