Ia shohin sherrin dajakut
Forca e përdorur ndaj tifozëve ‘Plisat’, pas ndeshjes Prishtina – Bambi, u ka kushtuar me suspendim dy pjesëtarëve të Njësitit Special të Policisë së Kosovës. Për këtë rast janë duke u hetuar edhe pesë policë, në mesin e të cilëve serbë, boshnjakë, goranë e shqiptarë.
Nga Moral Pozhegu më 25 prill 2011 në ora 21:00
Dy pjesëtarë të Njësitit Special të Policisë së Kosovës, rreshteri Faruk Cetinaj dhe polici Bekim Maliqi janë suspenduar të hënën, për përdorim të tepërt të forcës në aksionin kundër tifozëve ‘Plisat’
Rrahja e tifozëve prishtinas pas ndeshjes basketbollistike ndërmjet Sigal Prishtinës dhe ekipit serb Bambi, të enjten e kaluar në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve, ka bërë që të nisin hetime të brendshme dhe të suspendohen nga detyra të pjesëtarë të PK’së
“Pas përfundimit dhe vlerësimit të raporti nga komisioni për vlerësim të përdorimit të forcës dhe rekomandimeve të dala nga Njësiti për Standardet Profesionale të Policisë së Kosovës, Drejtori i Përgjithësim i Policisë ka marrë vendim që të suspendojë një rreshter policor, Faruk Cetinajn dhe një zyrtar policor, Bekim Maliqin”, ka thënë për Express zëdhënës i Policisë së Kosovës, Baki Kelani.
Sipas Kelanit, Standardet Profesionale janë duke hetuar edhe pesë zyrtarë të tjerë të PK’së për përdorim të forcës, në mesin e të cilëve ka serbë, boshnjakë, goranë dhe shqiptarë.
Si rezultat i kësaj përleshjeje kishin mbetur të lënduar dy policë. Po ashtu, një tifoz ka kërkuar ndihmë mjekësore derisa janë dëmtuar 5-6 makina të Policisë.
Krijoni Kontakt