SHIK-u 1999-2008, rrethanat e veprimit dhe përfundimi i misionit
Jam i vetëdijshëm se shumë nga këto dilema të yshtura, më së paku kanë të bëjnë me SHIK-un, nga vetë ngjyrimet dhe motivimet që e karakterizojnë.
Nga Kadri Veseli më 17 mars 2011 në ora 12:16
Lufta për popullin tonë ishte sakrificë dhe përpjekje e kurorëzuar suksesshëm me çlirimin e vendit me 1999, ndërsa liria pas çlirimit, përkundër synimit të shumicës kosovare, nuk solli edhe formalizim shtetësie. Kosova pas lufte iu nënshtrua një administrimi të mbikëqyrur të OKB’së.
Pas disa sukseseve fillestare të këtij misioni në përudhën emergjente në sanimin dhe përmirësimin e gjendjes sociale, infrastrukturës në vend, instalimin e institucioneve vitale dhe vënies së bazave të ekonomisë së lirë të tregut me kohën, për shkak të mungesës së vizionit, por dhe një burokracie të stimuluar, ky mision do të kthehej në një kufizim dhe barrierë të zhvillimit të vendit. Në një situatë të tillë unikate, kur shpesh kufizimet juridike binin ndesh me synimet e shumicës, një mori institucionesh vitale shtetformuese do t’iu nënshtroheshin një restriksioni juridik, për të mos u lejuar të ngriheshin ose mbeteshin surrogat i funksionimit të tyre. Një fat të tillë do të kishte edhe veprimi i shërbimit inteligjent.
Të ballafaquar me një realitet të tillë dhe me gatishmërinë e respektimit të tij, SHIK-u për mbi nëntë vjet (1999-2008) me strukturë, zyrë dhe njerëz të vet, do të vepronte në mënyrë legjitime dhe legale në një partneritet të zhvilluar intensiv ndërkombëtar në shërbim të paqes, stabilitetit dhe interesit të atdheut.
Pa abstrahuar faktin e mungesës të petkut formal në kornizat juridike të kohës, tërë ato vite të punës dhe ekzistencës sonë asnjëherë nuk kemi qenë pjesë e paralelizmit, aq më pak konfrontimit me institucionet ndërkombëtare të atëhershme, përkundrazi kjo klimë ka qenë vendimtare në vazhdimësinë tonë pas transformimit të Qeverisë së Përkohshme të Kosovës.
Duke qenë transparent dhe komunikues me realitetin politik dhe juridik të asaj kohe, kemi realizuar dhe një mori përpjekjesh të përbashkëta për të gjetur modalitete formalizimi në ato korniza juridike që administrohej vendi. Për këtë qëllim, kemi mbajtur një mori takimesh pune dhe marrëveshjeve verbale apo të nënshkruara për të arritur një zgjidhje të pranuar në kornizat juridike që administrohej vendi.
Të gjitha këto përpjekje janë zhvilluar me pjesëmarrje direkte të niveleve më të larta ndërkombëtare dhe një involvimi direkt edhe të niveleve më të larta institucionale të vendit, përfshirë presidentet, kryeparlamentarët, parlamentaret dhe kryeministrat e vendit të atyre periudhave përkatëse.
Idetë apo modalitetet e propozuara për formalizim të shërbimit inteligjent kanë konsistuar nga gjetja e hapësirës brenda kornizave juridike të asaj kohe, si idetë e atashimit të shërbimit inteligjent në kuadër të një zyre pranë kryeministrit apo kryetarit të vendit, deri në forma tjera alternative që do ta mbanin funksionale këtë strukturë deri në rrethana juridike më të favorshme. Por, me gjithë këto përpjekje si rezultat i restriksioneve juridike dhe presionit të Serbisë dhe orbitës së tyre në OKB nuk arritëm një modalitet të suksesshëm finalizues.
Për korrektësi, përveç SHIK-ut, në këto përpjekje kanë qenë pjesëmarrës shërbimi inteligjent i TMK-së dhe Agjencia Inteligjente e Kosovës - AIK.
Drejt përfundimit të misionit dhe fillimit të AKI-së
Kur ishte vendosur për fillim të negociatave mes Serbisë dhe Kosovës me ndërmjetësim ndërkombëtar për të ardhmen politike të vendit, konform atyre zhvillimeve, me vendim të institucioneve tona legjitime dhe bashkëpunim të ngushtë me komunitetin ndërkombëtar, nga fundviti i 2005 përkatësisht fillimviti 2006 kemi filluar angazhim të ri në drejtim të përgatitjes së infrastrukturës së shërbimit të ri inteligjent të Kosovës. Ky inicim ka filluar kur Bajram Kosumi ishte kryeministër, ka marrë formë me Agim Çekun dhe është përfunduar me Hashim Thaçin kryeministër.
Për rreth dy vjet kemi zhvilluar takime pune intensive për të përgatitur tërë infrastrukturën juridike të agjencisë së re inteligjente, aspektin e brendshëm rregullativ të sij dhe të ardhmes së strukturave të atëhershme ekzistente inteligjente, duke përfshirë edhe SHIK-un. Pjesë e këtij angazhimi kanë qenë edhe nivelet më të larta në aspektin horizontal dhe vertikal të përfaqësimit institucional vendor dhe ndërkombëtar të asaj periudhe. Pas shumë pune, debatesh dhe gërshetimi idesh, kemi arritur në mirëkuptim dhe unanimitet të plotë të vendimeve në tërë ato që më vonë u aprovuan po ashtu me unanimitet nga parlamenti i vendit dhe sot janë në funksion juridik si kornizë legale ligjore dhe rregullativë e brendshme e Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, AKI-së
Me shpalljen e pavarësisë së vendit dhe hyrjen në fuqi të Kushtetutës së shtetit tonë të pavarur, hyri në fuqi Ligji për formimin e AKI-së. Ky ishte momenti final i kurorëzimit të punës sonë, veprimit dhe vetë misionit tonë angazhues. Shuarja e ish-strukturave inteligjente deri para asaj periudhe dhe përkrahja absolute për shërbimin e ri inteligjent ishin vendimet më të drejta që ne me vetëdije dhe unanimitet të plotë gjatë punës sonë përgatitore kishim ndërmarrë.
Kishte në fakt edhe ide të tjera nga miqtë dhe partnerët tanë, insistimi i tyre për të vazhduar punën unë dhe njerëz nga ish-struktura që drejtoja deri atëherë, kjo ka ndodhur qoftë në propozimet e ofruara gjatë procesit, po ashtu edhe në realitetin e ri të vendosur më vonë.
Ka pasur moskuptim dhe ndoshta keqkuptim në tërë këtë, por e them me modesti dhe bindje se mbi secilin interes apo ego në qëndrimin tim dhe njerëzve që kam punuar, ka qëndruar interesi i këtij vendi. Veprimi ynë ishte i arsyes dhe logjikës, që ndoshta në egot “normale” të kohës sonë dhe ngarendjes pas ofiqeve nuk do të kuptohet lehtë.
Çdo hezitim apo veprim dualist në këtë proces pas hyrjes në fuqi të Kushtetutës së vendit ishte veprim kundër vetes, interesit të shtetit tonë dhe institucioneve të reja që po krijoheshin dhe në fakt mund të ishte vetëm imoralitet njerëzor i vetëmashtrimit.
Deklarata ime publike si drejtor i SHIK-ut ishte vetëm pjesë e këtij koncepti që me kishte udhëhequr gjatë gjithë veprimit tim në shërbim të vendit dhe popullit tim.
Rreth dilemave dhe dilemënxitësve për dhe rreth SHIK-ut
Deklarata ime publike siç dukej nuk ishte në interes të të gjithëve të kuptohej dhe pranohej në bazë të realitetit as të fakteve. Kam parasysh një kategori njerëzish apo grupimesh, që për interesa meskine të përfitimeve sektare politike apo materiale tentojnë të shërbehen me logjikën e kompromitimit dhe denigrimit të kundërshtarëve të tyre imagjinarë, përmes klithjes dhe çjerrjes kërcënuese me fjalë të mëdha shterpe në emër te kauzave të mëdha, por që në brendi janë vetë mjerimi i inkriminimit dhe kompromitimit të tyre moral, e për me tepër dëmtues të interesit nacional.
Jam i vetëdijshëm se shumë nga këto dilema të yshtura, më se paku kanë të bëjnë me SHIK-un, nga vetë ngjyrimet dhe motivimet që e karakterizojnë. Konstatoj se çdo reagim përkatësisht përgjigje ndaj pretendimeve të tilla, që janë jashtë kontekstit të reales dhe një veprimi të arritshëm juridik, mund të paraqesin vetëm stimulim të nxitëseve të tillë në efekt. Ky moment përgënjeshtrimi në gjuhën e shërbimeve inteligjente njihet si hedhje benzine në zjarr.
SHIK-u gjatë tërë ekzistencës së vet për asnjë moment në asnjë rrethanë nuk është fshehur para popullit të tij, aq më pak të veprojë nën petk të ndonjë emri apo veprimtarie jashtë emrit të tij legal dhe të transparencës legjitime të veprimit në mision të shtetformimit.
Kosova si shtet i ri dhe me shumë sfida nuk ka luks të zhvillojë institucione paralele dhe në asnjë mënyrë nuk duhet të relativizohen institucionet e ndërtuara me aq sakrifica të mëdha.
Agjencia Kosovare i Inteligjencës është institucioni ynë i vetëm inteligjent legjitim, formal dhe legal në misionin në shërbim të atdheut dhe qytetareve të tij. Çdo veprim në këtë fushë nën çfarëdo petku apo emri, në formë individuale apo grupore, jashtë orbitës dhe dijenisë së këtij institucioni, është kundër ligjit dhe interesave të atdheut.
Jam i bindur se qytetarët tanë me vetëdijen dhe aktin e tyre do i japin vlerësimin dhe meritën finale çdo pretendimi apo pohimi publik, ashtu si dhe vetë punës së secilit, besoj se Kosova si shtet dhe institucionet e saj, sot e çdo ditë më shumë kanë nevoje për besimin, respektin dhe bashkëpunimin e qytetarëve që të arrijmë progresin e brendshëm dhe fuqizimin e institucioneve tona shtetërore. Në të njëjtën kohë të bëjmë të kota përpjekjet rrënuese të atyre “patrioteve ” të fjalëve të mëdha që vetëm nxisin dhe rrisin skepticizmat e përhapura të kundërshtarëve të shtetit tonë sovran për funksionalitetin dhe qëndrueshmërinë e tij ekonomike dhe politike.
Nesër vijon vazhdimi i tretë: “Tendencat denigruese të lirisë sonë”
(Autori është njëri prej themeluesve të UÇK-së dhe ish-Drejtor i Shërbimit Informativ të Kosovës, prej fillimit deri në fundin e ekzistencës së këtij shërbimi)
Krijoni Kontakt