UNDP (United Nations Development Programme – Programi për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara), në një raport që e ka bërë publik të mërkurën në Prishtinë, thotë se rreth 45 për qind të qytetarëve të Republikës së Kosovës jetojnë në kufirin e varfërisë.

Në këtë raport thuhet se varfëria është më e lartë në mesin e atyre që jetojnë në familje të mëdha e që në Kosovë është karakteristike sidomos në vendet rurale.

Një e dhënë tjetër që e bënë edhe më të vështirë jetën e kosovarëve është se 36 për qind e ekonomive familjare nuk kanë qasje në shërbimet themelore publike si uji, kanalizimi apo energjia elektrike.

Kryetari i Kuvendit Jakup Krasniqi ka shprehur gatishmërinë e tij dhe institucioneve të Kosovës që të ndryshojnë këto statistika në të mirë të zhvillimit të gjithmbarshëm dhe barazimin e kategorive shoqërore në vend.