Tiranë, 23 mars - Qeveria e Shqipërisë do të falë faturat e papaguara të energjisë të 270 mijë familjeve në nevojë, të periudhës përpara se sistemi i shpërndarjes së energjisë të privatizohej.
Vendimi është deklaruar sot në mbledhjen e qeverisë nga vetë kryeministri Sali Berisha, i cili sqaroi se "borxhi i konsumatorëve familjarë që do të falet kap shifrën e 400 milionë dollarëve” dhe se “98 % e këtyre detyrimeve janë të familjeve të shtresave në nevojë”
"Janë 270 mijë familje shqiptare me ndihmë ekonomike, invalidë. ... dhe borxhi është kontraktuar në atë periudhë kur ndihma ekonomike dhe pensionet kanë qenë shumë më të ulëta se sot"- nënvizoi kryeministri
Kryeministri Berisha përsëriti ftesën drejtuar opozitës të votojë në parlament ligjin për aministinë fiskale, si një ligj në interes të qytetarit e biznesit dhe jo të buxhetit të shtetit.
“Ftoj opozitën, edhe një herë, të votojë këtë ligj si një dëshmi e vullnetit për të shfrytëzuar vullnetin që ka në interesin më të mirë të vendit. Nëse ka vërejtje apo sugjerime të amendojë këtë ligj. Ky ligj është në interes kryekëput të qytetarit të biznesit dhe absolutisht jo buxhetit të shtetit. Sepse këtu janë vendosur tarifat më të ulëta që mund të vendosen dhe gjykoj se opozita nuk ka asnjë shkak asnjë arsye për të mos e votuar.”- deklaroi kryeministri Berisha në fillim të mbledhjes së sotme të qeverisë.
Një ndër pritshmëritë e qeverisë pas miratimit në Kuvend të ligjit për amnistinë fiskale ka të bëjë me regjistrimin e të gjitha pronave të paluajtshme të paregjistruara, të qytetarëve apo bizneseve të vogla. Këto prona nuk janë regjistruar deri më tani në vlerën e tyre të vërtetë, për të mos paguar tarifën e sotme që është 10 %, ndërsa me këtë ligj për regjistrimin e pronës duhet të paguhet tarifa 1% .
“Nëse një apartament në 2002 kushtonte 30 mijë dollarë, dhe sot ky apartament, me ndryshimin e kursit, kushton 100 mijë euro, me ligji, ky zotëri duhej të paguante 30 mijë dollarë.. me tarifën e aministsë paguan 1000 dollarë dhe ndodh një legalizim i plotë”, shpjegoi kryeministri Berisha.
Nga 31 dhjetor 2010 e para çdo detyrim është i amnistuar. Me këtë ligj i falen qytetarit taksat, tatimet, gjobat dhe interesat e papaguara deri më 31 dhjetor të vitit të kaluar.
Sa i përket bizneseve janë të amnistuar të gjitha bizneset e vogla të paregjistruara, të cilat mund të regjistrohen duke paguar tarifen 3 %. Gjithashtu falen sigurimet shoqërore për të punësuarit, të vetëpunësuarit, gjobat para kësaj date ( 31 dhjetor 2010). Falen kompanitë me bilance jo të përshtatshme dhe i jepet mundësia të paraqesin bilancin e plotë kundrejt një tarife 6 %.
“Ky është një aministim i madh dhe krijohet mundësia e vetëdeklarimeve për të gjitha bizneset”, nënvizoi kryeministri.
Në amnisti nuk përfshin të gjitha pasuritë që janë në subjekt hetimi në përpuitzhje me ligjin antimafia si dhe pasuritë e krijuara nga zyrtarët, apo ish zyrtarët dhe që i kanë fshehur.
Numri një i qeverisë i bëri thirrje qytetarëve dhe bizneseve të vogla të “shfrytëzojnë harkun kohor deri më 31 dhjetor 2011 që ato të kenë mundësi që në përputhje me këtë ligj të përfitojnë nga çdo lloj detyrimi që amnistohet nga ky ligj”.
Koha.net
Krijoni Kontakt