PASUESI I FESË DO TË JETË SI MBAJTËSI I GACËS





Nga Enes ibën Maliku na përcillet se e ka dëgjuar Profetin, sal-lallahu alejhi ue selem, të ketë thënë:

“Për njerëzit do të vijë një kohë në të cilën ata që durojnë në këtë fe do të kenë vështirësi sikur të kapeshin pas gacës.”

Zinxhiri i hadithit: Këtë hadith e transmeton Enes ibën Maliku, Allahu qoftë i kënaqur me të, ndërsa në një transmetim tjetër përmendet edhe nga Ebu Thalebete Husheniu.

Hadithin e shënon imam Tirmidhiu, nr. 2186, 2984, Ibën Maxhe, nr. 4004, Ibën Beta në “Ibane”: 1 173, Ahmedi, 5/390, të cilin e saktëson Ibën Hibani, nr. 1850. Sa i përket gradës së saktësisë së hadithit, nëse e shikojmë nga senedi i tij vërejmë se ai është i dobët, por bazuar në shumë zinxhirë të tjerë hadithi kalon nga grada e dobët në atë të saktë. Këtë hadith shejh Albani e përmend në mënyrë të detajuar në librin e tij: “Silsile sahiha” 2/682, nr. 957, dhe i studion këto transmetime, duke ardhur në përfundimin, se hadithi me shumë zinxhirë transmetimi futet në radhët e haditheve të sakta. Allahu e di më së miri!

Komentimi i hadithit:

Ky hadith flet për kohët e vështira të besimtarëve, flet për kohën në të cilën muslimanët do ta kenë të vështirë pasimin e fesë, aq sa kryerja e detyrimeve fetare për ta do të jetë e njëjtë me bartjen apo mbajtjen e gacës në duart e tyre. Një kohë e tillë nuk dihet se kur do të jetë saktësisht, por një gjë është e sigurt, se kohë të tilla tashmë janë duke u shfaqur, por akoma nuk jemi të sigurt, se kur do të arrijë kulminacioni i kësaj kohe dhe kur do të marrë fund.

Fjala: “Për njerëzit do të vijë një kohë”

Këtu duhet ta ketë të qartë çdo besimtar, se Profeti ynë, sal-lallahu alejhi ue selem, nuk e ka ditur të ardhmen, d.m.th. ai nuk ishte njeri që e di gajbin-të fshehtën, gjithashtu askush nuk mund ta dijë të ardhmen pa marrë parasysh se dikush mund të pretendojë diçka të tillë. Allahu në Kuran me gjuhën e Profetit, sal-lallahu alejhi ue selem, thotë: “Sikur ta dija të padukshmen do t’i shumoja të mirat dhe nuk do të më prekte asnjë e keqe.” (Araf, 188).

Pra, ai nuk ishte njeri që e dinte të ardhmen, por kur fliste për gjëra të tilla kjo nënkupton se për to ishte i inspiruar nga Allahu Fuqiplotë, kështu të mos mendojë dikush, apo të mos pretendojë se e di të ardhmen.

Kjo kohë saktësisht nuk dihet se kur do të jetë, por nuk përjashtohet mundësia të jetë edhe në ditët tona, edhe pse ajo ka mundësi të vështirësohet edhe më shumë në të ardhmen, kësaj nuk i dihet. Po ashtu nuk dihet fakti, se deri ku mund të shkojë shtimi i këtyre problemeve dhe trashja e zullumit kundër muslimanëve.

Përmendja e: “…Njerëzve…” në mënyrë të përgjithshme me të nuk kihet si qëllim të gjithë njerëzit e botës, por me të kuptohen muslimanët, pra besimtarët që pasojnë fenë e tyre, një realitet ky i cili kuptohet nga fjala profetike që vjen në vazhdim.

Fjala: “ata që durojnë në këtë fe do të kenë vështirësi sikur të kapeshin pas gacës”

Kjo pjesë e hadithit paralajmëron vështirësitë që do të përjetojnë muslimanët, të cilët do ta pasojnë Islamin; për ata që i nënshtrohen Allahut dhe urdhrave të Tij, në vend që të çmohen nga të tjerët, të respektohen dhe t’u jepet pozita e merituar ata nënçmohen, shikohen me syrin kritik, shpifet kundër tyre, konsiderohen të rrezikshëm dhe shpesh dështimet e humbësve u vishen besimtarëve; për çfarë arsye? Për të vetmin fakt se këta jomuslimanë kanë mundësinë e shpifjeve dhe të ndërrimit të realitetit.

Pasimi i fesë në fakt e lehtëson jetën e besimtarit sidomos nga ana e brendshme e tij, d.m.th. shpirtërisht ai është i qetë, nuk është i trishtuar dhe çdo gjë është në gjendje ta pranojë pa ndikuar problemet e jashtme në jetën e tij si besimtar dhe si pasues i fesë.

Ky paralajmërim profetik nuk duhet t’i frikësojë aspak besimtarët dhe të zmbrapsen nga feja e tyre, apo të frikësohen në pasimin e fesë, sepse me gjithë vështirësitë e mundshme prapë vështirësitë e botës tjetër janë më të mëdha se ato të kësaj bote.

Ky paralajmërim vjen në formë fuqizimi të besimtarëve e jo në formë frikësimi, kjo për faktin se kur i tregon dikujt për pasojat dhe rreziqet e një misioni një gjë e tillë ndikon në forcimin dhe mobilizimin e njerëzve, të cilët duan ta nisin një rrugëtim të tillë.

Nga ky shembull i përmendur prej Profetit, sal-lallahu alejhi ue selem, pra ngjasimin e pasuesit të fesë me mbajtjen e gacës në dorë nuk nënkupton se kjo do të thotë që ata do të marrin fund. Nëse ndalemi dhe e analizojmë imtësisht këtë pjesë të hadithit, atëherë arrijmë në disa përfundime të cilat janë:

1- Kapja e gacës me dorë vërtetë është e vështirë, por nuk është më e vështirë se futja në zjarr, pra më mirë është që ta mbash gacën në dorë për disa vite me radhë e kështu do të digjet vetëm dora, por jo edhe i gjithë trupi, ndërsa në botën tjetër do t’u digjet i tërë trupi pa afat kohor, kur mund të përfundojë dënimi. Prandaj ky realitet nuk duhet të harrohet dhe nuk duhet anashkaluar aspak.

2- Mbajtja e gacës me të vërtetë e djeg dorën, por me kalimin e kohës gaca do të shuhet dhe kështu dora do të ndiejë qetësi, prandaj besimtarët nuk duhet të zmbrapsen nga feja e tyre, sepse me kalimin e kohës edhe gaca do të shuhet dhe çdo gjë do të kthehet në normalitet, gjithashtu dora do të shërohet. Prandaj besimtari në fillim duhet të bëjë vetëm sabër e pastaj me kalimin e kohës çdo gjë do të qetësohet dhe normalizohet, kështu që nuk duhet ta zmadhojë çështjen dhe të demoralizohet me gjërat që e rrethojnë dhe problemet që e kaplojnë.

3- Hadithi na jep të kuptojmë se këto probleme patjetër e kanë një fund dhe nuk do të zgjasin gjithmonë, prandaj edhe ne duhet të besojmë kështu, pasi çdo gacë pa marrë parasysh sa është e fuqishme, e nxehtë dhe e madhe ajo dikur do të marrë fund, do të ftohet dhe do të bëhet pluhur e hi, kështu çdo besimtar megjithë problemet e mundshme të tij, prapë se prapë duhet të besojë në fundin e tyre.

4- Profeti, sal-lallahu alejhi ue selem, paralajmërimit ndaj rrezikut për besimtarët i bashkëngjiti edhe ilaçin, apo i mësoi ata se cili është çelësi i tejkalimit të këtij problemi, pra përmendi sabrin – durimin, i cili është formulë e tejkalimit të çdolloj telashi. Prandaj edhe duhet të veprojmë ashtu, pra duhet që besimtarët në ato kohë përveç shumë kërkesave të tyre të ndryshme ata duhet në mënyrë të veçantë të kenë parasysh mobilizimin me sabër, sepse ai është ilaç i çdo problemi. Allahu në Kuran i këshillon besimtarët me fjalën e Tij: “O ju besimtarë ndihmohuni me sabër dhe namaz. Vërtetë Allahu është me durimtarët.” (Bekare, 153).

Kurse Muhamedi, sal-lallahu alejhi ue selem, në një hadith thotë: “Sabri është dritë që reflekton” (Muslimi, 223).

Ndërsa Aliu, radijallahu anhu në një fjalë të urtë të tij madhështore thotë: “Sabri në Iman luan rolin e kokës në trup, prandaj nëse humbet sabri, atëherë humbet edhe besimi.” (Ibën Ebi Shejbe në Musanef, 7/229)

Në fund të këtij trajtimi themi se besimtarët nuk duhet të demoralizohen aspak nga ky paralajmërim profetik, sepse kjo nuk duhet ta demoralizojë aspak besimtarin, por muslimani duhet ta analizojë çdo gjë sa më thellësisht dhe në mënyrë sa më të imtësishme, që ta kuptojë sa më saktë realitetin e kësaj feje. Gjithashtu Profeti ynë, sal-lallahu alejhi ue selem, paralajmërimit ndaj rrezikut i bashkëngjiti edhe ilaçin e tij, i cili siç e thamë më sipër është sabri-durimi. Muslimani duhet të jetë i bindur, se fitorja është vetëm e besimtarëve e jo e dikujt tjetër pa marrë parasysh kjo a do të mbartë në vetvete sfida apo jo. Çdokush nga ne duhet ta dijë, se pasimi i fesë ka vështirësi; ajo ka sfida dhe Xheneti nuk fitohet lehtë. Profeti, sal-lallahu alejhi ue selem, na e tregon mjaft qartë, se Xheneti është i rrethuar me vështirësi, kurse Xhehenemi është i rrethuar me lehtësime dhe kënaqësi.


All-llahu s.v.t., na ndihmoftë në pasimin e fesë dhe tejkalimit të të gjitha sprovave të mundshme në këtë botë dhe fitoren e sigurt në botën tjetër.


Esselamun alejkum.