Presidenti Behgjet Pacolli, të hënën, gjatë vizitës në Tiranë, propozoi një nismë,sipas të cilës, dy shtetet - Kosova dhe Shqipëria do të përfitonin shumë si në aspektin ekonomik. por dhe në atë të integrimit.
Në konferencën e përbashkët për shtyp me presidentit Bamir Topi, Pacolli ka thënë se bashkëpunimi Kosovë-Shqipëri nuk duhet të plotësohet edhe më shumë, sidomos lëvizjes së lirë të mallrave dhe ligjet që asistojnë në këtë pikë.

“Ajo rrugë që më parë u nevojiteshin qytetarëve tani 10 orë, ‘Rruga e Kombit’ sot bëhet për tri orë. Por, ajo nuk është e përplot. Ne do e bëjmë këtë për të formuar një treg të përbashkët. Por, kjo bëhet nëse ne që tani do heqim tarifat doganore që përcjellësit e këtyre mallrave të kenë licence të unifikuara. Të bëjmë ligje të njëjta, standarde të njëjta dhe kjo do na çojë drejt integrimit në BE. Ne me këtë nuk do lëndojmë askënd, do respektojmë normat me komunitetet e tjera”.

Sipas Pacollit, kjo ide dhe nismë e tij, duhet të realizohet sa më shpejt pasi nuk ka më kohë për Kosovën. Ai ka thënë se, përpos lëvizjes së lirë të ideve, duhet të ketë edhe unifikim të teksteve shkollore.

Presidenti Topi ka thënë se biseda mes dy presidentëve ishin pikërisht pikat sesi dy vendet të rritin dimensionin e komunikimit mes tyre, por edhe tema të ndjeshme, siç janë problemet me tekstet.

“Lindin probleme për përsosjen e teksteve që kanë të bëjnë me dimensionin e arsimit, për të rritur standardin e arsimit. Diskutova me presidentin që ‘Rruga e Kombit’, një element infrastrukturor tej i rëndësishëm të shfrytëzohet me mirë për lëvizjen e mallrave me një element shumë simbolik. Pacolli e konsideroi rrugën dhe si shkëmbim të ideve, mundësi e madhe për të komunikuar për interesat tona politike, personale, ekonomike, ku dimensioni i lirisë të jetë i shprehur në mënyrë të veçantë”.

Topi ka thënë se edhe pse pati një gëzim shumë të madh kur Shqipëria mori përgjigjen për lëvizjen e lirë në vendet e BE, por një brengë të madhe për Kosovën. Topi garantoi se Shqipëria në çdo tryezë do insistojë në këtë pikë për Kosovën