-
i/e regjistruar
iluminacione lirike nga DURIM ÇAÇA
etyd
ah, të kisha një zemër në vend të zemrës
të kisha në vend të zjarrit një zjarr
sikur një dhembje në vend të dhembjes
e buzët të kisha në vend të buzëve
një ëndërr sikur në vend të ëndrrës
në vend të botës të kisha një botë
sikur në vend të fjalës një fjalë
të kisha një zemër në vend të zemrës
në vend të zjarrit të kisha një zjarr…
arie
flaka plagoset veç nga një tjetër flakë
si plagoset koha nga një tjetër kohë
si drita veç nga një tjetër dritë, si loti
veç nga një tjetër lot, ah, si fjala
plagoset veç nga një tjetër fjalë, ëndrra
nga një tjetër ëndërr, si puthja nga një tjetër
puthje, malli nga një tjetër mall
si koha veç nga një tjetër kohë, si flaka
plagoset veç nga një tjetër flakë…
melodi
jan’ qeniet që thërrasin qeniet
ujërat gjither’ që thërrasin ujërat
erërat që thërrasin erërat, puthjet
që thërrasin puthjet e tjera
jan’ zjarret që thërrasin zjarret, qiejt
që thërrasin qiejt, lotët në shpirt
që thërrasin lotët e tjerë
bliret jan’që thërrasin n’lulim bliret, ëndrrat
që thërrasin në frym’ ëndrrat, kometat
që thërrasin kometat e tjera
jan’ buzët që thërrasin buzët, gazelat
në agim gazelat, jaseminët
n’kundërmim jaseminët e tjerë, fjalët
jan’ që thërrasin në mall fjalët, qeniet
që thërrasin në drit’ qeniet, yjet
që thërrasin në ndriçim yjet e tjerë…
-
-
i/e regjistruar
Durim Çaça
DURIM ÇAÇA
këngë universale
(për janosh dernavshek*)
i tretur në gjithësi
i tretur në tokë
në mall e dritë
lot, meteor
pjelm, ëndërr
në seks e shpirt tretur
energjin’ kozmike jetoj
i tretur jetë
shkulm, agshol
dhembje, energji
afsh e atdhe tretur
buzë, ekstazë
manxuranë, poemë
jetoj vetëdijen kozmike
i tretur tokë
i tretur gjithësi
lot, meteor
mall, dritë…
---------
*eseist i shquar dhe burrë shteti slloven.
-
-
i/e regjistruar
DURIM ÇAÇA
upanishada
kush beson te urrejtja
hyn në bukurin’ e verbër
në një bukuri më të errët
ai që beson te dashuria
ah, kush beson te padija
hyn në errësirën e verbër
në një errësirë më të thellë
ai që beson te dija
kush beson te ëndrra
hyn në dritën e verbër
në një drit’ më të errët
ai që beson te zgjimi
kush beson te dashuria…
pesoa
jan’ më të bukur detet e largët
se detet e afërt
ah, më të bukur zjarret e largët
se zjarret e afërt
buzët e largëta më të bukura
se buzët e afërta
më të bukur herojt’ e largët
se herojtë e afërt
se lotët e afërt
më të bukurse lotët e largët
o zot më të bukur
zjarret tan’ të largët
nëpër atë mall të largët
jan’ më të bukur se malet e afërt
malet e largët…
mahmud darvish
tani ësht’ koha për udhë
të shkoni të dashuroni
ku t’ju duket më bukur
veç mos dashuroni mes nesh
ësht’ çasti tani për t’u nisur
për të shkuar të vdisni
ku t’ju pëlqejë më shumë
veç mos vdisni mes nesh
gati tani për udhë
të shkoni të ëndërroni
ku t’ju duket më bukur
veç mos ëndërroni mes nesh
refugjatë të dhembjes…
në vdekjen e vathes
s’ësht’ më agimi që do qe
e mbrëmja që do qe s’është
jasemini që do qe, loti që do qe
atdheu që do qe
më s’është
as malli që do qe
me motrën, me jargavanin
në dritare
gazmimi që do qe
trishtimi që do qe, ah,
më s’është
as drita që do qe
e bota që do qe
seç ishte më e bukur
me motrën dhembja…
-
-
i/e regjistruar
DURIM ÇAÇA iluminacione lirike
okazion, hard porno
ka rënë çmimi i lotit me lazer
o zot sa lir’ çmimi i ëndrrës me printer
çmimi i zjarrit në gjinjt’ e së dashurës
lirë krejt çmimi i perëndimit të diellit
çmimi i penisit në bankat e spermës
çmimi i duartrokitësve me pages’, sa lirë
çmimi i orkidesë në buzët e seksit
ka rën’ çmimi i puthjes në plazhet e hënës
ereksionit n’akujt e gjelbër të jupiterit
o zot sa lir’ çmimi i brohoritësve me pagesë
çmimi i qeshjes së fëmijës, puthjes së nënës
i flakës së fjalës, i dritës së mallit
çmimi i lotit me lazer sa lirë…
dalai lama
derën e shtëpisë
e lë hapur
kur shkoj larg
të çlodhet udhëtari
vizitori i kapitur
i rrugës së gjatë
ah, se derën e lumit, derën e zjarrit
derën e qiellit, derën e botës
e të lotit, e të fjalës
e lë hapur
derën e pyllit
derën e pulëbardhës
të së dashurës
ah se derën e njerëzimit
e lë hapur
kur shkoj larg
të çlodhet udhëtari
vizitori i kapitur
i rrugës së gjatë…
kantilenë
ç’ësht’ valë kalon si vala
ç’jan’ sy seç shkojn’ si sytë
mall ç’është kalon si malli
duar ç’janë si duart ikin
po ç’ësht’ flakë ikën si flaka
e lot ç’është seç shkon si loti
ç’ësht’ e dashur, ah, si e dashura
buzë ç’janë si buzët shkojnë
ç’është valë kalon si vala
e po qe qiell ikën si qielli
ëndërr ikën ç’është si ëndrra
jasemin ç’ësht’ si jasemini
ç’është poemë shkon si poema…
-
-
i/e regjistruar
DURIM ÇAÇA iluminacione lirike
osho
ah, qaj dhe ke për të qarë
dashuro dhe ke për t’dashuruar
dhemb dhe ke për të dhembur
ëndërro dhe ke për t’ëndërruar
çmallu dhe ke për t’u çmallur
ndriço dhe ke për të ndriçuar
po qaj dhe ke për të qarë
dashuro dhe ke për t’dashuruar…
in memoriam
falenderoj majakovskin
për artin e vet-
vrasjes së tij
të përsosur
më gjëmimshëm se himnet
e më hovshëm se odet
për herojtë
kolkozet e partisë
revolucionet
ajo shungëllimë krisme
njerëzore, revolveri
plumbi kokës
i lindur vetëm
për këtë vdekje
e asnjë tjetër
o poezi e ndershme e dhembjes
që hyre gjer thellë
në tru ku vetëtijn’
vetëtimat e rimave
gurgullojn’ shkulmet e metaforave
për t’i ndalur
përgjithmonë
falenderoj poetin
për poemën e përkryer
të vetvrasjes së vet
të shenjtë…
-
-
i/e regjistruar
DURIM ÇAÇA iluminacione lirike
spille’ , korrik 2010
shtëpi me mure prej agimi
shtëpi me frymë yjesh
me zemër krahësh e poleni
kurm flauti e kundërmimi të pishave
me duar valëzuese deti
me atdhe drite buzësh
ndriçimi gjinjsh
shtëpi me karkalecë lodrues
me mjegullimë mistike
shtëpi me shi pjalmues burrëror
me zjarre perëndish malli
e shi pjalmues të dashure
besoj te gjunjët
besoj te sytë
dal, eci lumturisht, pa ëndrra
shkulm i kulluar e i kthjellët
nëpër dunat e rërës
gjer larg në grethin e madh
pa brenga, hareshëm
qoft’ gjithçka e bukur para meje
qoft’ gjithçka e bukur pas meje
e bukur gjithçka posht’ meje
e sipër meje
e me bukuri u përmbylltë…
-
Regullat e Postimit
- Ju nuk mund të hapni tema të reja.
- Ju nuk mund të postoni në tema.
- Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
- Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
-
Rregullat e Forumit
Krijoni Kontakt