Close
Duke shfaqur rezultatin -9 deri 0 prej 1
  1. #1
    i/e regjistruar Maska e fegi
    Anëtarësuar
    29-05-2009
    Postime
    5,767

    Pergamena e Engjëllorëve

    Pergamena e Engjëllorëve
    Dr. Musa Ahmeti
    Budapest. Për historinë e mesjetës së popullit shqiptar, dorëshkrimet si burime historike të dorës së parë, janë mjaft të rralla, të pakta dhe pjesa më e mirë e tyre, nga ato të paktat që na janë ruajtur, janë të dëmtuara rëndë ose janë të pjesshme-fragmentare.

    Deri më sot, nga të gjitha familjet e njohura fisnike shqiptare, vetëm nga familja e njohur e Engjëllorëve të Drishtit është ruajtur një numër i konsideruar dorëshkrimesh, në arkiva e biblioteka evropiane, por, edhe te trashëgimtarët e kësaj familje, nga krahu gjenealogjik femëror, që jetojnë në Shkodër, Kamsi.

    Përgjithësisht deri me sot, ka informata për 13 dorëshkrime të Engjëllorëve të Drishtit, të cilat janë në origjinal, pjesa më e madhe e tyre (nëntë sosh) janë të shkruara në pergamen dhe të gjitha në gjuhën latine, me një përjashtim të vogël, që në të ashtuquajturin “Kodiku i Firencës” ruhet edhe një fjali e vetme në gjuhën shqipe, që është njëri ndër dokumentet e para të shkruara në gjuhën shqipe, me grafema latine.

    Në këto dorëshkrime ka informata të shumta për familjen e Egjëllorëve të Drishtit, origjinën e tyre, trungun gjenealogjik të paraqitur në forma të ndryshme.

    Në disa raste, këto gjenealogji (disa edhe të botuara gjatë shekujve XVI-XVII) përmbajnë të dhëna shumë të sakta jo vetëm për familjen e njohur nga Drishti, por edhe për gjendjen ekonomiko të qytetit, pozitën politike, shoqërore, kulturore, sociale, ushtarake, të drejtën zakonore, kanonike por edhe të drejtën e zyrtarizuar nga vetë komuna, siç ishte rasti me “Statutet e Drishtit”. Një pjesë e mirë e dorëshkrime kanë të bëjmë me pronat familjare të Engjëllorëve, të cilat paraqesin burim të dorës së parë për ekonominë e kohës, zhvillimet tregtare, por edhe për kufijtë dhe toponiminë e atyre vendeve.

    Përmbajtja e dorëshkrimit

    Dorëshkrimi që kemi në dorë, që në origjinal ruhet në Bibliotekën Apostolike të Vatikanit, për nga përmbajtja është i shumënduarshëm. I shkruar në dy kohë të ndryshme, pjesa e parë, ajo në pergamenë në vitin 1468 (shek. XV) dhe ajo në letër shekulli XVI (1554) sjell të dhëna për gjendjen ekonomike të Engjëllorëve, pronat e tyre (shënime të sakta toponimike të lagjeve, arave, urave, lumenjve, rrugëve, maleve etj), pozitën e tyre në Drisht, përkatësisht kufizimet me fqinjët e tyre.

    Aty përmenden informata për emrat e familjeve tjera shqiptare që jetonin në Drisht; pastaj për lidhjet farefisnore, lidhjet e gjakut me Gjergj Kastriotin Skënderbeun (dalin edhe në disa dorëshkrime të tjera këto lidhje) nga krahu gjenealogjik femëror, por edhe për lidhjet me familjet e tjera shumë të njohura fisnike shqiptare si: Topiajt, Zahariajt, Matrangët, Spanët, etj, duke vazhduar pastaj edhe me ato të vendeve fqinje si Cernojeviqët, Brankoviqët, Paleologët, etj.

    Natyrisht, që këto lidhje mbeten të saktësohen përmes burimeve tjera, pas studimeve që duhet të bëhen për të vërtetuar lidhjet që pretendohet se kanë ekzistuar me këto dhe familje të tjera. Në librat e botuar nga Engjëllorët këto shënime dhe informacione përsëritën por kundërshtohen nga bashkëkohanikët e pinjollëve të kësaj familje kur ato janë botuar në shek. XVI dhe XVII, por megjithatë ka rezerva në disa raste sepse ato duken të pamundshme ose jo shumë logjike si të tilla.

    Përshkrimi fizik i dorëshkrimit

    Dorëshkrimi ruhet në fondin e dorëshkrimeve në Bibliotekën Apostolike të Vatikanit në signaturë Mss. Cod. Vat. Lat. 8277. Është në gjendje të mirë. Ka kopertina pergameni të trashë, ndërsa është i mbështjellë me karton të fortë, në një kuti të veçantë, pas restaurimit të bërë në shekullin XIX.

    Në kopertinën e parë të pergamenit, pos shënimit të signaturës, ka edhe disa shënime tjera, kryesisht llogaritje matematikore, të cilat pothuajse janë fshirë fare, por që lexohen me anë të “rrezeve ultravjollce”. Në kopertinën e brendshme, është e shënuar një gjenealogji e shkurtër e Engjëllorëve që fillon më: “1080, Alexius Angelus Constantinopolitanis Imperator,” dhe në fund gjejmë po në atë trung gjenealogjik edhe emrin e Gjon Kastriotit dhe atë të Gjergj Kastritoit, që si duket kanë lidhje gjaku me Engjëllorët e Drishtit.

    Në fletën në vijim është një shënim prej 24 rreshtash i shkruar ditën e shtunë më 7 maj 1513 në Briane, që i paraprinë dorëshkrimit origjinal. Fleta në vazhdim, lartë në të djathtë, ka të shënuar me laps plumbi, grafemën b, gjë që vazhdon edhe në fletën tjetër me një grafemë c. Fleta në vazhdim, është e shkruar nga e njëjta dorë sikurse ajo paraprake ku është shënuar edhe një “kod i fshehtë” që ende nuk është zbërthyer. Edhe teksti që e shoqëron “kodin e fshehtë” nuk ka shumë lidhshmëri logjike, kështu që mbetët të zbërthehet pas studimeve dhe kërkimeve tjera në dorëshkrimet e Engjëllorëve. Fletët në të cilat janë shënimet e mësipërme janë nga letra dhe në to ka shenja “filigranesi.”

    Faqja në vazhdim është boshe. Në vazhdim, kemi faqet e paginuara, vetëm në “recto,” djathtas lartë. Paginimin e ka bërë e njëjta dorë që ka shkruar edhe tekstin në pergamenë. Në f. 1r deri në f. 9r, tekstin e ka shkruar një dorë, përkatësisht një scribes. Në f. 9v kemi një dorë të dytë që shkruan 5 rreshtat e fundit, ku dallon edhe ngjyra e të shkruar, por edhe kaligrafia.

    Ndërsa f. 10r lartë në djathtë ka të shënuar numrin 10 dhe 12. Në f. 10v (në fletë letre me shenja “filigranes”) ka 13 rreshta tekst, të cilët i ka shkruar ajo dorë që shkruar edhe tekstin në fillim të dorëshkrimit. Këtu shihet edhe data e fundit e këtij dorëshkrimi, përkatësisht 7 janar 1554. Në vijim, në kopertinën e pergamenës ka një gjenealogji të dytë, e cila është shumë e zverdhur dhe vështirë lexohet. Ndërsa kopertina e fundit, ka të vizatuara tre stema të ndryshme, njëra e familjes së Engjëlloreve dhe dy të tjera të panjohura por që mund të shikohen vetëm me anë të “rrezeve ultravjollce”.

    Dimensionet e dorëshkrimit origjinal që ruhet në Bibliotekën Apostolike të Vatikanit, në Vatikan janë, kopertinat: 21.5 x 14.6, ndërsa vetëm teksti pa “margina” (pjesët bosh të faqes) është 17,5 x 10,1 cm.

    Të gjithë tekstin e dorëshkrimit origjinal nga f. 1r deri në f. 9r, e ka shkruar një dorë, përkatësisht një scribes. Është fjala për të njëjtin scribes që ka shkruar edhe dorëshkrimet tjera të njohura të familjes së Engjëllorëve të Drishtit siç janë: “Stautet dhe urdhëresat e kapitullit të Kishës katedrale të Drishtit /Statuta ed ordinationes kapitulli Ecclesiae cathedralis Drivastenis/; pastaj i ashtuquajturi “Kodiku i Firencës” dy dorëshkrime nga Venediku dhe një tjetër nga Biblioteka Apostolike e Vatikanit. Të gjitha këto dorëshkrime janë shkruar në vitin 1468.

    Scribes i këtyre dorëshkrimeve është kanoniku dhe noteri i Tivarit, Simon Dromasys, i cili kishte një përvojë shumë të gjatë në këtë fushë dhe është shumë i njohur. Për të, gjejmë të dhëna të shumta në arkivin e Raguzës (Dubrovniku i sotëm) dhe të Venedikut, ku janë ruajtur një pjesë e mirë e dorëshkrimeve të shkruara nga ai, me përmbajtje dhe pronarë të ndryshëm. Përjashtim bëjnë, shënimet në margina, të cilat i ka shkruar dora e cila ka mbajtur shënimet në f. br dhe në f. 10v. Shënimet në margina janë në: f. 1r-3v; kryesisht data, muaj dhe vite si dhe ndonjë koment i shkurtër. Faqet tjera janë të pastra dhe në to nuk ka asnjë shënim.

    Portreti i Pal Engjëllit

    Janë shumë të pakta portretet origjinale të fisnikëve shqiptarë, prelatëve të lartë të kishës apo intelektualëve të tjerë që jetuan e vepruan në shekullin e XV në trojet etnike shqiptare. Përjashtim bënë vetëm Pal Engjëlli, kryeipeshkvi i Drishtit, portretin origjinal të të cilit e gjejmë në dorëshkrimin origjinal që ruhet në Biblioteken Mbretërore të Danimarkës me titull: “Statuta ed ordinationes kapitulli Ecclesiae cathedralis Drivastenisi.” Sipas kërkimeve të deritanishme ky është punuar nga Simon Droamsys nga Tivari.

    Në f. 1r (olim 9r) brenda inicalit “P” të iluminuar në flori, me dekorime shumë të bukura për rreth, është një portret i kryeipeshkvit Pal Engjëlli me shkopin baritor në dorë, me mitër në kokë i veshur me rroba të kryeipeshkvit. Mitra e bardhë, e ndarë me një vijë të kuqe nga balli i lartë, ka një lakim të vogël, majtas. Në ballë është vetëm një hark i vogël që shërben si bazament për fillimin e vijës. Jakat e veladonit janë jeshile. Menjëherë poshtë jakave është petku kryeipeshkvnor i hedhur mbi supe, i cili ka ngjyrë vjollce. Nga gryka deri në fund të kraharorit, petku ka formën e shkronjës “V.” Petku është i hedhur edhe mbi supe dhe duar.

    Brendia e petkut është jeshile. Veladoni poshtë petkut është blu dhe zbret deri te gjunjët. Poshtë veladonit, nga gjunjët deri te këpucët është një petk i bardhë. Në dorën e djathtë, kryeipeshkvi mban shkopin baritor, i cili është i bardhë dhe ka kokë të rrumbullakët, ngjyrë gri. Dora e majtë është ngritur në pozicion lart, ashtu siç ngrihet kur bëhet bekimi. Sfondi gjithandej është blu i errët. Ndërsa portreti rrethohet nga një rreth vezor ngjyrë vjollce.
    Fotografitë e Bashkëngjitura Fotografitë e Bashkëngjitura  

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •