Sistemi i dhënies së lejeve të drejtimit në vend do të ndryshojë. Të gjithë ata që do të duan të marrin një të tillë, pavarësisht se mund të kalojnë provën e parë, do të kenë një leje provizore për dy vitet e para.Ndërkaq, do të ngrihet edhe një sistem kombëtar pikësh penalizuese, i cili do të shërbejë për të identifikuar ata që janë më të papërgjegjshëm në qarkullim dhe, nëse shkeljet përsëriten shpesh, mund t’u hiqet leja e drejtimit. Sakaq, është propozuar që të ulet edhe niveli i lejuar i alkoolit në gjak për drejtuesit e automjeteve. Të gjitha këto ndryshime parashikohen në Strategjinë Kombëtare të Sigurisë Rrugore 2011-2020 dhe do të vihen në zbatim nga ky vit deri në vitin 2015 sipas një plan-veprimi. Të dyja këto dokumente kanë marrë miratimin e të gjitha strukturave përkatëse, duke filluar nga Komiteti Ndërministror i Sigurisë Rrugore, ministritë e linjës dhe Presidenti.
Dy vjet test
Një nga problematikat kryesore që nxjerr në pah kjo strategji është përfshirja në aksidente e shoferëve të rinj. Në këtë kuadër, në Strategji propozohet që të ndryshohet sistemi aktual i dhënies së lejeve të drejtimit duke rritur kërkesat për shoferët e ardhshëm dhe paralelisht duke përputhur standardet tona me ato të Bashkimit Europian. Gjithçka do të fillojë me autoshkollat, ku do të rishihen procedurat dhe materialet e trajnimit në lidhje me kërkesat e sigurisë rrugore dhe të përafrohen me ato të BE-së. “Të futet një sistem i ri i lejeve të drejtimit, duke përfshirë programin e heqjes së pikëve. Drejtuesi i mjetit që pajiset për herë të parë me leje drejtimi mjeti, duhet t’i nënshtrohet një periudhe prove për të paktën dy vjet, me qëllim testimin e tij/saj në lidhje me njohuritë e marra dhe me sjelljen përkatëse. Kjo do të thotë që në rast të neglizhencës serioze të rregullave të qarkullimit rrugor, d.m.th. në rast të tejkalimit të shpejtësisë dhe drejtimit të mjetit nën efektin e alkoolit, gjykata duhet t’i heqë lejen e drejtimit këtij drejtuesi nëpërmjet një procedure shumë të thjeshtuar. Kjo mund të bëhet në kombinim me sistemin e pikëve penalizuese”, thuhet në dokumentin e Strategjisë. Eliminimi i korrupsionit për marrjen e një lejeje drejtimi është një tjetër synim që ka ky dokument. Të gjitha pikat e mësipërme duhet të jenë zbatuar deri në vitin 2014.
Alkooli
Shqipëria ka një numër të papranueshëm aksidentesh me pasoja fatale për jetën për ata që përfshihen në këto aksidente. Si një nga arsyet e aksidenteve cilësohet edhe përdorimi i alkoolit. Edhe në këtë kuadër, ekspertët që kanë hartuar Strategjinë e Sigurisë Rrugore kanë parashikuar që të ulet niveli i lejuar i alkoolit në gjak për drejtuesit e automjeteve. “Legjislacioni mbi trafikun duhet të ndryshohet në lidhje me përqindjen e përqendrimit të alkoolit në gjak. Në të ardhmen, limiti alkoolit ne gjak do të jetë 0,2 deri 0,3 mg/litër për të gjithë drejtuesit e mjeteve dhe 0,00 mg/litër për drejtuesit e rinj për dy vitet e para. Ndryshimet e nevojshme në legjislacion për prezantimin e këtyre masave duhet të bëhet menjëherë”, thuhet në dokumentin e Strategjisë Kombëtare të Sigurisë Rrugore.
Edukimi në shkolla
Rritja e përgjegjshmërisë së qytetarëve për rreziqet që paraqiten në qarkullimin rrugor si për këmbësorët, ashtu dhe për drejtuesit e mjeteve, do të fillohet nga brezi i ri. Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës i kërkohet në Strategji që brenda këtij viti të ketë hartuar kurrikulat edukative që do të jepen në shkollat e mesme lidhur me ndërgjegjësimin e njerëzve që marrin pjesë në trafik. “Informimi, formimi dhe ndërgjegjësimi i brezit që shumë shpejt do të jenë drejtues mjetesh, përdorues rruge, si dhe edukimi i tyre në funksion të një mjedisi publik që do të ushtrojë presionin e duhur dhe do të imponojë ndërtimin dhe respektimin e standardeve. Për këtë qëllim, ka nevojë të rishikohet dhe të përmirësohet kurrikula ekzistuese, duke pasur parasysh kuadrin e kësaj strategjie dhe që t’i shërbejë qëllimeve të saj”, thuhet në strategji. Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës i kërkohet që brenda këtij viti të marrë një sërë masash duke filluar me ndërtimi i objektivave të reja kurrikulare, përgatitja e një CD-je dhe broshure paraprake dhe pilotimin e saj në 5-6 rrethe me probleme më të mprehta, trajnimin e mësuesve të shkollave, përfshirë në pilotim, zbatimi i këtij objektivi dhe më pas verifikimi i efektit që ka pasur kjo masë. MASH do të ketë edhe bashkëpunimin e Ministrisë së Brendshme për zbatimin e projektit.
Strategjia për lejet e reja të drejtimit
1. Përmirësimi i sistemit të pajisjes me leje drejtimi të drejtuesve të mjeteve në harmoni me kërkesat e sigurisë së BE-së;
2. Bazë për amendamentet duhet të shërbejnë direktivat e BE-së në lidhje me pajisjen me leje drejtimi të drejtuesve të mjeteve.
3. Instalimi i një sistemi pikësh penalitetesh në nivel kombëtar.
4. Prezantimi i lejeve provizore për drejtuesit e rinj të mjeteve.
5. Vendosja e një kodi identifikimi të autoshkollës në lejen e drejtimit.
6. Monitorimi i drejtuesve të rinj të mjeteve dhe ndërhyrja e shpejtë në raste sjelljesh agresive dhe të rrezikshme.
7. Aktivizimi i sistemit të kufizimit për drejtuesit e rinj të mjeteve, të cilët nuk zbatojnë Kodin Rrugor, p.sh. toleranca “zero” për përqindjen e alkoolit në gjak.
Pikat e zeza në vend, ja masat që do të merren
Shumë prej rrugëve në vend jo pak herë janë pagëzuar me epitetin “të vdekjes”, kjo lidhur me numrin e madh të aksidenteve fatale të ndodhura në këto akse rrugore. Një nga synimet e Strategjisë Kombëtare të Sigurisë Rrugore është ulja e aksidenteve në këto rrugë të konsideruara si pikat e zeza, përmes një sërë masash inxhinierike që do të merren. E para që do të bëhet sipas dokumentit të sapomiratuar është evitimi i strukturave të ndërtimit që mund të kthehen në problem madhor në rrugët e reja që janë në proces ndërtimi. Ndërkaq, lind nevoja për përmirësime në pikat e zeza ekzistuese. Sipas dokumentit, duhet që të rishitet sinjalistika, e cila nuk është në nivelin e duhur. “Studimi sistematik që do t’i bëhet rrjetit rrugor ekzistues nëpërmjet Inspektimit të Sigurisë Rrugore (ISRr) do të mundësojë identifikimin dhe eliminimin e problemeve potenciale të sigurisë, si dhe do të mundësojë edhe rishikimin e limiteve aktuale të shpejtësisë dhe sinjalitikës paralajmëruese, e cila nuk është në nivelin e duhur”, thuhet në Strategjinë e miratuar. Në këtë kuadër theksohet se shenjat paralajmëruese nuk janë gjithnjë të vendosura në mënyrë korrekte. “Kjo mund të çojë në manovra të rrezikshme të minutës së fundit nga drejtuesit e mjeteve që ndryshojnë koristë, duke shtuar konfliktet dhe rrezikun potencial për aksidente. Normat e shpejtësisë janë gjithashtu të pasakta për disa pozicione”, vijon dokumenti. Një tjetër pikë që pritet të përmirësojë situatën në rrugët problematike është survejimi me kamera stacionare për vëzhgimin e shpejtësisë, çka rrjedhimisht jep efekte pozitive.